21/12/2024

Flet ish-Shefi i Gatishmërisë së Republikës,  Sefer Pasha

0
Sefer-Pasha1

Prizreni buzë detit, borziloku i Përmetit, “aksidenti” me Bekim Fehmiun, dhe dokumenti autentik i Shpalljes së Pavarësisë në arkivin e Titos.

-Në Luftën e Kosovës gjatë qitjes me topa emigrantëve nga Gjermania ua mbyllja veshët me gjethe lisi.

– Në Prizren thonë se jemi buzë detit pasi në mëngjes shkojnë në Durrës në darkë kthehen.

-Si e gjeti të dashurën e rrëmbyer djaloshi nga Prizreni brenda në Beograd nga një vazo me zambak Prizreni.

– Nëpër mëhallat e Prizrenit lexojmë emra që kanë lidhje me Shqipërinë si Vlora, Saranda, Berati, Korça, Shkodra e Tirana.

– Sulo Gradeci më pati treguar se Enver Hoxha në një drekë familjare qe shprehur se i mbetej një peng në jetë që nuk mundi të bëjë një vizitë në Kosovë.

– Në vitin 1972, më caktuan të ndiqja Bekim Femiun kur do shkonte te libraria.

– Kur më kërkuan informacion për ato që pashë si “vrojtues” i librarisë së Alizotit unë shkrova: “Në udhën e Qafës së Pazarit Bekim Fehmiu luante film. Gjirokastritët e përshëndesnin”.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Prizreni ishte ndryshe këtë nëntor. Flamijt shqiptar dhe ato të Kosovës valviteshin si binjakë në çdo kënd të saj. Për këtë ditë të veçantë në qytetin historik të Lidhjes së Prizrenti do të flaës sot Sefer Pasha…

-Ditën e shpalljes së Pavarësisë ishit në Prizren, çfarë na përcjell nga ky festim?

Prizreni festoi bukur Shpalljen e Pavarësisë. Ndalojmë aty ku është themeluar Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Na pret Kryetari i Komunës së Prizrenit Shaqir Totaj. Unë me këtë personalitet të Kosovës nuk isha takuar ndonjëherë. Shaqiri kishte lindur në Prizren, por të parët e tij ishin nga fshati Gjonaj i Hasit. Studimet i kishte mbaruar në Prizren, Prishtinë dhe Uashington. Shaqir Totaj ishte i gjatë e i mbushur si lis Sharri, me nofulla si ashta guri, me thinja si flokët e borës në fillim të vjeshtës e me një veshje të thjeshtë. Mbante syza optike si ato të studjuesve. Nuk ta jepte përshtypjen e një pushtetari “dudum kokëkungull, gojëbuall e barkrrumbull” siç i cilësonte Faik Konica. Shaqir Totës i jap një këshillë miqësore. Të më flasë me zë pakëz më të lartë sidomos në krahun e majtë. I tregoj se kam qenë në luftën e Koshares për çlirimin e Kosovës. Që prej Rrasës së Zogut qëllonim me top kundër ushtrisë serbe, e cila ishte e pozicionuar në Punashevsk të Gjakovës, aty ku piramida c/1 ndante Gjakovën me Tropojën. Unë qëlloja me top së bashku me disa të rinj, të cilët kishin ardhur nga Gjermania. Emigranët më thoshin se luftonin me “dekë për Kosovën”. Ushtarët e UÇK -së nuk kishin asnjë përvojë në qitjet me topin 75 milimetër pa zbrapsje. Qitja me këtë armë të rëndë të artilerisë kërkon teknikë të lartë. Në rradhë të parë veshët duhet të zihen me pambuk. Zhurma dhe gazërat të rrezikojnë. Ka qëlluar që shumë qitësa ta humbasin dëgjimin. Unë emigrantëve nga Gjermania ua mbyllja veshët me gjethe lisi. Nuk kishte mjete të tjera rrethanore. Edhe veshët e mi i izoloja po me gjethe lisi. Por efekti mbrojtës ishte i pakët. Pas çlirimit të Kosovës u vizitova tek mjeku i veshëve. Ai e konstatoi dëmin që më kishte shkaktuar qitja me topin 75 milimetra pa mjetet mbrojtëse.

Kryetari Shaqir Totaj më dëgjoi me vëmendje. Të gjthë kemi dalë me humbje nga lufta e lavdishme,- tha ai. Dhe iu mbushën sytë me lot kur foli për Hashim Thaçin, që me komandantët e UÇK -së po mbahen padrejtësisht në Hagë. Por do të kthehen fitimtarë.

Prizrenasit e përshëndesin me respekt kryetarin e tyre Shaqir Totaj. Ai nëpër rrugë fëmijëve u shpërndan flamuj kuq e zi. Shaqir Totaj më pyet dhe unë i përgjigjem. I them se po vij për të festuar në Prizren që nga Bushtrica e Lumës. Kam ndjekur me hartë në dorë udhëtimin e Avdyl Frashërit për të shkuar në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Një natë Avdyl Frashëri fjeti në shtëpinë e Shaqir Palushit nga fshati Bushtricë. Ai të zotit të shtëpisë nuk i tregoi se ishte Avdyl Frashëri. Atë e ndiqnin spiunët e perandorisë osmane. Lumjani Shaqir Palushi bëri darkë dhe sipas zakonit ftoi dhe të kushërinjtë. Në mëngjes po sipas zakonit i zoti i shtëpisë i dha tre djem me vete Avdyl Frashërit dhe ata e përcollën deri tek Ura e Lotëve në Morinë të Kukësit. Para se Avdyl Frashëri t’u jepte dorën djemve të Lumës u tha atyre se ishte Avdyl Frashëri. T’i bënin të fala mikut nga Bushtrica, që e nderoi me pritjen, që i bëri pa e njohur. Kjo ngjarje bëri bujë dhe tregohet brez pas brezi jo vetëm në Bushtricë, por dhe tek shumë njerëz, të cilët e kanë dëgjuar. Tek Ura e Lotëve mbi trungun e një lisi Avdyl Frashëri u ul të pushojë pak. Një nga djemtë e Lumës i tregoi filozofit një ngjarje të jetuar. Në fshatin Kalaja e Dodës kishte ardhur një mik nga Tetova. Mikun të zotët e shtëpisë e pritën tek Fusha e Korabit. Aty i kishin stanet. Ishte vjeshta e fundit. Pasi folën, hëngrën e pinë, në mëngjes babai e thërret njërin nga djemtë. I tregon udhën se nga do ta përcillte mikun. Binte borë e madhe. Dhe djali me vakt u nis me mikun nga Tetova sipas porosisë së atit të tij. Pas disa orësh udhëtim kur djali me mikun dolën në një kreshtë i thotë mysafirit nga Tetova se ku ishte rruga më e shkurtër që të nxirrte në Tetovë. Kështu djali nga Kalaja e Dodës i dha dorën mikut të familjes. Në fakt djaloshi nuk e zbatoi porosinë e të atit. E la mikun në gjysëm të rrugës dhe e përcolli në një rrugë qorre. Në atë drejtim binin orteqet minutë pas minute. Kur djali u kthye në Kalanë e Dodës mori vesh se prej Tetovës kishte ardhur haberi se mikun që ai e përcolli e kishin zënë orteqet dhe ai kishte vdekur. Ati e priti të birin me hidhërim e revoltë. Të nesërmen ati e “urdhëron” të birin që ai të shkonte për të gjuajtur dhi të egra në vendin e quajtur Panair pas malit të Korabit. Dhe djali u nis për gjah sipas “urdhërit”. Por nuk u kthye dot. Ra nga shkëmbi. E zuri mallkimi i atit. Ai e preu në besë mikun nga Tetova.

Avdyl Frashëri pasi e kishte dëgjuar këtë rrëfenjë i kishte përqafuar djemtë që e shoqëruan që nga Bushtrica e Lumës. E kuptova rrëfenjën u kishte thënë djemve Avdyl Frashëri. Ju që më shoqëruat më dërguat në duar të sigurta. Djemtë e Prizrenit që më kanë dalë për të më pritur janë po aq të besës sa ju lumjanët, që më sollët si kokrra e mollës tek Ura e Lotëve.

Në bisedat me qytetar të Prizrenit dhe me ata që kanë zbritur për të festuar dëgjojmë të na thonë gjëra me vlerë. Në një pikë kori i tyre bashkohet në një zë të vetëm. Prizreni pas çlirimit të Kosovës laget nga deti,- thonë ata.

-Si do ta kuptojë lexuesi këtë situatë? Prizreni është larg detit nuk është buzë detit?

Sipas tyre tani që është shtet me vete prizrenasit qysh në pranverë shkojnë e bëjnë plazh në Durrës, Shëngjin dhe Velipojë e në mbrëmje kthehen në shtëpi në Prizren. Madje kur shiten shtëpi shënohet “2 orë larg detit”… Fjalët e tyre gurgullojnë si lumi Lumbardhi që kalon nëpër Prizren. E mbyll bisedën me “Prizrenin buzë detit”. Por shënime vazhdoj të mbaj. I thashë dhe Shaqir Totës se një nga librat e mi të rradhës do të titullohet:  “Prizreni buzë detit”.

Lëviz nëpër qytet dhe herë pas here vetja më duket sikur jam në Berat e në Gjirokastër. Lagjet kanë shumë ngjashmëri. E pyes veten nëse ka Prizreni ashtu si Gjirokastra një lug që të quhet “Sokaku i të Marrëve”? Pyeta dhe u ngjita deri në kala. Ciceroni më tha se Prizreni paçka se nuk ka ndonjë emërtim si ai i Gjirokastrës edhe në mëhallat e tij ka vende me bëma të çuditëshme. Njerëz të veçantë kanë lënë gjurmë që tregohen herë pas here. Nëpër dallgët me akull të Lumbardhit një njeri i krisur që banonte poshtë kalasë kishte mundur të ndizte një zjarr në mes të lumit dhe të piqte aty një dash. Gjithashtu nëpër oda tregohet për një prizrenas të fortë, i cili një shkëmb e ngjiti në majën e malit të Sharrit. Kuçedrën që vinte prej Drinit të Bardhë trimat e coptonin që në hyrje të qytetit. Gjergj Elez Alia është parë në kalanë e qytetit. Duan të thonë se një këngë për Gjergj Elez Alinë është krijuar nga një rapsod, i cili banonte në kalanë e qytetit. Në Prizren edhe sot këndohet varianti i kësaj kënge:- /Trim mbi trimat njaj Gjergj Elez Alija//qe nand’ vjet, nand varra në shtat m’ka!//Veç një motër nat’ e dit’ te kryet,/ja lan varrat me ujt’ e gurës nandvjeçe.//Ja lan varrat me ata lot e syve.//Ja terr gjakun me ata flokët e ballit/. Nuk shkëputem dot nga tregimet e qyetit pa “sokak”, por legjendar. Në malin e Pashtrikut rrufetë ndiznin zjarre e barinjtë ngrohnin kazanët me qumësht. Ishte parë një gjarpër në Bjeshkët e Korishës, që pinte qumësht në sisën e një lope. Tregohet gjithashtu dhe për një djalë nga Prizreni.

-Kjo nuk është legjendë besoj, por ngjarje e vërtetë?

Po e vërtetë! Flitet kur nuk ishte çliruar Kosova. Djaloshit të ri nga Prizreri i kishin rrëmbyer të dashurën. Dhe këtë e kishte bërë një udbash. Djaloshi qëndroi dy vjet nëpër Beograd në kërkim të asaj që ai e kishte të dashur. Pas mundimesh të egra ai e gjen të dashurën. Kështu e tregojnë. Po si? Në një lagje me vila luksoze djaloshi pa një vazo me zambak Prizreni. Kur koloneli serb e kishte rrëmbyer të dashurën e djaloshit nga Prizreni vajza e bukur i kishte kërkuar udbashit që ai ta lejonte dhe ajo të merrte me vete ca rrënjë zambaku. Për habi serbi e kishte lejuar. Dhe djaloshi që gjurmonte për të gjetur të dashurën e rrëmbyer në vazon e vilës ku kishin çelur zambakët i njohu ata. Ishin zambakët e Prizrenit. Që nga poshtë dritares së vilës vërshëlleu një melodi baritore nga ato të malit të Sharrit. Ishte melodia e këngës “Ç’u këput një këmbë e Sharrit dhe zuri tre barinj”. Koloneli serb e diktoi djaloshin nga Prizerni dhe e vrau. E dashura u hodh nga ballkoni i vilës dhe vdiq.

-Çfarë të bëri përshtypje këtë radhë në Prizren?

Nëpër mëhallat e Prizrenit lexojmë emra që kanë lidhje me Shqipërinë si Vlora, Saranda, Berati, Korça, Shkodra e Tirana. Por gjithashtu ka dhe emra të çuditshëm. Lexojmë Labëria, Kabashi, Valbona, Llogoraja e të tjerë. Futemi në lokalin “Labëria”. Lokali më tërhoqi vëmendjen. Ai qe tipik tradicinal. Me qilima e poste dashi të leshta. Nëpër mure kishin varur lëkura ariu, dhi të egra, dhelpëra, sorkadhe e baldosa. Në oxhak këndonte me “lahutë” një zjarr që shfrynte si të qe kal. I zoti i lokalit “Labi” qe një prizrenas rreth të pesëdhjetave. Piqte mish në hell. Bënte dhe humor. “Labi” gjatë pandemisë e kishte transferuar lokalin në bjeshkët e malit të Sharrit. Qe pyll i madh. Klientët që vinin aty nuk infektoheshin nga kovidi 19 -të. Edhe vet nuk kishte pësuar gjë. Pasi na qerasi me raki e verë Rahoveci na tregoi se dikur në rrënojat e lokalit “Labi” ka qenë një han. Kur u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit tek lokali i hanit vinin, pinin kafe dhe hanin drekëra e darkëra udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare si Avdyl Frashëri e Sylejman Vokshi, të cilët u burgosën dhe u internuan. Shkitë ja kishin fshirë emrin “Labi”. Në një rast edhe e kishin djegur. Pas çlirimit të Kosovës qe ringritur lokali “Labi”. Kur po bëja fotografi tek obelisku i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për dreq m’u kujtua Enver Hoxha. Çfarë nuk ishte shkruar për të. Edhe unë kisha shkruar dhe botuar. Po një gjë më ka mbetur pa e thënë për lexuesin. Sulo Gradeci më pati treguar se Enver Hoxha në një drekë familjare qe shprehur se i mbetej një peng në jetë. Ai nuk mundi të bëjë një vizitë në Kosovë. E pati të pamundur. Jeta nuk i teproi. Kosova u çlirua 13 vjet pas vdekjes së tij.

Ndahem me Kryetarin e Komunës së Prizrenit Shaqir Totaj. Sot është festë dhe ai ka detyrime të tjera. Unë eci anës Lumbardhit. Përpara Xhamisë së Sinan Pashës ndaloj. Lumi që kalon nëpër Prizren, dhe që quhet Lumbardhi, gjëmon si det. Dallgët e Lumbardhit ma ngacmuan imagjinatën. Në këtë lum të akullt është hedhur hiri i aktorit me famë botërore Bekim Fehmiu. Ai para se të vriste veten e la amanet. Trupin t’ja digjnin dhe hirin ta hidhnin në Lumbardhë. Ishte lumi i tij magjik. Nën simfonitë e tij qe rritur. Rashë në mendime në buzë të lumit. Para se të vija në Prizren isha në qytetin e Përmetit. U thashë miqve se për ta festuar 28 nëntorin do të shkoja në Prizren. Atje një nga miqtë e mi më dha një çantë të lëkurtë të mbushur me fara borziloku. Miku më dha porosi që farën e borzilokut ta hidhja anës së lumit, ku të kishte ndonjë pëllëmbë tokë. Borziloku do të mbijë e hiri i trupit të Bekim Fehmiut do t’i marë erë. Dhe unë ashtu bëra. Farën e borzilokut të Përmetit e shpërndava ku gjeta tokë e zgërqe. E hodha dhe në kllapat shkëmbore. Tek mbillja farën e borzilokut solla në mendje një kujtim të hidhur.

-Gjithmonë kujtimet e hidhura kanë brenda ngjarje rrënqethëse. Po këtë radhë me kë personazh do na lidhësh?

Isha në Gjirokastër kur Bekim Fehmiu e vizitoi qytetin muze në vitin 1972. Megjithëse nuk besoj se e ndiqte Sigurimi i Shtetit aktorin, i cili po i binte Shqipërisë cep më cep përthitheshin informacione. Mua pushteti vendor meqënëse merresha me letërsi më caktuan për të vëzhguar tek libraria e Qafës së Pazarit. Aty shërbente një librar me emër. E quanin Emir Alizoti. Librari ishte djalli vetë. Do të fiksosh ndonjë lëvizje të Bekim Fehmiut më tha ai. Jo, iu përgjigja i fyer. Në orën nëntë aktori fillikat po ngjitej drejt Qafës së Pazarit. Unë kur e pashë nga xhamat e librarisë u drodha. E kisha idhullin tim. Bekim Fehmiu vështronte sa majtas – djathtas. Gjirokastritët i hapnin udhë sikur ai të ishte ndonjë Anëtar i Byrosë Politike. Shiko se ç’bën fama i thashë vetes! Në televizionin shqiptar qe shfaqur filmi “Odiseu”, ku Bekim Fehmiu kishte tronditur Hollivudin. Vetëm pesë minuta munda ta vështroja Bekim Fehmiun. Kur më kërkuan informacion për ato që pashë si “vrojtues” i librarisë së Alizotit unë shkrova: “Në udhën e Qafës së Pazarit Bekim Fehmiu luante film. Gjirokastritët e përshëndesnin”.

Udhëve të Prizrenit dhe nëpër kafene nuk mungon dhe humori me spec djegës. Prizrenasit mallkojnë klyshin e Sharrit me emrin “Pasha”, që Vuçiç ja dhuroi mote më parë carit të Rusisë, Putinit. “Pashai” është rritur thonë tregimtarët. Vijnë lajmet se Putinin e kanë parë në fermën e tij duke u përqafuar me mikun nga mali i Sharrit në Kosovë. Putini me “Pashain” qetëson nervat. Ai është në skizofreni të plotë me krimet macabre, që po kryen në Ukrainë. Prizrenasit shpresojnë që “Pashai” ta shqyejë Carin e çmendur të Rusisë. Raca e qenve të Sharrit e kanë një dërrasë mangut. Kur i nuhasin i hanë të gjallë vrasësit.

Është e pamundur që në këtë ditë feste mes prizrenasve të mos diskutohet dhe për dokumentin autentik të Shpalljes së Pavarësisë. Prindërit dhe gjyshërit e prizrenasve kane qenë emigrant. Por në rrethana të caktuara ata kanë mbaruar studimet në Beograd. Dhe kanë dëgjuar nga vet beogradasit se dokumenti origjinal i Shpalljes së Pavarësisë gjendet në arkivin privat të Titos. Kjo enigmë vazhdon të jetë një shqetësim për studjuesin nga Lumi i Vlorës Bardhosh Gaçe. Bardhoshi në rininë e tij ka qenë mësues në fshatin Morinë të Kukësit, aty ku dikur ka qenë Ura e Lotëve. Studjuesi pati dëgjuar nga malësorët e Morinës të njëjtën gjë që e thonë edhe sot në ditën e festës prizrenasit. Dokumenti ka rënë në duart e Titos. Mbetet mister sesi dokumenti origjinal nga dora në dorë nëpër mote mbërriti në “prehrin” e Titos. Enigma vazhdon.

Ura e Lotëve është ura e shpirtit tim. Tani mbi të është ndërtuar autostrada. Aty në rininë time dilja së bashku me poetin tragjik Agim Spahiu, i cili në vitet e demokracisë vrau veten. Agimi kishte jetuar një çast të paharrueshëm në jetën e tij. Skulptori Odhise Paskali një mbasdite me borë, përballë stadiumit të qytetit, po mendohej që të gjente një pozicion të përshtatshëm për të vendosur monumentin e Skënderbeut. Ishin grumbulluar shumë qytetar të Kukësit. Papritur një malësor i hipur në kalë kur e pa se skulptori ishte në ethe i tha: – Ore mik! Këndej, këndej vendosja fytyrën Skënderbeut. Të vështroi Kosovën! Dhe skulptori ashtu bëri. Skënderbeu që nga monumenti vështron nga Kosova. Tani ka vetëm një ndryshim. Kosova është e çliruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok