21/11/2024

Flasim për tolerancën, po realisht veprojmë ndryshe…

0

“Sukses është  të  mbushësh shpirtin çdo ditë me paqe!”-(Paulo Coelho)

Nga Fran Gjoka

Idetë dhe debate për tolerancën dhe nevojën e kthimit të tij në një instrument social të përgjithshëm në sistemin e komunikimit njerëzor e social, janë të hershme. Të nevojshme në të gjitha llojet e lidhjeve dhe komunikimeve personale, interpersonal e sociale. Problemi është se në shumë raste ky term zhvishet nga substance dhe përmbajtjha e vërtetë duke u kthyer në një “slogan të pëpërshtatshëm” dhe jo të dobishëm. Sa herë ka vështirësi komunikimi dëgjojmë të thuhet më shumë tolerancë, sjellje më shumë tolerante, ose qëndrimi juaj nuk ishte aspak tolerant etj. Sidomos në kohët e sotme kur në shoqërinë shqiptare janë rritur kuotat e nervozizmit social dhe kur temat dhe betejat e konflikteve në familje, shkollë e shoqëri janë shtuar, ky term, sa vjen e bëhet pjesë e bisedave tona. Një substancë që rrjedh dukshëm  në marrëdhëniet e përditshme, në jetën publike e administrative. Sot problemet e shumta e të thella që ka shoqëria shqiptare, familja a individi Brenda vetes apo në lidhje dhe marrëdhënie me të tjerët, krahas përparimeve në zgjidhjet mirëkuptuese e tolerante, shpesh po zgjidhen në rrugë tradicionale të konfliktualiteteve aggressive e banale, pa mirëkuptimin dhe konsensualitetin e nevojshëm. Madje shoqëria jonë po “prodhon” me tepëri forma të dhunës, krimit me gjak të ftohtë, dhe sjelljeve reciprokisht aggressive qoftë në kuptimin klasik, fizik apo psikologjike. Këto forma jo humane të komunikimit dhe zgjidhjes jo tolerante të konflikteve po zënë gjithnjë e më shumë vend në jetën tonë të përditshme, madje disa herë janë ende sunduese. Mungesa e etikës, një fjalor fyes dhe tepër rëndues e një komunikim i vrazhdë e brutal, është i dallueshëm në brendësi të lagjeve, qendrat  e banuara, në mjediset argëtuese, tek udhëton e kalon rrugës, në oborret e jashtme të shkollave, ku mirësjellja, rregulli duhet të përbëjnë bazamentin mbi të cilin duhet të hidhen konturet e një shoqërie në progress komunikativ.

Me keqardhje shikojmë individë, por edhe njerëz të arsimuar, ku ruhen zemërata, të cilat shkarkohen, ka emocione negative e veprime irracionale që shfaqen si reminishenca të sjellin në mëndje pamje të diferencuara kodesh mesjetare e kohë të perënduara të mënyrave të hakmarrjes primitive, antinjerëzore. Tolerancë në gojën e popullit është përdorur në kuptimin “Me lëshue pè”, me hapë rrugë, të cilat i kanë shërbyer atij për të afruar punë, për të zbutur qëndrimet, për ta bërë më jetën më të mirë dhe shoqërinë më miqësore, më të qëndrueshme. Se si thonë “fjala vret më larg se topi”, Për  tolerancën mbase jo aq në mënyrë akademike në shoqërinë tonë ruhen thesare brilante të kësaj mençurie, që e mësonin njeriun që në vogëli të ishte burrëror, po ama i matur, i sjellshëm, fisnik në vese e ta nderojë fort mikun e komshiun. Pas kapërximit të sistemit të vjetër, në të cilin tolerance ishte në kundërshtim me ideologjinë e “luftës së klasave si motor I shoqërisë, termi tolerancë, në përmbajtjen e vet hyri më gjërësisht në sistemin e komunikimit të përditshëm, dhe të paktën teorikisht është bërë më i përdorshëm pas viteve 1990. Të tolerosh do me thënë të zmbrapsesh, të tërhiqesh, të hedhësh inate, pjesë që të ndajnë e të pranosh zgjidhjen e arsyeshme. Në një kuptim, toleranca mund të përkthehet si bashkëpunim, të ruash e të kontrollosh emocionet, të bësh zap veten. Të gjithë jemi gati të themi raste kur, bie fjala, na vjen keq kur dikush, nuk ka qenë i duruar e me të padrejtë na ka zemëruar a fyer. Apo një rast kur vetë ne, në zemërim e sipër, jemi shpejtuar dhe e kemi rënduar me fjalë tjetrin. Tërë këto tensionime dihet tashmë se në mjedise shqiptare varfëria vazhdon të jetë e pranishme çka përbën një shkak më shumë për raste e ndodhi të padëshirueshme. Të dhënat të çojnë në një numër arsyesh pse bie fjala, një kategori adoleshentësh nuk janë tolerantë, madje shfaqen deri të dhunshëm. Duhet pranuar se disa të rinj shpenzojnë shumë kohë të lirë në mjetet e informimit, çka i vë ata në pozita pasive apo më keq, imituese, që i ka larguar nga libri, bisedat intime familjare. Efekti negativ rritet, kur edhe moshat e vogla ndjekin me orë të tëra filma, emisione me dhunë e pornografi e skena të pakëshillueshme për moshën. Gjithandej në media, në shkollë, në jetën e përditshme sociokulturore e politike, në komunitet dhe në institucione administrative ndeshemi e ballafaqohemi me fjalën tolerancë, më shumë  tolerancë, më tepër tolerantë, je tolerantë ose nuk je i tillë, vepron, sillesh e komunikon me tolerancë etj. Jo vetëm në të shprehur, por më tepër në përmbajtjen e fjalës dhe në kuptimin e saj ka paqartësi, keqkuptime dhe interpretime jo të sakta. Ndodh, jo rrallë, që koncepti tolerancë ngatërrohet me koncepte që janë të përafërta, por që nuk janë të njëjta. Jo vetëm në kuptimin social, por edhe në atë psikokulturor. Shembuj nga jeta e përditshme, e mbushur me pështjellime, konfuzione, konflikte, rebelizma, gjendje emocionale afektive, impulsivitete e vetëgjyqësi, që të krijojnë përshtypjen e qëndrimeve dhe zgjidhjeve tolerante, por që në të vërtetë nuk janë të tilla. Toleranca e vërtetë duhet dalluar e veçuar nga konceptet dhe qëndrimet e tjera që i qëndrojnë përreth asaj.

Ajo arrihet dhe qëndrimi është tolerant atëherë kur, së bashku me të tjerët, gjendet një zgjidhje e caktuar dhe e pranueshme e një problemi, mosmarrëveshje apo konflikti, që për formën përfundimtare të tij janë të interesuar të gjitha palët e përfshira në të. Në të tilla raste, zgjidhja jep rezultat vetëm kur njihen realisht konflikti, aktorët, shkaqet dhe rrethanat. Varianti përfundimtar i zgjidhjes nuk duhet të jetë barazmitar, as konformist, por real dhe i paanshëm dhe që në një farë mënyre i kënaq të gjitha palët. Zgjidhje të tilla kanë edhe një vlerë tjetër, pasi palët njohin më mirë veten dhe interesat e tyre. Në një tubim për hakmarrjen dhe gjakmarrjen me përfaqësues të moshave, kulturave dhe subkulturave të ndryshme, në një zonë rurale, pyetjes së shtruar: -A duhet të jemi tolerantë?, numri i atyre që u përgjigj në mënyrë pozitive dhe pa hezitim, ishte mbizotërues. Pjesëmarrësit në tërësi kishin një mendim të unifikuar: njeriu duhet të respektojë tjetrin, ta dojë, t’i lërë hapësirë për veprimtarinë e tij, të arrijë të vihen në jetë, të vlerësojë traditat, zakonet, bindjet dhe ritet fetare që mbartin e praktikojnë individët dhe grupet e tjera sociale. Shkurt, njerëzit janë për tolerancën. Ata deklarohen shumë tolerantë, por që në shumë raste nuk janë të tillë, në kuptimin që tjetri ose të tjerët kanë për tolerancën. Këtë e tregon dhe realiteti i sotëm i Shqipërisë postkomuniste, që na jep një pamje tërësisht tjetër. Intoleranca në shumë raste dikton dhe imponon. Ndodh jo rrallëherë që është edhe sunduese. Kështu për shembull, në vend të dialogut, ka imponime dhe të diktuar të të folurit, më të pushtetshmit, por jo më të zgjuarit dhe as më të diturit e më të shkolluarit. Konfliktet zgjidhen më shumë me forcë e vetëgjyqësi se sa me mirëkuptim e rrugë ligjore. Dhuna fizike, psikologjike, institucionale dhe seksuale etj., është ende e përhapur dhe në zona të veçanta dominuese. Vrazhdësia në komunikim dhe mungesa e etikës në fjalor vërehet kudo: në rrugë, në mjedise publike, në shkallë dhe në komunitet të vogël, në institucione dhe aq më tepër në shkollë,  ku është dhe duhet të jetë bash vendi i tolerancës dhe i tolerantëve, i paqes dhe i mirëkuptimit, kompromisit dhe i komunikimit njerëzor. Tek individë dhe grupe të veçanta sociale fatkeqësisht edhe tek “intelektualë” e të shkolluar ka ende inate, që presin t’i shkarkojnë me t’ju dhënë mundësia vendimmarrëse e institucionale, duke zbatuar atavizmin mesjetar të hakmarrjes primitive. Ka ende mllefe, nacionalizma dhe akte terrorizmi. Dhe atje ku ka inate, që vijnë për mungesë të formimit demokratik dhe edukimit të dobët social, nuk mund të bëhet fjalë për tolerancë dhe tolerantë. E njëjta gjë ndodh edhe në ato raste  kur shkelet ligji dhe ka diferencime në zbatimin e tij. Ja disa pamje të trishtueshme të intolerancës në qytetin tonë të vogël. Para nesh kalojnë makina luksoze, ndonjëherë edhe pa targa dhe me shpejtësi jashtë normave të lejuara. Shkelin kështu rregullat e qarkullimit dhe shpërfillin “në emër të njohjes”, të frikës së pushtetit ose të hakmarrjes, policinë e qarkullimit, njerëz të vrazhdë e disi të egër në sjellje dhe në komunikim, që nuk i njohin ose nuk i përdorin fjalët: më fal, të lutem dhe faleminderit. Ka ende individë dhe përfaqësues subkulturash me sjellje e qëndrime devijante e pse jo, edhe ksenocentriste për kulturën dhe vlerat kulturore që posedojnë të tjerët, duke paragjykuar edhe normat, traditën, kulturën dhe vlerat kulturore  të një subkulture tjetër. Në një rast tjetër, një djalë ndalon me fjalë fyese e disi me forcë një vajzë që kalon rrugës në punën e saj. Në një rrugë dallojmë një ndërtesë “të ligjshme”, që hedh shtat dhe që i zë frymën e pamjen një institucioni të edukimit, një qytetar që nxjerr nga mullari i barit të thatë kallashin dhe vret komshiun për një vijë ujë, diku tjetër një baba qëllon të bijën, sepse ajo ka shkelur kodin e familjes tradicionale patriarkale dhe ka dalë në shëtitje me të dashurin, një shitës kasetash, që në orët e vona të natës, mu në mes të pallateve, me zërin e lartë të magnetofonit të tij s’do t’ia dijë për të tjerët dhe për përgjegjësitë që ai ka në komunitet, një kalimtar që i hedh mbeturinat vend e pavend, një zyrtar që i mbyll me inat derën një hallexhiu, meshkuj që konkurrojnë në politikë dhe shpërfillin me intolerancë përpjekjet e gjinisë femërore për të bërë edhe ajo karrierë. Dhe ajo që të shqetëson sot është tronditëse: djemtë po vrasin prindërit e tyre për një “llaf goje”, ku mbetet e dhimbshme dhe tronditëse për shoqërinë e sotme shqiptare. Duke ju referuar shembujve të mësipërm, nuk mohojmë as rastet e zgjidhjes së konflikteve në rrugë tolerante. Ajo që na shqetëson është fakti se shteti, shkolla, familja, shoqëria civile, institucionet e kultit etj., duhet të ngrenë më shumë zërin, të kultivojnë me të gjithë mekanizmat që disponojnë vlerat në vend të antivlerave, paqen në vend të dhunës, tolerancën në vend të intolerancës, çka nuk është e lehtë të arrihet për shkaqe nga më të ndryshme, ndër të cilët po veçojmë: Njihen kufizimet, deri në mohim të të drejtave dhe lirive të individit dhe grupit, në shoqërinë komuniste. Psikologjikisht, ndryshimi i sistemit, si rregull, shoqërohet me një rritje të konsiderueshme të agresivitetit, me një përpjekje të shpejtë për të fituar kohën e humbur dhe të drejtat dhe liritë. Shpeshherë të shoqëruara këto edhe me gjendje emocionale të ngritur e që dalin jashtë kontrollit. Mirëpo, atje ku ka pasione, drejtojnë instiktet dhe jo logjika, mbizotërojnë ndjenjat e fuqishme dhe intensive dhe jo arsyeja, rrjedhimisht marrëzitë dhe sjelljet devijante nuk kanë të sosur. Është psikologji, që ndonëse nuk është e fillimviteve ’90 dhe 97-të, ajo vazhdon të jetë sunduese në një grup njerëzish, që e kanë të ngulitur në mendje se çdo gjë zgjidhet vetëm përmes forcës, brutalitetit dhe që fatkeqësisht transmetohet edhe tek fëmijët. Tranzicioni i gjatë mbart me vete probleme të shumta sociale, ekonomike, kulturore e psikologjike, që nxisin intolerancën. Goditja që ka marrë e po e merr familja patriarkale po i çon pjesëtarët e saj në një çoroditje e shoqëruar me elemente të krizës, që nuk dinë se ç’pozicion duhet mbajtur e si duhet sjellë, ta zëmë, me moshën e fëmijërisë, të pubertetit dhe të adoleshencës së vonë. Qëndrimet indiferente, të tejskajshme, liberale ose konservatore, janë gjithnjë të dëmshme. Është një vakuum në edukim, që as shkolla, me problemet që ka, nuk e bën si duhet. OJF-të, me përpjekjet e tyre mund të bëjnë edhe më shumë për arsimimin e atyre qindra fëmijëve që nuk shkojnë në shkollë për arsye të ndryshme, që janë kontigjenti më i ekspozuar dhe më i pambrojtur ndaj krimit, intolerancës dhe shfaqjeve të tjera negative. Problemi ka të bëjë me çështjen se në një shoqëri të hapur mund të bashkëjetojnë shumë opinione e mentalitete, mund të bashkëpunojnë e ndërthuren shumë kultura e subkultura të diferencuara nga njëra-tjetra, por s’mundet kurrsesi që brenda një shteti të vetëm, siç ndodh rëndom tek ne, të ekzistojnë dy e më shumë infrastruktura ligjore që të rregullojnë marrëdhëniet e pronësisë, raportet shoqërore, sjelljet juridike të qytetarëve etj. Në një vend demokratik, qytetarët janë të detyruar të sillen sipas një sistemi të unifikuar normash e standardesh të përcaktuara me ligj. Shumë opinione, por vetëm një sistem normash juridiko-ligjore. Të drejtat dhe liritë duhen parë e trajtuar në unitet me detyrat dhe përgjegjësitë, ndryshe motivohet intoleranca, anarshia dhe antivlera dhe i jepet krahë veprimeve devijante. Kushdo duhet ta ketë të qartë se e drejta ime si qytetar përfundon aty ku shkelet e drejta jote dhe se të drejtat duhen kërkuar vetëm brenda kuadrit ligjor. Të tolerosh me ligjin, duke bërë dallime për shkak të detyrës, etnisë, gjinisë, origjinës, arsimit, kulturës që përfaqëson, pasurisë dhe pushtetit që ke etj., do të thotë të kultivosh ndjenjën e mosbesimit tek institucionet dhe pafuqishmërisë për t’i zgjidhur problemet në rrugë paqësore e ligjore dhe t’u hapësh rrugë veprimeve antiligjore e intolerante. Për këto e të tjera arsye, tek ne gjallojnë e manifestohen në mendime dhe për pasojë edhe në sjellje, qëndrime e veprime raste jo të pakta të intolerancës dhe të zgjidhjes së problemeve të akumuluara ndër vite përmes rrugës së violencës. Vetëm kur shoqëria të emancipohet dhe të qytetërohet, rastet e intolerancës do të jenë të rralla. Kjo do arrihet me punën e kualifikuar të familjes e shkollës, institucioneve dhe shoqërisë civile dhe me vendosjen e vërtet të shtetit të së drejtës dhe të atij ligjor. Këtu më vjen ndërmend një thënie për njeriun: ”Gabimi më i madh është nevoja për të parë veten në pasqyrimin e syve të të tjerëve”. Shkurt, një shoqëri e mirëkuptuar dhe e mbështetur në ligjet e këtij vendi, na bën që të mësohemi me artin e dialogut e të dëgjuarit, qoftë edhe kur ky art është i mundimshëm. Në fund të fundit, ky është refleksi i lirisë, kjo është fshehtësia e progresit të vërtetë moral e qytetar drejt të cilit jemi nisur e për të cilin jemi munduar aq shumë. Në se duam të ndërtojmë një shoqëri të drejtë, ajo kërkon më së pari qytetarë tolerant e të mirëkuptueshëm me njëri tjetrin, që dine të komunikojnë, të respektojnë liritë dhe të drejtat reciproke dhe hapësirat e lirisë individuale…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok