07/10/2024

Nga Kalosh Çeliku

Vjersha antologjike “Lulekuqja” me të cilën Asdreni përsëgjalli e simbolizonte Shqipërinë, krah përkrahu me poezinë patriotike “Kosovës” në Librat e Këndimit të kohës së Ernest Koliqit si ministër i arsimit të Shqipërisë Madhe. Libra të “rrezikshëm”, që i trashigova nga vëllai, dhe tinës i lexoja nën hijen e Lisit midis livadhit, rrëzë “Ҫuke”. Shkolla ime e parë letrare. Nuk e di, Sot nga Varri: a, ende Asdreni i simbolizon me këto Dy Lule: Shqipërinë, dhe Kosovën?!

Serbia, dihet me shekuj ka qenë armik i popullit shqiptar. Pushtues historik i Trojeve Etnike Shqiptare. Edhe, gjatë pushtimeve ka bërë politikë kolonizuese afatëgjate për një Serbi të madhe. Tokat e pushtuara i ka mbjellë me fshatra serb, si: në Kosovë, Mal të Zi, dhe Maqedoninë e Veriut. Serbëve, u ka dhënë falas pasuri, shtëpi dhe nënshtetësi serbe me një kusht kontrate: që, nëse një ditë e shesin pasurinë, paratë t’ia kthejnë shtetit të Serbisë. Nuk e ka bërë këtë politikë largpamëse shteti shqiptar. E, shteti serb, nga ana tjetër me përndjekje, presione politike, aferën e armëve të Rankoviçit, ka ushtruar dhunë për shpërnguljen e shqiptarëve jashtë Atdheut. Dëshmi janë edhe dy marrëveshjet historike mes Serbisë (1938), e më vonë Jugosllavisë (1953), dhe Turqisë për shpërnguljet “vullnetare” të shqiptarëve si “turq” në Turqi. Përderisa, shqiptarët me ndihmën e hoxhallarëve si “turq”, i kanë bragtisur shtëpitë e stërgjyshërve për “Xhehnetin” e Anadollit.

Jo, rastësisht: sot, i kemi këto fshatra me popullatë serbe si këpurdhat pas shiut në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi. Fshatra politik egjëre në arat shqiptare, me të cilët kemi probleme historike edhe sotekësaj dite. Kohën e Fundit me Mitrovicën e Veriut. Nesër, me Maqedoninë e Veriut, Bosnjen dhe Malin e Zi. Politikë serbo-jugosllave asimiluese e shqiptarëve për një Serbi të Madhe. Populli shqiptar, kurrë nuk ka qenë pushtues, por i pushtuar nga “vëllezërit” e Njerkës dhe kojshitë e pabesë në Ballkan. E dëshmon, edhe historia. Gjithë jetën ka bërë luftë, herë me Krajl, e herë me Mbret t’i dali zot Pragut të Shtëpisë.

Politikë serbomadhe pushtuese asimiluese, të cilën e kanë parashikuar moti Rilindasët shqiptar, por jo edhe politikanët shqiptar në qeveritë e pushtuesve me poste politike. As Dje, dhe as Sot. Herët, Rilindasët, i janë përgjigjur maleve dhe nëpër botë me armë dhe Penë politikës serbomadhe. Asdreni me poezinë “Lulekuqja”, dhe “Kosovës”:

 

Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis,

Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!

Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke,

…Si vashë e virgjen: nuse sikur je;

Dhe malet me bor

Mi krye i ke kunor!

 

Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis

Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!

Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon

Difto-u e zonja; koha sot e don

Ti t’çohesh përseri

N’luftë t’mbarë për liri!

 

Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija

Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija,

Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë

Si luaj e si dragoj plot forcë që janë,

Që e derdhin gjakun prrue

Atdheun për m’e shpëtue!

 

Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë

As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë

Anmikut kur i sulen me rrebtsi

Si breshni mi te hidhen me duhi.

 

Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha

Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba

Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue

Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!

Për nder të shtëpis s’vet;

E falin shpirt e jet!

 

Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë

Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë

Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue

Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue

Se mjaft e kanë robnue

Dhe n’ zjarm e kanë prue!

 

A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë

Që të huejt para syve të t’venë ledhe

Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel

Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del

Dhe duersh mos të lëshojn’

Prej faqes s’dheut të t’shojn!

 

Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë

“Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë!

Atyne si u pëlqen kufijt i venë

Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë;

Mendojnë pa turp kurrfarë

Se s’ka nji komb Shqiptarë!

 

Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë

Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë

At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur

Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur,

Me lott qi qan e ankon

E asnji nuk i ndihmon!

 

Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe

Po nanën ju kujtoni qi u ka le

Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve

Prej bijet e harrume mi ket dhe!

Se ansht turp i math për ju

Të huejt me i u çnderu!

 

Sot ora mbrrini, dita e bekueme

Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!

Kosovës emnin me ja ngref te qilli

Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli

Me rrnue një Shqypni

Si zonjë në lumni.

 

Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini

Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!

Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë

Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë

Si ç’trimit mirë i prek

Me nder n’luftë me dek!

 

Sot, ajo Lulekuqe dhe poezi patriotike e Asdrenit, falë Natyrës malore e qiellore të Shqipërisë, përmes kamerave televizive mbiu dhe dha frute Lulekuqe. E pushtoi Shqipërinë. Shenja profetike paralajmëruese për shqipëtarët Ditën e Nesërme. Jo, për “Mëmëdheun” e patriotëve të vonuar, që Dje: ishin “maqedonas”, sot “musliman”, “turq”, dhe në fund pak para vdekjes u bënë edhe “shqiptarë”. E duan “Mëmëdheun”. Dhe, jo Atdheun. Nesër, kutadi unë si argatë të pushtuesve historik me grada ushtarake dhe poste politike antishqiptare, si do ta gëdhijnë ditën. Ose, varrin. Unë, e di për vete: e dua edhe Mëmëdheun! Edhe, Atdheun!

Përçudi, Ditën e sotshme ma kujtuan vjershën time “Vjollca”, nën ndikimin e poetit rilindas Asdreni, që: ai, asaj kohe me Lulekuqen simbolizonte Shqipërinë, e unë me Vjollcën – Kosovën. Poezi, e blerë gjatë sistemit komunist në konkursin e shpallur letrar të revistës për fëmijë “Pionieri” me kryeradaktor poetin e mirënjohur për fëmijë Vehbi Kikaj, e anëtar komisioni Rexhep Qosja. Nuk më kujtohet sot, emri tretë i anëtarit të komisionit. Me siguri, edhe ai ka qenë krijues i mirënjohur shqiptar. Poezi simbolike, e publikuar asaj kohe policore në sistemin komunist jugosllav mes cenzurkuqëve me gërshërë në duar, dhe dënimin me burg si “armik i shtetit të përbashkët” jugosllav. Që, përpiqeshin si argatë besnik komunist, asgjë të mos u shpëtojë nga duart antijugosllave. Kurrësesi, si në Ditën e sotshme “demokratike”, kur për vlerat artistike letrare nëpër komisione në Ministrinë e Kulturës, pa kritere shkencore vendosin partizanët e emëruar nga partitë politike me libreza partiake pa asnjë libër në shtëpi. Edhe, atë: Sot, kur populli shqiptar, ende është në rrezik!

Mosmarrëveshjet politike, e Tre kryeministrave shqiptar. I katërti, është në radhë. E presim, edhe të katërtin. Dhe, politikanëve të dalldisur dhe arratisur mes Shqipërisë dhe Kosovës me armikun historik shekullor, i kemi edhe sot si PYKA shelgu në Trungun e Rrapit shqiptar. Edhe, në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedonisë Veriut, dhe Bosnje?! Njëri, siç thotë populli i bie me çekiç patkonit, tjetri thumbit, i treti, këmbës të “Kalit Shemës” pas porte: Tiranë, Prishtinë e Shkup. Ende, i pa mbathur me patkonjë për rrugë malore. Dhiare shkëmbore. Ose, gomarit të Sanço Panços shqiptar, rrëzë Sharrit Plak, këmbëzbathur pa patkonjë hekuri në fushëbetejë. “Patriotit” partiak, pa opinga e çorapë me kërpesh përqafe “kuqezi” e këmbët dhe trutë legen.

Përçudi, erdhi Dita “Lulekuqja” e poetit Asdreni, Sot doli në mejdan: e pushtoi Shqipërinë. Edhe, atë: falë, Natyrës. Jo, politikanëve të dalldisur, dhe arratisur pas pasurisë me poste politike nëpër ministri dhe kabinete qeveritare nateditë me kokën në grazhdin e “Kalit të Rexhës”, që me dy shqelma para Dasme, se: Nusja të zbresë nga koçia në lëmë me pushkë, dajre dhe këngë të grave e la në grazhd të kalit. Paeditur, se koçisë i ishte thyer rrota e qerres mes maleve. Dhe, komitat e kishin grabitur Nusen. Nusja, ende na mbeti maleve.

Ankohen, para kamerave televizive bujqërit e Shqipërisë, se Lulekuqja po ua sulmon arat dhe livadhet. Bubrrecat dhe karkalecat e Natyrës. Jo, pushtuesit grerëza. Politika kosovare, se: tre policë ua ka rrëmbyer policia serbe brenda kufinjve të Kosovës. E, nuk ankohen nga bubrrecat dhe karkalecat e partive politike të korruptuar, që ua kanë pushtuar Shqipërinë dhe Kosovën?!

Epabesueshme?! Ankohen, nga “Lulekuqja” e Asdrenit. Që, lulëzon arat e Shqipërisë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok