21/12/2024

“Fluturimi” i malësores në krahët e erës

0
Malsorja

Nga Albert Vataj

Është kjo malësore e hirshme në këtë foto, e fiksuar në një cak kredhjeje në krahët e erës, në një moment shpengimi dhe shkujdesjeje, që jep asaj shprehinë e një akti solemn çlirimi, dhe e hedh në prehrin e një përjetimi dehës, gosti ku ndihemi edhe ne të përfshirë. Me shtojzovallet vjen nga mistikja, e mbetet e fiksuar në një shkrepje blici, për të festuar në çdo shkas, atë më të lartin shpërblim të gazmimit .

Ajo është një malësore e kapur në “fluturim”, një flutur që kredh shpengueshëm veten e frytshme në epjen e ëndjes. Fërgëllon në këtë dorëzim prej ajri dhe shpërfaq në një solemnitet të hyjshem atë, më të epërmen hirin e saj, madhështinë e veshjet së saj ikonike, xhubletës.

Del ky çast nga epika e atyre maleve, nga thellësia e kohës, vjen e shndërron një moment të vetëm, në një shpirtje të dlirë madhështimi.

Vjen nga gjeneza, nga legjendat zbret, nga telat e lahutës fshikullon me melodi, nga frymëmarrja e thellë e maleve dhe kthjelltësia e qiejve, beh për të kërkuar dhe gjetur prehje dhe adhurim.

I tregohet shkasit me gjithë hijeshinë dhe bukurin e saj, në një ngulm për të shpërfaqur shpirtin e Malësisë, për t’i dhënë ëndjes sonë atë del nga mëkimi i krijuesit.

Shpesh një foto si kjo nuk është thjeshtë një foto, është gjithëçfarë ne arrijmë të perceptojmë; në këtë ndalim të beftë të kohës, në këtë memorizim të atypëratyshëm të çastit, në atë që ne arrijmë të shohim dhe të ndjejmë, si për të kërkuar afrinë e komunikimit dhe sinqeritetin e shprehjes që sakaq pulson.

Ajo kur kërcen duket se fluturon, sepse ka lindur me krahët plot erë e me shpirtin mbushur me qiej, është e veshur si një perëndesh sepse ajo del nga mitologjia për të mbretëruar në botën e megjishme të së bukurës, gëzimit dhe festës.

Malësorja, vetëm duke “fluturuar” arrin demonstrojë solemnitetin e veshjes që e stolis, xhubletën, e cila prej mijëvjeçarësh kërkon bukuri, hire dhe shpengim, për të shpaluar si lulja, petale pas petaleje bukurinë e vet të magjishme dhe kundërmuar aromat e dehjes së gjithë stinëve që ka mbrujtur në ngjizjen e hyjshme.

Vështroje këtë foto dhe lexoi këto radhë, për të kuptuar se sa bujarshëm jemi shpërblyer nga tradita, nga shpirti krijues i brezave dhe nga e hirshmja e bukurisë së malësores.

Ndoshta ti mund ta lexosh ndryshe këtë foto, ta përjetosh ndryshe këtë moment, por gjithësi nuk mund të ikësh pa e ndjer taftin e këtij fërgëllimi, pa u përfshirë e flakëruar në krahët e këtij kopulimi gazmues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok