22/12/2024

Fitoi Rugova, u tërbua Paskal Milo

0
Rugova-Mehmetaj

Fragment nga libri portret: “Rugovën, si e kam njohur, botoi UETPRESS, Tiranë

Nga Gani Mehmetaj

Me mllef të paarsyeshëm ndaj Rugovës, Paskal Milo fyen rëndë edhe intelektualët, mësuesit dhe pedagogët e Universitetit të Prishtinës. Në librin e tij- pamflet “Ditari i një ministri të Jashtëm – konflikti i Kosovës 1997-2001”, nuk e bën këtë goditje nga mungesa e informacionit, por nga ligësia. Shpifjet e denigrimet e ish-ministrit të Jashtëm të Tiranës janë edhe më të ulëta sesa  propaganda e Milosheviçit.

Kështu duke “analizuar” humbjen e PDK-ja në zgjedhjet lokale të vitit 2000, Milo shkruan: “Një pjesë e mirë e tyre veçanërisht shtresa intelektuale dhe ajo e arsimuar nuk ishte ndier keq as në kohën e Titos, as edhe në kohën e  Milosheviqit”, (faqe 320). Çfarë pafytyrësie.  Kurrë në gjuhën shqipe nuk është shkruar diçka më denigruese për intelektualët e shtresën e arsimuar të shqiptarëve të Kosovës. As serbët shovinistë të Beogradit nuk ishin aq të pacipë sa të thoshin se intelektualët e shtresa e arsimuar shqiptare e ndienin veten mirë në kohën e Titos e të Milosheviçit. Përkundrazi, serbët çirreshin në kupë të qiellit pse intelektualët shqiptarë të Kosovës dhe njerëzit e arsimuar nuk e mbështetën Titon, nuk e mbështeten Milosheviçin, por dolën në anën e “nacionalistëve e irredentistëve” shqiptarë”. Intelektualët shovinistë serbë akuzonin shtresën e arsimuar shqiptare për nxitje të nacionalizmit e irredentizmin, për mobilizim, për përpjekje që të shkëputej Kosova nga Jugosllavia dhe për kundërvënie këmbëngulëse Milosheviçit.

Milo shkruan ndryshe. Ai shpif.

Kur e vranë Xh. Mustafën, Paskal Milo nuk i dërgoi telegram ngushëllimi Rugovës. Në ditarin e vet nuk e shkroi asnjë rresht për vrasjen e tij. Disa ditë pas zgjedhjeve lokale, nuk e përmend asnjë vrasje të atyre ditëve e muajve të ankthshëm.  E ngushëlluan Rugovën të gjitha personalitetet e Perëndimit, por nuk e ngushëlloi Milo, as shefi i Milos, Majko. Në vend të shprehte keqardhje për vrasjen e intelektualit kulmor, ai vajtoi grarishte për humbjen e  PDK-së. E shpërfilli vrasjen e Xh.Mustafës.

Në kohën kur intelektualët e shtresa e arsimuar e shqiptarëve të Kosovës ndiqeshin, torturoheshin e vriteshin nga policia serbe, sepse e mbajtën gjallë frymën kombëtare në arsim, Milo i akuzonte për bashkëpunim me Milosheviçin.

Asnjë shqipfolës deri tash nuk e ka fyer më poshtërisht shtresën e intelektualëve e shtresën e arsimuar të Kosovës sesa ky historian i Enver Hoxhës.

Të fyesh intelektualët, pedagogët, arsimtarët e njerëzit e kulturës, të cilët u përballën më së shumti me vështirësitë gjatë viteve nëntëdhjetë, është sikur të përdhosësh shenjtorët.

Shkollimin fillor, të mesëm e universitar, e mbajtën mbi supe mësuesit, pedagogët dhe intelektualët e njerëzit e arsimuar. Ata refuzuan rrogat e Millosheviçit, nuk pranuan të punojnë as në institucionet që kontrolloheshin nga Beogradi, mbetën pa rroga. Por punuan për bashkëkombësit e tyre më shumë se kurrë më parë. Pedagogët bënë punë vigane: e mbajtën gjallë arsimin, frymën kombëtare e frymën e rezistencës, ata i mësuan fëmijët tanë se kombi e atdheu janë mbi të gjitha. Për një portret të Gjergj Kastriotit nëpër mure klasash, policia serbe i keqtrajtonte mësuesit para nxënësve. Për një orë historie kombëtare policia serbe i merrte në burg. Mësuesit ishin heronjtë tanë të heshtur, që kurrë nuk u dolëm borxhi. Shqiptarët e Kosovës ua njohën meritat. Ndërkaq, Milo nuk i përfill flijimet e tyre, ai vajtonte pse humbën në zgjedhje djemtë e çajit të rusit.

Mu kujtua një gazetë shqiptare e cila rrëfente diktatin e Paskal Milos ndaj   Hashim Thaçin gjatë bisedave të Rambujesë:

-Me shiko në sy”, i drejtohej Milo Thaçit, -ta kesh vath në vesh këtë që ta them. Kupton?”.

Ndërkaq, gazetari tregon se Thaçi nuk fliste fare. Shefi i diplomacisë shqiptare ishte i sertë para nxënësit të tij.

Diktati paternalist ishte ajo që e preferonte shteti shqiptar, ndërsa me Rugovën nuk patën sukses asnjëherë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok