Filozofja e maleve të Kosovës
Nga Prof. Blerim Latifi
Në mëngjesin e hershëm të 25 nëntorit të vitit 1946, qetësinë e zymtë të koridoreve të Burgut të Prizrenit po e prishin disa hapa të rëndë. Një grup policësh i ishin drejtuar qelisë në të cilën nga vjeshta e vitit 1945 po mbahej e burgosur një vajzë e re shqiptare. Për një vit rrjesht mbi trupin dhe shpirtin e saj ishin ushtruar torturat më të mizore që njeh historia botërore e torturës. Në fund Gjykata jugosllave e Prizrenit kishte marrë vendimin për ta dënuar me vdekje. Policët e hapën derën e qelisë dhe i thanë të ngrihej. Ajo nuk ngrihej dot.Ishte krejtësisht e shkatërruar fizikisht, por jo edhe mendërisht.Mendja e saj ende ishte e kthjelltë.Si studente filozofisë në Romë ajo kishte pasur rastin të lexonte stoikët e lashtë, të cilët mësonin se liria e shpirtit është kështjella e fundit e lirisë njerëzore dhe ne jemi të lirë deri sa nuk na e marrin këtë kështjellë.Për një vit rrjesht torturuesit e OZNA-s nuk ia kishin dalë t’ia marrin lirinë e shpirtit, prandaj tani kishin vendosur që t’ia merrnin jetën. Policët e tërhoqën zvarrë dhe kur dolën nga ndërtesa e burgut e futën në një kamion, i cili po i priste në oborrin e burgut. Në kamion ishin edhe tre burra, po ashtu të lidhur me pranga: kleriku At Bernard Llupi, arsimtari Gjergj Martini dhe Kolë Parubi. Dielli ende nuk ishte shfaqur mbi kodrat e Prizrenit.Rrugët e qytetit ende ishin të zbrasta. Zbrastësia e tyre ishte e frikshme.Ishte mortore. Askush nuk ishte dëshmitar për të treguar se në ç’drejtim u zhduk kamioni kobzi. Vetëm të nesërmen shtypi i regjimit njoftonte shkurtimisht se katër të dënuar nga Gjykata e Prizrenit ishin pushkatuar, si armiq të Jugosllavisë. Në krye të listës ishte vajza 24 vjeçare, Marije Shllaku.
Kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, Maria ndodhej në Romë, ku po studionte filozofinë. E donte aq shumë këtë fushë të dijes.Ëndërronte që një ditë të bëhej filozofe, pastaj të kthehej në atdhe dhe urtësitë e Platonit, Aristotelit, Kantit, Bendetto Croces, ligjëratat e të cilit kishte pasur rastin t’i ndiqte në Romë, t’i shpërndante në shkollat e atdheut të saj të prapambetur në rrugën e emancipimit dhe zhvillimit. Ishte pikërisht dëshira për ta parë atdheun e saj të iluminuar, ajo që nuk e linte të qetë dhe indiferente për ato që po ndodhin në vendlindjen e saj dhe përgjithësisht në botë. Një ditë u përshëndet me shokët dhe shoqet e klasës së saj dhe morri rrugën e kthimit në atdhe. Në Shkodër ajo nuk gjeti vetëm klimën e zymtë politike të një vendi të pushtuar, por edhe tensionet, që vinin vazhdimisht duke u rritur, midis komunistëve dhe nacionalistëve. Si studente e filozofisë, ajo kishte lexuar sa e sa tekste të marksizmit dhe mbi marksizmin. Religjioni sekular, që komunistët kishin ngritur nga shënjtërimi i këtyre teksteve, nuk e bindte dot. Demagogjia boshe dhe agresiviteti i komunistëve e kishin bërë përfundimisht antikomuniste. Ajo këmbëngulte se një komb, i cili ende nuk e kishte përfunduar procesin e kombformimit dhe gjendej në fazat më të ulta të modernizimit, kishte nevojë për patriotizëm e nacionalizëm, e jo për internacionalizmin komunist, i cili edhe ashtu ishte shndërruar prej kohësh në vegël ideologjike të Rusisë sovjetike.
Në vitin 1941, kur pas shkatërrimit të Jugosllavisë monarkiste, Kosova u bashkua me Shqipërinë, Maria morri vendimin më të madh të jetës së saj, zhvendosjen në Kosovë, për t’i shërbyer lirisë së saj. Në strukturat politike të Kosovës, të cilat drejtoheshin nga Xhafer Deva e Rexhep Mitrovica, nuk e shikonin me sy të mirë. E kishin zili inteligjencën e saj dhe mezi e duronin guximin e saj për t’iu kundërvënë veprimeve që binin në kundërshtim me bindjet e saj filozofike dhe morale. Në një rast ajo për pak sa nuk përfundoi në murin e pushkatimit pas një fjalosje të ashpër me një oficer gjerman.
Në vjeshtën e vitit 1944, kur krerët e Lidhjes së Dytë të Prizrenit po largoheshin nga Kosova bashkë me trupat gjermane, ajo refuzoi të bashkohej me ta. Ajo vendosi të qëndroj në Kosovë, bashkë me shumë grupe të tjera luftëtarësh, të cilët midis mërgimit dhe rezistencës kishin zgjedhur këtë të fundit. Në nëntor të vitit 1944 ajo shfaqet në Drenicë. Aty ndodheshin tri grupe luftëtarësh të cilët nuk po arrinin dot të bëheshin bashkë, edhe në kushtet kur brigadat partizane kishin vënë nën rrethim të gjithë zonën.Grupi më i madh i këtyre luftëtarëve drejtohej nga prijësi popullor Shaban Polluzha, i dyti nga Bajraktari i Llaushës, Miftar Bajraktari dhe i treti nga oficeri i Xhafer Devës, Mehmet Gradica. Marie Shllaku i përfshi aktivisht në negociatat që sollën pajtimin dhe bashkimin e këtyre tri grupeve. Elokuenca e saj i linte pa fjalë ata që e dëgjonin. Ajo i tha hapur Shaban Polluzhës se dërgimi i Brigadës së tij në territorin e Serbisë ishte një kurth fatal i ngritur nga komunistët dhe se armët duhej të përdoreshin për të mbrojtur Kosovën e jo për t’i çliruar tokat serbe nga gjermanët. Historia e mëtutjeshme dihet. Për dy muaj rrjesht Drenica u kthye në sheshin e një kryengritje të madhe kundër partizanëve, kryengritje e cila u shua në fundin e shkurtit të vitit 1945, tanimë kur tre prijësit kryesor të saj kishin humbur jetën.Kryengritësit u shpërndanë në grupe të vogla, ndërsa Marije Shllaku u bashkua me Çetën e Sadik Lutanit, luftëtar i regjur nga Turiqevci i Drenicës. Ajo do të lëvizte vazhdimisht nëpër zona të ndryshme të Kosovës, me qëllim që të bashkërendonte lidhjet dhe veprimet e grupeve të ndryshme të rezistencës antijugosllave. Në shtatorin e vitit 1945 ajo ishte rikthyer në çetën e saj, pranë prijësit të çetës, i cili e çmonte si ta kishte vajzën e tij. Në mëngjesin e hershëm të 13 shtatorit, në malet e Siçevës, midis Drenicës dhe Klinës, Çeta e Sadik Lutanit, u rrethua nga njësi të mëdha ushtarake që kishin ardhur nga Peja dhe Prizreni. Beteja ishte e ashpër dhe fatale. Pas shumë orë luftimesh Sadik Lutani u vra bashkë me 40 luftëtarët e tij. Vetëm dy ose tre nga çeta arritën të shpëtonin, ndërsa Marije Shllaku e plagosur rëndë ia doli të dilte nga rrethimi në mbrëmjen e asaj dite fatale. E mbetur pothuajse e palëvizshme,për shkak të plagëve dhe gjakderdhjes së madhe, të nesërmen ajo ra në duart e OZNA-s. Arrestimi i saj u prit në mënyrë festive në organet jugosllave të sigurisë.Kur po e fusnin në spitalin e Prizrenit, një punëtor, që kishte qëlluar aty pranë, e kishte dëgjuar shefin e OZNA-s duke i thënë një tjetri : E kemi nxanë t’ gjallë trurin politik të kaçakëve! Pas shërimit, Marije Shllakun, për një vit rrjesht, do ta mbanin nën torturë dhe në kushte mizore në Burgun e Prizrenit, por po arritur dot ta bëjnë bashkëpunëtore të sigurimit jugosllav,e as t’ia thyejnë dashurinë dhe besnikërinë për Kosovën. Ajo qëndroi, sepse besonte se sundimi komunist në Kosovë dhe Shqipëri nuk është fati përfundimtar i atdheut të saj. Do duhej të kalonin edhe 45 vite të tjera që besimi i saj të përmbushej.Sot kur bëhen 74 vite nga pushkatimi i saj, ajo vazhdon të mbetet një heroinë pa varr, dhe për turpin tonë të madh, edhe një heroinë e padekoruar.U kemi vënë shkollave emrat e lloj-lloj figurave, që as katundi i tyre nuk i njeh, e nuk kemi gjetur mundësinë për t’ia vënë një shkolle emrin e Marije Shllakut, filozofes luftëtare, e cila vdiq duke besuar në urtësinë e vjetër filozofike se kush nuk i përket atdheut, nuk i përket as njerëzimit.