Flet Prof. Dr. Lush SUSAJ: Korrupsioni dhe injoranca që vret me pesticide, ngadalë e në mënyrë të llahtarshme
-Nuk mund të heshtë përballë vrasjeve të llahtarshme me mbetje inorganike të pesticideve në fruta, apo në perime, në peshkun, në drithra,
-Populli ndjen neveri për të gjithë ata që e kanë shkaktuar këtë situatë alarmante.
-Kjo është një pabesi dhe vrasje për reputacionin dhe të ardhmën e eksportitit të agrumeve, por edhe të prodhimeve të tjera të bujqësisë shqiptare
-Gjatë gjithë këtyre 4 viteve, në farmacitë tona bujqësore, është tregëtuar klorpirifos duke shkaktuar probleme me eksportet, e problemin më të madh me shëndetin e popullsisë
-Habitem nga propaganda bajate e zyrtarëve dhe institucioneve të paralizuara nga inkopetenca dhe korrupsioni
-Kthimi i prodhimeve të kontaminuara tregon mungesën totale të laboratoreve, të specialistëve dhe të kontrollit të sigurisë ushqimore në tregjet tona
-Shqipëria është një nga prodhuesit më të mëdhenj të agrumeve në Europë që nga Konispoli, Saranda, Vlora, Berati, Fieri, Lushnja, Kavaja, Elbasani, etj..
-Edhe reputacionin e mirë të eksporteve të agrumeve, krijuar me shumë mund e sakrifica, po e zhdukin me themel djajtë e nepotizmit, injorancës dhe korrupsionit të administratës së bujqësisë
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Sistemi Europian i Sigurisë Ushqimore (RASFF) ka ngritur alarmin për mandarinat me origjinë nga Shqipëria, pasi kanë rezultuar me mbetje të pesticideve të rrezikshme Chlorpyrifos dhe Phosmet. Këto substanca, të ndaluara për përdorim në Bashkimin Europian, paraqesin rreziqe serioze për shëndetin e njeriut. Lidhur me këtë ka reaguar Ministria e Bujqësisë, e cila sqaron se bëhet fjalë për tre ngarkesa me mandarina klementine, të eksportuara nga subjektet grumbulluese ushqimore me vendndodhje në Berat dhe Fier. “Njëra prej këtyre ngarkesave është dërguar nga AKU – Pika e Inspektimit Kufitar, në subjektin eksportues dhe ngarkesa është asgjësuar nga fermerët me adresë Fshati Gorican, Bashkia Dimal, Qarku Berat dhe Fshati Mursi, Bashkia Konispol, Qarku Vlorë. Pas gjurmimit dhe marrjes së informacionit shoqërues, sqarojmë se analizimi laboratorik me Nr. 24112916.001, në datën 14.11.2024 me qëllim autokontrollin nga ana e subjektit eksportues është kryer në një laborator në Bari të Italisë. Sipas raport provës produkti ka rezultuar konform në lidhje me nivelin e mbetjes së pesticideve. Ngarkesa tjetër gjendet aktualisht e bllokuar në subjektin grumbullues të ndodhur në Qarkun e Fierit dhe procedura e asgjësimit të produkteve do të kryhet nga ky Operator i Biznesit Ushqimor në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale të Tatimeve, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Autoritetin Kombëtar të Mjedisit. Kjo ngarkesë nuk është shoqëruar me një raport laboratorik, pasi nuk është detyrim ligjor për subjektet eksportuese, të cilat e kryejnë këtë proces ne kuadër të vetë kontrollit. Ngarkesa e tretë e njoftuar me mbetje mbi normë të Produkteve të Mbrojtjes së Bimëve, ende nuk ka mbërritur në Republikën e Shqipërisë. As kjo ngarkesë nuk ka qenë e shoqëruar me një fletë analize. Por si është e vërteta? Hera e parë është kjo që ndodh me prodhimet shqiptare? Pse qeveria nuk ushtron detyrat e saj ndaj eksportit normal? Kush e pengon? Ja si përgjigjet Prof. Lush Susaj!
Sistemi Europian i Sigurisë Ushqimore (RASFF) ka ngritur alarmin për mandarinat me origjinë nga Shqipëria. Si është situata që përmenda? Çfarë vendi zë Shqipëria në prodhimin dhe eksportin e mandarinave në Europë?
Shqipëria është një nga prodhuesit më të mëdhenj të agrumeve në Europë. Zona e Konispolit në Sarandë, por edhe Vlora, Berati, Fieri, Lushnja, Kavaja, Elbasani, etj, janë furnizuesit kryesorë të tregut vendas dhe të vendeve të Ballkanit, nga ku është siguruar punësim dhe të ardhura të larta për fermeret dhe ekonominë e Shqipërisë. Edhe këtë mundësi dhe reputacion të mirë të eksporteve të agrumeve, krijuar me shumë mund e sakrifica, pothuajse po e zhdukin me themel djajtë e nepotizmit, injorancës dhe korrupsionit të administratës së bujqësisë, të doganave, e sidomos ata të AKU, etj. Është fjala për djajtë dhe injorantët e sajuar (aspak të mirëarsimuar), për të përkëdhelurit dhe rriçnat e politikës të ulur mbi kolltuqet e administratës së ndërtuar pa rregull, pa meritë dhe pa asnjë ndjesi qytetare, njërëzore e as shtetërore. Unë jo vetëm që nuk mund të heshtë përballë vrasjeve të llahtarshme me mbetje inorganike të pesticideve në fruta, apo në perime, në peshkun, në drithra, etj, por neveris të gjithë ata që e kanë shkaktuar këtë situatë alarmante. Kam vetëm revoltë dhe përbuzje për të gjithë ata të korruptuar dhe injorantë që godasin, përgojojnë dhe mënjanojnë specialistët dhe profesionistët, që flasin e reagojnë. Profesionistët reagojnë me shpirt, sepse ata e njohin problemin dhe rrezikun me themel, reagojnë, sepse të tilla tragjedi askush nuk ja dëshiron fëmijve, familjes e as popullit të vet.
Shkak për këtë shkrim u bë reagimi i këtyre ditëve nga ana e Sistemit Evropian të Sigurisë Ushqimore (RASFF), që njoftoi për bllokimin dhe kthimin pas të mandarinave të eksportuara nga Shqipëria. Janë bllokuar për shkak të mbetjeve inorganike të pesticideve të rrezikshme sikurse janë Chlorpyrifosi dhe Phosmet.
Kjo është një pabesi dhe vrasje për reputacionin dhe të ardhmen e eksportit të agrumeve, por edhe të prodhimeve të tjera të bujqësisë shqiptare.
-Përse arrin në këtë përfundim?
Sepse…Përtej propagandës bajate të zyrtarëve dhe institucioneve të paralizuara nga inkopetenca dhe korrupsioni, kthimi i prodhimeve të kontaminuara tregon mungesën totale të laboratoreve, të specialistëve dhe të kontrollit të sigurisë ushqimore në tregjet tona. Pikë së pari kjo buron nga mungesa e një shërbimi agronomik e veterinarë bashkëkohorë e që garanton sigurinë ushqimore të një vëndi, ku duket që akoma vazhdon që të pretendohet se edhe pesticidet, teknologjitë, standartet, protokollet dhe analizat e prodhimeve duhet t’i bëjë partia, tarafi nepotik e korruptiv, militanti, e jo ekspertët dhe institucionet shkencore, sikurse ndodh në të gjithë botën.
Duket që akoma nuk është kuptuar fakti që militantizmi dhe politizimi i administratës dhe shërbimeve, menjanimi i studjuesve dhe ekspertëve më të mirë të vëndit prodhon vetëm tragjedi dhe të tilla situata, ku duket që vrasjet e njerëzve nuk janë vetëm ato me thika, me plumba, në mënyrë të menjëhershme e as të kryera thjeshtë e vetëm nga kriminelët ordinerë, apo të çmëndurit e rrugës. Përkundrazi, degradimi i situatës deri në mohim dhe mënjanim total të ekspertëve dhe të hartuesve e zbatuesve më të mirë të protokolleve dhe teknologjive të prodhimit bujqësor e blegtoral, e sidomos të atyre që merrën me përdorimin e pesticideve, sjell të tilla rreziqe për vrasje masive. Kjo sepse vrasjet nga pesticidet janë vrasje të fëmijve, apo fëmijë të lindur sakat. Janë kancere dhe ceroza që vrasin ngadalë e me një kosto shumë të rëndë. Mbetjet e pesticideve në fruta, etj, godasin dhe shkatërrojnë sistemin nervorë, sistemin e riprodhimit, duke shkaktuar dhimbje dhe vuajtje të paimagjinueshme.
Prandaj bota, qoftë edhe vëndet më të humbura, bëjnë analiza serioze, e nuk lejojnë kurrë futjen e produkteve të kontaminuar në treg, sepse siguria ushqimore e qytetarve është jetike.
-Po ju keni folur shumë herë për këtë problem? Përse ndodhin gjithmonë probleme të tilla? Pse nuk ndodhin në vendet e tjera? Thuhet se bëhen analiza qeveritare, por më kot, po në këtë rast a do të bëhet analizë e detajuar?
Duket që edhe për këtë rastë, si gjithmonë nuk do të ketë as analizë, as fajtorë e as përgjegjësi, edhe pse është shkatërruar reputacioni i importeve tona nga një marri dhe idjotësi e shkaktuar nga kontrabanda dhe korrupsioni me pesticidet. Kjo pasi klorpirifosi është produkt i ndaluar me ligj nga tregu i BE që me 18 shkurt 2020. Teorikisht e në letra, sa për të thënë se jemi në rregull, klorpirifosi është zhdukur dhe nuk figuron as në listën me mbi 350 PMB-ve të lejuara nga Ministria e Bujqësisë.
Ndërsa në Shqipëri, edhe gjatë gjithë këtyre 4 viteve, në farmacitë tona bujqësore, është tregëtuar klorpirifos duke shkaktuar probleme me eksportet, e problemin më të madh me shëndetin e popullsisë. Shkurt e thjeshtë shtrohet pyetja se si këto pesticide futen dhe kalojnë lehtë nëpër dogana, e më pas qarkullojnë dhe përdoren pa i parë e pa i dëgjuar askush. Ministria e bujqësisë dhe organët e kontrollit nuk kanë pse të merren me korrupsion e as me mënjanime dhe mbyllje të gojës së atyre që guxojnë dhe shkruajnë e reagojnë. E keqja nuk buron nga ata që reagojnë, përkundrazi e keqja rritet nga ata që heshtin, që korruptojnë e që shkaktojnë mbetje inorganike në fruta e perime. Institucionet duhet të zbatojnë ligjin e të ndalojnë çdo mundësi të përdorimit të pesticideve (sikurse është klorpirifosi) që shkaktojnë dëmtimin e zemrës, të sistemit nervorë dhe cerozat me dhimbje dhe vdekje të ngadaltë.
Ministria e bujqësisë duhet me heq dorë sa më parë nga politizimi dhe puna me projektet e shpërblyera për shokët, shoqatat dhe partitë. Kjo sepse siguria ushqimore nuk është punë e shokëve të partisë e as e tarafit nepotikë. Siguria ushqimore është punë e mirfilltë e institucioneve shkencore dhe e ekspertëve që reagojnë e që kanë kompetencë profesionale. Gojëkyçurit, injorantët, pesanjosët, servilat, patronazhistët, hajdutët, qylxhijtë, përgojuesit, spiunët, etj, nuk sjellin asnjë dobi, përkundrazi varfërojnë, dëbojnë dhe vrasin çdo ditë eksportet, e mbi të gjitha fëmijët dhe të rriturit e pafajshëm të Shqipërisë.
-Nga eksperienca juaj si pedagog dhe si një zë i fortë intelektual, çfarë keni kuptuar nga këto probleme që nuk gjejnë zgjidhje?
Që në vitin 1986 e deri më sot, në të gjithë përvojën dhe historinë time agronomike 38 vjeçare, kam kuptuar që edhe pse duke lexuar e punuar përditë, përseri me duket vetja i etur dhe i uritur për të mësuar sa më shumë nga zbulimet dhe protokollet e reja të teknologjive.
Ndërsa militantit të punësuar pa përvojë, pa arsim bujqësorë, duket që vetëm i shtohet doza e mendjemadhësisë, fudullëkut, kurrupsionit, arrogancës dhe trimërisë në krimet dhe kriminalitetin e shkatërrimit të sigurisë ushqimore, e për pasojë të jetës së njerëzve.
Kujtoj faktin që pavarësisht nga sistemi monist që kemi patur deri në vitin 1990, kam parë dhe e kam përjetuar faktin se si agronomi, mjeku dhe veterineri, nuk janë politizuar e as mënjanuar. Edhe në diktaturë kjo bazë e punës dhe ekzistencës ka ekzistuar dhe është lënë e qetë e në shërbim të njerëzve, kjo për të mbajtur punën, prodhimin dhe sigurinë e jetës.
Kujtoj faktin që çdo puntorë që fillonte punë në spërkatjet me pesticide, trajnohej me të paktën 3 muaj me radhë në lidhje me kujdesin vetjak e mjedisorë, mësonte për dozën e përdorimit, kohën e përdorimit dhe karencën (periudhën e biodegradimit) e pesticideve kimike. Ndërsa tani, pavarësishtë nga sa shkruhet nëpër dosjet fiktive, në terren nuk po arrij që të gjej e as të shof asgjë. Politizimi i shërbimeve dhe korrupsioni masiv me fondet e bujqësisë, duket që ka shkaktuar një spostim dhe menjanim të institucioneve dhe të ekspertëve më të mirë të fushës së bujqësisë. Paralel me këtë, ka ndodhur një shkulturim (injorancë) masive dhe e frikshme e fermerëve dhe specialistëve, pa e kuptuar se pa kulturë profesionale nuk mund të ketë prodhim.
Pavarësisht nga dosjet fictive, apo nga punësimet dhe fondet e ndara për tarafin nepotik, përvoja më thotë se për analizat duhet laboratori, ndërsa për prodhimin e sigurtë duhet specialisti dhe protokolli. Prodhimi kërkon kulturë, kulturim e jo shkulturim të popullsisë.
Vetëm autokratët dhe injoranca e thellë administrative guxon dhe e politizon shërbimin, duke menduar se edhe breshkëzat e agrumeve, apo afidet, krahëbardhat, minatriçet, melsekon, tumorrin, etj, i di dhe i shëron partia. Shkohet deri tek ajo marrëzia që e mendojnë se edhe solucionin dhe pompën e mbush partia, edhe doganën kroate e urhëron partia, etj.
Lutim Zotin që sa më parë të kuptohet e të hiqet dorë nga kjo sjellje dhe mendësi që po shkatërron çdo mundësi punësimi dhe jetese në Shqipëri.
Përdorimin i pesticideve pa kriter dhe njohuri bujqësore është bombë që hedh në erë sigurinë ushqimore, reputacionin e eksporteve, mbi të gjitha vret dhe torturon pa mëshirë e në mënyrë masive fëmijët dhe gjithë popullsinë.
Kam vetëm një thirrje për kryeministrin dhe institucionet e bujqësisë dhe të sigurisë ushqimore, ju lutëm ndërhyni sa më parë për të depolitizuar institucionet e bujqësisë dhe shërbimin agronomikë e veterinarë të Shqipërisë. Ktheni sa më parë meritokracinë, laboratoret e cilësisë dhe zbatimin e ligjeve dhe protokolleve bashkëkohore për teknologjitë bujqësore dhe sigurinë ushqimore. Ju kujtoj faktin që edhe kapitujt e bujqësisë me BE, nuk mund të hapen duke eksportuar helme në BE, e as duke treguar dosje pa vërtetësi e as produkt, e as duke vrarë fëmijët dhe shqiptarët e varfërme frutat dhe perimet e kontaminuara me klorpirifos, etj.