21/11/2024

Flet poeti Zaho Vasili: Në monizëm tekstet shoshiteshin në shoshë brenda redaksisë dhe në sitën e një komisioni

0

-Dritëro Agolli: Pse vendosa në këndin letrar vjershën “Këpuca dhe opinga”.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Nga hartimet në shkollën shtatë vjeçare dhe disa cicërima të para, që ekspozoheshin në këndin e “Letrarit të ri”, nga mësueset ai mësoi që kishte prirje për të shkruar, e cila u thellua në shkollën e mesme teknike në Tiranë, në një konkurs ku ai mori çmimin e tretë.Mbas mbarimit të shkollës së mesme në uzinën metalike në Gjirokastër, filloi të botojë në gazetën lokale krijimet e tij, të cilat morën hov të ri gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në gazetat dhe revistat e ushtrisë.

– Jeni ndër poetët që keni marrë pjesë në festivalet e RTSH. Si  zgjidheshin poezitë për festivalin në sistemin monist? A kishte kërkesa për nivelin artistik?

Siç përshkruhet në hyrje unë rashë në sy me krijimtarinë time dhe më dhanë dy javë leje krijuese, për ta mbledhur krijimtarinë, të cilën ja dorëzova redaktorit të librit Luan Qafëzezi dhe në vitin 1973 doli libri im i parë “Buste dhe Lapidarë. Koençidoi me vitin që unë isha student në Institutin e lartë të arteve, në degën e kulturës, degë që më shpuri të bashkëpunoja me sektorin e kulturës në Radio Tirana.

Ndjeva eshkën brenda meje dhe xixën që i kishte hyrë për ta djegur. Në Radio Tirana nisa një rrugë të re bashkëpunimi me sektorin e muzikës që përgatiste festivalet e fund vitit dhe festivalet e pranverës dhe të talenteve të reja.

E nisa këtë rrugë fillimisht duke shkruar tekste për anketat e muajit, për një aktivitet të përvitshëm që zhvillohej atëherë, “Dekada e majit”. Pasi u “kualidova” mirë, ndjeva që eshka vazhdonte të digjej dhe shkrova poezinë “Përshëndetje nga Furrnalta”, i cili u kthye në tekst kënge dhe në vitin 1976 mora pjesë në festivalin e 16 në RTSH.

Si bashkëpunëtor me sektorin e muzikës, mua më vinin çdo vit në Sarandë, ku fillova punë në sektorin e kulturës, programi dhe tematika e teksteve që do trajtoheshin në festivalin e fund vitit. Kjo shkresë i shkonte dhe degës së lidhjes së shkrimtarëve nëpër rrethe.

Përsa i përket cilësisë së teksteve funksiononte parimi i shoshitjes në shoshë brenda redaksisë dhe stisjen në sitën e një komisioni, për të marrë më pas miratimin në një organizëm më të lartë siç qe drejtori i përgjithshëm i radiotelevizionit dhe në fund do të merrte vulën në instancën më të lartë të asaj kohe.

PYETJE: Në sa festivale ke marrë pjesë dhe a ke marrë ndonjë çmim?

PËRGJIGJE: Unë kam marrë pjesë në 11 festivale në RTSH, kënga “Nën kurorën e ullirit” me tekstin tim u vlerësua me çmimin e tretë.

PYETJE: Saranda një qytet libradashës. Sa libra ka pasur biblioteka e qytetit, po libraritë. Cilat mosha lexonin më shumë?

PËRGJIGJE: NË Sarandë punova në disa institucione si punonjës kulture,  në shtëpinë e kulturës, bashkimet profesionale, instruktor kulture, në komitetin ekzekutiv fillimisht inspektor i kulturës për rrethin dhe më pas shef i kulturës për rrethin, dhe më vonë drejtor i bibliotekës së Sarandës. Kur isha në komitet kuptova së pari dashurinë e madhe për librin dhe  leximin, që kishin qytetarët. Biblioteka kishte emër të mirë në rang republike. Kështu që kur shkova u mundova ta mbaj këtë frymë. Me bibliotekën më lidhi së pari tema e diplomës së shkollës së lart që m’u caktua për këtë bibliotekë të dalluar për punën e saj cilësore që bënte drejtori i saj Aristidh Buzi. Nëse më lejohet të them ca detaje nga kjo punë. Mori vesh se në spital ishte shtruar një i sëmurë me depresion. Ai shkoi dhe i çoi librin “Si u kalit çeliku “ të Nikollaj Ostrovskit që fliste për dashurinë e madhe ndaj jetës. Një mjelëseje të dalluar i çonte libra për lopën, ndërsa në një brigadë të dalluar të grurit bëri konkurs për propagandën e prodhimit, siç thuhej atëherë. Këtë rrugë e vazhdova edhe unë. Qyteti kishte një librari, më pas u bë me dy, i nxitur nga kërkesa e lexuesve për të blerë libra. Bile shumica e zinin mik shitësin për t’u ruajtur librat, në të cilat më pas u shtuan sasia e librave, gjë që e thoshin dhe evidencat e kohës në rang kombëtar.

Biblioteka kishte rreth tremijë lexues të rregullt të gjitha moshave, rreth 85 mijë libra. Kishte dy sektorë të mëdhenj, sektori për fëmijë dhe sektori për të rritur. Kuptohet që nxënësit dhe rinia punëtore lexonin më shumë, po nuk mbeteshin pas edhe më të moshuarit, që më pas do të bëheshin pensionistë dhe me librin hapnin një dritare për të parë botën, por dhe zinin bukur kohën e tyre.

PYETJE: Si u ndjetë kur në vitin 1997 u dogj kjo bibliotekë e bukur dhe e pasur me libra?

PËRGJIGJE: Ai vit i hidhur  që mos ardhtë kurrë, mua më zuri drejtor të bibliotekës. Ishte fillim marsi. Natën ishin ndjerë zhurma në qytet, sidomos nëpër gomisterira, e cila u kuptua të nesërmen kur një pjesë e institucioneve u dogjën. Ishte ditë pushimi, por unë shkoja rregullisht në këtë ditë për të punuar për vete dhe të lexoja i qetë. Në mes të rrugës dikush me pyet: Ke dalë nga qendra? Tani po dal, i thashë. Pyetja nuk më pëlqeu se m’u kujtuan zhurmat e natës dhe nxitova hapat. Por hapi më ngriu në ajër kur pashë që biblioteka po digjej. Djegia kishte filluar nga kati i dytë. Thashë se më pushoi zemra, vrapova së pari në kinoteatrin e qytetit dhe bashkë me dy shokë nxituam për në bibliotekë.

U hutova! Çfarë mund të bënim tre veta? Qyteti qe strukur. U kujtova për disa libra të rrallë dhe disa enciklopedi të vjetra dhe një të re amerikane me 20 vëllime. Ende pa vajtur te fondi, ra dyshemeja e katit të dytë. Ngriva në vend, por ndjeva një dorë që më tërhoqi me zor.

I pikëlluar bashkë me shokët filluam të nxirrnim libra, që ishin pranë derës, por fare pak sepse ra dhe dyshemeja tjetër prej druri dhe shpërtheu flaka në katin e parë. E tmerrshme! Po digjej një pasuri e rrallë, mendjet e qindra njerëzve që kishin hedhur nëpër libra dijet dhe talentin e tyre! Dolëm jashtë dhe po shihnim inkuizicionin. Pa kuptuar më kishin dalë lot. Nuk mund të duronim dhe u larguam duke mos e parë më këtë skenë të tmerrshme.

Më pas mora vesh se zjarri së pari i qe vënë hetuesisë që ishte ngjitur me bibliotekën dhe një kabull korenti në murin e saj hynte dhe në bibliotekë në katin e dytë. Mori flakë kablli dhe bëri gjëmën e madhe, duke lënë një pirg të madh prej hiri.

Më pas unë isha drejtor i qendrës kulturore, nga ku varej dhe biblioteka dhe fillova i vetëm ringritjen e saj nga hiri. Ajo u ngrit duke shkuar fshat më fshat për të mbledhur librat e hedhur nëpër rrugë. Qytetarët ishin të parët, që erdhën në ndihmë me dhurimet e tyre. Unë e lashë atë me rreth 15 mijë libra.

PYETJE: Si funksiononte lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve në Sarandë në sistemin monist? Kush ka qenë kryetari i saj për Sarandës dhe si organizohej kjo lidhje?

PËRGJIGJE: Kur shkova së pari në Sarandë gjeta një lidhje shkrimtarësh në vlim të plotë, kryetar ishte skulptori i talentuar Niko Godroli. Kjo lidhje kishte tre sektorë atë të arteve figurative, atë të letërsisë dhe të muzikës. Qe vatër shumë e ngrohtë për qytetin e Sarandës dhe ishte shumë aktive. Në avangardë ishte sektori i arteve figurative, që hapte dhe dy ekspozita në vit. Kishte disa skulptorë e piktorë me shkollë të lartë, por dhe amatorë. Lidhja kishte programin e saj. Ajo siguronte nëpërmjet Ministrisë ngjyrat për piktorët, bënte planin e lejeve krijuese, kryesisht një mujore, zhvillonte konkurse për letërsinë. Furnizonte me piktura e skulptura gjithë muzetë e shumtë të fshatrave. Merrte pjesë në dekorimin e qytetit, sidomos nëpër festa dhe krijuesit ishin ndihmës për institucionet kulturore me librete, skenarë, pjesë teatrale. Mbi të gjitha sundonte një frymë e ngrohtë dhe e sinqertë bashkëpunimi. Parësore në punën e saj ishte që të kishte sa më shumë krijues në konkurset kombëtare në Tiranë. Jo më pak e preokupuar ishte dhe për konkurset lokale. Në një të tillë kam marrë pjesë dhe unë. Mora çmim të dytë dhe m’u dhurua korpusi i veprave të shkrimtarit Sterjo Spasse.

PYETJE: Në mbledhjet e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve kush nga udhëheqësit e P.P.SH  ka ardhur dhe çfarë është diskutuar?

PËRGJIGJE: Unë mbaj mend që vinin funksionarë partiak të rrethit dhe artistë të ndryshëm nga Lidhja e shkrimtarëve dhe artistve në Tiranë, të cilët binin frymën e qendrës, por dhe aksionet qendrore të vitit. Kjo qe kthyer në rregull të përvitshëm. Çdo sektor për vit bënte analizën e punës së tij dhe vendoste objektiva personale dhe kolektive të krijuesve. Lidhja qe një gjallërim më shumë për jetën e qytetit dhe shumë e dashur për të.

PYETJE: Po Kadareja dhe Agolli a kanë ardhur, kanë bërë takime me anëtarët e lidhjes së shkrimtarëve në Sarandë?

PËRGJIGJE: Këtu do ndalem pak. Gjeniu i letrave shqipe takimin e tij, mbaj mend, që e bëri në sallën e madhe të ish komitetit ekzekutiv me një pjesëmarrje të gjerë nga të gjitha moshat. Ai takim mbahet mend dhe sot nga intelektualët për analizën e hollë dhe të thellë, me mprehtësi e zgjuarsi të rrallë, me nivel të lartë që i bëri letërsisë shqipe, me mënyrën e tij akademike dhe kopetencën e njeriut, që ka shkëlqyer në letërsi jashtë e brenda vendit që në ato vite.

Me Dritëronë ndryshon puna. Ai e kërkoi takimin në një kolektiv të klasës punëtore. Dega e lidhjes e çoi në N.P.N. një ndërmarrje vetëm me vajza e gra.

Ishte komunikativ, plot humor, që të krijonte kënaqësi shpirtërore. Një vajzë e shkolluar i bëri pyetjen se si zë fill krijimtaria juaj, se unë di, tha ajo, që Noli nuk donte të shkonte në shkollë. Nëna e futi në thes dhe ashtu duke qarë e çoi në shkollë në ditën e parë.

Edhe unë kam një histori të vogël, tha Dritëroi. Menjëherë pas çlirimit filluan parakalimet e një majit edhe në shkollën e fshatit tim. Mua, të veshur dhe jo aq mirë, me opinga më ra rasti të isha nga rreshti i tribunës. Një mësues pedant më tha: Ti Dritëro do kalosh në rreshtin tjetër. Unë u fyejta dhe si kundër përgjigje këtij mësuesi, të nesërmen në këndin letrar vendosa vjershën “Këpuca dhe opinga”.

Atëherë sa kishte dalë poema e tij e madhërishme “Balada e rrush rushatit”, me inspirim nga poeti skoces Robert Bernsi, të cilin e kishte përkthyer vetë, për nxjerrjen e birrës nga elbi.

E pyeti një krijues dhe ai bëri humor me një ngjarje të tij. Shkova në një fshat të Korçës dhe donin të më dehnin, po në fakt u dehën ata. Njëri prej tyre më ftoi në shtëpinë e tij dhe sërish më shtroi raki. Dhe pse u ngroha nuk e dhashë veten. Natën më duhej të urinoja. Kur u ktheva se banjat ishin jashtë në oborr, nuk mbajta mend ku hyra. Të nesërmen miqtë u shqetësuan. Ku na vajti miku…! Filluan të shihnin njëri tjetrin në sy, kur dëgjuan gërhimën time në një kolibe ku ata mbanin tarabuzanët e rakisë. Na ngrive gjakun, më thanë. Po nuk u ngope me rakinë që pive mbrëmë, erdhe këtu të pije prapë raki…!

Po ajo puna e specit, e ngacmoi dikush. Ajo është e lezetshme,- u përgjegj Dritëroi. Vajta në një brigadë të dalluar perimesh dhe dikush nxori shishen e rakisë në rreth të ngushtë. Me se ta pinim? Shkova te specat, këputa disa, njërën e preva në mes e bëra si gotë rakie, kurse të tjerat i hëngra gjatë pijes.

PYETJE: Cilat kanë qene problemet  e Lidhjes së Shkrimtarëve në atë sistem?

PËRGJIGJE: Së pari problemi i studiove për piktorët e skulptorët që nuk kishin. Preokupim ishte gjetja dhe mbështetja e talenteve të reja. Sigurimi i bojërave dhe i kanavacës, ishte një problem tjetër. Kishte halle dhe për strehim. Dega kishte planin e saj dhe bënte kërkesa për sigurimin me shtëpi të krijuesve. I rëndësishëm ishte dhe pjesëmarrja në konkurset kombëtare. Ai sistem i ndihmoi skulptorët me studio. Atëhere isha shef i kulturës së rrethit në ish komitetin ekzekutiv. Ishte bërë një plan që në katet e para të disa pallateve, pesë hyrje të ishin për skulptorët. Mbaj mend që në një plenum partie erdhi Nexhmije Hoxha, e cila bëri inaugurimin e tyre.

PYETJE: Po sot a ka lidhje krijuesish në qytet.

PËRGJIGJE: Ka një shoqatë, “Krijuesit Jonianë”, vetëm me krijues në letërsi dhe shumë pak në skulpturë dhe arte figurative.

PYETJE: Cilat janë problemet e krijuesve  sarandjotë sot?

PËRGJIGJE: Pa fund problemet. Nuk ka asnjë lloj ndihme dhe mbështetje, gjithçka me mundësitë e veta. Krijimtaria letrare nëse botohet në shtëpitë botuese në Tiranë nuk vjen më në biblioteka si dikur, nuk krijohet asnjë mundësi blerje, nuk vjen libri në librari për lexuesin. Shpërndahet dhe dhurohet duke mbetur krijuesi gjithmonë me xhepa bosh, edhe ca më keq, nuk lexohen më librat si dikur. Periudhë shumë e vështirë. Janë krahë prerë.

PYETJE: Sot lëvrohet më shumë poezia se proza. Cilët janë poetët dhe shkrimtarët sarandjotë që konkurrojnë në krijimtarinë shqiptare dhe sot?

PËRGJIGJE: Ka krijues që i kanë kapërcyer kufijtë e rrethit. Ata të djeshmit janë më të njohur si Niko Kacalidha, Agim Mato, Thoma Sterjo, Andrea Zarballa, Vangjel Zafirati etj, por si rezultat i lëvizjes demografike të njerëzve dhe emigrimit, ata sot nuk njihen. Njihen vetëm nga brezi 50 vjeç e sipër. Konkurimi i tyre është fare i vogël nëpër disa konkurse që organizohen me raste, por që nuk kanë asnjë vlerë se gëlon subjektivizmi dhe miqësia. Sot poet e shkrimtar të bën paraja dhe jo talenti.

PYETJE: Keni qenë kur erdhi për vizitë Enver Hoxha?

PËRGJIGJE. Isha në një kurs dy mujor për oficer i artilerisë në Gjirokastër. Po sa u shpall lajmi mora leje dhe shkova në Sarandë. Nëse do themi të vërtetën pa e politizuar ju bë një pritje e mrekullueshme, me pjesëmarrje nga i gjithë rrethi dhe Delvina. Para bustit të Hasan Tahsinit ai qëndroi dhe foli gjatë për rektorin e parë të universitetit në Turqi. Vizitë u bë pastaj në Ksamil me pjesëmarrje që nga Konispoli. Ajo që mbahet mend gjithashtu ishte dhe koncerti i madh dhe masiv që u bë në kinoteatër me pjesëmarrjen e dhjetëra grupeve folklorike dhe këngëtarëve të shtëpisë së kulturës dhe estradës profesioniste. Një koncert i tillë nuk është bërë më në Sarandë si ai…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok