21/02/2025

Flet kineasti Skënder Jaçe: Kinemaja në Qytetin e Kuçovës u ndërtua nga Shoqëria Italiane AIPA në vitin 1934 dhe u inaugurua në vitin 1936

0
Skender-Jace1

– Kapaciteti i saj në atë kohë ishte 350 vende dhe ajo u shërbente kryesisht familjeve italiane të vendosura në atë qytezë

-Në skenën e Kuçovës kanë luajtur Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Margarita Xhepa, Timo Flloko, Tinka Kurti, Rajmonda Bulku

– Projeksioni i parë i saj ka qenë Premiera e filmit italian “Këpucë në diell” (Le scarpe al sole) një produksion i vitit 1935.

Nga kjo skenë shpërthyen talentet si, Gaqo Çako, Buran Spaihu, Agim Shuke, Xhuljeta Kulla, Vangjo Kosta…

Nga Albert Z. ZHOLI

Me Skënderin na lidh arti, skena, teatri, kinematografia. Ai ka 46 vjet që mirret me profesionin e kinemasë dhe është një njohës i shkëlqyer i historisë së kinematografisë në botë. Për rreth 3 dekada ai ka shërbyer në kinemanë e qytetit të Kuçovës.  Kuçova ka qenë vendbanimi i hershëm Ilir i fisit Desaret. Nga gërmimet e bëra në periferi të qytetit të Kuçovës (në komunën Perondi ku ndodhet sot Kisha e vjetër e Shën Nikollës) del se kjo trevë ka qenë një vendbanim i lashtë me një kulturë të zhvilluar, gjë që vërtetohet nga mënyra e ndërtimit të shtëpive dhe e shëtitores për banorët e saj. Kjo shëtitore ka përmasat e një bulevardi të vërtetë (10 m gjerësi dhe 50 m gjatësi) të shtruar me kalldrëm e me gurë të gdhendur bukur. Po kështu në kodrën e Omurit në verilindje të qytetit, janë gjetur punime mbrojtëse ilire e mbi të gjitha një pishtar (i ekspozuar në muzeun e Beratit), i cili shërbente për të sinjalizuar rrezikun armik nga njëra kala në tjetrën si dhe në të gjithë zonën. Nga gërmimet e bëra në vitet ’40 – ’50 të shekullit të kaluar u nxorën në sipërfaqe amfora, shpata e mburoja të kohës ilire. Në vitet e Luftës së Parë Botërore, në periferi të Kuçovës (aty ku sot janë varrezat e qytetit) u vendos një repart ushtarak austriak. Në vitin 1916, një inxhinier gjeolog, pjesëtar i këtij efektivi vuri re se uji i përroit që rridhte nga kodra e Omurit vinte me naftë. Pasi e shëtiti më këmbë vendin ai arriti në përfundimin se Kuçova ishte një vend me pasuri të mëdha nafte. Këtë fakt ai e bëri publik në vitin 1918. Që nga viti 1918 e deri në vitin 1924, në Kuçovë erdhën shumë shoqëri kërkuese nafte si AIPA (Azienda Italiana Petroli Albania), një shoqëri Anglo-Persiane, Shoqëria Amerikane e Naftës si dhe shoqëri franceze etj.  Që nga viti 1928 e deri në vitin 1943, vendburimi i Kuçovës u shfrytëzua nga shoqëria italiane AIPA. Kjo shoqëri bëri marrëveshje me qeverinë e Mbretit Zog I, që nëse prodhimi i naftës në vit do t’i kalonte 50 000 tonët, kjo shoqëri do të ngrinte në Kuçovë një rafineri. Por ndonëse prodhimi i kaloi 170 000 tonët, rafineria nuk u ngrit, përkundrazi nafta e nxjerrë nisej për t’u përpunuar në Itali. Në historinë e Shqipërisë, Kuçova përmendet edhe si qyteti ku është organizuar greva e parë e punëtorëve në vitin 1936. Por në këtë bisedë do të flasim për veçantinë e Kuçovës, që qysh në vitin 1934 u ndërtua kinemaja e qytetit, një ndër të parat në Shqipëri dhe shumë moderne për kohën. Një nga drejtuesit e kësaj kinemaje ishte dhe Skënder Jaçe. Rrëfimi i tij për këtë kinema është befasues dhe shumë interesant.

-Flitet shumë për kinematë në Shqipëri. Një ndër qytetet e para që ka pasur kinema ka qenë Kuçova. Kur është hapur kinemaja e parë në Kuçovë dhe sa ishte kapaciteti?

Pa hyrë në përgjigje së pari ju falënderoj në radhë të parë për këtë intervistë që doni të trajtoni tema si kinemaja, ku unë dhe shumë kolegë të tjerë, i kushtuam jetën tonë me dashuri ndaj këtij arti të fuqishëm. Vijmë tek pyetja juaj e parë. Kinemaja në Qytetin e Kuçovës u ndërtua nga Shoqëria Italiane AIPA në vitin 1934 dhe u inaugurua në vitin 1936. Kapaciteti i saj në atë kohë ishte 350 vende. Kuçova në ato vite si zonë naftëmbajtëse shfrytëzohej nga shoqëritë italiane, dhe ajo u shërbente kryesisht familjeve italiane të vendosura në atë qytezë, që më vonë do të merrte formën e një qyteti me potencial të madh Industrial.

– Nqs ke dëgjuar cili ka qenë filmi i parë që është shfaqur aty dhe si ishin aaratet e parë filmike, të kujt prodhimi ishin dhe a ishin cilësorë? –

Sigurisht që e di. Projeksioni i parë i saj ka qenë Premiera e filmit italian “Këpucë në diell” (Le scarpe al sole) një produksion i vitit 1935, si dhe një kronikë e kohës për koncesionet e naftës në Shqipëri. Aparatura e projeksionit ishte “Cinemeçanica” Italiane, për kohën ishte markë e njohur dhe cilësore në Europë dhe më gjerë.

– Një jetë pranë kinemasë dhe për kinemanë. Kur keni filluar vetë si kineast në Kuçovë?

Ishte një magji në atë kohë të ishe pjesëtar i kësaj strukture të bukur siç është Arti i -7, fillimet e mia i kam si Ai djali i vogël në personazhin e filmit të Giuseppe Tornatore “Cinema Paradiso”, rreth viteve 1967 ndaj ju lutem më lejoni të përmend disa emra te nderuar që i dhanë shpirt, orë të tëra nga jeta e tyre në atë kabinë projeksioni mes tymit të karbonit dhe filmit të rrezikshëm djegës, i cili për shkak të teknologjisë të asaj kohe, të rrezikonte dhe jetën. Ndaj, respekt pa fund për atë brez ustallarësh si Gllason Kruja, Vangjel Droboniku, Taqo Vasili, Shefqet Jashari, Ylmi Hoxha e Demir Metushi. Unë pata fatin të punoja dhe në kinemanë e fëmijëve, e cila u ngrit pas disa viteve të çlirimit, dhe më pas edhe në kinemanë Verore të qytetit, e cila tani nuk ekziston më…Nostalgji.

-Por sërishmi ta lidhim pyetjen me punën tuaj…Cili është filmi i parë që ke shfaqur?

Ah, më ktheve pas në kohë. Nostalgji! Filmi i parë që kam shfaqur ka qenë filmi gjigant Rus “Aleksandër Nevski” i regjisorit të njohur, Sergei M. Eisenstein imazhet e të cilit i kam akoma të ruajtura në memorien time, me ato skena gjigante dhe lojën e bukur të aktorëve Rus të asaj kohe.

-Kinema e vjetër, por si projekt Kinemaja e Kuçovës a ishte e nivelit bashkëkohor?

Ju them një gjë me siguri…Ndoshta ishte nga më të rrallat në Shqipëri, dihet që italianët njihen në ndërtime. Ajo mund të quhej pa bërë ndonjë superlativë, moderne për kohën. Ishte me sistem ngrohje, që falë gazit natyral që zotëronte Kuçova, kaldaja e instaluar ngrohte në mënyrë maksimale sallën dhe ambientet e saj ndihmëse. Ishte unike në llojin e saj në Shqipëri pasi tarraca e saj ishte e lëvizshme duke u hapur në ditët e verës.

– Të vijmë tek filmat…Cilat kanë qenë filmat më të ndjekur të kohës së diktaturës?

Duhet thënë që brenda kampit komunist ku bënte pjesë dhe Shqipëria, kryevepra të kinemasë botërore kanë parë dritën e projeksionit edhe në vendin tonë. Filmi historian dhe me temë familjare pëlqehej shumë, por ndiqej dhe shumë filmi Mjuzikal. Ju përmend disa tituj të ndjekur shumë në ato vite si: “Burri me pantallona të shkurtra”, “Më fal”, “Dëgjo këngën time” ,”Zonja e panjohur”, “Takim në Iska”, “Tamango”, “Helena e Trojës”, “Salambo” “Toka e Faraonëve”, “Kapiteni Orac” ,”Xhuzepe Verdi”, “Kastadiva”, “Tango ime e fundit”, etj.

– Kjo kinema a përdorej për teatër dhe drama?

Po, natyrisht duke qenë një qytet me shumë klasë punëtore aty zhvilloheshin dhe aktivitete të ndryshme nga lëvizjet amatore, të cilët përgatiteshin në pallatin e kulturës së qytetit. Janë të panumërta festivalet e këngës naftëtare ku kanë shkëlqyer këngëtar si Efrosina Vasili, Natasha Memeti, Astrit Abazi, Andrea Noti, Nexhmie Noti, Anila Qafoku, Edmond Naqellari, e shumë të tjerë. Nga kjo skenë e kinemasë në Kuçovë shpërthyen talentet si: Gaqo Çako, Buran Spaihu, Agim Shuke, Xhuljeta Kulla, Vangjo Kosta etj. Muzikantë të talentuar do të deputonin për vite me radhë si: Tonin Rota, Koço Korçari, Zef Leka, Nito Lala, Luto Hasani, Fatmir Shehu, Gaqo Tërpini, Isuf Jaçe etj, etj. Regjisorë të njohur kanë kontribuar fuqimisht në skenën e kinemasë si Sulejman Pitarka, Thoma Rapi, Genc Hasani, Kiu Çobanaqi, Sadik Ibrahimi, Fatmir Veleshja etj.

Kush nga aktorët e mëdhenj të asaj kohe kanë ardhur në Kuçovë?

Kuçova ka pas shumë forca intelektuale, pasi aty u instaluan inxhinierët e naftës që kishin mbaruar në Bashkimin Sovjetik në atë kohë, gjithashtu u kthyen nga Moska aviatorët e parë për shkak të aeroportit ushtarak që ka Kuçova dhe secili prej tyre solli me vete dhe kulturën që mori me vete në vendin ku studioi dhe jetoi. Duke qenë se për një kohë të gjatë aty jetuan shumë familje italiane, Ruse, Çeke, u kryqëzuan kulturat duke krijuar një traditë mjaft të bukur. Kur doli filmi “Skënderbeu” familjet Ruse që jetonin në Kuçovë, dhe që nuk ishin pak, sollën në kinemanë e Kuçovës, nëpërmjet Ambasadës dhe Qeverisë së tyre, Aktorin e madh Rus, Akaki Khorava, i cili luan rolin e Skënderbeut, si dhe aktoren e njohur Zinaida Krienko, e cila luan në filmin Rus “Fati i njeriut” të Shollohovit. Gjithashtu aktorë dhe regjisorë të shquar shqiptar kanë qenë prezent në premiera të ndryshme të filmit shqiptar si dhe në evente të ndryshme kulturore, si Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Margarita Xhepa,Timo Flloko, Tinka Kurti, Rajmonda Bulku, Ndriçim Xhepa, Agim Qirjaqi, Albert Vëria, Arben Shaka, Skënder Sollaku, Bujar Lako, Bujar Kapexhiu, Mevlan Shanaj, Birçe Hasko, Kadri Roshi, Gujlem Radoja, Ilia Shyti, Lazer Filipi, Luftar Pajo, Luiza Lasko, Pandi Raidhi, Roza Anagnosti, Sheri Mita etj, etj.

– Mund të na thoni disa nga kujtimet me ta?

Heh kujtimet…janë të panumërta, por do të shkëpus një moment nga ceremonia madhështore kur vendosa t’i vija kinemasë, emrin e Aktorit të madh të skenës dhe kinemasë Shqiptare Kadri Roshi. Ishte një ceremoni që u përcoll me shumë dashuri dhe emocion nga publiku i qytetit. Së bashku me mikun tim regjisorin Petrit Ruka, i cili në atë kohë ishte dhe drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë organizuam gjithë sipërmarrjen e këtij aktiviteti. Ishte dalja e fundit e Kadri Roshit në skenë. I pafuqishëm, por me shumë kurajë, me një nur fisnik e me mjekrën e bardhë krijonte një portret interesant, që dukej sikur vinte nga thellësitë e shekujve. E ulëm në një kolltuk në mes të skenës. Ai që vite më parë, i ri në këtë skenë të kinemasë tronditi sallën në shfaqjen teatrale “Dhelpra dhe Rrushi” qëndronte sot para publikut i ulur i mbuluar nga duartrokitjet pa fund të spektatorit. Pas përshëndetjes nga organizatorët, ju afrua mikrofoni për të thënë dy fjalë dhe i madhi Kadri Roshi…..heshtje…salla ishte kaptuar nga një heshtje totale dhe pas pak u dëgjua zëri i tij i lodhur, por një zë që në sekondë të sillte në memorie galerinë e personazheve të luajtura me aq mjeshtëri prej tij.” Publiku im i dashur që keni mbushur këtë sallë plot e përplotë, për të më nderuar mua në këtë ceremoni,” vazhdoi ligjëratën Kadriu i mirë. Do të desha të isha në këmbë para jush t’ju respektoja, por nuk kam gjunjë. duke prekur me dorë gjunjët e tij të lodhur, salla shpërtheu në duartrokitje. Përsëri një heshtje a thua se ishte shkruar në një skenar….u afrua përsëri te mikrofoni dhe me ata sytë që i shkëlqenin nën dritën e prozhektorit citoi: “Nga të parët vjen gojëdhëna, qengji i butë pi dy nëna, por ju s’dini më të renë, gjithë rufjanët u pinë kopenë…! Kaq foli Kadri Roshi, por kishte thënë shumë. Jam krenar për vendosjen e emrit “Kinema Kadri Roshi” duke i dhënë sadisfaksionin për së gjalli këtij aktori të Kombit tonë. –

Cilët nga aktorët e filmit dhe dramës kanë qenë miqtë tuaj?

Në përgjithësi unë kam pas marrëdhënie të mira me krijuesit dhe aktorët, investohesha për punën me dashuri, duke krijuar herë pas here oaze çlodhëse, për rininë dhe spektatorin e asaj kohe. Por mik kam pasur Pandi Raidhin, të cilin e desha si njeri babaxhan, Birçe Haskon, Bujar Asqeriun, të cilin e kam një shok të mirë, regjisorin e shquar Ibrahim Muçaj e Kujtim Gjonaj, etj, që s’dua t’i veçoj.

Çfarë aktivitetesh keni zhvilluat në këtë kinema dhe kush mbetet më mbresëlënësja?

Janë të panumërta , premierat e filmave të huaj dhe ato shqiptare, festivale dhe java filmi, koncerte të ndryshme dhe spektakle artistike, formate të ndryshme për artistët tanë dhe të huaj. Nuk di kë të veçoj pasi secila ka specifikën e vet. E kush nuk ka ardhur deri në vitet e fundit nga artistët më thuaj kush? Por do të kujtoj një aktivitet Kombëtar me rastin e 100-vjetorit të kinematografisë me titull: “100 vjet kinema botërore” Ishte fundi i viti 1995, kur kinemaja shqiptare pothuajse ishte në krizë totale, rrjeti i kinemave në Shqipëri nuk ekzistonte më, çdo gjë ishte e shkatërruar dhe dorëzuar për ballë ekonomisë së re të tregut. Ndërtova një projekt edhe si një shpresë për kinemanë, e cila me thënë të drejtën ishte në ngërhinat e saj të fundit. Më përkrahën në atë kohë Artistja e njohur Marjeta Ljarja dhe Ministri i asaj kohe, i ndjeri Teodor Laço me një fond për zhvillimin e këtij aktiviteti Kombëtar . Edhe sot kur e shoh në video në arkivin tim personal, nostalgoj. Ishte një aktivitet i përmasave të mëdha kur akoma gjërat s’kishin marrë formë për aktivitete të tilla. Mbi 150 artistë nga Tirana dhe rrethet erdhën në qytetin e Kuçovës dhe 5 ditë rresht sollën kujtimet më të bukura nga jeta dhe puna e tyre krijuese të pasqyruara dhe me retrospektiv në ekranin e madh. Sinqerisht sot kur e kujtoj më duket një lloj “çmendurie” në një kohë të vështirë. Sidoqoftë ky aktivitet u fiksua në arkiva dhe është një dëshmi dhe një homazh për shumë artistë qe sot nuk jetojnë.

-Kush nga udhëheqësit e asaj kohe e ka vizituar këtë kinema dhe a mund të përcillni fjalët e tyre? Pyetje e vështirë… Duke qënë qytet indusrial i naftës aty kanë ardhur shumë udhëheqës të kohës që nga E. Hoxha, por zakonisht udhëheqja kur futet nëpër salla, i shikon ato thjesht për qëllimin që ajo ka hyrë aty brenda dhe ky ritual vazhdon edhe sot. Kur vinë vetëm për mbledhje, se për film as që bëhet fjalë, pa le të flasin për kinemanë. Njëherë më ka bërë përshtypje z. Nano në një takim që pati në sallën e kinemasë, i bëri përshtypje një arredim modern në një kinema të një qyteti të vogël relativisht dhe kërkoi të më takojë duke më falënderuar për këtë investim privat në fushën e Kulturës.

– Po sot çfarë po bëhet me këtë kinema legjendë?

Ah sot, një pyetje e trishtueshme. Janë shumë faktorë objektiv dhe subjektiv që spektatori i dikurshëm i mungon kinemasë luksoze me një investim serioz dhe të denjë për kohën. Shpesh herë si në të gjithë Shqipërinë punojmë me projekte, duke i krijuar spektatorit hyrjen falas, por edhe sa? Shtrohet pyetja do punohet kështu në një ekonomi të tregut të lirë? Dhe përsëri më vjen ndërmend filmi i Tornatores në fundin e tij, në shembjen e kinemasë. Interneti, konkurrenca e pandershme e TV, DVD politikat e dobëta në ndihmesën e saj, indiferenca e bashkive dhe shtetit bëri që ajo të mos mbijetojë dot. Me këtë ligjëratë mbyllet filmi i njohur italian “Cinema Paradiso”. Megjithatë unë shpresoj se një ditë njerëzit do t’i kthehen kohës së lirë, argëtimit të bukur të këtij arti magjik larg kafeneve dhe thashethemnajave anakronike për kohën në të cilën jetojmë. Ndoshta brezi ynë nuk do të jetë më, por do të ndodhë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok