30/12/2024

Flet “Mjeshtri i Madh” Gëzim Tushi: Kriminelët kujtojnë se kanë të gjithë të drejtat për të bërë gjithçka, pa ju kanosur asnjë rrezik

0
Gezim-Tushi

– Përballimi i krimit kërkon jo vetëm veprimin dhe forcën e ligjit, por mbi të gjitha ngritjen e barrierave sociale, organizative e konceptuale.

– Shqetësues është infrastruktura e reflektimit të institucioneve dhe mungesa e reagimit autentik të opinionit public.

-Në Shqipëri krimi po banalizohet  dhe rreziku i adoptimit social po rritet

-Nën ndikimin e krimit të zgjeruar janë shtuar “jetët e humbura”, por në nivel sociologjik është duke u prishur balanca sociale.

– Ka shumë ndryshime mes raporteve, midis sjelljes humane dhe asaj kafshërore, duke humbur “vija ndarëse” midis njerëzores dhe çnjerëzores.

– Duhet të vlerësohet edukimi, familja, shkolla, kultura, shoqëria civile, feja, media.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Kohët e fundit shoqëria jonë është tronditur nga sasia dhe intensiteti i krimit. Për fat të keq, shoqërisë shqiptare po i shtohen njerëzit me vese, maskarenjtë socialë, që sillen në shoqëri në mënyrë anormale, me sjellje të çekulibruar perverse. Përditë dëgjojmë dhe pëballemi me njerëz që bëjnë krime, duke kujtuar se kanë të gjithë të drejtat për të bërë gjithçka, pa ju kanosur asnjë rrezik. Ndërkaq shqetësues është infrastruktura e reflektimit të institucioneve dhe mungesa e reagimit autentik të opinionit publik.

– Dëgjojmë dhe përballemi me njerëz, që bëjnë krime, duke kujtuar se kanë të gjithë të drejtat për të bërë gjithçka, pa ju kanosur asnjë rrezik. Si ka ardhur shoqëria shqiptare në këtë situatë alarmante?

Këtë e kupton sa herë përballesh me faktin që akoma analizat, gjykimet e qëndrimet zyrtare, mediatike dhe publike, nuk janë në lartësinë e duhur për të bërë atë që duhet, si kusht për ta bërë “zap krimin”. Kjo situatë e perceptimit të deformuar, semplist nga njerëzit dhe shoqëria shqiptare në gjykimet që i bëhen në tërësi të krimit, shkaqeve dhe pasojave të tij. Sipas mendimit tim, kjo është më e rëndë se vetë gjëndja e kriminalitetit. Në të vërtetë, duke u nisur nga realitetet evidente të krimit, situtave kriminale që qarkullojnë në shoqërinë tonë, besoj se qëndrimi dhe reagimi social duhet të jetë më adekuat. Pa bërë “strucin social” gjëndja e kriminalitetit sa vjen dhe agravohet dhe të gjithë si shoqëri po përballemi me një situatë anormale të zgjerimit dhe sofistikimit të teknikave të krimit.

Ka një tendencë, që nuk mund të mbullohet me optimizmin e “gjetheve të fikut”.

Duhet të themi të vërtetat tona, sepse nën ndikimin e krimit të zgjeruar jo vetëm janë shtuar “jetët e humbura”, por në nivel sociologjik është duke u prishur balanca sociale, e raporteve midis sjelljes humane dhe asaj kafshërore, duke humbur “vija ndarëse” midis njerëzores dhe çnjerëzores. Një situatë sociale kur krimi po bëhet si “buka e përditshme” (Ferid Zakaria), për pasojë po shtohet “karburanti i krimit” duke kthyer në normë të zakonshme sintagmën frymëzuese tipike të kriminelëve për të cilët, sikurse ka thënë filozofi Andre Glyksman “asgjë çnjerëzore nuk është e huaj për ta”. Tipologjia dhe fenomenologjia e rasteve të fundit të kriminalitetit, na bën të themi se kanë të drejtë sociologët, të cilët duke parë përmasat e zgjeruara të kriminalitetit, thonë se shoqëritë po përjetojnë një situatë kur pasi “erdhëm nga bota e kafshëve dhe u bëmë njerëz, tani me këtë nivel kriminaliteti duket sikur po ecim në të kundërt, drejt tipologjisë së bishës njerëzore, të njeriut që nuk e ka perceptimin human të ndjenjës së fajita dhe për pasojë me lehtësi bën krime me gjak të ftohtë”.

Ka kohë që shoqërinë tonë po e gërryen në të gjitha drejtimet përhapja e zgjeruar dhe e pafrenuar e krimit. Tani nuk ka pse i fshihemi të vërtetave tona. Jemi në situtën kur po zgjerohet krimi në familje e shoqëri. Janë zgjeruar format e sofistikuara të keqbërjes kriminale urbane. Nuk është e tepërt të themi që me këtë sasi, intensitet dhe morfologji të kriminalitetit, po shfaqet një dikotomi e frikshme e paradoksale. Nga njëra anë po shikojmë kafshë shtëpiake që po “atropoformizohen” dhe bëhen më të “sjellshme”, ndërkaq që përballemi me epideminë e njerëzve kriminelë, që për fat të keq po ecin në rrugën e njeriut të neandertalit, madje duke shfaqur tipare të dukshme të “animalizimit”.

I habitshëm parashikimi rusojan, sipas të cilit qytetërimi bëhet faktor për prishjen e njeriut, që është i prirur drejt krimit dhe formave të pashëndetshme të jetës.

-Por pyetja që të lind kur shikon këto krime të përbindshme është: a mos po shfaqen dukuri anormale e disa njerëzve që po rikthehen dhe po bëhen “kafshë”?

Jo në kuptim metaforik, por të drejtpërdrejtë e nominalisht adekuat. Të cilët po ndikojnë në zgjerimin e veprimeve antishoqërore e kriminale, deri në nivelin kur po e bëjnë jetën sociale tejet të pasigurt, të shqetësuar.

Personalisht mendoj se ka ardhur koha kur përmasat e krimit duhet t’i shikojmë me optikë të re, duke vlerësuar seriozisht dëmet, rrezikun social eminent, sepse sasia dhe intensiteti i krimit dhe gjakftohtësia me të cilën kryhen, duket sikur ata (kriminelët) jo vetëm po shtohen numerikisht, por po tentojnë të “organizohen” dhe të shfaqen në shoqëri si “forcë sovrane”.

Duke analizuar reagimin mediatik, gjykimet e shfaqura në opinionit publik për situatat e krimit, për përballjen dhe frenimin e tij, sipas mendimit tim ndeshen dy optika të ndryshme, të cilat nuk janë vetëm ideologjike e teorike, por që kanë ndikim të fortë në vlerësimin empirik të situatave kriminale dhe mënyrave të diversifikuara të reagimit kundër tyre. Një pjesë e shoqërisë shqiptare, e mësuar me të menduarit tradicionalist, e afektuar me kulturën e shtetit totalitar, rolin e tij vendimtar në “shpartallimin”e krimit urban, mendojnë se asnjë faktor tjetër nuk ka role, përgjegjësi e mundësi për tú përballuar me krimin përveç shtetit.

Kjo pikëpamje që është shumë e zgjeruar, në këtë periudhë të zgjatur të tranzicionit postkomunist, inercisë së ngadalësisë së tij, ende vazhdon të mbijetojë si mentalitet social, që ka ndikime përtej kufijve të tranzicionit, është shumë e gabuar. Është thjesht një ide e vjetër etatiste, e kapërxyer nga koha. Për shkak të kushteve të reja politike, nuk është aq e mundur që shteti të marrë përsipër të gjithë rolet e përgjegjësitë në përballjen me stratagjemat e stërholluara të krimit urban.

Ka të tjerë, që mendojnë se nuk është më ide aq shumë e pëlqyer, që shteti në emër të luftës kundër krimit të intervenojë në sferën intime, të hyjë në jetën private, apo në familje, si institucion unik i jetës private. Sipas gjykimit të tyre një rol i tillë i zmadhuar i shtetit në luftën kundër krimit, mund të bëhet padashur faktor që ndikon në nënvleftësimin e aspekteve dhe roleve që ka edukata dhe edukimi, familja, shkolla, kultura, shoqëria civile, feja, media, etj.

Ndërkaq, gradualisht në shoqërinë tonë ka filluar të marrë forcë dhe të jetë i pranishëm në konceptimin e luftës kundër krimit, ideja liberale modern, e cila mendon, se para se të merremi me shërimin e krimit apo ndëshkimin e kriminelit është mirë të merremi me edukimin qytetar dhe human të njeriut.

Kjo pikëpamje, e cila akoma nuk ka marrë peshën e duhur sociale në shoqëri, i jep prioritet idesë së politikave dhe veprimeve sociale dhe edukative parandaluese, si mënyra e mjete që duhet të bëhen sunduese në familje, shkollë, media, institucione fetare e shoqëri. Kjo është rruga e duhur për të krijuar njeriun me fizionomi humane, kusht për të zbutur tensionin, konfliktet, situatat e krimit në familje, duke i zvendësuar ato me komunikimin e butë, marrëveshjen, tolerancën e mirëkuptimin, që janë bazë e ekzistencës dhe funksionimit paqësor të familjes shqiptare dhe komunikimeve njerëzore jashtë familjare e në sfondin e gjërë të jetës qytetare.

Mirëpo për fat të keq, shoqëria shqiptare ka marrë një drejtim të gabuar, madje nganjëherë të duket se ajo po bëhet armiqësore ndaj kërkesave imperative, nevojave imediate të edukimit të njeriut me sjellje humane. Kjo neglizhencë e përgjithshme sociale, ky qëndrim gati armiqësor ndaj dhe kundër edukimit në familje, shkollë, komunitet, media e kudo, është sipas meje një nga shkaqet madhore, arsye substanciale që po godet rëndë shoqërinë tonë.

Adoptimi dhe indiferenca sociale me këtë situatë të deformuar rëndë prej krimit në shoqërinë shqiptare, është shkak madhor që vazhdimisht, pa ndërprerje krijon kushte më të gjëra sociale të penetrimit të tij në të gjithë sferat e jetës intime, sociale e publike. Kjo rrugë nuk është “rruga e lirisë” së qytetarit, por e lirisë së krimit, “mënyra e duhur” për të zgjeruar mundësitë e garantuara që kriminelët të bredhin të lirë në shoqëri.

-Si duhet vepruar në këto kushte?

Në këto kushte, përballimi i krimit kërkon jo vetëm veprimin dhe forcën e ligjit, por mbi të gjitha ngritjen e barrierave sociale, organizative e konceptuale për përballimin e tij. Sepse në përgjithësi rastet e krimit në shoqëri bëhen nga njerëz, të cilët pasi humbasin ndjenjën e fajit personal, në mënyrë spontane përfshihen në krim dhe veprime kriminale.

Shoqëria shqiptare e ndodhur përballë epidemisë së krimit, bashkë me shtetin dhe institucionet e tij duhet të ndërtojnë strategji të vërtetë, për demotivuar kulturën e dhunës dhe krimit. Burra shteti të kohës sonë, mendojnë se përdorimi i forcës ndaj krimit, nuk është vetëm një e drejtë e shtetit, por dhe detyrë e pashmangshme e tij. Sepse të falësh krimin apo të ngurosh para kriminelëve, nuk është vetëm gabim. Është një gabim që mund të kthehet në krim. Me të drejtë ish presidenti Francës Nikola Sarkozy thotë, se “pa autoritet, pa rend, pa hierarki, pa sanksione shoqëria kthehet në gjëndjen natyrore, domethënë tek ligji më të fortit“. (N. Sarkozy, Pasione, f. 77)

Ndërkaq, nga ana tjetër në këto kushte që jemi, kur e keqja sociale e krimit po vazhdon të zgjerohet me ritme të shpejta, është prioritare duhet investim i madh për edukimin human në familje, shkollë e shoqëri, shoqëruar me forcimin e instrumenteve të parandalimit social të situatave kriminale, forcimi i ligjit dhe rolit të shtetit në luftën kundër tij të shoqëruara me ndëshkimin e krimit dhe trajtimin e duhur të kriminelit, janë hallka të procesit të lidhura ngushtë me njëra tjetrën.

Është evidente prania e një strategjie të gabuar e sempliste, sepse gjithë shteti, policia, media, shoqëria merren me rastet e ndodhura dhe kriminelët individualisht dhe jo sa duhet me shkaqet e këtij niveli të agravuar të përhapjes dhe “demoktratizimit” të krimit në shoqëri. Sepse jemi në situatën kur krimet nuk janë rastësore e aksidentale, por një tendencë strategjike, që po kthehet në modus viventi jo thjesht për disa njerëz të përveçëm, por për një grup social në zgjerim që shfaqet si shtresë sociale që përbën “llumin” e shoqërisë.

Nëse do vazhdojmë të ecim linearisht në këtë rrugë, pa vlerësuar seriozisht situatat dhe dobësitë tona, me siguri që në të ardhmen krimi ordiner dhe i organizuar, bashkë me kriminelët, që e realizojnë atë, do të krijojnë një lloj “llumi social” që mund të bëhet akoma më shumë i përhapur. E keqja dhe shqetësimi është se “llumi i krimit” përditë po vjen duke u trashur. Kjo situatë kriminale, jo vetëm e ka bërë jetën tonë të ndodhet gjërësisht, në mënyrë permanente e të përditshme në situatë krimi, por edhe njerëzit të jenë në lloj-lloj armiqësish individuale, situata të acaruara të pasigurisë sociale. Në këto kushte përballja me krimin nuk është problem personal, por problem shtetëror, shoqëror e publik.

Kjo do të thotë se duhen parë të dy anët: krimi si fenomen social dhe krimineli si subjekt anormal, duhen parë shkaqet e njeriut që bëhet kriminel, por dhe të rrethanave shoqërore që “prodhojnë” krim”.

Natyrisht është e natyrshme që njerëzit tanë janë të mërzitur nga epidemia e krimit në Shqipëri. Kjo është arsyeja që tashmë në opinionin publik janë ravijëzuar dy qëndrime të kundërta, lidhur me qëndrimin dhe ndëshkimin e krimit. Liberalët mendojnë se janë rrethanat ato që nxitin dhe prodhojnë krim. Kështu që sipas tyre duhen ndryshuar e përmirësuar rrethanat sociale, sistemi dhe formacionet e edukimit. Konservatorët shfaqen radikalistë, madje deri në nivelin që shumica prej tyre kërkojnë dhe mendojnë se zgjidhja e problemit, është rikthimi i dënimit me vdekje.

Në fakt unë mendoj se as vlerësimi realist, apo i nxituar i opinionit publik por as ligjërimet e sforcuara politike e mediatike, nuk janë të mjaftueshme për të zbutur fenomenin e krimit në shoqëri. Duhet një strategji sinkretike, që të bashkojë në një “ortek social” të gjithë faktorët e parandalimit dhe ndëshkimit, institucionet e edukimit dhe ligjit, ndikimin pozitiv të medias, angazhimin aktiv të shoqërisë civile dhe institucioneve fetare. Nuk ka rrugë tjetër për t’u përballur me krimin, me këtë të keqe sociale kaq shumë shqetësuese për shoqërinë tonë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok