21/12/2024

Flet ish-operatori i TVSH Bujar Kore: “ Ju tregoj 3 takimet e rralla me Nënë Terezën

0
Bujar-Kore

– Ishte 14 gusht i vitit  1989, kur ajo zbriti për herë të parë në aeroportin e Rinasit

Në vizitën e parë të Nënë Terezës kam bërë mbi 10 orë xhirime

-Lajmi i ardhjes së Nënë Terezës në TVSH u dha vetëm 20 sekonda para

-Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia nuk e pritën mirë kërkesën e saj për hapjen e kishave dhe xhamive

– Nënë Tereza donte t’i puthte dorën Papa Vojtilas, por ai e puthi në ballë

Nga Albert Z. ZHOLI

Bujar Kore është një nga emrat më të njohur të TVSH pasi përmëse 40 vjet në këtë institucion ka filmuar ngjarje nga më të rëndësishmet në historinë e Shqipërisë komuniste. Një nga figurat emblematike, që ai ka filmuar dhe që i ka lënë mbresa të pashlyeshme është Nënë Tereza. Një tjetër moment i paharruar mbetet pritja që i bëri Nënë Tereza Papës në Rinas. Aty pa se si Nënë Terezën, Papa e puthi në ballë dhe nuk e lejoi t’i puthë dorën, pasi shenjtëria e saj ishte më e madhe, ndaj theksoi se “Nënë Tereza është Nëna e të gjithë Botës”. Kujtimet e tij për këtë figurë janë një pjesë e historirisë së lavdishme të kombit tonë.

Në këtë kohë Pandemie me se po merret Bujari?

Me se po merrem?! E kam kthyer shtëpinë në studio aq sa zihem me gruan. Kam me kilimetra xhirime që i seleksionoj dhe po i përmirësoj. Kur i shikoj habitem. Nuk e besoj se kam shumë ngjarje në Shqipëri që kanë kaluar dhe nga kamera ime.

-Besoj se një nga ngjarjet më pikante është xhirimi me Nënë Terezën. A e njihni mirë në sistemin komunist Nënën e madhe të Njerëzimit dhe kur mbërriti ajo në Shqipëri ?

Nënë Tereza sot ka ditën e përjetësisë. Sigurisht xhirimet me të janë nga më të bukurat në jetën time si operator. Unë dija shumë pak për Nënën e madhe pasi atë kohë nuk na lejohet të pyesnim shumë për të, por kur thanë se do vijë në Shqipëri filloja të gërmoj shumë. Po çuditesha me atë figurë. Një trup i vogël me vepra madhështore. Para saj përuleshin personalitetet më të mëdha të botës.  Ishte 14 gusht i vitit 1989 (Vizita u realizua në 14-17 gusht 1989.), kur ajo zbriti për herë të parë në aeroportin e Rinasit, në tokën shqiptare. ishte një vizitë historike, ku shtypi i huaj i dha rëndësi të madhe, ndërsa media jonë e kaloi përciptazi. Ajo ishte e shoqëruar nga disa motra të saj. Ajo që më ra në sy ishte se atë nuk e priti asnjë zyrtar i lartë i kohës. Pra asnjë anëtar i Byrosë Politike apo Kryeministër, ndërkohë që në çdo vend të botës ku ajo shkonte pritej si Perëndi. Ishte një pritje e thjeshtë, tepër modeste për një grua të madhe. Ajo zbriti në Rinas ashtu shtatvogël por që linte pas një ndriçim prarues që të dukej se diçka ndriste në çdo hap që hidhte. Ecja e saj, veshja e saj, shikimi i saj ishte magjeps. Me të vërtetë ajo të shtangte. Bëja çudi kur një botë e tërë çohej në këmbë para saj në Shqipëri kjo lavdi ishte thuajse inegzistente. Ishte koha kur ende feja në Shqipëri ishte e ndaluar dhe kultet fetare nuk ishin hapur dhe besimtarët luteshin fshehurazi nëpër shtëpi.Mëmë Terezën në Rinas e priti zv.minsitri i Shëndetësisë së asaj koha dhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe nja dy tre të tjerë. Ishte një pritje e thjeshtë, pa shumë zhurmë dhe pa shumë ceremoni. Ajo ishte shoqëruar nga disa motra të saj.

-Juve  ju caktuan për të filmuar çdo lëvizje të saj në Tiranë dhe në Shqipëri. Me cilin gazetar ishit në këtë event historik për Shqipërinë?

Caktimi për të filmuar vizitën e saj mbetet ngjarja më e bukur e jetës sime. Sot kur e mendoj dhe e shikoj në retrospektivë them se kam lindur me fat së bashku me gazetarin Ferdinand Samarxhi. Ndoshta atë kohë: atë moment duke pasur parasysh sistemin nuk pata ndonjë emocion, por sot kur shikoj famën, respektin, mirësitë, lavdinë e saj them se ndihem tepër i përkëdhelur. Por edhe për ato momente i bëra shumë pyetje vetes. P.sh si ka mundësi që e presin një grua me emër dhe nuk i japin rëndësinë e duhur? Pse nuk pritet si priten shumë kryetarë partish komuniste apo anëtarë të Byrove Politike të vendeve ish-komuniste? E dija që feja ishte ndaluar tek ne dhe ajo ishte një shenjtore, por përderisa e linin të vizitonte Shqipërinë pse të mos bëheshin nderet e duhura? Kur shkova në aeroport pata shumë emocione. Madje mund të then se kisha shumë kureshtje, kisha shumë mendime në kokë. Pritej një shenjtore. E mbaja kamerën në duar dhe prisja momentin të filmoja. Kur ajo zbriti shkallët e avionit për një moment u stepa. Nuk e shkela këmbëzën e filmimit. Kisha shumë kureshtje pasi hera e parë që isha në një pritje të tillë. Sa bëri hapat e para i thirra mendjes. Duhej të lija kureshtjen dhe të bëja detyrën. Unë nuk isha si të gjithë pro me një detyrë specifike. E çoja kamerën me kujdes ku ajo shkelte. Prisja një gjigante, por ajo ishte e shkurtër e dobët, por kishte forcën e shpirtit të madh. Të impononte dëshirë për ta ndjekur, me atë fytyrë engjëllore dhe veshje specifike më bëri të tërin për vete.

Flitet shumë për këtë vizitë madje hidhen shumë hipoteza për vizitën e saj. Por duke qenë se ishit më afër a arritët të kuptonit se cili ishte qëllimi i vërtetë i Nënë Terezës në Shqipëri dhe cilat ishin takimet kryesore?

Për atë vizitë historike edhe sot flitet shumë. Madje më pyesin miqtë vazhdimisht. Me sa mora vesh ajo kishte qëllim që misionin e Motrave të saj ta hapte dhe në Shqipëri. Donte patjetër që vendi ynë të ishte pjesë e këtij misioni fisnik. Por atë kohë ishte tjetër ideologji, jo çdo gjë mund të bëhej me një firmë. Feja ende ishte opium, ishte tejet e ndaluar. Ne në këtë drejtim ishim vendi më i pa fe në botë. Feja ishte tabu absolute. Nëna e madhe pati shumë takime, por unë do të veçoj dy. Takimi i parë ishte me Ramiz Alinë, vazhduesin e veprës dhe rrugës së Enverit (pra Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH) dhe së dyti me Nexhmije Hoxhën. Takimi i parë u bë në zyrën e Ramiz Alisë dhe takimi i dytë në shtëpinë e Nexhmije Hoxhës. Në takimin me Ramiz Alinë Nënë Tereza i kërkoi shefit të PPSH për një vend apo ndërtesë për të hapur përfaqësinë e misionareve të saj ën Tiranë. Të njëjtën kërkesë ja parashtroi dhe Nexhmijë Hoxhës. Ata i dhanë afërsisht të njëjtën përgjigje. Ramizi i tha se nuk janë pjekur kushtet në Shqipëri për ligjërimin e fesë dhe të misioneve të tilla fetare në Shqipëri, pasi është e ndaluar me Kushtetutë propaganda fetare. Ndërsa Nexhmija më me diplomaci ju përgjigj se nuk kishte ajo autoritetin dhe firmën për një diçka të tillë. Pra si duket ato ishin marrë vesh për të mos e lejuar hapjen e një misioni të tillë të Motrave të Nënë Terezës në Shqipëri. Por me sa shihja Nënë Tereza u habit dhe u mërzit shumë me këtë përgjigje, që i dukej absurde. Kjo më tepër se misioni i Motrave të saj ishte përhapur në gjithë botën ku ajo respektohej si një Presidente. Më vinte keq shumë kur shihja fytyrën e saj që shprehte habi. Kishte besim se diçka pozitive do të ndodhte. Por…

TVSH ishte atë kohë e vetmja media vizive në Shqipëri ku censura ishte në plan të parë a u dha lajm-kronikë në TVSH kjo vizitë?

Të them të drejtën unë kisha shumë xhirime dhe prisja të bëhej diçka speciale. Prisja që do pasqyrohej me pomozpitet, por….U habita më vonë. U habita! E vërteta ishte se u dha një kronikë vetëm 40 sekonda. Kronika përcillte se “ Sot në Tiranë erdhi për një vizitë Nënë Tereza….”. Pra shkurt, shkurt fare sikur bëhej djalë për mbjelljen e domateve në një ndërmarrje bujqësore. Lajmin e përgatiti gazetari Ferdinand Samarxhi. Ju thashë që pata fatin dhe nderin e madh që të filmoj këtë vizitë me detaje. Nuk lodhesha së xhiruari . Ajo ishte një Hyjneshë e zotit. E filmova në të gjitha vendet ku shkoi dhe takimet që bëri. E filmova kur zbriti në Rinas, kur takoi Ramiz Alinë, kur takoi Nexhmije Hoxhën dhe në disa vizita që bëri në veri të vendit. Kam shumë kujtime të bukura dhe foto me të. Kur më prekte dorën apo më afrohej më dukej sikur zoti vetë më merrte në mbrojtje. Kishte një frymë të shenjtë. Shumë takime nuk u dhanë, por unë i kam në arkivin tim. Shumë të tjera i kanë marrë televizionet e tjera dhe i përcjellin tek shikuesi si të tyre, pa emër autori. Kam bërë mbi 10 orë xhirime, njëra më e mirë se tjetra. Xhirime që më kanë lënë mbresa të mëdha. Por sot në arkivin e RTSH nuk gjen as një orë xhirime. Ish-drejtorët e asaj kohe me radhë i përvetësuan dhe nuk e di ku i kanë çuar këto xhirime për përfitime personale.

Kur ka ardhur për herë të dytë Nënë Tereza?

Për herë të dytë ka ardhur kur proceset demokratike kishin sjellë demokracinë në Shqipëri. Ishte 18 gushti i vitit 1992, kur President ishte Sali Berisha dhe Kryeministër Aleksandër Meksi. Tashmë shumë gjëra kishin ndryshuar. Në këtë vizitë Nënë Tereza u shpreh hapur se “Shqipëria është toka e gjakut tim” dhe “Në vend të urrejtjes dashuri”. Asaj prej shumë vitesh i ishte mohuar e drejta të vizitonte Shqipërinë dhe varrezat e të afërmve në Sharrë që nga viti 1928 kur ishte larguar. Ajo nuk kishte vendosur një tufë me lule në varet e të afërmve të saj në Sharrë. Ajo zhvilloi takime me Sali Berishën dhe me Aleksandër Meksin, të cilët i dhanë mbështetjen për hapjen e misionit të saj të bamirësisë së Tiranë.

Po takimi i tretë?

Ishte 25 prill  1993! Nënë Tereza priti Papa Vojtilan në Rinas. Më bëri çudi për rëndësinë dhe dashurinë e madhe që tregoi Papa ndaj Nënë Terezës, Ajo donte t’i puthte dorën ndërsa ai u ul paksa dhe i puthi kokën (ballin). Një gjest shumë human dhe vlerësues. Papa theksoi se Nënë Tereza është simboli i gjithë shqiptarëve por edhe të gjithë njerëzve të vuajtur. Ajo i ka bërë shqiptarët të njohur kudo në botë me veprën dhe punën e saj. Shërbimet e saj për të varfërit kudo në botë janë shumë të mëdha tha Papa. Ai e quajti Nënë Terezën Nënë të të gjithë Botës. Gjatë vizitës së tij të 25 prill 1993, në Shkodër, Papa Gjon Pali II në mbarim të lutjes së mesditës “Mbretëresha e Qiellit”, nga ballkoni i kryeipeshkvisë së Shkodrës i drejtoi një përshëndetje Nënë Terezës. Këto fjalë kuptimplote të Atit të Shenjtë ripohuan përfundimisht para mbarë botës origjinën shqiptare të Gonxhe Bojaxhiut, të Shenjtes Nënë Terezë. Ja fjalët e Papës “Të dashur, nuk mund mos të përshëndes një person fort të përvuajtur që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza e Kalkutës. Të gjithë e dinë nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte pikërisht kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbëtore e përvuajtur e më të varfërve ndër të varfër që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut t uaj. Në të, në personin e Nënë Terezës Shqipëria është nderuar gjithmonë. Ky është misioni i saj e i të gjithë atyre, që porsi ajo, janë ndjekës të vërtetë të Krishtit, apostuj të Krishtit, apostuj të dashurisë e të përdëllimit. Ju falënderoj sot në emër të Kishës Universale, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj”!

Në Ditën e Lumturimit

Më 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, të mbushur përplot me shqiptarë të ardhur nga të gjitha viset, së bashku me qindra mijëra shtegtarë të ardhur nga mbarë bota, Papa Gjon Pali II e shqiptoi formulën kanonike të Kishës që e lartonte Ganxhe Bojaxhiun – Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës, në nderimet e altarit. Ja fjalët e çastit kulmor, shqiptimi i Formulës së Lumturimit nga Papa Gjon Pali II atë ditë të paharrueshme të 19 tetorit 2003:

“Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllait tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet “E Lume” e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok