17/11/2024

Fjala e Frank Shkrelit me rastin e pranimit të Dekoratës, “Qytetar Nderi” i Malësisë së Madhe

0

FRANK SHKRELI

NDERI I MALËSISË SË MADHE

KOPLIK, BASHKIA MALËSI E MADHE

Maj, 2023

Zotëni Tonin Marinaj, Kryetar i Bashkisë Malësi e Madhe, anëtarë të Këshillit Bashkiak, miq, dashamirës e kolegë, zonja e zotërinj – mirë se u kam gjetë këtu në Malësi të Madhe. Jam thellësisht i kënaqur që jam në mesin tuaj. Ju falënderoj për pjesëmarrjen.

Plot emocione sa herë që vizitoj Shqipërinë! Sot jam këtu në kryeqendrën e Malësisë së Madhe me përvujtëni dhe me një përkushtim mirënjohjeje, për vendimin tuaj vëllazëror, fisnik e bujar për të më nderuar me titullin prestigjoz, “Qytetar Nderi i Malësisë së Madhe”.

Ndonëse më shumë se një gjysëm shekulli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot e ndjejë vetën më shumë se kurrë më parë, siç është shprehur me një rast edhe poeti e shkrimtari i madh i këtyre anëve, Martin Camaj, se: “Unë jam i juaji, e ju jeni të mijt.”

Baba e Gjysh nga Shkreli, Nënën nga Vermoshi! Megjithse larg jush, atje përtej oqeanit në Amerikën e madhe e të bekuar: PËR MUA, MALËSIA E MADHE — ME TË GJITHA TË MIRAT DHE VLERAT E SAJA SHEKULLORE — KA QENË GJITHMONË DHE VAZHDON TË JETË QENDRA E UNIVERSIT TIM – E EKZISTENCËS DHE IDENTITETIT TIM PREJ MALËSORI!   Si i tillë, me sinqeritetin më të madh dhe me mirënjohjen më të thellë e pranoj këtë nderim prej jush — në emër të Malësisë së Madhe — trollit tonë të përbashkët.

Pasi ky titull me jepet, pjesërisht, për punën time 30-vjeçare në Zërin e Amerikës, e pranoj dekoratën edhe në shenjë kujtimi për ish-kolegët e mi, me të cilët kam punuar në Zërin e Amerikës për dekada. Sidomos, në kujtim të atyre kolegëve që nuk jetojnë më, e të cilët nuk patën fatin të shihnin shembjen e komunizmit barbar të Enver Hoxhës në këtë vend dhe çlirimin e Kosovës, as lirinë dhe pavarësinë, që gëzon sot Dardania.

Shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më të lirë se sot. Jemi këtu në Kryeqendrën e Malësisë së Madhe në Koplik — si dikurë të parët tanë, “në log të Kuvendit” – shokë e miqë — ndoshta edhe kundërshtarë politikë, por jo armiq. Anëtarë partishë të ndryshme ndoshta, por edhe si malësorë që mendojmë e ndiejmë së bashku për një të ardhme më të lumtur për këto troje kreshnike, plot vlera e atdhedashuri.

Me mendime të ndryshme, por me qëllime të përbashkëta! Sepse objektivat e përbashkëta jetësore, në interes madhor të Kombit, nuk duhet të njohin parti as armiqësi – se mbi çdo interes partiak e personal, duhet të jetë gjithmonë interesi kombëtar i Shqipërisë, i Malësisë së Madhe dhe i mbarë Kombit shqiptar. Kështu mendonin të parët tanë malësorë!

Të gjithë jemi të vetdijshëm për sfidat me të cilat përballet sot Shqipëria, Malësia e Madhe dhe mbarë Kombi shqiptar për shkak të rrethanave fatmjera shekullore. Por është ndihma e të Madhit Zot, vlerat morale e kombëtare që e kanë shoqëruar gjithmonë Malësinë e Madhe dhe  Kombin shqiptar. Unë besoj me At Gjergj Fishtën se, më në fund, dhe përball të gjitha sfidave, “Punën e Shqipnisë e ka Zoti në dorë, prandaj doemosdo Shqypnija do të dalë në dritë…Zoti ka me e mbajtë Shqypninë më kambë, me nderë e me lumni.”

Le të shpresojmë që shqiptarët të jenë bartës të denjë të vuajtjeve, sakrificave dhe luftërave të malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve gjatë historisë, duke jetuar sipas trinomit në bazë të cilit jetonin dhe vepronin të parët tanë malësorë: besa, nderi e burrënia, të bindur se këto vlera bazë janë edhe udhëzimi drejtë një jetese të ndershme, të kënaqshme të drejët e të begatë për të gjithë Kombin.  Bazuar në këto vlera, duhet të jemi të vetdijshëm se Kombi shqiptar ka nevojë urgjente për një këthesë të re historike!

Shpresoj dhe lutem gjithashtu që liria që gëzojnë sot shqiptarët, anë e

mbanë trojeve tona, të çojë në një përmirësim të gjithanëshëm të jetës politike dhe ekonomike.  Mbi të gjitha, është i nevojshëm një diskurs më i denjë politik dhe shoqëror për zgjidhjen e sfidave për në një jetë më të lumtur dhe më të begatë për Shqipërinë, për Malësinë e Madhe dhe për të gjithë shqiptarët.

Në këtë udhtim të shenjtë, drejtë një jete më të mirë, për të gjithë dhe pa dallim ju uroj së bashku me Fan Nolin: “Paçi uratën e Perendisë”.

Falënderimet e mia më të përzemërta, Kryetar Tonin Marinaj dhe Këshillit të Bashkisë Malësi e Madhe për dekoratën dhe për këtë pritje vëllazërore.

Qofshi gjithmonë me faqe të bardhë!

*Në fund, desha të them dy tre fjalë për Kryetarin e Bashkisë, Zotin Marinaj dhe për fushatën mbresëlënse që zhvilloi.  Një frymë e re në  politikën shqiptare se si duhet të zhvillohet një fushatë, duke u përqendruar në sfidat me të cilat përballet elektorati dhe në zgjidhjen e tyre. Dihet se politika shqiptare është një sport i kategorisë së rendë. Por më ka lanë pështypje fushata e Zotit Marinaj, një fushatë pa ofendime e sharje ndaj kundërshtarëve politikë. Për këtë ju përshëndes Zotni Kryetar dhe uroj që të jetë një shembull i zhvillimit të fushatave të ardhshme këtu në Malësinë e Madhe dhe përtej.

Ndërkaq, më lejoni të falënderoj poetin dhe shkrimtarin tonë të njohur e të dashur në Amerikë dhe në mbarë botën, Profesor Gjekë Marinaj, i cili ka marrë inciativën për të më propozuar për këtë dekoratë dhe universitetin ku ai punon. Nuk di se sa e ndjekni ju punën dhe veprimtarinë e tij, por Gjeka na ban krenarë ne këtu që e njohim, por edhe Malësinë e Madhe dhe mbarë shqiptarizmën. E përshëndes dhe i uroj shëndet dhe bekimet e Zotit, në jetë dhe në punë!

ME MOTIVACIONIN: FRANK SHKRELI – “Për vlerat e larta në fushën e gazetarisë, sidomos tek media më e njohur e ndërkombëtare, Zëri i Amerikës, VOA.  Publicist, që me shkrimet e tij i ka bërë dhe i bën jehonë çështjes kombëtare duke qenë faktor shumë i rëndësishëm i komunitetit shqiptar në Amerikë. Si dhe për rolin në lidhjet ndërkulturore mes shqiptarëve dhe popullit të vet kudo nepër botë duke forcuar vazhdimisht kontributin e tij atdhetar në lartësimin e trevës tonë — Malësi e Madhe dhe më gjërë.”

 

FRANK SHKRELI – BIOGRAFI E SHKURTËR

Frank Shkreli, fillimisht, ka qenë gazetar dhe redaktor në “Zërin e Amerikës”, seksioni shqip nga viti 1974 deri në vitin 1984.  Më pas po tek “Zëri i Amerikës”, Shkreli ka qenë shef i seksionit shqip (1984-1986).  Nga viti 1985 deri në vitin 1990 ka shërbyer këshilltar i lartë programacioni në Divizionin Europian të “Zërit të Amerikës”.   Ju kujtojmë që në këtë periudhë, duhej punuar në kushtet e Luftës së Ftohtë.  Nga viti 1990 deri në vitin 1994 ka qenë zëvendës drejtor i Euroazisë në “Zërin e Amerikës”, ent ku përfshihej edhe Bashkimi Sovjetik që ndërkohë u shpërbë.  Nga viti 1994 deri në vitin 2003, zoti Shkreli ka qenë drejtor i Divizionit Europian të “Zërit të Amerikës”, një ent nga i cili, përveç pothuaj 20-gjuhëve të ndryshme evropiane, varej, veç të tjerash edhe seksioni shqip i kësaj radioje të financuar nga qeveria federale e Shteteteve të Bashkuara.

Frank Shkreli ka qenë anëtar i delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri në Mars/Prill të vitit 1991, me ç’rast u hap ambasada amerikane ndërkohë që u hodhën hapat e parë të rivendosjes së marrëdhënieve amerikano-shqiptare pas pothuaj 50-vjetësh dhe mori pjesë si vëzhgues në zgjedhjet e para pluraliste të atij viti, në atë vend.  Ai ka vizituar shpesh Shqipërinë dhe Kosovën si pjesë e delegacioneve të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, qëllimi i të cilave ishte përforcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore midis popullit amerikan dhe Kombit shqiptar.

Pas daljes në pension nga detyra qeveritare, pas 30-vjetësh, z. Frank Shkreli ka shërbyer si drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan një organizatë jo-qeveritare që punonte për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për promovimin e paqës dhe zhvillimit ekonomik në trojet shqiptare në Ballkan, e vetmja organizatë shqiptare lobiste me prezencë në Uashington DC, në atë kohë. Vazhdon të merret me publicistikë, ndërkohë që shkrimet, komentet dhe analizat e tija botohen dhe lexohen në dyzina gazeta dhe portale interneti, në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë.

Gjatë karierës së tij, Shkreli është dekoruar, herë pas here, për punën e tij 30-vjeçare në Zërin e Amerikës.  Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani i ka akorduar titullin: “Kalorës i Urdhërit të Skenderbeut”, me motivacionin “Në vlersim të veprimtarisë së tij të shquar atdhetare”.  Komuna Shkrel i ka dhënë titullin, “Qytetar Nderi”, “Për përkushtimin dhe atdhetarizmin me të cilin punoi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që ata jetojnë, për lartësimin e traditave të Malësisë dhe të Kombit Shqiptar dhe për frymën e përçuar nga Zëri i Amerikës duke frymëzuar bashkëkombsit në përpjekjet e tyre për shembjen e komunizmit dhe ndërtimit të Denokracisë”. Ndër të tjera dekorata, qyteti i Nju Jorkut i ka akorduar dekoratën me motivacionin, “Për shërbimet shembullore ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan, nepërmjet arritjeve unike personale dhe të veprimtarisë së tij profesionale…”.  Ndërsa Shoqata Shqiptaro-Amerikane, Skenderbej Inc ka shprehur mirënjohjen e saj për Shkrelin me dekoratën për punën dhe veprimtarinë e tij shumë vjeçare në, “promovimin me atdhedashuri të vlerave të lirisë e demokracisë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok