FOTOGRAFI QË FLET NJË MIJË FJALË – NJË BISEDË IMAGJINARE NË ATMOSFERËN E MINISHENGENIT BALLKANIK
Nga Frank Shkreli
Vuçiq, Erdogan, Putin në një takim në Turqi ,ditët e fundit, për të inauguruar tubacionin e ri të gazit midis Rusisë dhe Turqisë — një shenjë tjetër kjo e një afrimi gjithnjë e më të madh midis Moskës dhe Ankarasë, jo vetëm në fushën energjetike, por edhe në fusha të tjera, përfshirë edhe bashkrendimin midis tyre, të politikave të përbashkëta për shtrirjen e influencës së tyre në vendet e Ballkanit Perëndimor – përballë projektit për krijimin e një minishengeni ballkanik, propozuar nga Beogradi, i mbështetur nga Shqipëria, por jo nga Republika e Kosovës.
Në një bisedë imagjinare midis tyre, për Shqipërinë dhe shqiptarët, gjatë atij takimi në Turqi, Erdogani i siguron miqtë e tij Vuçiq dhe Putin se shqiptarët, jo vetëm që nuk do të jenë pengesë për krijimin e të ashtuquajturit shëngenit ballkanik, madje Tirana zyrtare dhe kryeministri i atij vendi do të jenë mbështetësit më të zellëshëm të kësaj nisme aq me rëndësi për interesat strategjike të gjithë ne rreth kësaj tryeze, u ka thënë mysafirëve udhëheqsi turk, megjithëse Kosova nuk dëshiron të jetë pjesë e këtij projekti.
Erdogani: “Kosova është Turqi. Ndërsa Shqipëria e konsideron Turqinë si vend strategjik të saj, pasi shqiptarët janë deklaruar si vëllëzërit tanë, por edhe ne i konsiderojmë ata si vëllëzër. Miku im i ngushtë, Kryeministri Shqipërisë, Rama më ka siguruar se Shqiptarët, jo vetëm që nuk do të kundërshtojnë, por do të mbështesin minishengenin ballkanik, siç u pa edhe në takimin e fundit në Durrës. Të gjithë jemi të vetdijshëm se nuk ka nismë më të mirë se ky projekt, që të shtojmë influencën tonë të përbashkët në trojet shqiptare dhe t’i largojmë shqiptarët sa më shumë nga influencat perëndimore, duke marrë parasyshë, natyrisht edhe interesat tona ekonomike dhe politiko-ushtarake që sjellë minishengeni ballkanik për të gjithë ne rreth kësaj tryeze, në Ballkanin Perëndimor.
Ndërkaq, Erdogani falënderoi Vuçiqin për nismën dhe për miqësinë me e tij me Kryeministrin shqiptar për ta bindur atë që jo vetëm të bëhet pjesë e këtij projekti por edhe për mbështetjen e tij të fortë që ai i ka dhënë kësaj nisme — sepse sipas Erdoganit, pa pjesëmarrjen e Shqipërisë minishengeni ballkanik nuk do të ishte i plotë dhe madje mund të dështonte krejtësisht.
Vuçiq: “Pikë së pari, të falënderoj nga zemra miku im Erdogan për mbështetjen e vendit tim gjatë viteve, sidomos për investimet e mëdha dhe strategjike që vendi yt ka derdhur në Serbi vitet e fundit si dhe për miqësinë tuaj me mua personalisht. Por, sidomos, të jam mirënjohës për përkrahjen që i kini dhënë këtij projekti, për të cilin unë kam punuar në heshtje dhe pa bujë, për aq shumë vjetë, si një objektiv
strategjiko-historik për rivendosjen e influencës, jo vetëm ekonomike serbe në Ballkan – që disa e cilësojnë si rithemelimi i ish-Jugosllavisë– por nga i cili do të përfitojmë të gjithë ne, pasi me këtë projekt, ne shërbejmë si derë e hapur edhe për ju të shtrini influencën tuaj në rajon. Por, më vjen keq të them se megjithë sigurimet e Kryeministrit Rama se Kosova do të bëhej pjesë e kësaj nisme, fatkeqësisht, udhëheqsit e Kosovës kanë vendosur të pozicionohen kundër këtij projekti, tani për tani, që t’i bashkohen pra këtij projekti, por kam besim se miku ynë i përbashkët, Erdogan, si të qetësohet diqysh atmosfera politike në Prishtinë, do të luaj kartat e nevojshme në Kosovë, ku siç e dime të gjithë, ai gëzon edhe përkrahje të konsiderueshme atje.”
Ndërkaq, Putini, si një dhelpër e vjetër e ndëgjon me vëmendje bisedën dhe bën sikur nuk është aq i interesuar – megjithëse i pëlqejnë shumë ato që thanaë Vuçiqi e Erdogani, dhe mbrenda vetes kënaqet, kur të tjerët bëjnë punën e tij dhe të ish-KGB-ës, anëtar i të cilës ishte dikurë, si mjeshtër për të përfituar nga ujërat e turbullta politike kudo, e sidomos në Ballkan, kur punën e bëjnë të tjerët në dobi të Rusisë. Në sipërfaqe, Moskovi, ashtu me durim e gjakftohësi nuk tregon ndonjë shqetësim alarmues për përçarjet, për të cilat folën më përpara Erdogani e Vuçiqi, midis shqiptarëve në Tiranë dhe në Prishtinë. Përkundrazi, mbrenda vetes ndihet I kënaqur për mosmarrveshjet midis shqiptarëve, jo vetëm përsa i përket projektit të shengenit ballkanik, por edhe për një mori çështjesh të tjera ndërshqiptare që duket se po keqësohen dita ditës. Për të cilat, fatkeqësisht, përfaqsuesit politikë shqiptarë –në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar– duket se nuk po gjejnë një gjuhë të përbashkët për të vepruar në interesin madhor të Shqipërisë e të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi, anë e mbanë trojeve të veta.
Më në fund ndërhyri edhe Putini: Mos u shqetësoni për mosmarrveshjet dhe grindjet midis shqiptarëve, miqtë e mi! Nëqoftse shikoni historinë e tyre, kështu kanë qenë këta gjithmonë. Ju e dini edhe historinë tonë me ta. Madje edhe Stalini, para se të bëhej mik idhull i Enver Hoxhës, i kishte thënë jugosllavëve se përsa i përket atij, Shqipërinë ju mund ta hidhni në det. Kështuqë, ne as sot as kurrë gjatë historisë nuk kemi pasur ndonjë interesim për shqiptarët, me përjashtim kur kemi mbrojtur interesat e vëllëzërve tonë ortodoks serbë. Kështuqë edhe sot, politika e Rusisë ndaj shqiptarëve është si politika serbe ndaj shqiptarëve! Kur flas për historinë, miku im Erdogan e di këtë më së miri duke marrë parasyshë periudhën 500-e ca vjeçare të okupimit otoman të trojeve shqiptare. Është kjo një traditë nga e cila shqiptarët ende as sot nuk janë shkundur. Ju duhet ta dini se nëqoftse Shqiptarët, do të ishin vërtetë të bashkuar rreth interesave të tyre kombëtare, ata do të ishin pengesa më e madhe për realizimin e qëllimeve tona të përhapjes dhe të forcimit të influencës tonë në atë pjesë të Evropës. Prandaj, miqtë e mi, Erdogan e Vuçiq, mos derdhni lotë për përçarjet midis shqiptarëve, duke pretenduar se gjoja doni edhe Kosovën të bëhet pjesë e shengenit ballkanik. Në të vërtetë, për realizimin e objektivave tona të vjetra në Ballkan, ne kështu na duhet shqiptarët: të ndarë e të përçarë. Prandaj mos u shqetësoni miqtë e mi. Ne i kemi sot shqiptarët, ekzatërisht, aty ku na duhen dhe si na duhen të jenë, për realizimin e interesave tona në Ballkanin Perëndimor, që një ndër to është endërra e Serbisë për të dalë në det.. Ju ndoshta nuk mund ta merrni me mend këtë, por Shqiptarët, ashtu siç janë sot të përçarë, madje edhe kur kemi të bëjmë me interesat më jetike kombëtare të tyre, të mirë e të këqij, shqiptarët janë tanët. Si të tillë, ne i shesim dhe i blejmë shqiptarët si të na teket dhe kur të na teket”, ka përfunduar Putini bisedën imagjinare midis tre udhëheqsve “miqë” të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ndërsa presidenti bullgar si pjesëmarrës në atë takim, i habitur për ato që dëgjoi në kurriz të interesave shqiptare në rajon, nga goja e gjoja miqëve të shqiptarëve strategjikë, nuk tregoi ndonjë interesim që të merrte pjesë në këtë bisedë (imagjinare), pasi vendi i tij është tanimë anëtar i Bashkimit Evropian dhe plotësisht i integruar në organizmat euro-atlantike. Për më tepër, Bullgaria, ndryshe nga vendet e përfaqësuara nga udhëheqsit në takimin e më sipërm që u mbajt në Turqi ditët e fundit, ka thekësuar vazhdimisht rëndësinë e bashkpunimit dhe të fqinjësisë së mirë me Shqipërinë dhe Kosovën, në funksion të zhvillimit dhe orientimit të tyre euroatlantik të Ballkanit Perëndimor. Pasi dëgjoi këtë “bisedë” imagjinare midis trojkës së lartëpërmendur, udhëheqësi bullgar falënderoi Zotin që vedni i tij është pjesë e një enti tjetër ekonomiko-ushtarak euro-atlantik, ku vendi i tij ka të drejta dhe përgjegjësi të barabarta me të gjitha vendet e tjera anëtare. Por, duke i thënë vetes se me “miqë të tillë strategjikë”, shqiptarët nuk paskan nevojë për armiqë, u largua nga ajo bisedë (imagjinare) shumë i shqetësuar për shqiptarët, duke menduar se sa keqë na qenkan punët e shqiptarëve.
Është ky një shënim imagjinar për një bisedë imagjinare që mund të ketë ndodhur ose jo. Por, në të vërtetë, përshkruan një situatë mjaft reale, në marrëdhëniet aktuale midis udhëheqësve të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës – ndërsa, njëkohësisht, pasqyron debatin e ditëve dhe javëve të fundit në lidhje me projektin e ashtuquajtur minishengenit ballkanik të mbështetur nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, një debat ky që siç duket ka ndarë e përçarë shqiptarët si rrallë herë në historinë e tyre.
Na ka mbetur të shpresojmë se fatin e Shqipërisë, të Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që janë, ta ketë Zoti në dorë, për inat të armiqëve që shtihen si miq të shqiptarëve, por edhe për “Inat të Djallit dhe të vet Shqiptarëve”, siç është shprehur dikurë At Gjergj Fishta.