21/12/2024

“Fjala e huaj në gjuhë është si dhia ndër dhen”

0
u1_Viron-Kona

Nga Viron KONA

“Fjala e huaj në gjuhë është si dhia ndër dhen”

Bubulinoja bashkëbisedon për gjuhën shqipe me rojen e shkollës

“Pa shihni ç’gjuh’ e mirë!

Sa shije ka e hije,

Ç’e bukur’edh’e lirë,

Si gjuhë perëndie!”

Naim Frashëri

S`është e lehtë të bësh vërejtje

Kur Bubulinoja po hynte në shkollë, dëgjoi rojen e shkollës që po falënderonte një mësues me fjalët:

“-Ejvalla! Ejvallah!”

Pastaj, kur ai pa Bubulinon që po qëndronte aty pranë portës, e pyeti:

-Bubulino, ç`ka këtu për të bërë sehir, pse nuk shkon në klasë?

-Kam për të të thënë diçka.

-Mua?

-Po, nëse është e mundur.

Roja u bë kureshtar: “Çfarë do të më thotë mua ky Bubulinoja?” – pyeti veten dhe e thirri pranë:

-Hajde, tani jam i lirë. Bëjmë bashkë një dorë muhabet dhe më thuaj ç`ke për të më thënë.

-Xhaxhi, unë do të të them disa gjëra, po ti nuk do të mërzitesh, mirë?

-E kush mërzitet me ty, more Bubulino! Iku ajo kohë, kur t`i bëje ca prapësira që s`i mbante dot as kandari, kurse tani kam dëgjuar se shoqet, shokët dhe mësuesit të duan dhe të respektojnë, kështu që edhe unë kam respekt për ty.

-Faleminderit! – tha Bubulinoja dhe vijoi: -Po mendoja ta nisja bisedën time me “së pari” dhe “së dyti” siç bëjnë të rriturit nëpër mbledhje, po më mirë po t`i them mendimet  drejtpërdrejt, ashtu siç i kam.

-Po, Bubulino, ashtu thuaji, mos u druaj, kemi rreth 20 minuta kohë të lirë. Portën e shkollës e kam mbyllur, nxënësit janë në mësim, ata të klasës tënde që janë pushim po luajnë basketboll, kështu që fol, do ta mirëpres çdo gjë që do të më thuash, si i thonë fjalës “t`i kemi sahanët pa kapak”.

-Do ta mirëpresësh edhe po të të them diçka në formë vërejtjeje?

-Pse, deri aty ka arritur puna?!

Roja shqeu sytë nga habia dhe në fytyrë i ra një hije pakënaqësie.

-Unë, more Bubulino, kam vite që punoj këtu dhe s`më ka bërë vërejtje askush, as me gojë dhe as me shkrim. Vërejtje s`më kanë bërë as nxënësit që hyjnë e dalin, as mësuesit, as ata të komitetit të prindërve, as vetë drejtori i shkollës që ti e di sesa i rreptë është. Nga na dolën këto vërejtje tani?!Unë mendova se do të më tregoje ndonjë nga ato aventurat e tua për të shkuar në planetin Mars1) apo ato kundër ngrohjes globale, kurse ti dashke të më bësh vërejtje. Më duket se ke gabuar adresë, Bubulino!

Bubulinoja u step për një çast. E kishte menduar fare të lehtë dhe të thjeshtë bashkëbisedimin me rojen e shkollës, por ja që duhej menduar edhe mënyra sesi t`ia thoshte gjërat.

“-E nisa keq këtë bisedë,-tha me vete,-ky roja u prek dhe u zemërua ende pa e nisur bisedën, me siguri s`ka për të më dëgjuar asnjë fjalë nga ato që kam në mendje. Iu kujtua se diku kishte lexuar që njeriut i pëlqejnë më shumë lëvdatat sesa t`i bësh vërejtje, kurse në një orë të edukatës, mësuesja kishte thënë: Nëse duhet të bësh vërejtje dhe ajo të zërë vend, duhet doemos takt. Në fillim duhet të përgatitesh sesi do t`i thuash gjërat që ato edhe të thuhen siç duhet, edhe të mos keqkuptohen. Pastaj gjatë gjithë kohës duhet të ruash qetësinë që edhe bashkëbiseduesi të mos reagojë ashpër sikur ti po e shpon me gjemba. Përkundrazi butësisht, me fjalë të zgjedhura, por pa e lënë pa thënë atë që ti mendon se është e gabuar. Gjithnjë duke ruajtur qetësinë…”

E pa në sy rojen dhe i tha:

-Unë, o xhaxhi kam shumë respekt për ty, e jo vetëm unë, por e gjithë shkolla. Unë desha vetëm të bashkëbisedojmë për ca gjëra që mua më shqetësojnë dhe që i mbartim të gjithë, mendoj se ti je njeri zemërgjerë me të cilin mund të bashkëbisedosh lirshëm. Këto që do të të them s`janë nga ato vërejtje që bëhen nëpër mbledhje, pasi në këto lloj vërejtjesh përfshihemi thuajse të gjithë, duke filluar nga prindërit tanë, nga gazetat dhe televizionet, nga zyrtarët, që nga ata më të thjeshtët dhe deri tek ata më të mëdhenjtë. Ato që do të të them janë disa gjëra që me dëshirë të mirë rregullohen shpejt. Nëse të duket e tepruar dëshira ime, unë mund të tërhiqem, zëre se nuk e bëmë fare këtë bisedë.

Mua më gjete ti, Bubulino?!

-Kur në këto që ti do të më thuash përfshihen të gjithë, o Bubulino, përse duhet t`i fillosh ato vërejtje nga unë? Mua më gjete ti? Duket s`ke guxim t`ua thuash ato vërejtje të tjerëve: mësuesve, drejtorit, atij të komitetit të prindërve, atyre të televizioneve që vijnë shpeshherë në shkollë, por vjen drejt e tek unë që jam më i parëndësishmi i kësaj shkolle.

-Po e filloj nga ti, xhaxhi, se ti je i pari njeri që ne nxënësit takojmë sapo hyjmë në shkollë; me ty përshëndetemi, me ty bashkëbisedojmë apo të vëmë në dijeni për ndonjë problem që kemi, ty të shprehim edhe ndonjë hall kur ti na sheh të mërzitur dhe na pyet:-Çfarë ke vogëlush? Ne flasim me ty si dhe me prindërit tanë…Pra ti nuk je i parëndësishëm, sepse ty të është besuar e gjithë shkolla. Imagjino sikur ti të lësh derën e shkollës hapur, çfarë do të ndodhë? Këtu do të mblidheshin qentë dhe macet e lagjes, do të vinin bagëtia dhe do të kullosnin në lulishtet e shkollës, do të vinte dikush që do të fishkëllente dhe do thërriste me britma poshtë dritareve kur mësuesit shpjegojnë mësimin…Shumë gjëra do të ndodhnin po të mos ishe ti, kështu që mos e quaj veten të parëndësishëm.

-Faleminderit për vlerësimin, Bubulino, por fol ç`ke për të më thënë, po pres me padurim!

Në tonin e fjalëve të rojes, Bubulinoja dalloi edhe një farë zbutjeje, por edhe kureshtje për ta nisur bashkëbisedimin.

-Ja, po filloj. Kam vënë re se ti xhaxhi kur bashkëbisedon me ne nxënësit, por edhe me mësuesit përdor padashur disa fjalë të huaja dhe të panevojshme.

-Ohu, Bubulino, më duket se vërtet po e tepron akoma pa filluar mirë. Pse, për kë më merr ti mua, për ndonjë nga ata nxënësit e paedukuar që flasin pa i kontrolluar fjalët që nxjerrin? Eh, nuk e mendoja se ti do të më vije në një radhë me ata! Pastaj, ti e di që unë nuk flas fare gjuhë të huaja, unë vetëm në gjuhën shqipe flas, edhe në shtëpi, edhe në rrugë, edhe këtu në shkollë, kudo,  kurse tani na dalka që flas fjalë të huaja të panevojshme. Hajde Bubulino, zbraze thesin që të shohim se çfarë krunde të tjera ka!

-Po e filloj me disa fjalë e shprehje që i dëgjova pak minuta më parë nga ti. Ti e falënderove mësuesin e matematikës, duke përdorur fjalët: “Ejvallah! Ejvallah!” Kështu?

-Po, ashtu e falënderova, ç`të keqe ka këtu?!

-S`ka ndonjë gjë të keqe kushediçfarë, por në gjuhën shqipe ne kemi fjalën “Faleminderit!” Ose, kur m`u drejtove mua përmende fjalën sehir. Në vend të fjalës sehir mund të përdorje fjalën shikoj. Fjalën sehir ti na e thua shpeshherë: “Shkoni vajza e djem dhe bëni sehir shfaqjen se është e bukur!” Më përmende gjithashtu fjalën muhabet, kurse në vend të saj mund të përdorje fjalën bisedë.

-Shiko, shiko, qenke interesant ti Bubulino, duket që s`paska vetëm krunde ai thesi yt!

Vogëlushi vazhdoi:

-Mësuesit të fizkulturës ti po i thoshe: ”Aman, përgatiti sa më mirë basketbollistët e klasës së 10-të, që të fitojnë ndeshjen me ata të shkollës tjetër. Kam një komshi, me të cilin jam në garë se kush do ta fitojë atë ndeshje”. Kështu po i thoshe, apo jo?

-Po, ashtu po i thosha, por ku janë fjalët e huaja dhe të panevojshme këtu?

-Ja, në vend të fjalës aman, ti mund të përdorje fjalën shqipe të lutem, e cila është kaq e bukur, saqë ne shpeshherë e quajmë “fjalë magjike!” Kurse në vend të fjalës komshi, ti mund të përdorje fjalën fqinjë. Të vijoj më tej apo po të mërzit?-e pyeti rojen Bubulinoja.

-Vazhdo, more Bubulino, vazhdo, mua po më duken interesante këto që po më thua. S`m`i ka thënë njeri deri më sot!

Rojes po i binte nervozizmi

dhe po e tërhiqnin “vërejtjet” e Bubulinos

-Xhaxhi,-i tha buzagaz Bubulinoja,- unë e prisja këtë qëndrim dashamirës nga ana jote, kështu që po vijoj më tej duke nënvizuar fjalët e huaja të panevojshme që ti dhe shumë të tjerë i përdorni shpeshherë: Kur ne vijmë ditën e hënë në shkollë, ti na thua: “-Epo ditët e shtuna dhe të diela kështu bëni ju, dilni në sabah, gjezdisni kot rrugëve gjatë gjithë ditës dhe mblidheni në shtëpi vetëm në aksham, kur ju merr uria!” Apo: “Kështu si jeni bërë, ka për t`ju qeshur e gjithë dynjaja dhe i gjithë mileti!” Kurse kur nxënësi ynë doli i pari në garën e 100 metrave, ti e përgëzove me fjalën:”Mashallah!” Kam rastisur një herë te porta kur erdhi postieri dhe ti i the: “Hë, more evlat, çfarë haberesh na ke sjellë?” Kur ai të pyeti, ku ndodhet drejtoria e shkollës, ti iu përgjigje: “Ja, dera karshi sallës së mësuesve. Ose, kur mbaron mësimi, ti na drejtohesh:”Ju, vajza dhe djem i keni mbyllur penxheret e klasës apo i keni lënë hapur?”

Roja, jo vetëm që  s`po e ndërpriste Bubulinon, por po e shihte i menduar. Kur Bubulinoja mbaroi, ai i tha:

-Nuk e mendoja kurrë se këto fjalë e shprehje që ti nënvizove janë kaq të papërshtatshme, o Bubulino?

-Jo vetëm këto që sapo përmenda e nënvizova unë xhaxhi, por dhe fjalë të tjera të huaja dhe të panevojshme  njerëzit i përdorin jo vetëm në biseda të lira, por edhe në mbledhje, në gazeta, televizione etj. Madje edhe në shkollë ndodh që i përdorim padashur se ato janë futur thellë dhe janë ngatërruar keq në gjuhën tonë, por nëse kemi dëshirën e mirë ne mund t`i zëvendësojmë ato, duke u mbështetur te fjalori dhe te temat mësimore që ne marrim në orën e gjuhës shqipe…

“Fjala e huaj në gjuhë, është si dhia ndër dhen”

N.Frashëri

-Po unë, çfarë mund të bëj që të ndihmoj në zëvendësimin e këtyre fjalëve të huaja dhe të panevojshme për gjuhën shqipe?-e pyeti roja me dashamirësi.

-Ti, xhaxhi, ke mundësi që, kur bashkëbisedon me ne nxënësit apo dhe me të tjerët, t`i zëvendësosh pa vështirësi disa prej atyre fjalëve që përmendëm: fjalën sabah e zëvendëson me fjalën mëngjes; fjalën gjezdisni me fjalën shëtisni; fjalën aksham me fjalën mbrëmje; fjalën dynjaja me fjalën bota; fjalën mileti me fjalën njerëzit (populli); fjalën mashallah! me fjalën të lumtë! fjalën evlat me fjalën bir ose  bijë; fjalën habere me fjalën lajme; fjalën karshi me fjalën përballë; fjalën penxhere me fjalën dritare etj., etj.

-Ke të drejtë për të gjitha këto këshilla e vërejtje, Bubulino! Më duken të drejta, madje them me vete se duhet t`i kisha ditur që më parë. Por siç thotë populli “Më mirë vonë se kurrë!” Duket që ti Bubulino je i vëmendshëm në mësim.

-Lidhur me këto që po flasim,-vijoi Bubulinoja,- më ka mbetur në mendje një thënie e Naim Frashërit:”Fjala e huaj në gjuhë,-thotë ai,- është si dhia ndër dhen”.

-Si, si e ka thënë Naimi?

“Fjala e huaj në gjuhë është si dhia ndër dhen”, – përsëriti Bubulinoja.

-Nuk do t`i harroj kurrë këto fjalë të mençura, – tha roja duke i përsëritur disa herë me zë të ulët dhe duke thënë me vete: “Eh, o kokë sa do mësosh! E ku i paska vajtur mendja atij Naim Frashërit! E po, nuk i thonë kot ata të grupit polifonik të Pilurit: Bilbili i vendeve të mia,/bilbil-o,/bilbil-o,/Naim-ooo,/more Naim Shqipëria!”

Dhe, roja që i donte shumë këngët polifonike, madje edhe i këndonte, nisi t`i këndonte vargjet e këngës “Bilbil i vendeve të mia”, që i kishte shkruar poeti dhe rapsodi i madh shqiptar Lefter Çipa.

Çdo gjuhë, siç merr edhe jep,

në kohë të ndryshme popujt marrin dhe japin me njëri – tjetrin

-Me sa kuptoj unë, – tha roja i shkollës, – fjalë e shprehje si ato që përmendëm, na kanë mbetur nga e kaluara. I thonë afro 500 vjet nën sundimin e Turqisë dhe ato qindra vite s`mund të kalojnë pa lënë gjurmët e tyre, apo jo?

-Po, – tha Bubulinoja, – këto quhen “turqizma”, por përpara pushtimit nga Perandoria Osmane, trojet tona kanë qenë të pushtuara nga Perandoria Romake, e cila kishte gjuhë zyrtare latinishten kështu që, në gjuhën tonë kemi edhe shumë fjalë të gjuhës latine apo dhe nga gjuhë të tjera.

-Ti, Bubulino po thua se fjalët e huaja kanë hyrë dhe janë ngatërruar në gjuhën tonë kur ne kemi qenë të pushtuar?

-Jo vetëm atëherë, por populli ynë ka huazuar fjalë edhe nga gjuhët e tjera me të cilat gjuha shqipe ka pasur fqinjësi: greke, sllave, italiane… Veçse çdo gjuhë, siç merr edhe jep; në kohë të ndryshme popujt marrin dhe japin me njëri – tjetrin. Për shembull, edhe gjuha angleze që sot ka përdorim shumë të gjerë, dikur ka marrë shumë fjalë nga gjuha frënge dhe nga ajo latine. Edhe turqishtja shumë fjalë i ka marrë nga arabishtja, persishtja etj.

-Kështu gjuhët na dalkan si një lëmsh i ngatërruar keq,-vërejti roja,-apo fjalët e huaja të panevojshme ngjasojnë me rrodhet që u ngjiten bagëtive në trup ose njerëzve në rroba. Ato të ngjiten dhe nuk i heq kollaj nga trupi apo jo?.

Bubulinoja vuri buzën në  gaz dhe tha:

-Studiuesit thonë se nuk mund të ekzistojë asnjë gjuhë e “pastër”, e  papërzier. “Ashtu siç nuk ka kombe të papërziera, ashtu nuk ka edhe gjuhë të papërziera.”

-Në kohët e sotme, Bubulino, kam vënë re se gjuha angleze ka marrë përhapje shumë të gjerë nga gjuhët e tjera, kështu?

-Po, është e vërtetë, jo vetëm ne, por shumica e vendeve të botës kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin   shumë  fjalë e shprehje nga anglishtja. Kjo ndodh,  sepse anglishtja, veçanërisht varianti amerikan, ka krijuar shumë fjalë të reja që lidhen drejtpërdrejt me shkencat, me teknikën e teknologjinë, me internetin, me ekonominë, me zhvillimet hapësinore e kozmike…Derisa nëpër botë janë futur mijëra makineri, pajisje moderne, avionë, anije nënujëse dhe mbiujëse, armë luftarake, televizorë, video, kompjutera, laptopë, celularë lloje – lloje etj., etj., bashkë me ato vijnë edhe emrat e tyre, si dhe emrat e firmave prodhuese dhe tregtare që po “pushtojnë” globin…Shumë prej fjalëve që përfaqësojnë terma teknikë, si të origjinës së lashtë greke, latine, osmane, sllave, franceze, angleze, që kanë hyrë dhe përdoren gjerësisht edhe nga gjuhët e  tjera kanë fituar të drejtën e tyre, janë pranuar nga e gjithë bota. Këto quhen fjalë ndërkombëtare.

Shqipja – vazhdim i ilirishtes,

ndër gjuhët më të vjetra të Evropës

-Veçse ne nuk duhet të harrojmë se gjuha e vjetër shqipe, e cila është gjuha e ilirëve të lashtë (ilirishtja), është nga gjuhët më të vjetra të Evropës dhe prej saj kanë marrë shumë gjuhët e tjera evropiane…Këtë e kanë vërtetuar shumë studiues dhe gjuhëtarë të huaj me famë botërore. Midis tyre, gjuhëtari danez  Holger Petersen, shkruan: “Gjuha shqipe është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur, që duhet të jetë krenaria e folësve të saj….”

-Bubulino, kam dëgjuar se ka pasur gjuhë që janë zhdukur apo janë përmbytur nga gjuhët e tjera, është e vërtetë?

-Po, e vërtetë është. Që nga kohët e lashta e deri më sot, shumë gjuhë të popujve të botës janë zhdukur si kripa në ujë, kurse gjuha shqipe, (gjuha e ilirëve) ka rezistuar fort, themelet e saj janë të patundura, gjuha jonë është trashëguar  e pasuruar në breza duke treguar vazhdimisht fuqinë, bukurinë dhe vlerat e saj.

Bubulinoja buzëqeshi dhe vazhdoi:

-Në poezinë kushtuar gjuhës shqipe, Naim Frashëri  mes të tjerash shkruan: “Pa shihni ç’gjuh’ e mirë!/Sa shije ka e hije,/Ç’e bukur’edh’e lirë,/Si gjuhë perëndie!”

-Këto vargje mbaj mend se i recitonim edhe ne në shkollë, por të falënderoj që m`i kujtove,-tha roja.-Po ti vazhdo se të ndërpreva mendimin.

-S`ka gjë, ne thjesht po bashkëbisedojmë, – tha Bubulinoja dhe vazhdoi:-Mësuesit në shkollë na porositin që gjuhën ta ruajmë si trashëgiminë më të vyer që na kanë lënë të parët tanë ilirë; gjuha,-na thonë ata,- është një organizëm i gjallë, të cilën duhet ta pasurojmë vazhdimisht dhe ta pastrojmë nga fjalët dhe huazimet e panevojshme. Fjalët e  huaja që hyjnë dhe ngatërrohen në gjuhën shqipe, atje ku mundim t`i zëvendësojmë me fjalë të gjuhës sonë të ëmbël dhe të bukur. Një burim pasurimi janë dialektet e gjuhës shqipe, fjalët e reja që zbulojnë dhe ato që krijojnë shkrimtarët dhe artistët. Zhvillohet vendi dhe populli, zhvillohet dhe pasurohet vazhdimisht edhe gjuha shqipe.

Roja miratonte me kokë fjalët e mençura të Bubulinos dhe kur ai mbaroi, i tha:

-Nëse ke këshilla të tjera të tilla, unë i mirëpres, Bubulino!

-Tani xhaxhi, – tha Bubulinoja, – po më shkon ora e mësimit dhe po largohem! Kur të gjejmë kohë të lirë do të bisedojmë për fjalë të tjera të huaja dhe të panevojshme, sidomos për ato fjalë që vijnë nga gjuhë të tjera. Je dakord?

-Oh, faleminderit shumë, Bubulino, sot kam mësuar shumë nga ti, nuk do ta harroj këtë bisedë dhe sidomos këshillën për ta ruajtur të pastër si drita gjuhën tonë të bukur shqipe…Kam një nip dhe një mbesë në Gjermani dhe do t`u dërgoj atyre dy abetare, por dhe libra të tjerë shqip, që të mos e harrojnë kurrë gjuhën tonë të bukur.

-Meqë ra fjala për nipat dhe mbesat në emigracion, – tha Bubulinoja, – po të dhuroj një libër ku është botuar poezia e poetit tonë të madh Gjergj Fishta. E patëm temë mësimi këto ditë dhe të gjithë nxënësit e dinë përmendsh. Ke dëshirë të të recitoj disa vargje nga ajo poezi?

-Me gjithë qejf,- tha roja.

Bubulinoja nisi të recitojë vargjet:  “Nper gjuhë shqype bota mbarë/ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,/ka me ju njohtë për shqyptarë;/trimi n’za, sikurse jini./Prandaj, pra, n’e doni fisin,/mali, bregu edhe Malcija/prej njaj goje sod t’brohrisim:/Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia!”

………….

1).Bubulinoja është personazhi kryesor në një cikël librash të autorit, i cili ka shprehur dëshirën që të shkojë i pari në planetin Mars dhe të shpëtojë planetin tonë nga ngrohja globale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok