Fran Gjoka: Shkolla dhe shoqëria kërkon drejtues të kualifikuar, të cilët duhet të marrin një formim universitar cilësor dhe profesiona

0

-Shkolla në fokusin e gazetarit-

Problemet e drejtimit të shkollës moderne janë bërë të vështira. Sepse shkolla është bërë një institucioni më kompleks në të cilin kanë ndryshuar rolet, pozicionet dhe janë transformuar konceptet e shkollës së vjetër, të bazuar në drejtimin politik dhe ideologjik dhe në autorizmin absolut gati totalitarist të drejtuesve të saj. Në shkollën tonë të re, të demokratizuar në të gjithë hallkat dhe aksesorët e saj duket se gjërat kanë ndryshuar. Kanë ndryshuar doemos dhe raportet midis aktorëve dhe faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm që lidhen me të. Megjithatë, duket se mbarëvajtja e punëve të shkollës është e lidhur me punën dhe veprimtarinë e një figure kryesore drejtuese, që ka përgjegjësinë e drejtimit të procesit mësimor edukativ. Natyrisht duke parë rolin e drejtorit në drejtimin dhe mbarëvajtjen e punëve në shkollë, më duket se jo gjithnjë kjo figurë qendrore e shkollës dhe e drejtimit të proceseve të shumta që zhvillohen brenda saj, nuk është gjithnjë në pozicionin e duhur dhe të luajë rolin që i takon në funksion të drejtimit.

Drejtori i shkollës unifikon tërë hallkat e procesit të mësimit dhe edukimit

Kur bisedon me drejtues dhe mësues të shkollave të ndryshme, gjithnjë përballesh me eksperienca, tipologji dhe larmi përvojash pune e drejtimi, me mënyra të ndryshme të komportimit të drejtuesit të shkollës me mësuesin, nxënësin, prindërit dhe komunitetin shoqëror. Një figurë e plotë e drejtuesit të shkollës është ai që drejton shkollën jo pjesë – pjesë dhe me hallka të shkëputura të procesit të mësimit dhe të edukimit, por në mënyrë harmonike dhe të sinkronizuar në të gjithë komponentët dhe përbërësit e saj. Shkolla është një nga institucionet që nuk funksion pjesë – pjesë, por në mënyrë tërësore, sepse përgjithësisht shkolla nga pikëpamja e veçorive institucionale është një “institucion total”. Në këtë kontekst roli i drejtorit të shkollës për unifikimin e tërë hallkave të procesit të mësimit, edukimit, kualifikimit dhe trajnimit të mësuesve, të zbulimit, përhapjes dhe përgjithësimit të praktikave më të mira të “orës së mësimit”, të krijimit të atmosferës së komunikimit komunitar dhe të lidhjes së shkollës me komunitetin e prindërve është në një farë mënyre e lidhur me aftësitë kreative, aftësitë organizuese, frymën e bashkëpunimit dhe të partneritetit që është e domosdoshme për çdo drejtues shkolle.

Drejtori i shkollës nuk është thjesht administrator

A i kemi drejtorët e shkollave në pozicionin e duhur dhe a janë ata në gjendje që të luajnë rolin që kanë marrë përsipër, apo që ju a kanë ngarkuar ? Doemos një pjesë e madhe e drejtuesve të shkollave 9 – vjeçare dhe të mesme janë bërë të njohur si personalitete të njohur të drejtimit të tyre. Në shkollat tona ka drejtues me aftësi tërësore dhe njohuri të integruara të drejtimit dhe të profesionit, që dinë të krijojnë kohezionin e duhur midis mësuesve, nxënësve dhe prindërve, si një kusht themelor për efektivitetin e mësimit dhe efikasitetin socio-pedagogjik të shkollës. Por problem është se jo të gjithë drejtuesit e shkollave tona kanë staturën e drejtuesit të aftë, të liderit profesionist, që ka mundësi të drejtojë shkollën këtë institucion kompleks socio-pedagogjik. Një pjesë e tyre vuajnë nga mangësi të ndryshme të formimit profesional, mungesa e përvojës së drejtimit nga mungesa e dëshirës për të drejtuar shkollën. Nuk është normale që kemi ende drejtues që shkollën me të gjithë kompleksitetin e saj e konsiderojnë si institucion i lehtë që mund ta drejtojë kushdo, “mjafton që të jetë mësues”. Ky mentalitet thjeshtëzues ka kosto të mëdha që i pëson drejtimi i shkollës, puna edukative, motivimi i mësuesve.

Koncepti i thjeshtë i “drejtorit” si person i administrimit të punëve rutinë të shkollës, është sipas mendimit tim një nga shkaqet që cenon nivelin e duhur shkencor, organizativ, pedagogjik dhe social të shkollës. Drejtori i shkollës nuk është thjesht personi që administron shkollën vetëm nëpërmjet vendosjes së autoritetit formal mbi mësuesit. Ky koncept është tipik i shkollës së vjetër të tipit autoritarist, që e ndante staturën e drejtorit nga të gjithë hallkat, faktorët, komponentët dhe aktorët përbërës të shkollës, tani ka marrë fund. Në një sfond social totalitarist në të cilën funksiononte shkolla jonë në të kaluarën, mund të kish kuptim drejtimi autoritar i drejtorit të shkollës dhe fryma e disiplinës autoriatriste në shkollë. Tani jemi në kohë tjetër dhe drejtori i shkollës nuk mund të jetë i suksesshëm, në se mendon se mund të drejtohet ajo me metodat e vjetra të autoritarizmit pedagogjik, të imponimit të mësuesit dhe të deformimit të komunikimit të tij me ta dhe nxënësit. Shumë mësues të nderuar, profesionistë të zot kanë filluar të jenë të shqetësuar me këtë fakt, që në shkollat tona ka shumë autoritarizëm fals, shumë dëshirë për pushtet formal, të mbështetur në prerogativat dhe presionet e drejtorit, jo për shkak të vlerësimit të merituar të performancës së mësuesit në punën në shkollë, por thjesht për të frenuar mendimin e lirë, alternativ të mësuesit. Nuk është drejtim efikas i shkollës në se drejtori nuk udhëheq shkollën dhe mësuesit me dituri, përvojë dhe njohuri, por me mjete të autoritetit formal, të frikës dhe të presionit ndaj mësuesit. Është tjetër koncepti i vjetër i drejtimit të shkollës dhe krejt tjetër procesi i udhëheqjes së procesit mësimor edukativ. Mbivlerësimi i “autoritetit pa kusht” të drejtorit, shenjtërimi i pushtetit personal, atribuimi i kompetencave pa respektuar specifikën, delikatesën e shkollës si institucion i brishtë është tregues i deformimeve që i bën drejtimi shkollës.

Drejtimi i shkollës nuk është veprimtari e thjeshtë administrative, aq më pak e mbyllur në guaskën e “autoritarizmit të drejtorit”. Drejtori patjetër që ka kompetenca administrative dhe prerogativa vendimmarrëse të pacenuara, që janë pjesë e përgjegjësisë së tij personale për drejtimin dhe organizimin e punëve në shkollë. Por që bësh këtë detyrë ka rëndësi optika me të cilën ai e vlerëson detyrën dhe mënyrën se si e luan rolin e drejtuesit në shkollë. Autoriteti i drejtuesit të shkollës nuk është i njëjtë me atë që punon në administratën publike apo institucionet private. Jo se shkolla nuk ka kërkesa dhe parametra të forta të drejtimit të unifikuar që e vlerësojnë dhe ridimensionojnë me sens mase rolin e rëndësishëm të autoritetit të drejtorit në shkollë. Jo, kjo nuk duhet parë në këtë kontekst, sepse shkolla në mendimin modern pedagogjik konsiderohet “institucion i disiplinës”, që do të thotë se ka nevojë për disiplinë tërësore, organike, të pandërprerë dhe të gjithanshme, të cilës i nënshtrohen edhe mësuesi, edhe nxënësi. Por shkolla ka një raport të ndryshëm midis disiplinës shkencore dhe pedagogjike brenda mësimit, që lidhet me punën dhe angazhimin profesional të mësuesit dhe motivimin e nxënësit nga njëra anë dhe me atë administrative dhe ligjore nga ana tjetër.

Një drejtues që nuk komunikon me mësuesit dhe nxënësit, nuk mund të drejtojë shkollën

Në këtë kontekst drejtuesi i mirë i shkollës nuk është ai që gjithçka të “artit të drejtimit” e formalizon në gjetjen e “pikave të dobëta” të mësuesit me të cilën ai i mban nën presion, frikë, duke abuzuar kështu rëndë me detyrën e tij si drejtues. Një drejtues që nuk komunikon me mësuesit dhe nxënësit, nuk është fare i aftë të drejtojë shkollën. Shkolla nuk drejtohet ekskatedra nga zyra, as me letra. Drejtimi i shkollës është një art të cilin e zotëron ai drejtues që di të udhëheqë shkollën, mësuesin dhe nxënësin së pari me shembullin e vet, me staturën si drejtues i përkushtuar, ai që për vete zotëron profesionin dhe dituritë e duhura për të udhëhequr, jo me forca por me logjikë shkencore, duke krijuar kohezion pozitiv në shkollë, duke motivuar mësuesin e mirë, duke qenë i hapur, parimor por dhe miqësor.

Në shkollë, shpesh për shkak të mungesës së kualiteteve të drejtimit demokratik të shkollës kultivohet një gjendje anormale punë, në të cilën nuk vlerësohet se sa efektive është puna, por sa i fuqishëm është autoriteti i drejtorit, sa peshë ka sjellja arbitrare e tij mbi mësuesit. Një drejtim i tillë i shkollës është arkaik, kundër produktiv, që nuk prodhon sinergji, nuk jep rendiment dhe nuk ka efikasitet. Një stil i tillë autoritarist në shkollat tona, shpesh shoqërohet me dukuri anti-pedagogjike dhe anti-sociale që cenojnë rëndë performancën e punës së mësuesit dhe rendimentin e shkollës. Presioni i drejtimit arbitrar, burokratik dhe jo profesional të drejtorit të shkollës vret “shpirtin krijues” të mësuesit, qëndrimin e tij aktiv si profesionist por dhe si qytetar.

Drejtuesi burokrat, dembel dhe i paaftë ka dëshirë rrugën më të shkurtër të drejtimit me mjete burokratike dhe autoritariste, duke mos përfillur apo duke  shkelur në shumë raste mbi dinjitetin, autoritetin shkencor, motivimin dhe personalitetin moral të mësuesit. Autoritarizmi nuk prodhon sinergji në kolektivin e shkollës, përkundrazi, ajo mpin forcat, paralizon energjitë, mbyt praktikat e mira të mësimit dhe edukimit, të cilat fashiten nën këmbët e “drejtorit autoritarist”. Ndaj në shumë shkolla kultivohet një psikologji e mësuesit pasiv, që nuk ka kurajë të thotë atë që mendon apo atë që duhet, nga që drejtori e kërcënon duke i treguar derën e shkollës.

Prandaj është e nevojshme që drejtuesit duhet të kuptojnë thellë rolin dhe përgjegjësinë që kanë, me mënyrën e sjelljes dhe të drejtimit të punës për krijimin e situatës pozitive në shkollë, në të cilën, vendin e autoritarizmit formal, ta zërë fryma e punës dhe e solidaritetit profesional.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok