22/12/2024

Flet primo balerini, Danilo Zeka: Pjesa e parë që vënë në skenë ka qenë “Romeo dhe Zhulieta”

0
Danilo-Zeka

Në Teatrin e Operas dhe Baletit të Athinës, mbaj titullin e balerinit të parë

-Profesori im ka qenë i madhi e i paharruari Agron Aliaj

Nga Albert Z. ZHOLI

Baleti është një profesion i bukur, por edhe shumë i vështirë pasi kërkon cilësi të veçanta. Danielo Zeka e filloi ta dashurojë këtë profesion me këmbënguljen e prindërve. Pjesa e parë që ka luajtur në skenë ka qenë “Romeo dhe Zhulieta” me koreografi të të madhit e të paharruarit Agron Aliaj. Ai ka pasur fatin të prekë disa nga teatrot dhe skenat nga më prestigjozet, në Europë, Azi dhe përtej Atlantikut. Sukseset e tij janë disa, por njëra nga të gjitha të tjerat ia vlen të përmendet në amfiteatrin e Athinës ( Irodhio) ku merrnin pjesë disa nga balerinët më të njohur të botës, ku bënte pjesë edhe Danilo në një mbrëmje gala. Sigurisht që ndikohet nga disa koreografë ku ka punuar, por mundohet të jetë sa më shumë vetvetja.

-Si lindi dëshira për t’u bërë balerin dhe kush janë mësuesit tuaj të parë në këtë profesion?

Dëshira për t’u bërë balerin ishte më shumë e prindërve. Kishin kohë që shikonin tek mua që më pëlqente muzika klasike e jo vetëm, e kërceja gjithmonë! Profesorët e mi ishin disa në shkollën e baletit, sepse ishim në kohën e tranzicionit, kështu që ndërroheshin shpesh, por veçoj Luan Shtino, Florian Saqillari etj.

-Me cilën pjesë jeni ngjitur për herë të parë në skenë dhe ku aktivizoheni për momentin?

Pjesa e parë me të cilën kam dalë në skenë ka qenë “Romeo dhe Zhulieta” në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë me koreografi të madhin e të paharruarin Agron Aliaj! Unë tani e gati 20 vjetë jam në Teatrin e Operas dhe Baletit të Athinës, ku mbaj edhe titullin e balerinit të parë.

-Sa role baleti keni në repertorin tuaj dhe tek cila ndiheni më mirë?

E vërteta është se duke qenë në teatër për kaq gjatë kam pasur fatin të jem pjesë e gjithë repertorit klasik e atij konteporan ku unë kam marrë pjesë pothuajse në të gjitha. Kur isha më i ri më pëlqenin më shumë baletet klasike, kurse tani do thoja më shumë ato moderne e kontemporane dhe neoklasike!

-Në sa vende të botës keni interpretuar si balerin dhe kush është suksesi më i madh për ju jashtë?

Kam pasur fatin të prek disa nga teatrot dhe skenat nga më prestigjozet, në Evropë, Azi dhe përtej Atlantikut. Sukseset e mia janë disa, por njëra nga të gjitha të tjerat ia vlen të përmendet në amfiteatrin e Athinës ( Irodhio) ku mernin pjesë disa nga balerinët më të njohur të botës, ku bëja pjesë edhe unë në një mbrëmje gala!

Keni një model si referencë apo keni modelin tuaj në koreografi?

Përsa i përket koreografisë është një rrugëtim pothuajse i ri ku unë besoj se kam shumë për të dhënë, sepse më pëlqen shumë krijimtaria. Sigurisht që ndikohem nga disa koreografë ku unë kam punuar, por mundohem të jem sa më shumë vetvetja.

Çfarë do shijojë publiku gjatë koncertit tek teatri i Liceut Artistik me 18 tetor?

Koncerti do ketë disa elementë ku ndërthuren disa arie operash, duke u interpretuar nga këngëtarë të rinj me muzikë live dhe disa pjesë do kenë dhe koreografitë e mia! Një falënderim shkon për drejtorin artistik dhe njëkohësisht kolegun dhe mikun tim Andrea Rama dhe bashkëpunëtoren e tij Xeni Alexandrou! Korri udhëhiqet dhe punohet me mjeshtëri nga pedagogia Nereida Fico dhe në piano e talentuara dhe e palodhura Ardita Bufaj. Dhe sigurisht do doja të falënderoja balerinët e rinj e plot energji dëshire e përkushtim: Armando Meci, Eles Resuli, Sabina Maklekaj, Renato Lleshi. Në këngë
Xhieldo Hyseni, Marina Kurti, Gerald Murrja, Rovena Xhelili, Najra Qato, Laura Hoxha, Malvina Likaj, Suada Gjergji, Anjeza Marku, Glerson Hoxha, Anduel Kovaçi, Arbi Pelushaj,Viola Bakiasi: Baleti, Armando Meci, Eles Resuli, Sabina Maklekaj, Renato Lleshi.:Drejtuesi artistik Andrea Rama i këtij eventi dëshmon se: “Angazhimi me artet mund të ketë efekte të thella dhe të qëndrueshme në zhvillimin, mirëqenien dhe arsimimin tek të rinjtë, duke rritur potencialin e tyre për të qenë kontribues me pozitivitet për komunitetet e tyre dhe më tej shoqërinë e gjerë. Kjo ndodh, sepse artet mund të jenë një -Zonë pa gjykim- për Zhvillim dhe Konfidencë. Programet e artit sigurojnë zhytjen në një hapësirë ku pjesëmarrësit janë të lirë të zhvillojnë aftësitë e tyre, e cila është pjesë përbërëse e ndërtimit të bazave solide për të ardhmen e tyre. Projekti, lançon një program të vlefshëm artistic, i cili do të kontribuojë në çeljen e Tiranës ndaj kulturave të tjera dhe festimin e shkëmbimit midis kulturave të ndryshme nga artistë të ftuar kombëtar e ndërkombëtar, veçanërisht në kushtet e Pandemisë dhe kushtëzimeve të njohura tashmë për mbarë skenën artistike. Gjithashtu, ky projekt do të mundësojë lidhje të drejtpërdrejta të artistëve të rinj dhe profesionistëve të tjerë në sektorin përkatës të muzikës, teatrit, baletit, ndërveprimin midis Tiranës dhe rajoneve të tjera në botë.Aktiviteti zhvillohet 18 tetor ora 19-oo,  në Liceun Artistik. Liceu tashmë ka një pamje madhështore..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok