10/03/2025

Flet “Mjeshtri i Madh” Gëzim Tushi: Çdo fushatë zgjedhore përtej çdo përkufizimi ideologjik, është së pari luftë për pushtet

0
Gezim-Tushi

Në këto zgjedhje, do shohim fushatë biopolitike apo “kryqëzim shpatash”?!

– Pushteti është parimi përkufizues i politikës, mjeti për menaxhimin e strukturës ekonomike e shoqërore.

– Tërë historia e politikës shqiptare në këto tre dekada e gjysëm, ka qënë fare pak e dominuar nga komunikimet politike normale.

– Koha ka treguar se politika shqiptare 35-vjeçare ka qenë radikale, si “luftë muskujsh” për pushtet.

– Është shprehje e kulturës së dobët, fakti që politikanët akoma nuk kuptojnë  se në fushatën elektorale nuk është vetëm konflikti që i jep substancë dialogut.

– Qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e 11 majit, nuk janë të interesuar për të parë përsëri një teatër politik të neveritshëm, me skena të padurueshme.

– Deri tani pragfushata nuk duket se do të ketë ndonjë risi, në raport me ato tradicionale pararendëse.

– Shenjat deri tani nuk janë të mira, sepse që tani kanë filluar të shfaqen dukuri banale dhe realitete sociale me shqetësim permanent.

– Një gjë është e sigurt, politika është mirë të shikojë problemet endemike brenda saj, të cilat do reflektohen në rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit

Intervistoi; Albert Z. ZHOLI

Është e vërtetë universale: çdo fushatë zgjedhore përtej çdo përkufizimi ideologjik, është së pari luftë për pushtet. Pikërisht për këtë arsye sikurse thonë politologët, “pushteti është parimi përkufizues i politikës, mjeti për menaxhimin e strukturës ekonomike e shoqërore”. Në këtë kontekst, duke vlerësuar sociologjikisht situatën prag zgjedhore, në mënyrë evidente duken shenjat, se kjo garë elektorale midis partive politike, sidomos midis partive “klasike”, të njohura për rivalitetin e fortë, intransigjencën dhe “dialogun e sertë, inkandeshent”, për shkak të kontradiktave tradicionalisht të thella, qëndrimeve reciprokisht të papajtueshme, do të jetë me ballafaqime të ashpra, me tone komunikative të acarruara. Kjo fenomenologji e shfaqur këto ditë në prag fushatës nuk është e paparashikuar sociologjikisht. Përkundrazi është patologji e njohur e jetës politike, tradicionalisht gjëndje e zakonshme. Nuk është e re, e befasishme apo e paparashikuar.

Po afrohen zgjedhjet e 11 Majit dhe shohim se gjuha e partive politike po ashpërsohet. Si do ta përkufizoje historinë e politikës shqiptare në këto 35 vite ?

Tërë historia e politikës shqiptare në këto tre dekada e gjysëm, ka qënë fare pak e dominuar nga komunikimet politike normale, por pse jo edhe nga konsensusi racional, kur nevojitet për interesa të zhvillimit të ekonomisë dhe progresit europian të vendit. Për fat të keq, kultura antinomike e komunikimit, më shumë ka qënë e orientuar nga trajta e “politikave të pengimit” reciprok. Kërkesa e natyrshme për një fushatë të fortë por konstruktive, transparente, mbushamendëse është një pritshmëri sociale, të cilën shqiptarët, të paktën deri tani nuk kanë patur rastin ta jetojnë dhe përjetojnë, si komponent me rëndësi dhe shenjë të pjekurisë europiane të aktorëve të politikës sonë, si shprehje elokuente e nivelit në ngritje të kulturës demokratike. Nuk është fjala për konsensus mekanik për gjithçka e për çdo gjë, por për gjëra që janë të rëndësishme dhe që përbëjnë interesa madhore kombëtare, vlera e të cilave është mbi interesat e ngushta partikulare të partive apo të politikës së ditës. Koha ka treguar se politika radikale, dikotomike, fare pak konsensuese ka sjellë tipologjinë konstante të politikës konfliktuale si qëllim në vetvete, apo thjesht si “luftë muskujsh” për pushtet. Kjo sindromë e vjetër e politikës shqiptare, që shfaqet në mënyrë brutale dhe pa normat standarte të etikës dhe komunikimit politik sidomos në kohë fushatash sikurse, ndodhemi në këto momente. Një sëmundje që këto ditë ka filluar ta “infektojë” retorikën, duke e gjymtuar gjuhën politike, me fyerje dhe akuza të shëmtuara reciproke. Kjo tipologji arkaike si konstante politike, e larguar krejt nga nevojat utilitare, ka bërë me sa duket që politika edhe në këto zgjedhje do të jetë e ashpër, konfliktuale. Problemi është se kjo mënyrë e të bërit politikë, po dëmton imazhin e brendshëm të politikës si strukturë, duke e reduktuar atë në “kryqëzim shpatash” midis tyre. E cila sikurse ka ndodhur gjithnjë, edhe tani ka rrezik të transplatohet dhe transferuar në konflikte sociale në shoqëri. Nuk është e re dhe as e panjohur, ka kohë që politika jonë profesioniste është bërë banale, e shoqëruar nga debate irracionale dhe dialog politik, sidomos parlamentar, që më shumë se debat substacial dhe politikë biofilike, është katandisur në luftë me akuza, shpifje ndërtuar me slogane të vjetra, primitive.

-Si e parashikon fushatën për zgjedhjet e 11 majit? Çfarë fushate duket deri tashmë?

Politika në fushatë natyrshëm duke qënë kompeticion elektoral do jetë e fortë, por qytetarët në këto muaj deri në 11 Maj, nuk presin vetëm konflikt bilateral si “kryqëzim shpatash” apo si qëllim në vetvete, as negacion si qëndrim nihilist për gjithçka. Është shprehje e kulturës së dobët, fakti që politikanët akoma nuk kuptojnë (apo më sakt nuk ju intereson të kuptojnë”, se në fushatën elektorale nuk është vetëm konflikti që i jep substancë dialogut në raportet pozitë-opozitë. Sa herë që bëj sondazhe verbale, apo vlerësoj sociologjikisht reflektimet në vëzhgimet mediatike të opinionit të qytetarëve, fare kollaj duket që ata  janë mërzitur me këtë politikë, ontologjikisht konfliktuale dhe me tone të vrazhdëta armiqësore. U bënë tre dekada e gjysëm, që për fat të keq shqiptarët përballen me këtë lloj “teatri politik absurd”, që vazhdimisht dhe si qëllim në vetvete dhe për synime të spektakolaritetit dhe atraksionit elektoral, është realizuar vetëm me “kryqëzim shpatash”. Politika shqiptare gjithnjë ka qënë e polarizuar in extremis, një patologji që ushqen herë një lloj “injorance” elektorale dhe herë të tjera, shoqërimin e saj me demagogji sociale.

-Të vijmë tek qytetarët që do votojnë. Çfarë duan qytetarët nga politika në këtë fushatë?

Qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e 11 Majit, nuk janë të interesuar për të parë përsëri një teatër politik të neveritshëm, me skena të padurueshme, të luajtura keq nga “aktorët” politikë, të inskenuara në mënyrë butaforike, për efekte të jashtme mediokre nga “regjisorët” e njohur, apo si mjet për të siguruar votat e fitores. Ajo që duan qytetarët është krejt tjetër, nga ajo që mendon dhe bën politika. Ata duan një debat politik biofilik, i cili duhet përqëndruar në gatishmërinë e pozitës dhe opozitës, për të shpalosur strategji, politika, plane veprimi, premtime të dobishme, realiste, të realizueshme për të forcuar jo individë e interesa të shtresave të kufizuara, por për të forcuar të mirën publike, që është e dobishme për të gjithë dhe që mund të votohen nga qytetarët. Personalisht mendoj se nuk është tregues i sigurt superioriteti apo shenjë e epërsisë elektorale, zhvillimi i një fushate vetëm konfliktuale si qëllim në vetvete apo si “mjet përdorimi” me synime pragmatiste e makiaveliste. Ca më keq me një “audiencë fjalësh”, herë kaotike e të pakuptueshme e herë banale, që nuk dëgjohen, nuk vlerësohen nga publiku. Politika duhet ta kuptojë dhe të ndërgjegjësohet se qytetarët, niveli i tyre kulturor dhe civil ka pësuar progres, ndoshta më të shpejtë se klasa politike. Ata nuk kanë nevojë për fushatë boshe apo për spektakle politike të bëra me “kryqëzim shpatash”. Ata presin tjetër gjë dhe prandaj, janë në momente të një “vigjilence sociale”, të intonuar për të gjykuar dhe vlerësuar narrativat dhe diskurse të vërteta, substanciale gjatë fushatës. Në këtë kontekst, nuk është koherente dhe rezultative propaganda elektorale e bërë si qëllim në vetvete, pa marrë në konsideratë strukturën sociale,  “nevojat boshtore” ekonomike e sociale të shoqërisë, të cilat patjetër që janë të lidhura dhe determinante për rezultatin e pritshëm zgjedhor.

-Jemi në pragfushate apo në hapat e parë. Ke vënë re ndonjë risi apo do të ketë ndonjë risi kjo fushatë?

Deri tani pragfushata nuk duket se do të ketë ndonjë risi, në raport me ato tradicionale pararendëse. Shenjat deri tani nuk janë të mira, sepse që tani kanë filluar të shfaqen dukuri banale dhe realitete sociale me shqetësim permanent, të shprehura në shfaqjen e dukurisë së kondensimit të pasioneve politike kundërshtare, në grindje personale, urrejtjeje politike reciproke pa mbarim. Herë në formë të përgjithshme grupore e shumë herë në trajta individuale, të margjinalizuara midis politikanëve nominalisht. E maskuar kjo pas sintagmës se debati, konfliktualiteti në një shoqëri demokratike janë pjesë e natyrshme e lojës politike. Kjo është arsyeja, pse edhe në këto ditë kur duhej sa më shumë politikë konstruktive dhe zgjidhje konsensuale për problematikat zgjedhore, në Parlament është zhvilluar më shumë retorikë politike, e përkthyer në modulet e njohura të “fajësimit reciprok” midis pozitës dhe opozitës. Më duket se nuk do i largohet politika stereotipit të vjetër dikotomik, as në këtë betejë elektorale të 11 Majit. Kjo do të thotë se më shumë se luftë politike konstruktive, ndërtuese, me argumenta alternativë, do kemi një luftë politike të shoqëruar me beteja statike llogoresh të kundërta, që nuk kanë vlerë. Është bërë e neveritshme politika dhe statura e disa politikanëve në fushatë, duke e reduktuar atë thjesht në betejë akuzash empirike, pa patur asnjë bazament teorik që i dallon programet, alternativat, zgjidhjet. Koha dhe niveli i elektoratit nuk kërkon fushatë bazuar në empirizëm banal, por dëshiron të njohë alternativat konkuruese, pse jo edhe raportet e kundërta të bazës së teorisë politike, të majtë apo të djathtë.

Edhe diçka tjetër. Kjo fushatë herë pas here shfaq nuanca populizmi, sidomos në sulmin e partive të reja ndaj “kastës së vjetër” të politikanëve tradicionalë. Pa mohuar vlerën e kritikës së tyre, për të gjithë mëkatet dhe përgjegjësitë e klasës politike të dy krahëve, unë besoj se edhe manikeizmi mekanik elektoral, kthyer si betejë midis “popullit të pastër” dhe “klasës politike të korruptuar”, apo dëshira për të asgjësuar tërë estabilishmentin politik aktual në emër të politikanëve të rinj, nuk është normale. Besoj se ky “kalë beteje” i partive të reja, ka vlerë kur artikulohet drejt, me vend, me sens mase. Ndryshe ky manikeizëm politik mund të kthehet në bumerang për to. Por edhe e kundërta e këtij qëndrimi nga politikanët tradicionalë, që kanë filluar “sulmin” dhe ankohen për influencat e reja politike, duke qënë të shqetësuar  për mundësinë e fluktuacioneve të natyrshme elektorale të qytetarëve nuk është normale për këtë fazë të nevojave të ngushtshme të përmirësimit të “skemës bipolar” të pluralizmit politik. Herë e thonë direkt, me zë të lartë e herë nën “surdinë”, duke synuar të mos bërë “autogol elektoral”.

Çfarë sheh të sigurtë në këtë fushatë dhe në këto  zgjedhje?

Një gjë është e sigurt, politika është mirë të shikojë problemet endemike brenda saj, të cilat do reflektohen në rezultatet e zgjedhjeve të 11 Majit. Elektorati ky është. Me atë do “gatuhen” zgjedhjet. Këtu është me vend të sjellim “shakanë” politike të Brehtit, sipas të cilit “…elitat politke, të pakënaqura me popullin e tyre, e kishin zgjidhur problemin duke e shpërndarë atë dhe duke caktuar një tjetër për ta zëvendësuar”. Douglas Murray, “Vetëvrasja e Europës”, f. 334. Dhe për ta mbyllur, disa gjëra edhe për gjuhën politike, johumanitetin, kulturën e përdorimit të saj si “kryqëzim verbal shpatash” gjatë fushatës elektorale. Problemi i gjuhës politike nuk është thjesht problem kulturor apo puritanizëm lingustik. Fjalët banale, të kota, pa bukë politike e substancë kulturore, nuk kanë vlerë, nëse ajo nuk bazohet dhe mbështet në argument dhe obligimin e natyrshëm për ta vënë kundërshtarin politik në “pozitë të vështirë”. Sa herë dëgjoj ligjërime të cunguara, të shoqëruara me argumente të përcipta, “artikulime sakate” nga disa politikanë të vjetër e të rinj, të “kalçifikuar” apo “rishtarë”, që synojnë karrierë politike profesioniste, duket se nuk kanë kuptuar atë që është alfa e çështjes: politika është diçka shumë serioze, jo “teatër ordiner” apo “lojë aktoreske” e diktuar nga “regjizorët”, por pa aftësitë e duhura personale për ta luajtur atë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok