21/12/2024

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi

0
Golik-Jaupi

Kuvendi i VII i Labërisë tregoi vlerat më të larta atdhetare të Shoqatës.

Për Labërinë kanë shkruar Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Rexhep Qosja,  Aristidh Kola,  e shumë korifej të tjerë

-Në çdo shtet që shkoj miqve të mi të huaj u dhuroj nga një stemë me flamurin shqiptar

-Intervistoi Albert Z. ZHOLI

Me Golikun kam rreth 30 vjet miqësi. Një shqiptar i rrallë si patriot, një këngëtar i rrallë me zë brilant. Por mbi të gjitha ai është shumë njerëzor. Goliku ka në repertorin e tij mbi 600 këngë polifonike një pjesë të të cilave i ka krijuar vetë. Mësuesi i tij i parë për këngën labe ka qenë, Etem Paza. Atëherë Goliku ishte pionier, pra në hapat e para, ndërsa në festival ka dalë në 17 janar të 1967-ës. E mban mend që u bë një festival në nder të 500-vjetorit të Skënderbeut. Ishte një festival zonal, pra jo në rang kombëtar. Por dalja në skenë për herë të parë ka qenë mjaft emocionuese dhe e vështirë, aq më tepër të dilje të interpretoje përpara udhëheqjes së asaj kohe. Ishte tetor të 1964-ës dhe inaugurohej Pallati i Kulturës. Në të asistonin profesorë, doktorë e studiues mjaft të njohur si Zihni Sako e Çezar Dea ndërsa në skenë qëndronin tre udhëheqësit e qeverisë Enver Hoxha, Mehmet Shehu e Behar Shtylla. Për Golikun ajo ditë ishte si të kishte qenë përballë një popull i pafundmë. Drejtuesit e Pallatit e të Komitetit i thanë që duhej të këndonte me kurajo: “Sepse ti je një djalë i talentuar dhe ke një grup të mrekullueshëm që të shoqëron, ndaj na ndero”. Sigurisht, ajo ditë ka qenë ditë mjaft e lumtur, sepse i solli fat në karrierën e jetës. Në vitin 1972 grupit të tij ju afrua dhe princesha e këngës labe Paro Ziflaj. Dalja e Paros ka qënë një thyerje e tabuve. Ajo me zërin e saj brilant përshtatej shumë me zërin e tij, sikur të ishin nga një nënë, pra kishim një zë të binjakëzuar, ku të dy bashkë i dhamë një impuls grupit të Bënçës.

Në Tepelenë më 16-17 dhjetor u zhvillua Kuvendi i VII i Shoqatës “Labëria “Nderi i Kombit”. Një Kuvend që mori vëmendjen e media, por mbi të gjitha vëmednjen e mbarë opinionit shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Po ju si do ta cilësoni këtë Kuvend? Kush ishin të veçantat?

Kuvendi i VII i Shoqatës më të mirë të vendit ishte një Kuvend model. Një Kuvend që  mund t’i bëjë vetëm Shoqata jonë që nderon kombin. Tepelena ime ato dy ditë ishte veshur si për festë. Dy ditë një Kuvend mund ta bëjë vetëm shoqata jonë dhe Tepelena jonë. Sallla e Pallatit të Kulturës “Mustafa Matohiti” ishte mbushur si kurrë ndonjëherë. Por nuk ishin vetëm nga Labëria, por nga Kosova, Maqedonia nga Tropoja nga Çamëria. Ishte gjithë kombi. Flamujt kombëtar në sallë dhe kudo në Tepelenë ishin gërshetuar me flamurin e Shoqatës sonë dhe na sillnin para syve një binom të rrallë, të bukur magjepës. Dy flamuj që kanë ecur bashkë tërë historinë. Nuk kanë thënë kot për labërinë shumë e shumë personalitete të kombit dhe jo vetëm. E theksoi ish-kryetari legjendar i Shoqatës Prof. Ago Nezha se Noli i madh shkruante: “Labëria e ka lindur dhe rilindur Shqipërinë” dhe “ kur të vdes të më përcillni me këngë labe”. Akademiku Rexhep Qosja: “Vlora dhe Labëria e ka lindur dhe rilindur Shqipërinë. Në të vërtetë Labëria, ashtu siç e përjetova unë, është Shqipëria. Labëria shpirtërore është Shqipëria natyrore, e kjo do me thënë Shqipëria etnike. Me këngën labe të djeshme e të sotme, jetojnë shqiptarët e të gjitha trojeve shqiptare. Shkrimtari i shquar Dritëro Agolli, ka thënë: “Me Labërinë më lidhin shumë gjëra të mëdha: “Labëria i harmonizon mrekullisht tri shtylla të mrekullueshme që janë: “Trimëria, Patriotizma dhe kultura”. Artisti i madh Agim Krajka, në një tubim në Amerikë, është shprehur se: “ Po të mos ishte Labëria, nuk do ishte as Shqipëria”. Aristidh Kola ka thënë se labëria është treva më patriotike e Shqipërisë”. Etj…Pra në këtë ambient mes qindra personaliteteve, si akademikë, profesorë, deputetë, ish-ministra, kryetarë bashkish të gjithë jugut, këngëtarë nga gjithë Shqipëria u zhvillua Kuvendi i 7. Për mua ky Kuvend ishte i magjishëm pasi në qendër të vëmendjes kishte ruajtjen dhe transmetimin në breza të këngës magjepsëse labe. Në atë sallë të tejmbushur kënduan më shumë se 8 grupe labe, por edhe këngëtarë ngë Mirdita dhe Veriu i Shqipërisë. Ishte një Kuvend model edhe nga mënyra e zhvillimit, nivelit të pjesmarrësve, dhe mënyra e organizimit. Mbrëmja e asaj nate u kthye në festë. Një festë që zgjati deri në agim. U bënë dhe zgjedhjet e reja ku Kryetar u zgjodh një tjetër patriot Agim Çiraku që i uroj suksese.

Bashkë kemi zhvilluar shumë intervista, por edhe biseda pa mbarim. Keni kënduar mbi 6 mijë këngë. Para disa vitesh Goliku ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh”, si jeni ndjerë dhe kujt ja dedikoni këtë titull të lartë?
-Ky titull është meritë e punës dhe këngës 45-vjeçare të grupit polifonik të Bënçës, një grup që ka lënë gjurmë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Me këtë grup ne kemi kënduar që nga 1970 në të gjitha Festivalet e Gjirokastrës, por edhe në shumë aktivitete të tilla në Shqipëri. Për më tej grupi i Bënçës ka kënduar në më shumë se 50 vende të botës, ku të gjithë specialistët e polifonisë janë befasuar, janë shtangur dhe na shikonin me kërshëri. Pra janë mbi 400 këngë të kënduara dhe të krijuara nga unë dhe grupi që i kemi kënduar kudo që jemi ftuar. Në shumë vende ne jemi kthyer disa herë për ta përsëritur këngën që prezantoheshim. Pra këtij grupi, zërit të tyre dhe zërit tim ja dedikoj këtë titull.

– Sot polifonia dhe kënga popullore po mbytet nga turbofolku, cili është mendimi juaj?
– Ky është një shqetësim i madh për folklorin shqiptar. Këngët më të bukura polifonike apo popullore sot janë ripunuar dhe ribërë sipas kësaj rryme, ku kënga jonë e bukur duket si e rrjepur. Ky nuk është turbofolk por turpi i flokut shqiptar. Nuk ka asgjë të përbashkët me folkun tonë. Ne po ngatërrojmë këngën tonë me këngët e huaja, pra është njëlloj sikur gjuhën tonë ta përziejmë me një gjuhë apo me disa gjuhë të tjera. Askush nuk ka për ta njohur. Në ato këngë nuk mirret vesh çfarë është, anglisht, turqisht, rumanisht pasi vetëm muzikë shqiptare nuk është. Gjuha, flamuri janë dy nga shenjat dalluese të nj kombi, ahere me këto rryma si do dallohet muzika e mirëfilltë shqiptare? Ne kemi një gjuhë shumë të bukur që nuk na e shuan dot perandoritë që na pushtuan. Ne kemi veshjet popullore nga më të bukurat në botë, kemi polifoninë më të bukur, pra kemi veçori që nuk i ka asnjë në botë, ahere, këtë pasuri që na e transmetuan të parët tanë në shekuj, që e ruajtën me fanatizëm si të shenjtë, përse ne tani në demokraci po e shkelmojmë? Këngën labe nuk e gjen as në Hënë. Turbofolku, as nuk këndon, as ka tekst, as të përcjell mesazh, as nuk dëgjon vargje, Turbo do të thotë turbullirë. Pra këtë mesazh marr unë nga turbofolku. Unë do të të them diçka që nuk e beson….
Cila është kënga e fundit që ka krijuar dhe kënduar grupi famoz i Bënçës?
– Ka disa por një nga këngët më të bukura të fundit është “Besa e labit”. Kjo këngë i kushohet trevës sonë, luftarëve të saj për liri dhe pavarësi, i kushtohet trimave të saj, njerëzve të ditur të penës së kësaj treve që ka qenë shpëtimtarja e Shqipërisë në shumë raste. Për herë të parë kjo këngë është kënduar në 70-vjetorin e poetit himarjot Lefter Çipa.
– I kujt është teksti i kësaj kënge?
– Këtë këngë ne e bëmë vetë si grup, nga poezitë e shumë poetëve dhe dijetarëve që kanë folur për Labërinë. Pra mblodhëm vargjet më të bukura, që i janë kushtuar Labërisë dhe i bëmë një këngë. Pra mblodhëm vargje nga Dritëro Agolli, Maliq Lila, Petrit Ruka, Ismail Dora, por dhe vargje nga të miat…. “Besa jonë rron sa guri/! Sa rron kombi dhe flamuri/. Besa e shqipes, besa e burrit/, Besë në themele guri.
-Ky teskt ka figuracion, ka poezi, ka letërsi, ka domethënie. Po për testet e këngëve sot çmund të na thuash?
Sot nuk ka tekste, sot ka fjalë. Aty nuk gjen asnjë fjalë që të të mbërthejë dhe të të bëjë të shtangesh. Sot tekstet janë mE shumë fjalë dëshirash të individit pa fabul, pa origjinë, pa mesazh, pa fjalë të ëmbël dhe tronditëse. Poezia është fjala më e bukur e kthyer në art. Ku i gjen këto vargje tek shumë këngë sot? Ja ti i dëgjove ato pak vargje të këngës së fundit. Ato të çojnë në qiell. Të mbërthejnë. Tekstet e sotme janë thjesht për argëtim dhe është turp i çosh në skenat serioze apo të botës ku bëhen konkurrime dinjitoze. Pra bëhen tekste për tekste, tekste pa shtyllë kurrizore, tekste pa e ngjyer lapsin mirë, tekste pa e çuar fjalën në art. Ato tekste i bën çdo njeri që ecën në rrugë çdo njeri që nuk mendon dhe nuk e njeh poezinë mirë.
-Ju jeni bërë me famë në regjimin komunist për këngën që keni kënduar për Enver Hoxhën, jeni penduar që e keni kënduar atë këngë?

Në asnjë mënyrë nuk jam penduar. Madje ndihem shumë krenar që e kam kënduar. Edhe sot drithërohem kur e këndoj, pasi ajo këngë kishte një tekst që të çon në magjinë e fjalës së bukur. Për mua Enveri ka bërë epokë, se na nxori në dritë dhe nuk e shiti kurrë Shqipërinë siç bëhet sot. Unë madje e them me mburrje se e këndoj me po aq pathos edhe sot kur ma kërkojnë. Ai ishte burrë shteti me të mirat e të këqijat e tij, por që artin, kulturën këngën e lartësoi deri në qiell. Nuk ka pasur kënga shqiptare atë fuqi, atë emër sa në atë kohë. Ky është mendimi im. Nuk dua të ndikoj tek askënd. Mendimi im personal.
-Jua kanë kërkuar këtë këngë ta këndoni jashtë?
Ju nuk do ta besoni, por është një e vërtetë absolute. Këngën për Komandantin (kështu i thërras unë) ma kanë kërkuar ta këndoj në Kosovë, Izrael, Gjermani, Francë, Belgjikë. Për çudi edhe ata që kanë kërkuar jashtë kështu më thoshin këngën e Komandantit. Edhe unë disa herë bëja sikur nuk i kuptoja dhe i ripyesja për Presidentin sot? Ata qeshnin dhe më thoshin, jo ore jo për këta sot, Komandant ka vetëm një Enveri, ai që na çliroi.
-Ndoshta kjo nostalgji për të vjen nga momenti që ai qau kur ju këndua këngën e tij në Pallatin e Sportit “Rrofsh sa moshë e kësaj toke”!
-Mbase, por besoj nuk është vetëm kjo. Ky mbase ishte një moment, pasi të gjithë thoshin Enveri nuk ka qarë as kur i janë vrarë shokët në luftë, as kur ka kaluar situata të vështira. Por ndoshta njeriu sado i madh qoftë ka momentet e tij prekëse. Ishte ndoshta teksti, brohoritjet në Pallat të Sportit, ndoshta dhe jehona e këngës dhe të gjitha thanë që është hera e parë që Enveri qan. Kjo edhe na gëzoi, por edhe na bëri të stepeshim pasi nuk donim ta shihnim atë burrë të qante. Por dhe ai njeri ishte dhe kishte dobësitë e veta. Shqipëria nëna e gjirit, të uron bir jetë të gjatë/! Dhe kur thotë dita njëmijë./ Nënës prapë i duket pak ….Por ndoshta ka qarë dhe kur ka dëgjuar emrin e nënës, pasi siç na ka thënë vetë apo siç thoshin të gjithë ka pasur një dobësi të madhe për nënën e tij.
-Kur jua ka shprehur këtë dashuri për nënën Enveri?
-Grupi jonë që nga viti 1968 i ka shkuar në vijimësi në shtëpi ditën e lindjes, pra më 16 tetor. Na bënte pritje të veçantë pasi e donte shumë këngën labe. Në këto biseda na thoshte se nënën se kam dashur vetëm si nënë, por e kam dashur dhe si qenie njerëzore. Për mua na thoshte nëna mbetet Perëndi mbi perëndi. Pra mbase ishin këto dy linja teksti dhe përmendja e emrit të nënës, që e bënë Enverin të qante. Por edhe Nexhmija na e thoshte se Enveri e ka dashur shumë nënën.
-Po në kohën e demokracisë a e ke takuar ndonjëherë Nexhmijen?
Po e kam takuar, madje shumë herë. Por momentin më të vështirë e kam pasur kur kam shkuar ta takoj në burgun e Bënçës në vitin 1993. Atë vit unë kisha shkuar për një koncert në Gjermani. Pas koncertit ata më ftuan veç t‘i takoj. Shkova. Në fund të bisedës ata më thanë:- ne do të japim ca lekë dhe duam patjetër tia japësh Nexhmije Hoxhës. Ishin studentë nga Duseldorfi dhe Hamburgu. Patjetër u thashë vetëm vulosini dhe bëjeni sa më të sigurt zarfin. Se çfarë keni brenda dhe sa keni nuk dua t’ia di. Sa mbërrita në Shqipëri të nesërmen shkova në burgun e Bënçës dhe takova Nexhmijen. Sapo e takova i thashë. Sot të takoj këtu por për mua Shtëpi e Perëndisë ka qenë shtëpia e Enverit në Tiranë. Unë kam qenë edhe në Qabe, edhe në Jerusalem, pra tek shtëpia e Muhametit dhe shtëpia e Krishtit, por asnjë nga këto nuk ishte si shtëpia e Enverit., Këtu ke një porosi nga disa studentë kosovarë në Greqi. Nuk di çfarë ka por ma lanë amanet. Unë po e çoj në fund amanetin e tyre. Me keqardhje të them se kur e pashë në një emision televiziv në fund të bisedës i tha popullit ‘Lamtumirë’. Mund të them se aty ku ajo jeton sot jetojnë shtresa më e varfër e popullsisë shqiptare. Çfarë vodhi Enveri?
– Sot polifonia dhe kënga popullore po mbytet nga turbofolku, cili është mendimi juaj?
– Ky është një shqetësim i madh për folklorin shqiptar. Këngët më të bukura polifonike apo popullore sot janë ripunuar dhe ribërë sipas kësaj rryme, ku kënga jonë e bukur duket si e rrjepur. Ky nuk është turbofolk por turpi i folkut shqiptar. Nuk ka asgjë të përbashkët me folkun tonë. Ne po ngatërrojmë këngën tonë me këngët e huaja, pra është njëlloj sikur gjuhën tonë ta përziejmë me një gjuhë apo me disa gjuhë të tjera. Askush nuk ka për ta njohur. Në ato këngë nuk mirret vesh çfarë është, anglisht, turqisht, rumanisht pasi vetëm muzikë shqiptare nuk është. Gjuha, flamuri janë dy nga shenjat dalluese të një kombi, ahere me këto rryma si do dallohet muzika e mirëfilltë shqiptare? Ne kemi një gjuhë shumë të bukur që nuk na e shuan dot perandoritë që na pushtuan. Ne kemi veshjet popullore nga më të bukurat në botë, kemi polifoninë më të bukur, pra kemi veçori që nuk i ka asnjë në botë, ahere, këtë pasuri që na e transmetuan të parët tanë në shekuj, që e ruajtën me fanatizëm si të shenjtë, përse ne tani në demokraci po e shkelmojmë? Këngën labe nuk e gjen as në Hënë. Turbofolku, as nuk këndon, as ka tekst, as të përcjell mesazh, as nuk dëgjon vargje, Turbo do të thotë turbullirë. Pra këtë mesazh marr unë nga turbofolku. Unë do të të them diçka që nuk e beson….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok