05/11/2024

Florida nderon viktimat e komunizmit, ndërsa Tirana e socialistëve refuzon të dënojë gjenocidin serb

0

FLORIDA NDERON VIKTIMAT E KOMUNIZMIT NDËRKOMBËTAR — CAKTON 7 NËNTORIN SI DITA E KUJTIMIT TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT

– Ndërsa Kuvendi i Shqipërisë refuzon të hartojë një rezolutë për denimin e gjenocidit serb në Srebrenicë –

Nga Frank Shkreli

Governatori republikan i shtetit Florida, Ron DeSantis nënshkroi të hënën që kaloi (9 Maj, 2022), legjislacionin për të nderuar dhe kujtuar 100-milionë viktimat e komunizmit ndërkombëtar që kanë vdekur dhe vuajtur nën regjimet diktatoriale komuniste të shekullit të kaluar. Unë kam shkruar disa herë për këtë lëvizje për të kujtuar viktimat e komunizmit ndërkombëtar në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada, gjatë viteve të kaluara, si një fenomen interesant, tipik amerikan, për të nderuar dhe kujtuar viktimat e regjimeve totalitare, anë e mbanë botës. Amerika nuk ka vuajtur kurrë nga komunizmi dhe si rrjedhim nuk kishte as viktima të komunizmit, por natyrisht, se Amerika ka pranuar me miliona refugjatë anti-komunistë nga mbarë bota – përfshir shqiptarë, viktima të komunizmit të Enver Hoxhës. Por, ndaj këtyre shtetasve të vet, ky vend ndjenë se ka një obligim moral për të kujtuar dhe nderuar miliona viktima të pafajshme të komunizmit në vendet nga e kanë origjinën miliona amerikanë, përfshir edhe shumë shqiptarë.

Kështuqë, Florida është shteti që këtë javë miratoi ligjin për caktimin e 7 Nëntorit, si ditën e Kujtimit të Viktimave të Komunizmit duke iu bashkuar kështu shteteve Alabama, Teksas, Utah dhe Virxhinia të cilat kanë miratuar tashmë këtë datë përkujtimore. Ndërkohë që 8 shtete të tjera: Arizona, Arkansas, Idaho, Illinois, Missouri, New Jersey, Pennsylvania dhe South Carolina janë në përgatitje e sipër për të bërë të njëjtën gjë, sipas Fondacionit për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit (Victims of Communism memorial Foundation) në Washington DC.

“Nderimi dhe kujtimi i viktimave të regjimeve komuniste dhe t’i mësojmë studentët tanë rreth atyre mizorive, është mënyra më e mirë për të siguruar se ajo histori nuk do të përsëritet më”, është shprehur Governatori DeSantis me rastin e nënshkrimit të ligjit për të shpallur 7 nëntorin si ditën e Kujtimit të Viktimave të Komunizmit, në shtetin e tij. Governatori i Florida-s shtoi se nepërmjet ligjit HB-395 të miratuar të hënën që kaloi, “…ne po garantojmë se historia e atyre personave që janë arratisur nga regjimet komuniste si dhe përvoja e tyre e tmershme, të ruhet dhe të mos harrohet kurrë nga studentët tanë.  Ndërsa është në modë që në disa qarqe të mos i kushtohet rëndësi historisë së komunizmit, Florida do të mbrojë të vërtetën dhe do të mbetet mbrojtëse e lirisë”, tha Governatori i shtetit Florida, ndërsa nënshkroi legjislacionin që përcakton 7 Nentorin si Ditën e Kujtimit të Viktimave të Komunizmit. Në legjislacionin e miratuar në Florida autorizohen fonde për të mësuar nxënsit dhe studentët e brezit të tanishëm dhe brezave të ardhëshëm – duke filluar nga viti shkollor 2023-2024 — për barbarizmat dhe krimet e komunizmit, ashtuqë liria të mos shuhet kurrë në shtetin Florida, u shpreh Zevendës-governatorja e atij shteti, Jeannette Nunez.

Me 9 Maj, 2022, Governatori i shtetit Florida, Ron De Santis nënshkroi legjislacionin për të përcaktuar 7 Nentorin  si Ditën e Kujtimit të Viktimave të Komunizmit – në nder dhe kujtim të gjithë atyre që vdiqen dhe vuajtjen tmerin nën regjimet diktatoriale komuniste.

Governatori i shtetit Florida, DeSantis e mbylli ceremoninë e nënshkrimit të legjislacionit në fjalë, duke theneë se, “Sot vendosa që 7 Nentori të jetë Dita e Kujtimit të Viktimave të Komunizmit, në nder të atyre që kanë vuajtur nën komunizëm dhe për tu kujtuar njerëzëve shkatërrimet që ka shkaktuar komunizmi anë e mbanë botës, përfshir të pakën 100-milion të vdekur e të vrarë nga komunizmi ndërkombëtar. Në Florida, ne do themi të vërtetën sa i përket komunizmit”, përfundoi Governatori Ron Desantis i shtetit Florida.

Po Shqipëria, një vend që ka vuajtur më shumë se çdo vend tjetër nga barbarizmat e komunizmit sllavo-aziatik, kur do ta thotë të VËRTETËN për krimet e regjimit barbar komunist të Enver Hoxhës. Po presim për 30-vjetë tanimë. Deri kur më? Kjo dhe të tjera pyetje që unë i kam bërë dhe do vazhdoj t’ia bejë pozitës dhe opozitës shqiptare, për derisa Shqipëria nuk u bashkohet vendeve të tjera ish-komuniste ( por edhe shteteve të nuk kanë qenë kurrë komuniste, si Amerika dhe Kanadaja), të cilat kanë denoncuar komunizmin dhe vazhdojnë të dënojnë krimet  e këtij regjimit totalitar barbar, në vendet e tyre.

Prandaj, me këtë rast që Florida shpallë Ditën e Viktimave të Komunizmit, ashtu siç kanë bërë dhe kanë në plan të bejnë edhe shtete të tjera në Shtetet e Bashkuara — si shqiptaro-amerikan ashtu si edhe dhjetëra mijëra të tjerë në këtë vend – 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit – detyrohemi gjithnjë të pyesim, në këtë 100-vjetor të normalizimit të marrëdhënieve amerikano-shqiptare, ndërkohë që po na hidhet pluhur syve, nga të dy palët, se ky është një përvjetor festimi të “vlerave të përbashkëta”, dhe “krah për krah” – Shqipëria me Amerikën. Na thonë se janë pro-amerikanë. Përpiqen të na bindin se ndajnë me ne vlerat amerikane.  Unë si shtetas amerikan nuk kam asgjë të përbashkët me njerëz që mohojnë ose janë indiferent ndaj krimeve kundër njerëzimit dhe me njerëz që nuk dënojnë krimet e komunizmit ose të cilës do ideologji ose regjimi diktatatorial qoftë.

Përball turpërimit kombëtar të ditës së enjëte në Kuvendin e Shqipërisë dhe vendimit të shtetit Florida këtë javë, për të kujtuar viktimat e komunizmit ndërkombëtar, duke caktuar një datë në nderim të tyre — pyetjet e mia për Tiranën zyrtare kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë:

Pse nuk është distancuar Shqipëria, zyrtarisht, nga e kaluara e saj terroriste komuniste e Enver Hoxhës?

Pse nuk është përballur Shqipëria, seriozisht, me të kaluarën e mjeruar të saj komuniste enveriste?

Pse Tirana zyrtare, deri më sot, nuk ka dënuar zyrtarisht, krimet e regjimit barbar komunist të Enver Hoxhës.

Dhe pse Kuvendi i Republikës së Shqipërisë nuk ka caktuar ende një datë përkujtimore, kushtuar viktimave të komunizmit në Shqipëri, ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste të Evropës, me përjashtim të Rusisë dhe Serbisë. PSE?!

Po për krimet e Serbisë në Kosovë, po për dhjetra mijëra viktima anti-komuniste shqiptare që u torturuan dhe vdiqën në duar të OZNA-s së ish-regjimit komunist jugosllav në bashkpunim me regjimin komunist të Enver Hoxhës, anë e mbanë trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavi? Po për masakrën e Tivarit, jo pak por deri në 4000 shqiptarë të vrarë nga dy regjimet komuniste si motra të kohës? Po masakra(t) Çame?

Për të gjitha këto dhe të tjera krime e masakra, kush do flasi, nëqoftse jo Shqipëria?  Mirë se opozita shqiptare tentoi të paraqiste të ëjntën një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë për të dënuar gjenocidin serb në Srebrenicë dhe mirë bëri, po kur do flasë opozita shqiptare për krimet edhe gjenocidet e shekullit të kaluar anë e mbanë trojeve shqiptare, përfshir krimet e Enver Hoxhës? Viktimat shqiptare dhe krimet kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve, shekullin e kaluar, meritojnë vemëndjen e Kuvendit të Shqipërisë — pasi kemi të bëjmë me mijëra viktima shqiptare — aq sa edhe për çdo krim e gjenocid kundër cilitdo popull në Ballkan, përfshir viktimat e shkreta boshnjake në Srebrenicë.

Sidoqoftë, nëse vota e shumicës socialiste në Kuvendin e Shqipërisë të ënjtën — që hodhi posht rezolutën e cila do të dënonte krimet dhe gjenocidin serb në Srebrenicë të Bosnjës, përbën ndonjë tregues se si do veprojë Shqipëria, tani dhe në të ardhmen, në lidhje me historinë e viktimave të komunizmit në Shqipëri dhe me krimet e regjimeve terroriste në përgjithësi, atëherë mos prisni gjë të hajrit prej këtyre “përfaqësuesve” të popullit.  Këta nuk kanë ndërmend të dënojnë as krimet e Enver Hoxhës në Shqipëri, as krimet e Serbisë në Kosovë, as masakrën e Tivarit as masakrat kundër shqiptarëve të Çamërisë, e shumë të tjera masakra të mëdha e të vogëla, të shekullit të kaluar.

Sidoqë ta shikosh, akti i Kuvendit të Shqipërisë ditën e ënjtë – për të mos dënuar gjenocidin në Srebrenicë — ishte një akt poshtërues kombëtar para botës së qytetëruar, përfshir Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe sot 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, një numër shtetesh amerikane kanë vendosur që në solidaritet me viktimat e gjenocidit komunist ndërkombëtar, të kujtojnë dhe të dënojnë, zyrtarisht, krimet e komunizmit – ashtu siç bëri Florida këtë javë. KURRË NUK ËSHTË VONË PËR TË DËNUAR TË KEQËN!

Foto ga VOA-Shqip – Deputetët e shumicës socialiste në Kuvendin e Shqipërisë — me kartona të kuq në dorë — duke hedhur posht rezolutën që do dënonte gjenocidin serb në Srebrenicë. A e dinë këta se çfarë mesazhi po përcjellin me votën e tyre me kartona të kuq — shqiptarëve dhe botës? Por, mbi të gjitha, rreth tavolinës në mbrëmje si ua shpjegojnë fëmijve dhe familjeve të tyre këtë akt turpërues.  Turp të kenë.  Edhe zgërdhihen, sikur po votojnë për të shkuar në ndonjë piknik. Diçka nuk është në rregull me këtë vend!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok