Flet Prof. Gjergji Foto: Administrata shtetërore e sotme po eksperimenton idetë e Sorosit, duke mos pasur strategji zhvillimi ekonomik e shoqëror

-Sipas Bankës Botërore, ne jemi vendi i dytë me pasuri natyrore për frymë, në Evropë, i pari është Rumania dhe po sipas BB jemi vendi më i varfër.
-U shkatërruan arritjet dhe qeveritarët e rinj rezultuan të pa aftë, pa përgjegjësi, ose të etur për përfitime vetiake e pa ideale.
-Sot, shkollat e larta janë mbushur me vajza, që marrin një diplomë pasi djemtë synojnë emigrimin.
-Sot administrata shtetërore thërret për shkollat e mesme profesionale, kryesisht hoteleri, kulinari, gjuhësi dhe shërbime të thjeshta në shtëpi.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Ditët e fundit në tregun medatik shqiptar po diskutohen të dhënat e fundit të Eurostat, për të ardhurat për frymë si dhe testi PISA për arsimin. Le të marrim së pari të ardhurat për frymë….Ndonëse ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri të mirë pas pandemisë dhe turizmi ka arritur rekorde, kjo nuk po përkthehet në më shumë mirëqenie për qytetarët e Shqipëria.Të dhënat e fundit të Eurostat, të përditësuara për vitin 2024 e vendosin sërish Shqipërinë në fund të Evropës për të ardhurat për frymë me 35 për qind të mesatares evropiane, nga 34 për qind që ishte në vitin 2022. Shqipëria është në të njëjtat nivele me Bosnjën, ndërsa të dhënat për Kosovën mungojnë. Rritja ekonomike e nxitur kryesisht nga fluksi i lartë i ndërtimeve dhe shitjeve të pasurive të paluajtshme, apo dhe numri i lartë i turistëve nuk duket që të kenë përmirësuar mirëqenien e shqiptarëve në dy vitet e fundit. Maqedonia e Veriut kishte të ardhura sa 41 për qind e BE-së, me rënie me një pikë përqindje nga viti i mëparshëm. Serbia e kishte këtë tregues 46 për qind, nga 44 për qind vitin e mëparshëm. Nivelin më të lartë në rajon e ka Mali i Zi, me 52 për qind, nga 50 për qind vitin e mëparshëm. Edhe në tregues tjetër, atë të konsumit individual për frymë (AIC), i cili mat fuqinë blerëse të mallrave e shërbimeve, Shqipëria renditet e fundit, me 42 për qind të mesatares evropiane, nga 41 për qind vitin e mëparshëm, duke u renditur e fundit në Europe, 2 pikë përqindje më pak se Bosnjë Hercegovina që e ka rritur këtë tregues në 44 për qind (në 2022 ishim në të njëjtat nivele). Nivelin më të lartë e ka Mali i Zi me 65 për qind (nga 63 për qind në 2022), e ndjekur nga Serbia me 54%, me rritje me 1 pikë përqindje dhe Maqedonia e Veriut me 52 për qind, nga 50 për qind në 2022. Sipas shpjegimit të Eurostat, megjithëse PBB për frymë është një tregues i rëndësishëm dhe i përdorur gjerësisht i nivelit të mirëqenies ekonomike të vendeve, konsumi për frymë mund të jetë më i dobishëm për krahasimin e mirëqenies relative të konsumatorëve në vende të ndryshme. Gjatë vitit 2023, ekonomia shqiptare u rrit me 3.4%, duke u ngadalësuar në krahasim me zgjerimin prej 4.86% të 2022-t. Rreth gjysma e kësaj rritjeje erdhi nga ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, që u zgjeruan përkatësisht me 9.7% dhe 11.3%. Duket se kjo rritje që po vjen nga ndërtimi nuk po arrin të përmirësojë mirëqenien e shqiptarëve, që vijojnë të mbeten më të varfrit e Evropës. Nga ana tjetër…A është e lidhur varfëria me arsimin? Le ti referohemi testit PISA…Testi i PISA, Shqipëria ndër vendet me rënien më drastike! Rezultate më të dobëta se në 2018 në lexim, shkencë e matematikë! Ndikoi pandemia dhe tërmeti. Studimi ndërkombëtar i arsimit PISA që vlerëson nivelin e nxënësve në lexim, matematikë dhe shkencë ka nxjerrë rezultatet e testimit të vitit 2022, ku Shqipëria ka shfaqur një rënie drastike. Shkak, deklarohet se ka qenë jo vetëm pandemia, por edhe tërmeti i vitit 2019. Rënie e ndjeshme e nivelit të nxënësve regjistrohet edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Shqipëria ka shënuar rënie të madhe në testin e PISA 2022, një program vlerësimi ndërkombëtar për njohurit e nxënësve në nivel parauniversitar, në matematikë, shkencë dhe lexim. Në krahasim me testimin e vitit 2018, sipas raportit të fundit të PISA, Shqipëria ka humbur më shumë vende se thuajse 81 vendet e analizuara. Rënien më të madhe Shqipëria e ka pësuar në matematikë, ku ka humbur 69 vende. Përsa i përket leximit, vendi ynë është në të njëjtat nivele me Republikën Domenikane, Autoritetin Palestinez dhe Filipinet. Në këtë sektor, vendi ynë ka humbur 47 vende. Edhe në shkencë numri i vendeve të humbura është 41. Megjithatë, kjo rënie e niveleve në testimin e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA), nuk është vetëm për Shqipërinë, por në 81 vendet që janë studiuar. Krahasuar me vitin 2018, performanca mesatare globale ra me dhjetë pikë në lexim dhe me pothuajse 15 pikë në matematikë. Raporti vëren se ndikim ka pasur edhe ndërprerja e procesit mësimor gjatë pandemisë së Covid 19. Teksa për vendin tonë këtë rënie në testim, PISA e lidh edhe me tërmetin e vitit 2019 që preku Shqipërinë, por edhe me mospërkushtimin e nxënësve pjesëmarrës. Ja si shprehet për këto dy probleme për Telegraf.al,
–Të ndalemi tek verifikimi i EUROSTAT…Ndonëse ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri të mirë pas pandemisë dhe turizmi ka arritur rekorde, kjo nuk po përkthehet në më shumë mirëqenie për qytetarët e Shqipëria duke studiuar Eurostat del natyrshëm gjendja e varfërisë në vendin tonë. Pse Shqipëria është vendi më i varfër në Europë, por me çmimet më të larta në shumë artikuj? Po në vitet e sistemit monist si ishte ekonomia jonë?
Sipas Bankës Botërore, vendi ynë është vendi i dytë me pasuri natyrore për frymë, në Evropë, i pari është Rumania dhe po sipas BB është vendi më i varfër në vendin e mbi njëqindtë. Ka dy arsye: objektive, për shkak të robërisë shekullore. Me treguesat më të ulët jetësorë, analfabet, i sëmurë. Psh në luftën e Parë Botërore, në vendin tonë kanë luftuar 6 ushtri të vendeve të ndryshme. Shqiptarët e viteve 1920, në krahasim me fqinjët, ishin fshatarë pa tokë, pa industri, me jetëgjatësi mesatare 42 vjeç etj. Pas çlirimit, Pushteti Popullor, si çdo vend pas Luftës II, Botërore, pati hov zhvillimi bujqësor e industrial, u trefishua popullsia, por ideolologjia dhe politika sundoi mbi ekonominë dhe vendi u konsiderua i rrethuar nga imperialistët dhe revizionistë dhe i destinuar për të dështuar në zhvillim, për shkak të një skemë empirike zhvillimi që filloi me Leninin dhe vazhdoi me praktikën mbi 20 vjeçare të Stalinit, që sollën egërsinë e borgjezisë kapitaliste mbi vendet ish socialiste dhe si rrjedhim nxitën edhe luftën e ashpër të klasave. Psh, në bujqësi, iu dha toka fshatarit, por nuk e gëzoi se iu kolektivizua dhe nuk pati rastin të prodhonte vetë. Privatët u shtetëzuan dhe nuk iu dha mundësia të investonin. Të dy grupet do të sillnin rritje prodhimi dhe stabilitet, e shteti do të bënte rregullatorin e tregut. Tregu i lirë dhe demokracia sidomos për vendin tonë që pati start varfërie, jo si vendet fqinjë e më tej, do të sillte ritme të larta zhvillimi.
-Po sot politikat qeveritare 35-vjeçare a kanë qenë në interes të popullit? A ka pasur udhëheqës, apo politikanë idealist që të mendojnë për Atdheun dhe popullin?
Tregu i lirë i sotëm dhe demokracia, me flamurtarë pa ideale, na çuan në nivelin e paraçlirimit në zhvillim dhe ekonomi dhe mirëqenie. U shkatërruan arritjet dhe qeveritarët e rinj rezultuan të pa aftë, më e vogla përgjegjësi, ose të etur për përfitime vetiake e pa ideale. Pushteti popullor pati arritje pasi zgjodhi strategji zhvillimi në bujqësi, industri, arsim, shëndetësi, kulturë, mbrojtje, rritje popullsie dhe jetëgjatësia afër 80 vjeç. Pasuritë natyrore zbulimi, nxjerrja dhe përpunimi ishin baza për sigurimin e eksporteve bashkë me produktet bujqësore se siguronin valutën. Sot, strategjia është turizmi dhe braktisja e pasurive natyrore që sollën shpopullimin, papunësinë varfërinë, shëndetësi e pa aftë. E vetmja mënyrë për të krijuar të ardhura për buxhetin janë rritja e taksave nëpërmjet lejimit të rritjes së çmimeve duke importuar karburante, dhe pothuaj tërë produktet importohen; të shportës, përdorimit të përditshëm, apo investime të munguara nga shteti. Administrata shtetërore e sotme po eksperimenton idetë e Sorosit, duke mos pasur strategji zhvillimi ekonomik e shoqëror.
–Të vijmë tek arsimi… Pse shkolla shqiptare doli me rezultatet më të ulëta në testin PISA? Cilat janë arsyet dhe kush ndikon? Po shteti a është fajtor në këtë situatë alarmante?
Arsimi, para çlirimit, në vitet 1927-1928, zinte rreth 10% të GDP, por prodhimi dhe numri i nxënësve të mesëm e të lartë ishte i ulët. Pushteti Popullor pati zhvillime mbresëlënëse. Analfabetizmi u zhduk, shkolla deri të mesme në çdo fshat e lokalitet. Në. përputhje me strategjinë e zhvillimit të ekonomisë u dërguan studentë në tërë vendet ish socialiste, që u kthyen në vitin ’49-’50. U hap Politeknikumi, Teknikumet dhe Instituti Politeknik. Në v 1957, u ngrit Universiteti Shtetëror i Tiranës, në vitin 1972, Akademia e Shkencave. Në përgjithësi, shkolla është ndjekur me përparësi dhe sidomos e larta ishte e lidhur drejtpërdrejt me kërkesat e tregut të punës, me synimin që çdo specialist i diplomuar të përgatitej në atë mënyrë që të nesërmen të fillonte punë atje ku emërohej. Programet tona mësimore vlerësoheshin si më të mirat për përgatitjen e specialistëve që kontrolloheshin nga evropa dhe SHBA-të. Ajo shkollë e lartë, përgatiste edhe studentë të shkëlqyer, megjithëse sistemi i pushtetit popullor, përgjithësisht nuk krijonte emulacion dhe konkurim. Të gjithë emëroheshin në punë. Ku të mirët dhe të dobëtit hynin në një grup pagesash, dhe kjo sigurisht që dëmtonte pa kuptuar përvetësimin më të mirë të shkencës. Megjithatë, në industri këta specialistë kanë pasur suksese e zhvillime. Psh në naftë, ne për 30 vjet, zbuluam mbi 20 grumbullime nafte dhe gazi të shfrytëzueshme. Të huajt, po për 30 vjet në Tokë dhe det, me dhjetëra puse të shpuar, me teknologji të sofistikuara, nuk kanë zbuluar asgjë. Por duhet thënë se nuk kemi pasur mundësinë e kualifikimit bashkëkohor, lidhjet me jashtë, nuk kemi pasur teknologjinë e domosdoshme se nuk prodhoheshin pjesë këmbimi, por duheshin blerë përherë të reja gjë që nuk bëhej. Kushtetuta e vitit 1976, nuk lejonte të merrje me qira kompani të huaja për shërbim të paguar. Kalimi në tregun e lirë, e sidomos përpjekjet e pakuptimta për të liberalizuar programet mësimore nga nevojat e ekonomisë, që në fakt u shkatërruan, për mungesë strategjie zhvillimi, bënë që të kalohet në specialitete opsionale ose të përgjithshme për të punuar edhe në tregun jashtë vendit. Përfshirja në programet e shkollave tona programe të BE, sipas Konventës së Bolonjës, e shkatërruan përgatitjen e specialistëve të lartë. Kjo bëri që ndryshe nga shkollat evropiane që lejonin deri 5% shkolla private, këtu te ne, falë presionit të tregut privat, numri i shkollave private e kaloi rreth 5 herë numrin e shkollave publike duke dëmtuar cilësinë e përgatitjes rezultatet e asaj gjendje duken edhe sot. Në vitin 2017, nga rreth 170 mijë studentë total, publik e privat rreth 13% ishin te bujqësori, 4% të Politekniku, shkolla që lidhen drejt për drejt me prodhimin bujqësor dhe industrial, mbi 80% të atij numri studentësh ishin rregjistruar në arsim shërbimesh. Në një ekonomi normale, duhej të ishte e kundërta. Sot, shkollat e larta janë mbushur me vajza që marrin një diplomë pasi djemtë synojnë emigrimin. Sot administrata shtetërore thërret për shkollat e mesme profesionale, kryesisht hoteleri, kulinari, gjuhësi dhe shërbime të thjeshta në shtëpi.
Se harrova të të them: ka një fjalë të urtë që thotë se “edhe fshatari më i varfër, për të mbjellë, zgjedh farën më të mirë”. Te ne, nuk kujdeset askush për farën që do mbjellë. Politikanët, deputetët, të pasurit, zgjedhin për interesa ngushtësisht të tyre, të shpien fëmijët në shkollat e huaja, ndërsa shteti ynë, nuk mund të investojë aq sa vendet e tjera qoftë edhe fqinjë në përqindje ndaj GDP. Është rreth 3%. Nuk ka laboratorë, literaturë etj. Por ky, nuk është problem i studentëve, por i prindërve të varfër, që investojnë për fëmijët e tyre, për të siguruar jetën e fëmijëve dhe po u tepëroi të ndihmojnë edhe prindërit sidomos pensionistë. Ndaj nuk u takon studentëve të ngrihen për të rritur shpenzimet qeveritare për arsimin, por vetë prindërve. Studentët, duhet të ngrihen vetëm për të siguruar cilësinë e arsimit të lartë dhe lidhjen e programeve me punësimin në vend që e detyrojnë qeverinë të vërë në efiçencë gjithë pasuritë natyrore të vendit. Një shkollë e lartë duhet të karakterizohet me tre elementë:
-përparimin e studentit
-shkallën e punësimit pas diplomimit
-ndikimi i matur në zhvillimin ekonomiko shoqëror të vendit.