Flet shkrimtari Sejdo Harka: Ismail Kadare si pedagog i jashtëm, na dha një cikël me leksione për ‘’Letërsinë dekadente’’
– E pyeta: Çdo tú thuash lexuesve me togfjalëshin metaforik ‘’Dimri i vetmisë së madhe’’. Ai në këtë moment u ngrys pak dhe më tha”: ‘’Pse ti nuk e ndjen veten vetëm…?
– Kur e pamë Kadarenë papritur në auditorin tonë ngrimë si statuja.
– Ajo që e dallonte më shumë universitetin e asaj kohe ishte mungesa absolute e mitmarrjes dhe korrupsionit.
– Pedagogu Kadare, gjatë dhënies së leksioneve ishte i ftohtë , por i thellë, që kërkonte vëmendje e intuitë.
– Asnjë herë në atë sistem nuk dëgjuam se notën, klasën ,e aq më pak diplomën dikush e pati blerë me para.
-Pedagogët e mi ishin Shaban Demiraj, Mahir Domi, Remzi Përnaska, Androkli Kostollari, Jani Thomai, Miço Samara, Bari Beci, Zihni Sako, Qemal Haxhihasani, Myzafer Xhaxhiu, Nexhip Gami, Jakov Xoxe, Fatos Arapi, Ali Xhiku, Nasho Jorgaqi, Pirro Vito.
Nga kursi im dolën emra si Diana Çuli, Alfret Çapaliku, Petrit Ymeri, Shpëtim Çuçka, Tonin Shtjefni, Grigor Banushi, Nexhip Ejupi, Ilir Buzali, Pirro Ruvina.
– Kadare, nuk fliste kurrë për librat e tij.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Sejdo Harka: Ai u lind më 31 janar të vitit 1949, në Zhepovë të Përmetit, në një familje të thjeshtë atdhetare. Vitet e para të shkollimit i kreu në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm e kreu në gjimnazin e Këlcyrës, i cili sot mban emrin e madh të Sejfulla Malëshovës. Studimet e larta i mbaroi në Universitetin Shtetëror të Tiranës për gjuhë e letërsi, të cilat i përfundoi me rezultate të larta në vitin 1973. Pas përfundimit të tyre ai punoi, herë si mësues e herë si drejtor shkolle në disa shkolla të mesme të Përmetit dhe të Tiranës. Për disa vite ai ka punuar edhe si metodist, herë në qendrën kulturore të fëmijëve e herë në drejtorinë arsimore të Përmetit. Për aftësimin e tij të mëtejshëm profesional, ai ka kryer kursin pasuniversitar një-vjeçar për kritikë letrare. Në vitin 2004 ai u emërua kryeredaktor i gazetës ‘’Mësuesi’’, organ i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Për punë të shquar në fushën e arsimit dhe kulturës Sejdo Harka është dekoruar nga Presidenca me ‘’Medaljen Naim Frashëri’’…
-Në sistemin monist flitet shumë për kërkesën e lartë në universitete, madje nuk flitej fare për mitmarrje dhe korrupsion. Si do ta cilësoje shkollën e atij sistemi jashtë politizimeve dhe duke u bazuar në këto dy probleme të sotme?
në këto dy probleme të sotme? Po, është e vërtetë, se në Universitetin Shtetëror të Tiranës të asaj kohe kishte kërkesa e standarte të larta ndaj studentëve për motivimin dhe përgatitjen e tyre për jetën dhe profesionin. Së pari, vetë studentët ishin më të motivuar për të studjuar për veten sesa për notën. Kjo vinte se, në ato vite ne ishim brezi, që lindi dhe u rrit në kohën kur ende nuk ishte shuar era e tymit të barutit të Luftës dhe që ishte mësuar të mbante frymën me tallonat ushqimore dhe bukën e racionuar. Të motivuar nga vullneti dhe nevoja e ngutshme për të vrarë varfërinë dhe paditurinë, ishim më shumë të apasionuar pas librit, dijes dhe shkencës. Së dyti, edhe rregullat ligjet, programet dhe tekstet shkollore ishin më të standartizuara, pa ujë të tepërt e të menduara mirë. Ajo që e dallonte më shumë universitetin e asaj kohe ishte mungesa absolute e mitmarrjes dhe korrupsionit. Pikërisht, nga ky aspekt, universitetin e periudhës së monizmit, do ta konsideroja nga më të mirët e të gjitha periudhave. Asnjë herë nuk dëgjuam se notën, klasën, e aq më pak diplomën dikush e pati blerë me para, siç është dëgjuar rëndom në universitetet e ditëve të sotme të periudhës së demokracisë. Në Shkollat e larta të viteve të monizmit kishte edhe disa ligje e rregulla më të forta që i detyronte studentët të studjonin rregullisht, sepse nëse ata mbeteshin një vit, tjetrin detyroheshin të shkonin në prodhim. Nëse edhe vitin tjetër mbeteshin përsëri, ata përjashtoheshin përfundimisht nga universiteti, si të paaftë për të mbaruar arsimin e lartë.
Kush ishin pedagogët tuaj në atë sistem, ku kishin studiuar dhe si vijnë ata sot në kujtimet e tua? Kush pedagog ka pasur vlera të veçanta?
Patjetër, që një nga faktorët kryesorë që e bënin atë universitet të fortë, ishin pedagogët e përzgjedhur, me një dinjitet e formim të lartë metodik dhe shkencor. Pedagogët tanë të degës së gjuhës shqipe dhe të letërsisë, në fakultetin Histori-Filologji, në vitet 1969-73 ishin pothuajse të gjithë personalitete të shquara të artit dhe të gjuhësisë dhe letërsisë. Ata, jo vetëm kishin studjuar apo ishin specializuar jashtë shtetit, dinin disa gjuhë të huaja, por dhe mbanin tituj të lartë shkencorë dhe kishin një përvojë të gjatë mësimdhënëse në auditorët e universitetit. Ata ishin figurat më të shquar të pedagogjisë, gjuhësisë dhe të artit e letërsisë si : Shaban Demiraj, Mahir Domi, Remzi Përnaska, Androkli Kostollari, Jani Thomai, Miço Samara, Bari Beci, Zihni Sako, Qemal Haxhihasani, Myzafer Xhaxhiu, Nexhip Gami, Jakov Xoxe, Fatos Arapi, Ali Xhiku, Nasho Jorgaqi, Pirro Vito etj. Ata shquheshin, jo vetëm për njohuri të thella për artin e mësimdhënies, por edhe për kërkesa të forta ndaj studentëve për përvetësimin e thellë të mësimit, dhe për të na nxitur që edhe ne të merreshim me punë hulumtuese studimore e krijuese. I kam respektuar dhe dashur me shpirt këta pedagogë, jo vetëm për atë që ata na dhanë gjithçka që dinin, por edhe na nxitën, frymëzuan e mësuan, që krahas profesionit të nderuar të mësuesisë, të merreshim edhe me punë studimore, publicistike dhe me punë të mirëfilltë krijuese letrare. Disa prej tyre në kujtesën tonë kanë mbetur si idhuj të vërtetë. S’kemi për të harruar prof.Shaban Demiraj, për autoritetin e padiskutueshëm, njohuritë e thella, korrektesën dhe kërkesën e lartë, me të cilat të impononte respekt të veçantë. Figura e shkrimtarit dhe folkloristit të madh Zihni Sako ka mbetur në kujtesën time si një hero legjendash e përrallash, jo vetëm për ato që shkruante, por edhe për mënyrën sesi na i shpjegonte e konkretizonte njohuritë për folklorin. S’kam për të harruar pasionin e pedagogut dhe studjuesit me famë, Qemal Haxhihasani, i cili me pasion na futi në rrugën e hulumtimit dhe të studimit shkencor. Nuk më hiqet nga kujtesa pedagogu dhe shkrimtari i madh Jakov Xoxe, i cili, jo vetëm me pamjen e tij mitike, por edhe me shembut brilantë që ai përdote për të na konkretizuar njohuritë e teorisë së letërsisë për sistemin e vjershërimit dhe me enciklopedinë e leksikut dhe të shprehjeve frazeologjike myzeqare të përdorura me mjeshtëri në romanin ‘’Lumi i Vdekur’’, na mbante të mbërthyer si Prometeun. Nuk mud të lë pa përmendur pedagogun dhe poetin e madh Fatos Arapi, për aftësinë e rrallë që ai kishte për të mbajtur mend dhe cituar bukur e me pasion të rrallë mijëra vargje, pa u lodhur kurrë.
-Nga kursi juaj, sa poetë, shkrimtarë dhe gazetarë kanë dalë, të cilët edhe sot kanë bërë emër?
Është, patjetër edhe meritë e fryt i shembullit dhe i përpjekjeve të pakursyera të këtyre pedagogëve tanë për të na futur në rrugën e veprimtarisë së gjërë hulumtuese, studjuese dhe krijuese që vetëm kursi ynë sot të numërohen mbi 30 studjues, gazetarë, poetë, shkrimtarë e përkthyes si: Diana Çuli, Alfret Çapaliku, Petrit Ymeri, Shpëtim Çuçka, Tonin Shtjefni, Grigor Banushi, Nexhip Ejupi, Ilir Buzali, Pirro Ruvina,etj, të cilët sot kanë bërë emër, si studjues, gazetarë, poetë romancierë, dramaturgë dhe përkthyes origjinalë në disa gjuhë të botës.
Një ndër pedagogët e tu ka, qenë dhe shkrimtari i madh Ismail Kadare. A e mban mend orën e parë të mësimit me të. Si ka qenë Ismaili si pedagog?
Ka qënë fat edhe për mua, që ndonëse për një kohë të shkurtër, të kem pasur pedagog edhe shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadarenë. Ai, si pedagog i jashtëm, në atë kohë na dha një cikël me leksione për disa shkrimtarë të huaj, që në atë kohë e quanim ‘’Letërsi dekadente’’. Kisha lexuar shumë nga krijimtaria e Kadaresë, e kisha dëgjuar të fliste në radio, e kisha parë në kopertinat e librave, por kurrë s’e kisha parë e dëgjuar nga afër. Në orarin e kursit tonë të degës së gjuhës shqipe dhe të letërsisë ishte shënuar edhe një lëndë që quhej’’Leksione speciale…’’, por nuk e dinim ende pedagogun që do të na i zhvillonte. Një ditë që në mëngjes herët hyri papritur sekretarja e shkollës, e cila na porositi të bënim kujdes se këto leksione do t’i mernim nga shkrimtari Ismail Kadare. S’kaluan minuta kur në sallë hyri ai vetë, me një sjellje të shkujdesur, kur na vështroi me kureshtje, aty ku rrinim të heshtur në këmbë si statuja të ngrira. Ndoshta ishin kureshtja dhe emocioni për ta njohur nga afër shkrimtarin tonë më të lexuar, edhe si pedagogun tonë, që për një çast na impresionoi kaq shumë, kur e pamë Kadarenë papritur në auditorin tonë. Ai, pasi hodhi një vështrim nga salla plot me studentë, me gjysmë buzëqeshje, na u drejtua me pyetjen sugjestionuese: Ç’kini që heshtni kështu ?! Pse jini kaq të hutuar? Dhe, pas këtyre dy pyetjeve të shkujdesura, nisi pa hyrje të tepruara të mësimit të parë me të. Ja, vazhdoi ai, për tiparet e letërsisë së disa shkrimtarëve të huaj, që ne i quajmë dekadentë do të flasim sot. Ju nuk e dini se në brendinë e veprave të shkrimtarëve të kësaj rryme si Kafka, Prusti dhe Xhojsi…, flasin e tmerrohen edhe kafkat edhe eshtrat, kur shohin njerëz, që edhe pse të zhytur deri në fyt në baltë e mjerim, brohorasin me kënaqësi të rrallë:’’Ohoho, sa mirë, sa bukur jetojmë’’. Ndoshta kjo qe thjesht një personifikim metaforik, që Ismail Kadare e përdori rëndom në krijimtarinë e tij. Megjithatë këto shprehje në ato kohra herezie moniste mud t’i merrje edhe si thikë metaforike me dy presa. Ndaj shpesh herë na vinin në lëvizje logjikën e një kuptimi të dyfishtë të shprehjeve dhe vargjeve që ne do t’i gjenim më vonë në romanet dhe poezitë e tij. Kuptimin e dyzuar të fjalës dhe shprehjes frazeologjike ai e ka përdorur shpesh , jo vetëm në romane të tillë si ‘’Pallati i ënbdrrave ‘’, por edhe në shumë poezi, sidomos në poemën e ndaluar ‘’Pashallarët e kuq’’. Pedagogu Kadare, gjatë dhënies së leksioneve ishte i ftohtë , por i thellë, që kërkonte vëmendje e intuitë për ta përtypur e kuptuar. Nuk e pamë kurrë të mbante qoftë dhe një copë letër shënimesh në duar. Si individualitet i papërsëritshëm, ai kishte raste që e ndërpriste në mes leksionin dhe ikte, pa mbaruar ora e leksionit, por kishte dhe raste që na shpjegonte gati dy orë akademike bashkë, pa u shqetësuar se pedagogu i leksionit të radhës, priste tek dera.
A bëheshin recensa për librat e Kadaresë kur ai ishte pedagog. A fliste ai për librat e tij?
Patjetër që veprat e tij analizoheshin dhe diskutoheshin përmes analizave dhe reçencave në grupe të ndryshme të kursit, por fatkeqësisht, bëheshin për veprat ku ndihej më shumë politizimi. Rrallë herë diskutoheshin e analizoheshin vepra me një diapayon të gjërë, që sintetizonin vlerat universale të filozofisë së tij krijuese, si mitizimi e çmitizimi, Lufta, kombi… dhe veçoritë e tij të papërsëritshme. Në fakt, I. Kadare, nuk fliste kurrë për librat e tij.
-A i keni bërë pyetje Ismailit për krijimtarinë e tij letrare? Si reagonte ai në raste të tilla?
Në të vërtetë, unë personalisht, nuk kam patur lidhje të afërta me pedagogun dhe shkrimtarin e madh Ismail Kadare, jo sepse nuk kam patur dhe kam respekt të veçantë për këtë figurë të veçantë të artit dhe letërsisë sonë, por sepse jam një tip që nuk u vardisem pas idhujve të mij. Për mua nuk ëshë idhull Kadarea njeri, por Kadarea si fenomen letrar, është vepra e tij e madhe artistike, të cilën e konsideroj si pasuri kombëtare. Në kohën kur Kadare ishte vënë në shenjestër të kritikës letrare, ndoshta dhe në shenjestrën e idhujve të politikës së kohës, për romanin’’Dimri i vetmisë së madhe’’, të cilin ,si rezultat i kritikave të ashpra e botoi me titullin e ndryshuar ‘’Dimri i madh’’, edhe pse ende student, guxova ta pyes në oborin e fakultetit. Pyetja ime ishte: ‘’Pse e ke emërtuar kështu këtë roman? Ç’do tú thuash lexuesve me togflalëshin metaforik ‘’Dimri i vetmisë së madhe’’. Ai në këtë moment u ngrys pak dhe më tha: “Pse ti nuk e ndjen veten vetëm…? Mendoje dhe ma thuaj, kur të takohemi përsëri. Por, për fat të keq ky ishte takimi im i fundit fizik me Kadarenë, por jo me veprën e tij të madhe
-Si krijues a keni bërë ndonjë recensë për librat e Kadaresë? Cili është mendimi juaj për krijimtarinë e tij?
Siç e thashë edhe me lart, krijimtaria e Ismail Kadaresë, për mua, ka qenë e mbetet burim frymëzimi, prandaj, jo vetëm e kam ndjekur e lexuar, por e kam studjuar thellësisht për të thënë mendimet e mia, në shtypin e ditës dhe në libra të veçanta , për vlerat e padiskutueshme të kësaj krijimtarie shumëplanëshe dhe të gjerë të këtij shkrimtari të madh, që ishte dhe mbetet krenaria jonë kombëtare. Kam analizuar një seri veprash të tij, si: ‘’Pallati i ëndrrave’’, ‘’Qorrfermani’’,‘’Kronikë në gur’’, ‘’Dimri i vetmisë së madhe’’, ‘’Koncert në fund të dimrit’’,’’Gjenerali i ushtrisë së vdekur’’,’’Darka e gabuar’’,’’Pashallarët e kuq’’,’’Motive të Parisit’’, sprovën ‘’Mosmarrëveshja’’dhe për serinë e poezive të tij të zgjedhura. Për mua ai është kalorësi, që shpëtoi poezinë shqipe nga vdekja. Ismail Kadare, me veprën e tij, ka mbajtur anën e kombit dhe të shqiptarizmit, por nuk ka hezituar t’i qortojë shqiptarët kur ata nuk merren vesh mirë me njeri-tjetrin për të mirën e Shqipërisë dhe të vetë shqiptarëve. Ai e qorton për grindjet, përçarjet dhe mosmarrëveshjet e theksuara në shekuj midis tyre. Një komb, që nuk do veten, thekson ai, s’ka si të dojë të tjerët. Për të, mosmarrëveshjet, që fabrikohen nga ‘’instrumentet politike’’, nuk sjellin gjë tjetër, veçse kthim pas.
Si e ke menduar ditën e largmit të Kadaresë nga Shqipëria, në fund të vitit 1990? A e ke paragjykuar, apo e ke vlerësuar?
Në çastet e para, ashtu dhe si shumë të tjerë, edhe unë nuk po e kuptoja largimin e tij, në një kohë kur vendi dhe populli kishte shumë nevojë për të. Por, kur mora vesh të vërtetën mbi prapaskenat dhe ethet për ta përndjekur, i dhashë të drejtë. Kombin dhe popullin e tij, ashtu si dhe shumë shqiptarë të tjerë, ai mund ta ndihmonte edhe jashtë vendit, duke bashkëpunuar me qarqet demokratike dhe trupat diplomatike të botës. Këtë bëri dhe ai gjatë gjithë kohës që punoi dhe jetoi në Francë. Tani ne jemi të bindur për rrezikun real, që e kërcënonte atë dhe familjen e tij në ato kushte të vështira të kalimit të vështirë të vendit tonë nga një sistem i egër monist në një sistem demokratik.
– Po me Agollin, a ke pasur lidhje dhe miqësi? Cili është mendimi juaj për të?
Për mua Dritrëro Agolli ka qënë dhe mbetet emblema shqiptare, simboli i njeriut të mirë e të ndershëm, por edhe i poetit që i këndoi tërë jetën Atdheut, Shqipërisë, kombit, baltës dhe trojeve, dhimbjes dhe gëzimit , vuajtjes dhe stërmundimit, luftës dhe lirië, shpresës dhe bukurisë së rrallë të trojeve shqiptare. Ai ishte simboli i besës dhe burrërisë, mikpritjes dhe bujarisë. Ishte i thjeshtë si vetë thjheshtësia, i ëmbël si eliksira, që me ëndrrën dhe veprën e tij mbolli dritë nga sytë dhe mendja e tij,ashtu siç kishte edhe emrin. Rralë e kisha takuar, por në zemër dhe mendje e kam patur përherë pranë. Krijimtaria e tij moderrne ,e përshkuar tejpërtej nga koloriti kombëtar dhe popullor, më ka nxitur dhe frymëzuar të shkruaj shumë për të dhe veprat e tij, në libra dhe në shtypin e ditës. Në librat e tij kam zbuluar marrëzitë e kohës. E si të mos entusiazmohesh kur ai shkruan :’’Ka njerëz ,që puthin me buzë/ ka dhe të tillë,që me buzë ndyjnë’’, apo postulatin e tij poetik humoristik :‘’E, ku të vete unë i ngrati,/ kur rrugën ma ka zënë veshëgjati’’.Ai ishte dhe mbeti ‘’i përndjekuri i dashurisë’’ njerëzore, sepse sipas tij,’’të pëqrndjekurit nga dashuria i vjen mirë’’. Dritëroi ishte dhe mbeti monument i kulturës shqiptare. Kur shfleton krijimtarinë e tij, përpara të shpaloset e tërë Shqipëria, me baltën e saj të ëmbël dhe njerëzit e saj trima e bujarë. Me penën e tij, ai ‘’i bie globit dhe e çan tejpërtej, i bie shpirtit dhe e ndriçon, i bie të keqes dhe e verbon’’. Por ai ishte dhe një mirënjohës i rrallë ndaj të tjerëve. Këtë po e ilustroj me këtë shembull kuptimplotë. Kohët e fundit, kur ai lëngonte në shtrat, kisha botuar një shkrim për Driteroin, në shtypin e ditës,të cilin redaksia ja kishishte dërguar në shtëpi për ta lexuar. Pasi e lexoi ,i pati thënë të mrekullueshmes Sadie, ma gjej numrin e këtij djali ta falnderoj, që me fjalët e tij të ngrohta më ngriti nga shtrati. Ishte e ndjera Sadie e para që më telefonoi ,duke më thënë :’’…Driteroi dëshiron të falnderojë për diçka…dëgjojeni, ju lutem… .Sapo dëgjova zërin e Dritëroit , për të cilin kisha dëgjuar se ishte shumë i sëmurë ,u përlota.Fuqinë e mora kur ai nisi të më falnderonte për shkrimin që kishë bërë për të. U mrekullova nga fjalët e tij të ëmbla që kisha kohë që s’i kisha dëgjuar .Nëse unë kishë shkruar për të vetëm një faqe gazete, ai më falnderoi me superlativat më të rralla për disa minuta me radhë. Ja ,thashë me vete ç’bëjnë mirënjohës të rrallë si Dritëroi. Kam një jetë të tërë që shkruaj për njerëz të zakonshëm e kriues me qindar shkrime portrete e libra,por kurrë s’e kam shijuar një flnderim të tillë brilant.Ka dhe sjumë të tjerë që s’më kanë thënë as fjalën e thjeshtë’’Faleminderit’’. Ja, kjo lloj mirënjohje e sjellje ndaj njerëzve e dallonte Driteroin e madh nga njerëzit e vegjël e mospërfillës, të cilët shohin deri tek maja e hundës së tyre të deformuar.
– Nëse do bësh një krahasim mes Univesiteteve të monzimit dhe sot çfarë ndryshimesh shikon?
Po t’i krahasosh universitetet e këtyre dy kohëve të ndryshme, ka diferenca të mëdha. Pozitive për universiutetet e sotshmë është se koha ka sjellë çeljen e disa degëve të reja të cilat ja ka imponuar koha dhe nevojat e kohës. Por në shumë universitete mungojnë labratoret dhe kushtet e tjera materjale e teknologjike që u shërbejnë studentëve për aftësimin e tyre praktik. Ndaj kam bindjen,se universitetet tona sot kanë jë rënie të theksuar përsa i përket cilësisë së dhënieës së mësimit dhe përgatitjes së specialistëve me cilësinë e duhur në pëershtatje me tregun dhe kërkesat e kohës. Edhe ndarja e programeve në dy faza në Baçelor dhe Master , ashtu si zbatohet në universitetet tona,me një cikël të hapur të programeve, nuk siguron lidhjen e ngushtë midis teorisë dhe praktikës, dhe për ata që duan të mbarojnë vetëm fazën e parë është kohë e humbur ,sepse me tre vitet e para, studenti nuk mund të fitojnë një profesion të qartë. Ndonse më rrallë, por ende, sidomos në disa universitete e filjale në rrethe, studentët vazhdojnë të pëshpërisin për marrjen e provimeve dhe të rritjes së cilësisë së notës me para. Ka pedagogë që për të shitur librat e tyre, i kërcënojnë studentët e tyre se do t’i ngelin në se nuk blejnë librin,në vend që të perfeksionojnë përgatitjen dhe mjeshtërinë e dhënies së leksioneve. Universitetet vuajnë nga kaotizmi mungesa e përgjegjësisë dhe nga mungesa e pedagogëve kompetentë që të përmbushin cilësitë morale e mësimdhëniese, për përgatitjen cilësore të specialistëve të kohës.