21/12/2024

Flet rapsodi, “Mjeshtri i Madh”, Pjetër Matusha: Babain ma pushkatuan kur isha 3 muajsh

0
Pjeter-Matusha

-Babain bashkë me 13 të tjerë i pushkatuan në Gurrëz si kundërshtarë të regjimit

Kryekënga ime është për xhubletën në UNESCO

Intervistori: Albert Z. ZHOLI

Pjetër Matusha mbetet një ndër rapsodistët më në zë shqiptar të dekadave të fundit. Ai në repertoin e tij ka me dhjetëra këngë popullore të veriut që nga ato të patriotëve dhe figurave të shquara, por edhe lirike. Takimi me të ma orientoi regjisori i talentuar Llesh Nikolla, i cili e njeh me detaje jetën dhe veprimtarinë e tij. Këngët e tij tashmë dëgjohen në të gjithë globin, por ai këngën që veçon më shumë është kënga për marrjen në mbrojtje nga UNESCO të Xhubletës së famshme shqiptare (veshtje 4 mijëvjeçare e Veriut). Por deri sa ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh”, Pjetri ka kaluar një kalvar vuatjesh në regjimin monist, por ai kurrë se hoqi nga dora lahutën.

Lahuta një vegël e veçantë muzikore shumë e veçantë ku po bëhen përpjekje ta tjetërsojnë si vegël instrumentale duke e mohuar si vegël  shqiptare. Si erdhi dashuria juaj për këtë instrument?

Lahutën e kam pëlqyer që në moshën 13-vjeçare kur banoja në rrethinat e Laçit. Ne kishim një komshi, që netëve i binte kësaj vegle magjike. Unë dilja në dritare dhe e dëgjoja. Më magjepste tingulli i këtij instrumenti. Nuk ngopesha së dëgjuari. Kjo më shtyu që të mendoj se si ta kem në dorë një të tillë.

-Dhe si erdhi në dorën tuaj lahuta e parë?

Lahutën e parë e kam ndërtuar vetë. Po, po vetë. Imagjinata ime ishte e shfrenuar për ta bërë pjesë të duarve të mia këtë instrument. Lahuta ime e parë u ndërtua nga  një Poç i egër, si kungull i egër me formë. Pastaj e mbështolla me lëkurë mace trupin  ndërsa dorezën  e bëra me bisht kali. Lidhjen e trupit e bëra me kunja druri. Kur e mbarova qava nga gëzimi. Më dukej se kisha botën në dorë. Po fluturoja nga gëzimi. Një ndër ëndrrat e mia u bë realitet.

-Cila është kënga e parë që ke kënduar si rapsod dhe cili ka qenë reagimi?

Kënga e parë ka qenë ajo e Ago Ymerit. Një këngë shumë e dashur në Veri. Mua më pëlqente shumë dhe kur e këndova në një festival të kooperativave në moshën 17 vjeç u pëlqye shumë. Të gjithë e pëlqyen intepretimin tim. U ndjeva i lumtur. Kisha hedhur hapin e parë. Por kaq ishte ëndrra. Pas atij momenti spiunuan se kisha babanë të pushkatuar dhe nuk më lanë të ngjitesha në skenë. U largova nga skena me lahutë, por jo në shtëpi. Lahuta u bë pjesë e pandarë e jetës sime. Në shtëpi i bija vazhdimisht dhe mësoja këngë odash dhe dasmash.

-Pse u pushkatua babai juaj? Sa vjeç keni qenë?

Babi im u pushkatua në vitin 1946 pasi e akuzuan për agjitacion dhe propagandë kundër regjimit komunist. Por e vërteta ishte krejt ndryshe. Ne kishim të afërt nga nëna At Lek Lulin, prift katolik, i cili ishte kundër regjimit. Babai e donte shumë pasi ishte si dajo i tij. At Lek Luli ka qenë sekretar i Abaz Kupit. At Lek Lulin e pushkatuan në vitin 1944. Babanë tim e pushkatuan me 13 burra të tjerë në afërsi të Laçit në një fshat Gurrëz ku kalonte një lumë. Ishte koha kur ishte vrarë Rexh Deliu. Vrasja e tij bëri bujë. Një nga të dyshuarit që s’kishte lidhje fare me të ishte dhe babai im. Babain në fakt e arrestuan për lidhjen me At Lek Lulin. Të 13 burrat e arrestuar i pushkatuan pa gjyq. Një nga akuzat ishte se ishin ndërmjetës për vrasjen e Rexh Deliut. Në atë kohë Rexha kishte emër të madh dhe influencë në popull.

-Po varrin e babait e dini?

Po. E dini se çfarë ndodhi? Para se t’i pushaktonin përgjegjësi i skuadrës së pushkatimit i pyet a keni ndonjë gjë si fjalë të fundit? Njeri prej atyre që do pushkatohej i tha: të paktën kufomat mos na i hidhni në lumë. Lerini të na i marrin familjet tona që të kemi një varr. Po të na hidhni në lumë kufomat tona do dekompozohen dhe në lumë do përhpen sëmundje, që mund të dëmtojnë fëmijët. Dhe në fakt ashtu u bë. I pushkatuan në orën 12 të ditës. Krismat u dëgjuan deri tutje. Pasi i pushkatuan përgjegjësi lajmëroi në fshat që të vinin të merrnin kufomat. Edhe nëna ime dhe gjyshja shkuan e morën kufomën e babait. Histori e dhimbshme. Të paktën i hapëm një varr babait.

Sa fëmijë ishit dhe kush ju rriti?

Ne ishim 3 fëmijë unë, një vëlla dhe një motër. Na rriti nëna me gjyshen. U rritëm mes vuajtjesh, por me dashurinë për atdheun. Unë dhe pse kisha talent dhe pse këndoja shumë këngë nuk më aktivizuan më me kooperativat dhe ndërmarrjet. Më ftonin vetëm në dasma dhe ahengje të ndryshme. Por se lashë as lahutën, as këngën.

-Kur e ke ndjerë veten më keq në ato vite?

Kur isha ushtar. Më çuan në repartin e xhenjos në Gjirokastër. Ishte viti 1966. Ne nuk na jepnin armë pasi na quanin të deklasuar me biografi të keqe. Punonim natë ditë në tunele apo transe për mbrojtjen e atdheut. E përballova dhe këtë situatë në jetë. Thjesht ishim të përndjekur politikë.

-Ku keni punuar gjatë regjimit monist?

Nga punë më të ndryshmet. Por unë kisha  mësuar dhe profesionin e marangozit që në kohë të lirë e ushtroj edhe sot. Nga kooperativa më transferuan në NSHN, Laç. Me shokët shkoja mirë dhe pse kudo më ndiqte hija e babait të pushkatuar padrejtësisht.

-Po vëllai juaj ku ka punuar?

Edhe vëllai ka punuar në punë të ndryshme kryesisht në kooperativë. Por edhe atë në vitin 1981 e dënuan me 10 vjet burg për agjitacion dhe propagandë. Ai bëri 6 vjet burg dhe e liruan në vitin 1987 kur filloi disi liberalizimi i jetës.

Kur e filluat intensivisht këngën me lahutë? Kush jua krjonte tekstet e këngëve?

Në fund të vitit 1989 mua filluan të më ofronin në grupe të ndryshme në Laç dhe Lezhë. Ishin vitet kur unë u shkëputa në Lezhë ku banoj dhe sot. Tashmë për mua ishin hapur rrugët kudo. Në dasma, takime odash isha kudo i pranishëm. Unë tekstet e këngëve dhe muzikën i bëja dhe i bëj vetë. Pra jam autor teksti, këngëtar dhe instrumentist. Kjo është dhuntia e një rapsodi.

Në cilin festival Kombëtar ke marrë pjesë për herë të parë?

Kam marrë pjesë në festivalin e Beratit në vitin 2010 dhe më pas në Gjirokastër etj…Në të gjitha Festivalet e fundit kam fituar çmime të ndryshme. Festivali ka tjetër natyrë dhe magji.

-Lahutën që keni dhe sot ku e keni marrë apo kush jua ka dhuruar?

Lahutën që unë demonstroj dhe sot ma ka falur Bardhi Rica. Ai e kishte blerë në Tuz. Ky qytet ka traditë të mirë në prodhimin e lahutave ndaj kam vite me të dhe ajo qëndron e re dhe më jep shumë gëzim.

-Në sa vende të botës ke dhënë koncerte apo ke qenë pjesë e grupeve të ndryshme folklorike?

Unë pas vitit 1992 kam qenë pjesë e shumë grupeve, shoqatave muzokore, që kanë qenë pjesë e shumë Festivaleve. Në gjithë Ballkanin kam qenë disa herë por kam qenë dhe në Francë, Itali, Zvicër, Amerikë e gjetkë.

Nga këto vende kush të ka bërë më shumë përshtypje?

Franca. Kam qenë pjesë e një grupi polifonik nga Vlora. Aty kam kënduar këngën e Prek Calit. Kënga u pëlqye shumë dhe mora një çmim. Por pjesëmarrësit u habitën më shumë me lahutën. E shikonin me habi. Jo të gjithë e njhnin atë instrument.

-Cilat janë këngët e tua më të bukura?

Unë kam shumë këngë në repertor, të cilat i kam krijuar dhe kënduar vetë. Por ndër këngët më të bukura janë ajo e Skënderbeut, Prek Calit, Gjergj FishtëS, Aga Ymerit, Mujo dhe Halilit dhe shumë figurave patriotike. Por unë kam dhe shumë këngë vaji që më kërkojnë t’i këndon nëpër vaki. Por këto i bëj për të zbutur dhimbjen e njerëzve, që kanë humbur të dashurit e tyre, por ama edhe këngë lirike. Pra kam këngë në disa gjini dhe ndaj ftesat i kam të shumta.

-Po kryekënga juaj?

Kryekënga ime është për Xhubletën e shenjtë. Për Xhubletën 4 mijëvjeçare që UNESCO e mori në mbrotje. Sa mora vesh këtë lajm ndenja tërë natën që ta realizoja. Dhe them se e kam realizuar në mënyrën më të bukur të mundshme. Dua ta bëj hit dhe besoj po bëhet. Ata që e dëgjuan u mahnitën. Më dhanë forcë. Tani ajo thuajse ka marrë rrugën e popullit.

-A ka shumë lahutarë sot?

Fatkeqësisht instrumentistët që i bien lahutës po zvogëlohen ndjeshëm. Në Veri të Shqipërisë ata janë shumë pak. Shumë pak. Ai është instrument i vështirë ndaj dhe ka pak që i bien. Duhet durim dhe këmbëngulje për këtë instrument. Jo kushdo mund t’i bjerë. Unë do vazhdoj rrugën time se kam detyrime për lahutën dhe Xhubletën. Lahuta më mbajti gjallë në monizëm dhe më dha forcë në demokraci.

-Moj lahutë, symbol burrnie/ Ti do biesh si t’ka hije/ Vjen prej shekujsh si model/ I knon epokave mbi një tel/ Si lahuta dhe xhubleta/ Kanë me mbet sa t’ jetë jeta/ Që na i kan bota lakmi/ Ruhen sot në trashëgimni/ Këto janë vlerat e shqiptarit/ Mos Të harrohen djal mbas djalit….

Ju vjet Presidenti Meta ju dhe titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” si u ndjetë?

Ishte një ditë e veçantë. Ishte një ndër ëndrrat e mia. Erdhi në një moment kur unë po realizoja shumë këngë të reja. Presidenti Meta e vlerësoi shumë punën time. Ndihem i vlerësuar dhe i nderuar.

Lahuta

Lahuta është një vegël muzikore kordofone me një tel e përdorur në Malësi të Madhe, Malësi të Gjakovës, Dukagjin, Plavë, Guci, Rugovë, Krajë, Postribë, Pukë dhe Kosovë. Lahuta përbëhet nga një kasë druri në trajtë vezake, të zgavruar përbrenda. Kjo zgavër e kasës mbulohet me lëkurë të regjur ose çapër, siç e quajnë në Malësinë e Madhe, e kapur anash me kunj druri. Trupi i lahutës mund të përbëhet edhe nga kungulli ose nga guaska e breshkës. Mbi çadër nga skaji i kasës vendoset një urë druri zakonisht e vendosur pak tërthorazi mbi të cilën mbështetet kordha e lahutës, e cila quhet kamanec (Dukagjin) ose magjar (në disa vende të Shqipërisë Verilindore). Kordha e lahutës lidhet dhe lëvizet nga një çelës në formë kunji, i ngritur në një vrimë nga maja e bishtit të instrumentit, i cili quhet kungj ose tezgjah (Tropojë), krek (Peshkopi), gres (Malësi e Madhe). Kordha kalon nga kunji mbi kambalecin dhe kapet poshtë në formë laku, me një të dalë druri në fund të kasës. Pjesë e lahutës është edhe harku i përbërë nga druri i thanës apo arrës, etj., i cili ka formën e gjysëm hënës të lakuar në trajtë hënëze, e cila quhet agrec (Krujë), budat (Tropojë), ras (malësi e Madhe), drocak (Dukagjin). E gjithë lahuta përbëhet nga një dru njëcopësh, nga panja, gështenja, krekëza, lisi ose arra…etj., lloje drurësh që zgavrohen lehtë. Në rrethin e Lezhës përdorin edhe drurin e verrit që del në kënetë, sepse është i lehtë dhe mund të zgavrohet hollë dhe kumbon mirë. Çapra e suprinës përbëhet nga lëkura e regjur e dhisë ose nga plëndësi i bagëtive i vendosur nga ana e lëmuar e sipërme. Çelësi punohet nga dru i fortë. Harku (argeci) përbëhet zakonisht nga thupra e thanës, arrës, etj. Fijet e tij përbëhen nga bishti i kalit të zi, përdridhen dhe vendosen nga njëra anë e harkut në anën tjetër duke krijuar tension dhe duke e harkuar thuprën e harkut. Qimet e harkut lyhen me rrëshirë pishe të egër. Cilësia e tingullit dhe kumbimit të këtij instrumenti nuk përcaktohet nga lloji dhe cilësia e drurit, por më shumë nga cilësia e lëkurës dhe përpunimit të saj, përpunimi i qimeve të harkut etj.

Veshja me Xhubletë

E merr këtë emër nga një lloj fundi në formë këmbane të valëzuar, i qepur me rripa prej shajaku të vendosur njëri pas tjetrit në linjë horizontale, bashkimi i të cilëve realizohet me gajtana të hollë prej leshi. Xhubleta shoqërohet edhe me disa pjesë të tjera prej shajaku me ngjyrë të zezë, si të xhubletës, të cilat quhen grykës, mangë, dhe krahol. Pjesë tjetër është edhe brezi i gjerë i zbukuruar me rruaza dhe gajtana, i cili në të folmen vendore quhet kërrdhokëll. Në kokë mbahej një shami e bardhë, e lëshuar mbi shpatulla. Këmbët mbroheshin me këllçi shajaku ose me çorape të gjata si dhe me opinga lëkure.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok