13/02/2025

Fillimi i fundit të doktrinës mbi paprekshmërinë e kufijve mes shteteve

0
Blerim-Latifi

Nga Prof. Blerim Latifi

Ditëve të fundit kam pa në rrjetet sociale kush e di sa fyerje të ndyra kundër Drenicës. Shumë prej tyre me elemente të qarta fashiste e raciste. Disa herë më janë kruar duart të ulem e të shkruaj kundër gojëve të ndyra që i shpërndanin këto fyerje, por në fund hiqja dorë. Për dy arsye : argumentet racionale janë të pafuqishme ndaj zjarrmisë së urrejtjes kolektive dhe nuk doja që gjuhës së urrejtjes t’i përgjigjesha me të njëjtën gjuhë.

Sot e pashë një ndyrësi tjetër. Dikush kish postu një listë votimesh, në të cilën figuron se 118 qytetarë të Skenderajt kanë votuar për Listën Serbe. Postimi shoqërohej me komentin “ja shikoni drenicasit qysh votojnë për Radojqiqin”. Gomari, i helmuar nga urrejtja patologjike për një rajon, nuk e di se në komunën e Skënderajt ekziston një fshat i banuar me serbë, Baja, të cilët sigurisht që kanë votuar për partinë e tyre. Drenica dhe shqiptarët e saj i kanë të mirat dhe të këqijat e tyre, ashtu siç i kanë të gjithë njerëzit e kësaj bote, të të gjitha kombeve e kulturave. Por një gjë nuk mund ta gjesh në mesin e tyre kurrë: dashuninë për Serbinë.

______________

Sekretari amerikan i mbrojtjes u tha aleatëve në Bruksel se Ukraina nuk mund të pretendoj në rikthimin e kufijve me Rusinë të para vitit 2014.

Kjo deklaratë shpallë fillimin e fundit të doktrinës mbi paprekshmërinë e kufijve mes shteteve.

Kështu po rikthehet ligji i moçëm i historisë, ligji që thotë se kufijtë i përcakton çizmja e ushtarit, pra forca.

Shqiptarët, të cilët gjatë historisë janë sakatuar prej këtij ligji, tani ose do të mbledhin mend dhe të veprojnë konform rregullave të reja të gjeopolitikës, ose në mungesë të tyre të mbesin nën mëshirën e dallgëve të saj, me shpresë se rastësia fatlume do na nxjerr në breg edhe një herë.

Duke marrë parasysh mjerimin e mendimit politik që kemi, elitat politike dhe ato kulturore për faqe të zezë, kam frikë se mundësia e dytë i ka gjasat kryesore që të realizohet.

______________

Demokracitë kthehen në fjalë boshe aty ku mediat kanë frikë të flasin kundër pushtetit dhe opozita ndihet e pafuqishme përballë tij.

Fushata elektorale, e filluar muaj më parë dhe që po mbyllet sonte, ka dëshmuar se demokracia jonë është e konsoliduar dhe imune ndaj trendit autoritarist që prej kohësh e ka përfshi rajonin, por edhe botën.

Ky është një lajm fantastik nga vendi ynë.

Lajmi tjetër është se fushata u zhvillua në parametra plotësisht demokratikë, pa incidente e akte dhune.

Urojmë që edhe dita e nëserme të jetë një ditë e qytetarisë shembullore!

Kështu ne i dëshmojmë botës se e meritojmë shtetin që e kemi.

Për fund: suksese gjithë atyre që në kët’ fushatë dëshmuan se besojnë në politikën si garë e ideve dhe jo në politikën si garë e përbaltjeve.

______________

Me gjasë, përkundër dëshirave të partive, Sovrani vendosi për një qeveri të koalicioneve, e jo për një qeveri njëpartiake. Procedurat kushtetuese e qartësojnë procesin politik që e prodhon këtë qeveri. Kushtet themelore janë:  koalicioni i numrave në parlament dhe marrëveshja për ndarjen e pushtetit.

Por jetëgjatësia e një qeverie të tillë varet edhe nga një tjetër gjë po aq esenciale: marrëveshja për mënyrën e adresimit të problemeve të mëdha ndërkombëtare të vendit, të cilat presin mbi tavolinën e kryeministrit.

Nëse kjo marrëveshje nuk arrihet ose konsiderohet çështje e dorës së dytë, atëherë çdo qeveri koalicioni është e dënuar të rrëzohet edhe nga era më e vogël e krizave politike. Ashtu siç ka ndodhur disa herë në të shkuarën. Historia përsëritet kryesisht tek ata që nuk marrin mësime prej saj.

______________

Përtej të gjitha dinamikave dhe rezultateve të tjera, edhe kësaj radhe, në këto zgjedhje, qytetarët e Kosovës e dëshmuan se nuk duan që feja të përzihet me politikën. Ata duan një politikë sekulare dhe pikë. Bravo Kosovë!

______________

Rastësisht duke shikuar lajmet ndërkombëtare me ra në sy një lajm nga Greqia: zona vullkanike në ishullin e Santorinit qenka aktivizuar përsëri. Sot ky ishull është një nga atraksionet më të njohura të Greqisë, por historia gjeologjike e tij, e cila është shumë më pak e njohur, ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në imagjinatën e qytetërimit Perëndimor. Si shumë gjëra të tjera të kësaj imagjinate, edhe kjo lidhet me Platonin. Historia na tregon se në Santorini, i cili në antikitet quhej Thira, ekzistonte një qytetërim mjaft i zhvilluar, qytetërimi Minoan. Një shpërthim enorm vullkanik, rreth 3600 vjet më parë, gjeneroi procesin e rënies së këtij qytetërimi. Dëshmitë e kësaj katastrofe natyrore u ruajtën në papiruset e Egjiptit të Lashtë dhe kur Platoni udhëtoi atje, u njoftua me to, dhe mbi bazën e tyre shkroi tregimin e tij legjendar për Atlantidën. Në këtë tregim flitet për një qytet përrallor, të cilin një ditë e përbiu një kataklizmë  e madhe. Këtu zë fill imagjinata utopike e Perëndimit, ëndrra e tij për Qytetin Ideal, për krijimin e një rendi të përkryer njerëzor, ëndërr e cila përmes shekujve ka marrë forma të ndryshme, për të arritur deri tek utopitë e Iluminizmit modern.

Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes.

Tregimi platonik për Atlantidën bartë brenda vetes edhe diçka tjetër: dimensionin tragjik të ekzistencës njerëzore. Ky dimension ka të bëj me brishtësinë e kësaj ekzistence përballë fuqive të natyrës, të cilat shfaqen papandehur për t’i bërë pluhur e hi ëndrrat dhe përpjekjet tona.

3600 vjet pas katastrofës që i dha tatpjetën qytetërimit Minoan, nëntoka dhe nëndeti i Santorinit prapë kanë filluar të dridhen. Si për të na e kujtuar edhe njëherë këtë dimension tragjik, lufta humane ndaj të cilit ka krijuar dituritë, artet, fetë dhe vetë teknologjinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok