14/12/2024

DASHURIA E NXEHTË E EDI RAMËS PËR SERBËT

0
u1_Rexhep-Shahu

NGA REXHEP SHAHU

Letra e dashurisë e Edi Ramës për futbollistin serb Mihajlovic, i njohur sa për futbollist aq edhe si mik i ngushte i kriminelëve më të njohur serbë, tigrit Arkan që masakronte shqiptarë e Mlladiçit, qoftë ky edhe yll botëror futbolli, është lëpirje, nënshtrim, servilosje.

Letra e Ramës futbollistit serb shok me tre kriminelë të njohur Arkan, Mlladic e Vuciq, ofruar si gjest zemërmadhësie prej kalorësi, si letër njerzore e një lideri botëror, ndaj ndokujt që të jep ëmër e mbase prestigj dhe të nxjerr mirënjohës.

Letra e Ramës sikur u thotë gjithë serbëve se unë jam i mirë, qytetar, njerzor, pa shqiptarët e tjerë janë të këqij, të pazemër…

Letra e Edi Ramës futbollistit serb është normale dhe asgjë askujt nëse Rama nuk do të ishte kryeministër i gjysmës së shqiptarëve, por letra e Edi Ramës kryeministër i imi derguar futbollistit serb mik me tre kriminele serbë me damkë që kanë bërë krime të shëmtuara kundër njeriut është anormale. Pse kjo letër.

Ajo letër dashurie që Rama i shkruan Mihajlovicit ka ftohtësinë e llogaritarit që bën bilance.

Me letrën që Edi Rama i ka shkruar futbollistit të njohur serb, shok e mik me tre kriminelët më në zë të Serbisë Arkan, Mlladiç e Vuciq, Rama sikur lan një borxh dhe shpreh mirënjohje.

Mirënjohje kujt dhe pse?

Futbollisti Mihajlevic do të ketë menduar, si ka mundësi që mua mikut të Arkanit, që i kam bërë homazhe publike Arkanit që ka vrarë e masakruar shqiptarë, mikut të ngushtë të Radko Mlladicit, mikut të presidentit aktual të Serbisë Vuciq i cili deklaronte se për një serb vrasim njëqind të tjerë në ato kohë kur Rama ia jepte çelesin e Tiranës këngëtarit Bergoviq… si ka mundësi të më vijë kjo letër dashurie prej kryeministrit të Shqipërisë. Kështu do të ketë menduar ditë të tëra futbollisti serb Mihajlovic që pati një sëmundje leucemie si mijëra e mijëra njerëz dhe që shërimi i tij e gëzoi pa masë Edi Ramën sa ia kërkoi telefonin tek presidenti Vuciq që ti shkruante letër dashurie.

Edi Rama me këtë letër kërkon që serbet e njohur ti bëjnë reklamë e ta bëjnë të njohur Ramën në Serbi, të flitet për Ramën e mirë në Serbi, për Ramën që nuk u prish punë e nuk u nxjerr telashe serbëve si ata shqiptarët e tjerë të ftohtë e të ngurtë që i lypin Serbisë kufomat shqiptare që ajo i ka fshehur në 16 varreza masive nëpër Serbi apo i ka mbytë me frigorifere në Danub.

Enveristet në Kosovë e Shqipëri do ta çmojnë këtë letër si hajmali, si hajmali pajtimi dhe do ta votojnë me dashuri Edi Ramën si Enverin, dy shqiptarët miq të Beogradit.

Enveristët, komunistet e socialistët shqiptarë në Shqipëri e në Kosovë nuk kanë dert fare pse Partinë Komuniste të Shqipërisë e kanë krijuar serbët Miladin Popoviq e Dushan Mugosha. Enveristet, socialistët e komunistët shqiptarë e duan partinë socialiste vazhduese të partisë komuniste të krijuar prej serbëve dhe nuk mërziten fare për këtë gjë socialistët dhe enveristët shqiptarë në Shqipëri e Kosovë.

Letra e Ramës është si letër e një pengu, si falenderim e mirënjohje që nuk e di për kë e ndaj kujt.

Edi Rama dihet botërisht se ka ardhë në pushtet mbi kalin e tërbuar të urrejtjes ndaj Sali Berishës i cili është më i mallkuari prej serbëve ndër politikanët shqiptarë pasi e ka patur në gjithë sjelljen e jeten politike të tij Kosovën si yllin polar të politikës shqiptare.

Edi Rama ka ardhë në pushtet nga një marrëveshje me Ilir Metën, realizuar apo nënshkruar në një “dasëm” të vogël në Shkodër me 1 prill 2013, ku kryekrushk apo kumbar i marrëveshjes e bekues i Ramës ishte presidenti serb Tadic.

Pra pushtetin Edi Ramës dhe socialistëve shqiptarë ua dha një kombinim e një ndërhyrje në lojë e Serbisë përmes presidentit serb Tadiq që erdhi në Shkodër me 1 prill 2013 për ta pagëzuar martësen e PS me LSI dhe për ti uruar Edi Ramës pushtetin.

Ndaj Edi Rama ka detyrime ndaj serbëve se ata ndihmuan që ai të vijë në pushtet dhe ky sillet si djalë i përkëdhelur prej serbëve, por sillet në aq lëmë sa i lënë serbet që ia tërheqin kërpeshin.

Hera e dytë në historinë e të majtës shqiptare që vjen në pushtet me ndihmën e serbëve është rasti Edi Rama. Të majtët e socialistët shqiptarë nuk kanë dert për këtë gjë, duan Ramën në pushtet por pak rëndësi ka se ai në pushtet shpërfill Kosovën edhe pse bën mbledhje tallava të përbashkëta të dy qeverive.

Herën e parë ishin kumbarë Miladin Popoviqi e Dushan Mugosha misionarë jugosllavë që e krijuan Partinë Komuniste të Shqipërisë dhe vunë Enver Hoxhën në krye, herën e dytë kumbara ishte presidenti serb Tadic për ta vënë Edi Ramën në krye.

Pse letër një serbi të njohur mik me tre kriminelë dhe asnjë shqiptari të njohur… Asnjë shqiptari që i ëshët vrarë krejt familja, asnjë shqiptari që ka humbë krejt fëmijët, asnjë gruaje shqiptare të përdhunuar që ka tronditë botën me rrëfimet e saj, asnjë fëmije jetim që ka parë se si ia masakronin prindërit, asnjë… asnjë shqiptari të sëmurë që nuk shërohet kurrë…

Një futbollist serb mik i tre kriminelëve është heroi i Edi Ramës. Nuk ka shqiptar që mund të jetë hero për Edi Ramën, ai është vetë hero…

Shqiptari i vetëm të cilit i ka shkruar letër (qortimi jo dashurie e mirënjohje) Edi Rama është Elez Biberaj, një adresë lirie e shprese shumë e rëndësishme e shqiptarëve.

Në gjithë jeten politike Edi Rama është sjellë me serbët si xhentelmen, si vëlla me presidentin Vuçiq, si qengj i butë që pi dy nëna me serbet e si shpërfillësi më i madh, si nënvlerësuesi më i madh ndaj Kosovës e ndaj shqiptarëve në tërësi, sikur shqiptarët ia zënë frymën e ia shkaktojnë azmën..

Edi Rama ka vepruar kundër Kosovës ndoshta pa dashje kur i jepte këngëtarit Bergoviq çelësin e Tiranës, atij këngëtari që frymëzonte serbët dhe muzika e tij ishte si kolonë zanore e luftës së serbëve kunder të tjerëve, boshnjakëve e shqiptarëve.

Edi Rama ka vepruar, me fjalë e gjeste kundër Kosovës kur doli fuqishëm kundër ndërtimit të Udhës së Kombit, udhë e cila u bë me kryeneqësi nga Sali Berisha, me taksat e gjithë shqiptarëve, në një kohë rekord, si udha e pavarësimit real ekonomik të Kosovës, udhë që u ndërtua me më pak se gjysmën e çmimit për njësi që ndërton udhët sot Edi Rama me qeverinë e tij, udhë të cilën e vizituan në Kalimash tek tuneli në malin e Rrunës shtatë kongresmenë amerikanë dhe të cilës Edi Rama i ka vu taksë 5 euro për çdo kalim veture e 22 euro për çdo kalim kamioni, duke ndëshkuar veriorët e gjithë shtetasit e Kosovës.

Edi Rama pastaj më vonë i hypi atit dhe pa pyetë a ka kund shqiptar tjetër të gjallë a të vdekur, ia msyni Beogradit. Shkoi atje sikur ishte i pari njeri që po shkelte në planetin Mars. Mburreshin të tijtë se Enveri dhe Rama po bëjnë histori, po shkojnë në Beograd. Në fakt Enveri dhe Rama e duan kujdesin e sqetullën e Beogradit.

Rama si një Donkishot jo naiv por tregtar me lavdinë përsonale e historinë kujtoi se po bën e po hyn në histori. Tha në Beograd se Kosova është e pavarur, gjë të cilën e dinin më mirë se ai zyrtarët në Beograd. Atij iu duk se nxori shpatën dhe ia preu kokën Vuçiqit. Të tijtë rrehen lodrat se Rama ia përdredhi kokën maces dhe e vrau arushën…

Luajti futboll politik të pështirë me Beogradin që të fitonte Beogradi sikur Rama të ishte trainer serb i kombëtares shqiptare të futbollit.

Rama shkoi në Beograd duke shkelë mbi kufomat e pagjetura të shqiptarëve, synoi të bëhët vëlla me Vuçiqin pa folë kurrë për kufomat e shqiptarëve, për varret masive, për krimet serbe. Rama nuk ka patur kurrë fuqi as guxim ta thotë qoftë një germë për krimet serbe, por ai ka patur synim që të shitet si azgan, si lider rajonal, të shitet si shqiptar i mirë i Shqipërisë dhe të bëjë një diferencë sikur nuk janë të mirë shqiptarët e Kosovës sa është i mirë Rama.

Rama ka shfaqur një inferioritet të llahtarshëm ndaj serbëve gjithmonë, që kur ia ka dhënë çelësin e Tiranës Bergoviqit. Ai është sjellë si një ushtar.

Edhe letra që i shkruan mikut të Arkanit, masakruesit të shqiptarëve, është inferioritet. Futbollisti i kthen përgjigje dhe Rama nuk fle gjumë nga kënaqësia që ai futbollist i kthen përgjigje dhe ky ka prekë zotin me dorë.

Gjithë kohën Rama ka një përpjekje të shfaqet djalë trendi për Beogdarin dhe Prishinën e konsideron fare fshat të humbur

Nëse Enveri i pati mbushë rrugët e vendit me emra serbësh, edhe të Rankoviqit, Rama shpreson se ndonjë rruge apo ndonjë sheshi në Beograd t’i venë emrin e Ramës.

Kurbanin, librin e tij të urrejtjes ia kanë botuar në Beograd.

Unë e dua pajtimin sa më parë me serbët. Por me dinjitet, pa lëpirje, jo si nënshtrim.

Shqiptarët e morën çfarë patën për të marrë, e morën Kosovën, tani është mirë të pajtohemi, por nuk ka pajtim pa pajtimtare dinjitarë.

Edi Rama nuk është i dinjitetshëm për këtë gjë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok