21/12/2024

FILLIMI I DEMONSTRATAVE NË TETOVË DHE GRISJA E FLAMURIT KOMBËTAR

0
Vebi-Xhemaili

ME RASTIN E 50 VJETORIT TË DEMONSTRATAVE NË TETOVË

Nga Prof. Dr. Vebi Xhemaili – USHT

Si filluan demonstratat në Tetovë

Pas Plenumit të katërt edhe në republikën “Popullore” të Maqedonisë gjatë muajit nëntor të vitit 1968 Kuvendi Republikan i Maqedonisë formalisht kishte lejuar përdorimin e “lirë ” të flamujve të kombësive, ku hynin edhe shqiptarët. Meqë flamuri nuk u ngrit dhe nuk u përdor askund gjatë festës së 29 Nëntorit–Ditës së Republikës edhe pse me urdhër të Sali Saliut sekretar i Ndërmarrjes tregtare “Jellak ”flamujt ishin siguruar dhe shqiptarët filluan të blejnë flamuj nëpër shitore dhe përgatiteshin që t’i përdorin gjatë kremtes fetare-Bajramit.

Një ditë para bajramit më 21 dhjetor, në vigjilje të kremtes së Bajramit, flamujt shqiptarë vendosen në disa xhami. Në xhaminë e Sahatit që gjendet në qendër të qytetit, flamurin në minare e vendosi Murtezan Murtezani vëllai i Mehmet Gegës, personalisht me porosi të Mehmetit; në Xhaminë e vjetër “Eski Xhami” flamurin e vendos Abdullah Jusufi, ndërsa në Xhaminë e Pashës -Haqif Ferati. Flamuri u ngritë lartë edhe në disa shtëpi private dhe në disa dyqane. Qytetarët për këtë aktivitet ishin të njoftuar nga Mehmet Gega, i cili në Xhaminë e Sahatit më 28 nëntor i foli masës për këtë festë.

Një skenar provokues në orët e mbrëmjes të datës 22 dhjetor 1968 e kishte përgatitur fotografisti maqedonas, Sreqko Janeski, ky e grisi flamurin shqiptar[1], i cili qëndronte i ngritur në dyqanin e Ismail Spahiut, në qendër të qytetit. Njerëzit që kishin qenë aty pranë kishin reaguar kundër këtij akti barbar të Sreqko Janeskit, ia marrin flamurin Abdylmenaf Rrustemi dhe Hysniqemal Merxhani. Masa fillon të grumbullohet dhe të bëhet gjithnjë e më e madhe. Në këtë tollovi të madhe, bugarofili Sreqko Janevski nga frika nxjerr revolen dhe ia drejton masës duke e zmbrapsur në lokalet e “Hotel Maqedonia ”.

Shqiptarët që gjendeshin aty dhe disa që erdhën me të shpejtë i thyejnë xhamat e hotelit dhe futen në lokalet e tij, por së shpejti arrin policia e cila e merr në mbrojtje këtë shovinist maqedonas. Në këtë tollovi dallohen mjekët Harun Jakupi, dhe Mahmut Bajraktari si dhe arsimtarët Selajdin Hyseini dhe Abdullah Kalishta. Për një kohë të shkurtër grumbullohen shumë qytetarë shqiptarë, të cilët indinjohen shumë për këtë akt shovinist, ku mbi 40 nacionalist shqiptarë e rrethojnë dyqanin e këtij shovinisti dhe e demolojnë tërësisht duke i thyejnë edhe xhamat dhe inventarin që ishte brenda.[2]

Policia maqedonase kur e pa se shqiptarët janë të vendosur dhe do të shkojnë deri në fund për t’ia djegur edhe shtëpinë policia maqedonase vendosi ta mbrojë shtëpinë e këtij shovinisti. Në të njëjtën natë kah ora 20 në  mbrëmje demonstruesit u mblodhën përpara Komitetit Komunal të SKM, duke bërtitur parullat “Poshtë Rankoviqi dhe policia e tij shoviniste ”, “Poshtë banda”, si ti mbrojë policia edhe  ndaj tyre forcë edhe ata janë armët tanë” [3]

Por meqë kjo ndodhi vonë rreth orës 20, protestuesit përhapen lajme se protesta do të vazhdojë nesër, madje se të nesërmen më 23 dhjetor, do të organizohet edhe mitingu protestues në qendër të TetovësDemonstrata filloi në orën 11-h. Demonstruesit u nisën nga qendra e qytetit dhe së pari iu drejtuan selisë së Komitetit komunal, në ndërtesën e të cilit u futën demonstruesit duke u futur nëpër zyrën e tij. Këtu u dallua në mënyrë të veçantë nxënësi i gjimnazit Hamit Saliu, i cili e shpaloi flamurin kombëtar në dritaren e një zyre të katit të tretë. Prej këtu demonstruesit kthyen në qendër dhe iu drejtuan Sekretariatit për Punë të Brendshme, duke kaluar gjithnjë nëpër rrugët kryesore të qytetit. Para ndërtesës së Sekretariatit (policisë) demonstruesit qëndruan një kohë të gjatë duke kërkuar që të lirohen të burgosurit, për të cilët vetëm ishte përhapur lajmi se janë burgosur, por ky lajm nuk ishte i vërtetë, meqë ende nuk ishte burgosur asnjë shqiptar. Prej këtu demonstruesit sërish kthehen në qendër të qytetit, Ku ishin tubuar një masë e madhe, ora ishte 13-h.[4] Në krye të demonstratave si organizatorë të saj u paraqitën:  Faik Mustafa, Ramadan Sinani, (profesori i im nga gjimnazi i Tetovës),[5] Ismail Emini, Hysniqemal Merxhani Ahmet Mahmut Zeqiri.[6] Këta i kanë shkruar parullat dhe dhanë kushtrimin për fillimin e demonstratave. ndër parullat kryesore ishin “Rroftë Fadil Hoxha”,”Poshtë shovinizmi maqedonas”, ”Kërkojmë hapjen e universitetit të Kosovës”, ”Kërkojmë përdorimin e lirë të flamurit ” Tash është koha për luftë qytetare”, Ky është momenti i fundit të fitojmë të drejtat tona”. “25 vite ne shqiptarët jemi të robëruar”. etj[7]

Në sheshin e qytetit demonstruesit qëndruan një kohë të gjatë duke brohoritur parulla për barazi kombëtare. Ndërsa në orët e pas ditës një grup demonstruesish në krye me Isniqemalin u futën edhe në gjimnazin e Tetovës, ku kërkuan nga ne nxënësit dhe profesorët që të dalim në qendër të qytetit dhe tu bashkohemi demonstruesve në qendër të Tetovës. Në këto rrethana kur ky grup dmonstuesish kërkonin që tu bashkohemi atyre. Ndërhyri Profesori i gjuhës Latine, Xhevair Shaqiri, vendosi ta ndërpresë mësimin dhe na tuboi në një klasë ku na foli për situatën politike në përgjithësi dhe fillimin e demonstratave në Tetovë. Profesori në mes të diskutimit të tij, tha: “Këto demonstrata janë të kurdisura nga tjetër kush e jo nga shqiptarët. Profesor nga kush, nga UDB-a, Jugosllave.”[8]. Profesori më tej na luti që të shkojmë nëpër shtëpitë tona dhe mos të dalim në shesh, pasi ishte vonë pas dite. [9] Sa e lëshuam gjimnazin u nisëm për në shtëpi te stacioni i autobusit, që në atë kohë ishte i improvizuar te salla “Partizan”, afër ndërtesës së gjykatës së Tetovës. Aty na rrethoi  policia e veshur si ajo gjermane dhe e armatosur deri në dhëmb. Papritmas filloi rrahja e nxënësve dhe lagësja me ujë për të shpërndarë atë grup nxënësish të pafajshëm, që pritnin autobusin për të shkuar në shtëpitë   e tyre në drejtim të fashistit Pirok dhe Bogovinë. Ashtu të lagët arritëm nëpër shtëpitë tona. Por mendjen e kishim te ato parulla duan Flamur, jemi me Kosovën, rroftë shoku Tito. (V.Xh).

Në orët e vona të pas ditës, në qendër të qytetit ishte grumbulluar një masë e madhe prej më se 20.000  demonstrues. Kjo masë vinte gjithnjë duke u rritur. Por krahas masës filluan të vijnë edhe përforcime të policisë speciale të përcjellur me teknikë të motorizuar nga Shkupi, të cilët e bënë masën e demonstruesve gjithnjë më të padurueshme dhe më agresive. Këta policë të shtetit sllav posa arin nëpër rrugët e qytetit filluan të sillen ndaj qytetarëve në mënyrë tejet barbare. Një grup policësh na takon te shtëpia “Partizan” dhe pa një pa dy filloi të kërciste shkopi i gomës, ndërsa  rruga ishte e stërmbushur përplot me policë të ardhur edhe nga Beogradi. Policët përveç gomave ndaj qytetarëve të Tetovës, përdornin edhe fundakët e pushkëve. Por kishte raste kur ndaj turmave kur përdornin edhe topat e ujit të ftohtë, për të shpërndarë çdo kënd, që për fat të keq u përdorë forca edhe ndaj nxënësve të gjimnazit të Tetovës, e cila që në atë kohë ishte e shpallur nga pushteti komunist si “çerdhe e nacionalizmit shqiptarë”. [10]

Në këtë entuziazëm të madh të demonstruesve, kur në qendër të qytetit dëgjoheshin vetëm brohoritma të ndryshme, i riu Shefajet Fetahu hipi në shtyllën  metalike dhe e ngriti flamurin kombëtar, për të parën herë që kur kishte përfunduar lufta, e Dytë Botërore, ose më mirë me thënë pas mbarimit të luftës në Maqedoni,në vitin 1945.

Ngritja e flamurit para kësaj mase të madhe njerëzish qe akti kulminant i kësaj demonstrate. Pas pak kohe, një provokues nga qeveria u paraqit në një dritare të një ndërtese duke folur nëpërmjet megafonit, ku iu kërcënua masës se brenda disa minutash fillon ora policore dhe intervenimi i policisë. Kundër kësaj deklarate Demonstruesit reaguan ashpër në këtë kërcënim, filluan të bërtasin, ndërsa një grup nga demonstruesish u shkëputën nga masa dhe u drejtuan nga Komiteti Komunal duke gjuajtur me gurë, e ngritën përsëri flamurin kombëtar, duke bërtitur edhe parulla tjera si:Rroftë Shqipëria”, Rroftë Enver Hoxha dhe kërkojmë të vij këtu” “Poshtë borgjezia kishtare”, “Rroftë Fadil Hoxha”,  “Tito-Fadil”,  Demonstrata zgjati deri në ora 18 të njëjtën ditë, ku pas disa minutash, intervenoi policia dhe demonstruesit pasi e kishin bërë të veten, filluan të largohen dhe në këtë mënyrë përfundoi demonstrata njëditëshe në Tetovë. Në këto demonstrata u demolua hotel “Maqedonia”, ndërtesa e Komitetit të Lidhjes komuniste të Maqedonisë, dyqani privat i Sreqko Janevskit dhe  u lënduan edhe katër policë.[11]

TETOVA PAS DEMONSTRATAVE TË VITIT 1968

Ora policore që filloi në Tetovë pas largimit të demonstruesve tregoi fytyrën e vërtetë të pushtetit maqedonas dhe mllefin e tyre kundër shqiptarë. Me qëllim të marrjes së masave sa më të ashpra ata filluan bastisjet nëpër shtëpi duke frikësuar popullatën me sjelljet e tyre tejet barbare. Në Tetovë me plotë të drejtë mund të thuhet se u kthye terrori shtetëror, si dhe kthimi i  situatës  parabrioniane në Kosovë dhe në të gjitha viset shqiptare, qeveritarët maqedonas glorifikuan shumë qëllimin e demonstratave. Ata demonstratat i paraqitën si armiqësore me kërkesa irredentiste për bashkim të shqiptarëve në Jugosllavi për republikë Kosovën Republikë dhe bashkim me Shqipërinë. Sipas gazetës gjermane “Frankfuter Algemajne Cajtung” Republika e Serbisë do ta humbte Kosovën, kjo ndoshta do të mund të kapërcehej, por me rëndësi është këtu të theksohet problemi maqedonas dhe republika e tyre e cila në kuadër të Jugosllavisë kishte arritur të shëndrohet nga një krahinë në Republikë në kuadër bashkisë Jugosllave, copëtimi i këtij shteti në aspektin territorial do të përgjysmonte territorin  e saj.[12] Në anën tjetër nacionalitetin maqedonas  refuzojnë Bullgaria, Greqia dhe qarqet serbomëdha në Jugosllavi. Me atë rast ndarjet e territorit në baza etnike do sillte si rezultat shkatërrimin e Maqedonisë si shtet në vete. V. Xh).  Prandaj pushteti maqedonas në këtë rrethana të paraqitura pas demonstratave kishte duart e lira të burgosë cilin të do dhe kur të dojë. Në veçanti ajo ishte shumë e interesuar të burgoste udhëheqësit e frymës nacionaliste. Pas demonstratave jo vetëm në Tetovë por edhe në tërë Maqedoninë u burgosën me  qindra shqiptarë dhe u dënuan me kundërvajtje, ndërsa 54 veta u dënuan me mbi një vjet burg, jo vetëm në Tetovë, por edhe në qytete të tjera si në Shkup Gostivar, Strugë dhe Kërçovë.[13]

Ndonëse  represaliet ishin shumë të rënda, megjithatëduhet theksuar se këto ishin vetëm minimumi nga ajo që planifikohej të realizohej. Maqedonasit planifikonin disa dënime me vdekje dhe shumë dënime me burg të rëndë mbi dhjetë vjet. Por situata ndërkombëtare, klima e butë pas që pati jehonë kudo pas largimit nga Komiteti Qendror të Rankoviqit dhe rezistenca që bëhej në Kosovë dhe kudo në Maqedoni. Përmbajtja e Shqipërisë që të ndërhyjë e të reagojë dhe pozita që gëzonte atëherë Jugosllavia e bënë të vetën. Maqedonasit në këtë situatë qenë të detyruar që të kënaqen edhe vetëm me një dënim maksimal prej shtatë vjetësh që ia shqiptuan veprimtarit të pa lodhshëm të kauzës kombëtare Gegës. Mehmet Gega me burgosjen e Parë dhe tani për së dyti, mësuesi Gega tani fitoi stazh më të madh në kazametet e Maqedonisë, pas Adem Demaçit, nga Kosova, i cili po ashtu për interesin madhor të kombit, u dënua mbi 28 vjet burg.[14]

Shtypi maqedonas i dha publicitet shumë të madh demonstratës në Tetovë, ai në mënyrë të veçantë trumbetoi që të tërheq vëmendjen e opinionit jugosllav kundër shqiptarëve, por kjo u kthye si bumerang kundër vetë maqedonasve, për arsye se çështja shqiptare filloi të dalë para opinionit ndërkombëtar. Maqedonasit nuk patën mundësi që ta ndryshojnë situatën as në Kosovë. Përkundrazi me përfundimin e gjykimeve në Kosovë, ku dënimi më i lartë qe 5 vjet, maqedonasit u gjetën në një situatë të vështirë dhe nuk dinin se si të arsyetojnë numrin e madh të burgosurve politikë. Pos burgosjes në Tetovë u burgosën edhe disa njerëz në Strugë, Shkup, Gostivar, etj. Politika maqedonase akuzoi edhe shqiptarë tjerë që nuk kishin pasur kurrfarë lidhje me demonstratën dhe me ngjarjet tjera që kishin ndodhur më parë. Kështu për shembull, në Shkup u burgosën dhe u dënuan Sejdi Kryeziu me 5 vjet burg, goja se ka bërë propagandë armiqësore për shkëputjen e Maqedonisë Perëndimore dhe për bashkimin me Shqipërinë, Inajet Bariu u dënua me një vit burg po për propagandë armiqësore. Në Strugë u burgosën dhe u dënuan Irfan Vlashi, me 6 vjet burg për diversion, Tosun Roçi me 4 vjet burg, mandej Suria Qyra.[15]

Me demonstratat e vitit 1968 dhe jehonën  e saj u mor edhe Evropa demokratike ku me të madhe afirmohej çështja shqiptare. Ajo ishte në diieni për burgosjet masive të intelektualëve shqiptarë në Kosovë dhe Maqedoni. Gazeta “Katoliški glasnik” e 2 janarit të vitit 1969 shkruante për demonstratat e shqiptarëve në Tetovë. “Në prag të festave shpërthyen trazira në Tetovë, pranë kufirit shqiptaro – jugosllav. Ky qytet është në Maqedoni, ku jetojnë kryesisht shqiptarët. Demostruesit, që kryesisht ishin studentë, kërkuan që Tetova t’i takonte Kosovës, krahinës me shumicë shqiptare. Demonstruesit brohoritën parrulla kundër Jugosllavisë dhe e ngritën flamurin shqiptar”. Gazetë shkruan se demonstruesit e kishin demoluar qendrën e qytetit, kurse në përballje me forcat e rendit ishin plagosur tetë persona, prej të cilëve katër policë. Në kontekst të kësaj nuk ishte i parëndësishëm jehona  për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni. Gjithsesi shihet se çështja shqiptare i ka integruar jo vetëm mjetet e informacionit por edhe diplomacinë evropiane të kohës moderne. Të gjitha këto shkrime avanconin çështjen shqiptare para faktorit ndërkombëtar. Shqiptarët ishin trasuar në media evropiane dhe asaj botërore si faktor i rëndësishëm politik në Konfederatën jugosllave dhe në përgjithësi në rajon. Ky fakt, kjo kërkesë sublime e popullit shqiptar në Kosovë dhe Maqedoni në vitin 1968, nga analistët perëndimor u pritë pozitivisht, si krejt e logjikshme me lëvizjet demokratike në mbarë botën përparimtare. Edhe demonstratat në Tetovë u përkrahën si kërkesa reale të shqiptarëve të Maqedonisë Perëndimore. Kjo gjendje e krijuar i dha pretekst politikës maqedonase të hidhet në gjah për dënimin e intelektualeve shqiptarë, që ishin në sy të udhëheqjes shoviniste maqedonase, gjyqet shfrytëzuan edhe disa dëshmitarë u shërbyen me gënjeshtra. Për dënimin e grupit të Mehmet Gegës, para gjyqit dolën 103 dëshmitarë, prej të cilëve vetëm 3 veta dëshmuan në dobi të aktakuzës. Për dënimin e grupit të Gostivarit dëshmuan 62 veta, por përgjithësisht në të mirë të të akuzuarve. Si dëshmitarë më të rrezikshëm që dëshmuan në favor të aktakuzave dhe që u shërbyen kryesisht me gënjeshtra duhet të përmenden disa mësues nga Tetova me rrethinë: J. H, M. M, vëllezërit S. S, T. E, si dhe N. B dhe disa të tjerë. [16] Që të gjithë ishin mësues “të popullit ” , por në shërbim të shovinizmit maqedonas, që edhe sot me zell të madh i shërbejnë udhëheqjes shoviniste maqedonase.[17]

Jehona e demonstratave në Tetovë, pati rëndësi të madhe për historikun e shqiptarëve të këtyre trojeve, deri diku u ndriçua e vërteta mbi pozitën tejet të vështirë ekonomike dhe politike të shqiptarëve të Maqedonisë,  pati rëndësi të madhe në politikën ndërkombëtare, para se gjithash u aktualizua çështja e flamurit në të gjitha nivelet ndërkombëtare dhe atë federativ, së shpejti u miratua vendimi që ai të përdoret zyrtarisht në të gjitha festat nacionale, por këtë vendim Maqedonia nuk e përfilli deri në vitin 1974. Demonstrata në qytetet e Kosovës dhe në Tetovë, pati rëndësi të madhe politike në ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare pas mbarimit të luftës së Dytë Botërore dhe themelimit të Konfederatës Jugosllave. Kjo lëvizje mbarëkombëtare e shqiptarëve nën sundimin jugosllav, ngriti vetëdijen kombëtare, shtoi problemin për shkollim dhe aktualizoj çështjen shqiptare në nivel të shtetit jugosllav dhe atë ndërkombëtar. Ky qe një bumerang kundër maqedonasve, ata e humbën luftën politike. Pushteti maqedonas nuk pati forcë që të nxisë edhe një herë shkuarjen në Turqi, sepse koha kishte ndryshuar në dobi të shqiptarëve, rrethanat ndërkombëtare nuk lejonin më që të përsëriten barbarizma të tilla siç kishin ndodhur një çerek shekulli më parë. “Shovinistët maqedonas qenë të detyruar që të kënaqen edhe me ato masa që i ndërmorën kundër shqiptarëve”.

Qëndresa e popullit shqiptar nuk është e njohur vetëm në dekadat e fundit të shekullit XX. Ajo ka filluar shumë më herët se Kuvendi i Lidhjes së  Parë në Prizren, kur shqiptarët me armë në dorë i thanë jo Turqisë dhe Evropës pas Kongresit të Berlinit. Pastaj kemi “Besa Besën” e Haxhi Zekës, Kryengritjen e viteve 1908-1912, gjatë kësaj kryengritje kemi Kongresin e Manastirit i cili vuri gur themelin e bashkimit shpirtëror të shqiptarëve drejtë perëndimit, ku si ngjarje epokale kemi shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 në Vlorë.

Periudha pas shpalljes së pavarësisë, në historikun e shqiptarëve fillon faza e dytë pasi tani më shqiptarët vepronin të ndarë politikisht. Pozita e shqiptarëve të Shqipërisë Verilindore ishte tejet e rënduar në krahasim  me pjesën e Shqipërisë politke të njohur zyrtarisht si shtet i pavarur nga Fuqitë e Mëdha. Ndërsa pjesa e Shqipërisë së okupuar nga ushtria  serbosllave ishte në një pozitë tejet të vështirë politike dhe ekonomike gjatë viteve 1913-1941.

Me fillimin e luftës së Dytë Botërore shqiptarët e Maqedonisë dhe krahinave tjera shqiptare arrin të bashkohen me Shqipërinë. Gjatë kësaj periudhe katër vjeçare shqiptarët e Maqedonisë për herë të parë mësojnë në gjuhën e tyre amtare shkrim dhe lexim. Gjatë luftës së dytë shqiptarët u organizuan në mbrojtjen e kufijve etnik, ku rol të rëndësishëm ka luajtur Lidhja e Dytë e Prizrenit. Në këtë Lidhje shqiptarët e Maqedonisë kanë qenë pjesëmarrës direkt dhe kanë organizuar Ushtri Vullnetare në mbrojtje të kufijve etnik nga depërtimi komunist dhe forcave partizane.

Mirëpo, ndër sfidat më të mëdha ishte viti 1945 dhe periudha që pason, pasi komunistët tradhtuan çështjen shqiptare dhe bashkimin e Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare me Shqipërinë. Kjo ishte koha kur shqiptarët, pa dëshirën e tyre, mbetën në kuadër të Serbisë e të ish-Jugosllavisë. Nuk ishte hera  e parë që shqiptarëve iu mohua një e drejtë e ligjshme e tyre, por ky do të jetë mashtrim më i madh që komunistët jugosllav ua bënë shqiptarëve. Andaj, rezistenca ishte fati ynë historik. Deri vonë historiografia shqiptare nuk u mor me këto ngjarje, jo vetëm pse okupuesi u kujdes që ti shpallte tema tabu, siç e patën shpallë të tillë tërë rezistencën shqiptare kundër robërisë, por edhe pse ende nuk ishte mbyllë fleta e fundit e kësaj historie, e cila vazhdoi të rridhte gjithnjë e më bujshëm në viset etnike  shqiptare.

Pas vitit 1945 Kosova dhe trojet e tjera shqiptare të Maqedonisë përsëri u robëruan. Shqiptarët vendosën të qëndronin dhe të rezistonin, ashtu siç i kishin mësuar shekujt dhe të parët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në krye me Hasan Prishtinën dhe shumë atdhetarë tjerë. Edhe më tutje në rend të obligimeve historike mbeti obligimi dhe qëllimi suprem i Lëvizjes Nacionalçlirimtare i trojeve të mbetura nën sundimin e huaj dhe bashkimi i tyre me shtetin amë. Kjo dëshmon se rezistenca e armatosur që nisën djemtë e vashat më të mira pas mbarimit të luftës së Dytë botërore  i ka rrënjët qysh te pushtimi osman, kur populli shqiptar u ngrit si një për ta çliruar vendin e për tu vënë krah popujve të Evropës dhe të Ballkanit me shtetin e vet kombëtar. Ky ishte edhe amaneti i Isa Boletinit nga Londra, kur deklaroi para Eduwart Grejit: “Me këto vendime arbitrare kur nuk do të pajtohet populli shqiptarë i Kosovës, po u garantoj që nga ky vend se shqiptarët kur nuk do të pranojnë këtë ndarje artificiale në dy pjesë.”[18]

Lëvizja Kombëtare edhe pas copëtimit të Shqipërisë në dy pjesë ka vepruar me të njëjtin intensitet. Të gjitha ngjarjet historike gjatë mbretërisë Jugosllave ishin të koncentruara në “Banovinën e Vardarit”, me qendër në Shkup. Por edhe pas mbarimit të luftës së Dytë Shkupi edhe më tutje ngeli qendër e lëvizjes nacionaliste shqiptare NDSH me seli në Shkup. Pasi në këtë kohë në Kosovë ishte vendosur administrimi ushtarak (8 shkurt 1945 ) dhe më vonë, në vitet që pasuan, bëri që monarkia jugosllave të vishej me tesha dhe këmishë të re komuniste. Shovinistët serbo-malazias me yllin partizan në ballë e kthyen Kosovën dhe trojet tjera shqiptare në një kasaphanë të paparë. Popullata shqiptare, bijtë dhe bijat më të mira të kombit, binin nga rafalët e OZN-as. Fshatra të tëra bëheshin hi e pluhur nga flaka e tyre. OZN-a famëkeqe, e më vonë UDB-ja, fillojnë ekspeditat e tyre kriminale. Mijëra të tjerë u masakruan në Strugë, Dibër, Kërçovë, Gostivar, Tetovë Shkup Preshevë e Kumanovë. Në atë kohë Presheva ishte në përbërje të Maqedonisë. (V.Xh).

Po ashtu edhe në vende të tjera në Kosovë edhe gjithandej ku jetonin shqiptar. Në emër të pastrimeve nga elementët armiqësore, “të shpallur si armiq të pushtetit popullor”, dhjetëra e mijëra shqiptarë u zhdukën pa gjurmë. Në këto kushte të llahtarshme shqiptarët  gjetën forcë dhe nisën rezistencën e tyre të gjatë nga viti 1945-2001. Në fillim u ngritë Kosova, pastaj Tetova, dhe Presheva me Karadak të komanduar nga Sulë Hotla dhe prof. Ibrahim Kelmendi. Prijësi popullor Shaban Polluzha në vend që të shkonte në Srem, ku e urdhëronin komandantët komunist, ky  me dhjetë mijë luftëtarë të tij kthehet në Drenicën trime së bashku me Adem Gradicën për ti mbrojtur gratë dhe fëmijët shqiptarë nga gjakpirës të divizioneve serbo-malazeze, të udhëhequra nga koloneli Sava Derleviq. Kryengritja e Drenicës u shua me gjak ku rrafshuan 44 fshatra nga partizanët me yll të kuq në ballë. Për fat të keq në këto masakra kanë marrë pjesë edhe dy Divizione Shqiptare të komanduara nga Xhevdet Peci.[19]  Shqiptarët të përgjakur deri në asht, të lidhur këmbë e krye nga dhuna e pushtetit ushtarak komunist, që ushtronin sllavo komunistët kundrejt popullatës së pafajshme shqiptare. Shqiptarët e Maqedonisë këtë katrahurë të përjetuar pas luftës nuk do ta harrojnë kurë. (V.Xh).

Pas aksionit politik për shpërnguljen e shqiptarëve fillon edhe lufta kundër arsimit shqip. Politika ditore komuniste tentonte me çdo kusht ta fshij nocionin shqiptar duke e zëvendësuar me atë turq, duke pasur hapësirë për hapjen dhe funksionimin e paraleleve turke ndër shqiptarë. Kjo kohë e pas luftës shumë pak premtonte se diçka e re dhe e mirë do të lindte në horizontin komunist. Qeveria e re maqedonase e cila ishte pjellë e komunizmit jugosllav me plotë të drejtë mund ta quajmë pinjoll e pushtetit të vjetër, Qeveria e Llazar Kolishevskit dhe klikës së tij vazhdonte me përpjekje të ethshme që në çdo pore të jetës të shuante çdo ndjenjë kombëtare dhe liridashëse të shqiptarëve në Maqedoni. Edhe pse presionet vazhdonin, populli gjeti një mënyrë tjetër të rezistencës që ishte shumë më kuptimplotë, por edhe e rrezikshme. Në ilegalitet të thellë filluan të vepronin organizatat e shumta patriotike shqiptare, si: Besa Kombëtare”, NDSH “Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar”, me seli në Shkup, PNP, “Partia Kombëtare e Punës”, ka vepruar në Tetovë me rrethinë, së bashku me K i L “Kushtrimi i Lirisë”. “Besa”, në Tetovë. Ndërsa organizata ML “Marksist Leninistët”, ka vepruar në Kërçovë. DPD “Dorë për Dore”, ka vepruar në Ohër, Strugë dhe Dibër. Pastaj “Shkëndija”, “Lëvizja e revolucionare për bashkimin e Shqiptarëve”, “Partia komuniste-marksisteleniniste e shqiptarëve në Jugosllavi”, “Lëvizja marksiste leniniste e shqiptarëve në Jugosllavi”, “Komiteti organizativ i marksistëve-leninistëve të Kosovës”, ”Fronti i kuq popullor”, Fronti i Kuq”, dhe disa organizata të tjera më të vogla. Në Maqedoni kanë vepruar 9 (nëntë) grupe ilegale: 3 në Tetovë, 2 në Gostivar, 1 në Kumanovë, Kërçovë, Dibër dhe Strugë.[20]

Lëvizja patriotike shqiptare kishte një shtrirje të madhe në kohë dhe në hapësirë duke përfshi gati të gjitha trevat shqiptare nën sundimin jugosllav. Kjo përfshinte vitet 1945-2001, me aktivitete dhe me problematikë të larmishme, me momente kulmore dhe herë–herë shpërthyese, që dilte nga suazat e ilegalitetit, si në vitet 1968,1971,1981,1989 dhe në fund me dy fitore më 1997 kur çlirohet Kosova dhe më 2001, kur arrihet marrëveshja shqiptaro-maqedonase më 13 gusht në Ohër e nënshkruar nga kampet politike shqiptare dhe asaj sllavo- maqedonase nën mbikëqyrjen dhe garancionin e ndërkombëtarëve.

Qeveria zyrtare në çdo hap mbillte ndjenjën  inferiore ndër shqiptarë si populli i dorës së dytë, si popull i shkallës së fundit. Qëndresa e popullit shqiptar ndaj dhunës koloniale të Shkupit, ndaj shfrytëzimit ekonomik, shtypjes politike dhe diskriminimit kombëtar në vitet e pasluftës, deri në vitet e 60-ta në mbledhjen e brioneve, gjithnjë po hynte në një etapë të re të stoicizmit dhe po e hapte në perspektivë një luftë të re në pajtim me rrethanat e kohës.

Në vitet 1955 /1956 Ministria e Punëve të Brendshme organizoi aksionin për mbledhjen e armëve, të cilat popullit shqiptar i kishin mbetur gjoja nga lufta e fundit dhe paraqesin rrezik për sigurinë e rendit shtetëror, me pretekst se UDB-ja kishte “njoftime” të bollshme se në Maqedoni dhe Kosovë po përgatitet të shpërthente një kryengritje kundër Jugosllavisë dhe sistemit të saj.

Sipas të dhënave që dispononte Lëvizja Kombëtare Shqiptare, në Jugosllavi kishte të vrarë dhe të shpërngulur vetëm nga Maqedonia mbi 200 mijë shqiptarë sipas organizatës “Besa”.[21] Ndërsa revista e Zagrebit “VUS”, pas Plenumit të Brioneve, vetëm gjatë periudhës së aksionit të armëve, për në Turqi janë shpërngulur rreth 300 mijë shqiptarë, 100 janë likuiduar, 30 mijë, kanë mbetur me pasoja të rënda fizike e shpirtërore.[22]

Masat represive e të dhunës u shtuan shumë sidomos gjatë vitit 1954 e këndej. Populli shqiptar, i bindur deri në fund se duhej të qëndronte në trojet e veta, kishte ngulur këmbë që të kalonte në një rezistencë më të organizuar dhe më masive, duke shpërndarë afishe, trakte dhe flamuj kombëtar. Zemërimi i popullit arriti kulmin sidomos kur u burgosën një numër i madh i anëtarëve të organizatave patriotike ilegale, të cilët u kishin shpallë luftë të hapur dhe të pa kompromis pushtetit dhe shërbëtorëve të tyre. Në organizatën e vet politike Shaban Xheladini kërkonte nga anëtarët e organizatës “Besa”, që për çdo shqiptarë të vrarë të  ekzekutohen 20 maqedonas.[23]

Pas mbajtjes së Plenumit të Brioneve (1966), Kosova filloi të frymonte më lehtë, ndonëse askush nuk ushqente ndonjë iluzion të veçantë lidhur me përmirësimin e gjendjes dhe të pozitës së shqiptarëve që jetonin në trojet e veta etnike. Në situatën e re krahu përparimtar i kuadrove dhe i inteligjencës popullore, që tashmë, pas njëmijë vuajtjesh e sakrificash, kishte arritur të dilte nga bankat e shkollave të mesme dhe të fakulteteve të ndryshme, ngre zërin edhe legalisht, duke kërkuar të drejtat politike, demokratike, kulturore dhe arsimore, të sanksionuara me kushtetutë nga pushteti komunist.

Kërkesat e popullit shqiptar vazhdonin me këmbëngulje, duke prekur edhe në sfera të tjera të të drejtave politike dhe ekonomike, të cilat me decenie i ishin mohuar me dhunë. Në radhë të parë, duke u mbështetur në të gjitha tiparet dhe karakteristikat e kombit, siç janë gjuha amtare, kultura konstitucioni shpirtëror i përbashkët, kompaktësia territoriale. Njëzëri u kërkua që trajtimi i popullit shqiptar si “pakicë kombëtare” të avancohej në nivelin adekuat, me njohjen e statusit të kombit, ndërsa Krahinës së Kosovës ti njihej statusi i Republikës. Kjo kërkesë u paraqit publikisht dhe u përkrah masivisht nga shtresat e gjera popullore. Mirëpo punët rreth kërkesave të popullit shqiptar të Kosovës po zvarriteshin qëllimisht, Qeveria e Beogradit, po e bënte veshin të shurdhër e syrin qorr ndaj kërkesave të këtij populli. Punën vendimtare për organizimin dhe shpërthimin e demonstratave të vitit 1968  e bëri Lëvizja përparimtare studentore, të cilës iu bashkëngjiten masat e gjera popullore. Ndërsa kësaj kërkese iu bashkëngjitën edhe trojet tjera shqiptare të Preshevës dhe Tetovës.

Shuarja me gjak e demonstratave, lëndimi i truallit të Kosovës nga zinxhirët   e tankeve dhe nga çizmja e policisë dhe e ushtrisë së ardhur nga Nishi e Shkupi, vrasja e të riut Murat Mehmeti, plagosja e shumë djemve dhe e vajzave, arrestimet e shumta që vazhduan më vonë, nuk mundën ta shuanin rezistencën e popullit shqiptar. Në këto rrethana kur ende në qiell shihej tymi i tankeve jugosllave, Tetova me rrethinë u ngritë në këmbë kundër barbarizmave dhe torturave që po bënte pushteti maqedonas kundër shqiptarëve të Maqedonisë. Demonstratat e dhjetorit të vitit 1968 në Tetovë ishin më të mëdha kundër pushtetit komunist jugosllav.[24]

Pushteti komunist përdori masa të pa para kundër popullatës shqiptare në Tetovë, ajo rrahu dhe burgosi një numër të madh të popullatës shqiptare, nëpër duart e saja kaluan shumë të rij e në veçanti me të madhe u maltretuan studentët që studionin në Prishtinë dhe qytetet tjera të Kosovës. Pushteti maqedonas përdori dhunë edhe kundër nxënësve të shkollave të mesme që i takonte nëpër rrugët e qytetit që atë pas dite lëshuan mësimin dhe ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre.[25]

Më 23 dhjetor 1968 Beogradi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Tetovë dhe ndaloi qarkullimin e mbi dy vetave së bashku në vende publike Ndërpreu mësimin në shkollat fillore, në ato të mesme dhe kontrollonte studentët që vijonin studimet në Prishtinë dhe në Universitetet tjera jugosllave, ku studionte tek tuk ndonjë shqiptarë. Masa të njëjta u ndërmorën edhe në komunat e tjera shqiptare. Megjithëkëtë, pas demonstratave vazhduan revoltat masive shqiptare. Ndonëse opinioni ndërkombëtar këto demonstrata i cilësoi paqësore, edhe pse  këto demonstrata kishin karakter demokratik, kombëtar e paqësor, në Tetovë vërshuan njësi të shumta policësh dhe ushtarakësh. Kundër demonstruesve duarthatë u përdorën: bomba  me gaz lotsjellës, shkopinj gome e kërbaç, gazra helmues kimikë, armë zjarri, tanke, helikopterë, autoblinda, aeroplanë luftarak. Në marshin protestues pati të vrarë dhe të plagosur, të arrestuar dhe të arratisur jashtë atdheut, madje vetëm në shtetet perëndimore, atje ku shpresohej në demokraci, dhe assesi në shtetet lindore dhe komuniste. Gati një brez i tërë në forma të ndryshme gjenocidi u flijua në altarin e atdheut –për Kosovën –Republikë.

Megjithëse kërkesat që u shtruan në demonstrata ishin të drejta ,të ligjshme dhe nuk dilnin jashtë kornizave të Kushtetutës së RSFJ –së ato u cilësuan si “kundërrevolucionare “ndërsa studentët dhe pjesëmarrësit u cilësuan “armiq” ”kundërrevolucionarë” dhe “irredentistë shqiptarë“. Këto epitete shërbenin si kategori themelore me të cilat përcaktoheshin karakterizoheshin dhe dënoheshin demonstratat dhe demonstruesit. Këto epitete i përdorën vetëm e vetëm që të legjitimoheshin dhe të justifikoheshin masat dhe mjetet e dhunës që i zbatonin në këto ngjarje. Ndaj “armiqve të popullit” okupuesi përdori masat më drastike: i rrahu, i keqtrajtoi, i torturoi, i arrestoi dhe i dënoi me burg të rëndë deri në 15 vjet, ndërsa ndaj familjeve të tyre u aplikuan edhe masa izolimi, etj.

“DEMONSTRATAT E VITIT 68” ME PËRPLOT NDJEKJE

DHE NDËSHKIME TË KURDISURA-POLITIKE

Një periudhë njëzetvjeçare ndoshta  nuk është e mjaftueshme për ti analizuar tërësisht dhe drejt ngjarjet e 68–shit, sepse njëzet vjet në histori janë një distancë e pamjaftueshme kohore për nxjerrjen e përfundimeve shkencore. Megjithëse, ca përfundime rreth proceseve gjyqësore–politike të anëtarëve të organizatave dhe të grupeve ilegale, vetvetiu imponohen për ti konsideruar ato si të drejtuara kundër një popullate që më herët kishte gjakuar lirinë.  Në vijim do të analizojmë proceset gjyqësore–politike, të cilat morën hov pas demonstratave të vitit 1968, atëherë kur rrugët e Kosovës u mbushën me të reja e të rinj, nxënës e studentë, fshatarë e intelektualë, shumica e të cilëve energjinë më të madhe kreative do ta lënë nëpër burgjet e kazamatet jugosllave. Periudha pas vitit 1968, në Kosovë do të mbetet e shënuar edhe si periudhë e gjyqësisë së çeliktë, apo si kohë e sundimit të politikës së ashpër ndëshkuese të Ish-Jugosllavisë. Nga metodat e sprovuara në Kosovë nuk lihej anash kur Tetova.

Se proceset gjyqësore politike nuk kishin të ndalë edhe para  vitit 1968 dëshmon e dhëna se ato ishin organizuar më 1945 dhe më 1947 kundër grupeve e anëtarëve të NDSH –së më 1948 kundër grupeve informyroriste, me 1954 kundër personave për armëmbajtje, më 1960 kundër grupeve intelektuale që kundërshtonin paralelet në gjuhën turke dhe shumë e shumë të tjerëve. Mirëpo demonstratat e vitit  1968 -të,  shfrytëzohen si alibi për të hedhur në burg gati një të tretën e popullsisë shqiptare që jetonte në Jugosllavi e në veçanti pushteti u shpalli luftë intelektualëve shqiptarë.[26]

Si vepra të rënda penale politike gjatë kësaj periudhe pushteti serb i konsideronte demonstratat paqësore, manifestimet politike. Kërkesat e drejta të studenteve, të cilët në mënyrë të drejtë dhe të argumentuar kërkonin zgjidhjen e statusit politik të shqiptarëve dhe të Kosovës. Një shpërthim i tillë masiv e demonstrues i pakënaqësisë popullore ishte vetëm pasojë logjike e plotësimit të pjesërishëm të kërkesave të studenteve nga ngjarjet e vitit 1968, kur me mjeshtëri i ishte ikur realizimit të kryekërkesës së tyre, asaj për avancimin politiko–juridik të statusit të Kosovës në Republikë.

Me këtë rast u burgosën rreth 70 mijë shqiptarë me kundërvajtje dhe me burgim të rëndë deri më 15-20 vjet, ndërsa nëpër duar të policisë kaluan mbi 700 mijë veta. Nga kjo mund të konkludohet se çdo i treti shqiptar përjetoi “kontaktin “ e afërt me policinë, qoftë nëpërmjet hetimeve, qoftë nëpërmjet para burgosjeve e dënimeve për vepra penale apo edhe për kundërvajtje të karakterit politik. Për të gjitha këto forma ndëshkuese “u kujdesën “ vetë ligjet jugosllave. Praktika gjyqësore politike në Kosovë ka treguar se në të shumtën e rasteve ndjekjet dhe ndëshkimet për këto vepra ndaj shqiptarëve kanë qenë të paqarta, konfuze dhe të pabaza. Këto gjykime tashmë janë të njohura si fenomen i ushtrimit të dhunës mbi mendimin e lirë. Sa herë që shqiptarët u paraqiten me kërkesa politike për ta zgjidhur çështjen e vet kombëtare me metoda demokratike, pa planifikuar përdorimin e forcës, pasuan arrestimet e menjëhershme intervenimet brutale të policisë dhe dënimet e rënda me heqje lirie deri në 15 vjet.

Dënimet që shqiptoheshin për vepra penale politike, për nxitjen e urrejtjes të përçarjes ose të mostolerancës nacionale, raciale a fetare nga neni 134 i LPJ-së ishin shumë të larta. Si neni më i përshtatshëm për ti hedhur shqiptarët në burg është përdorur zakonisht ai 114 (që do të thotë rrezikun kundërrevolucionar),  me të cilin shqiptarët dënoheshin deri në 15 vjet burgim të rëndë. Shpesh aplikohej edhe neni 133 (për propagandë armiqësore ) e ndonjë nen tjetër. Disa prej të burgosurve politikë nga burgjet i nxirrnin në arkivole.

Të gjitha këto burgime u bënë me pretekstin se, duke marrë pjesë në demonstrata dhe duke formuar organizata të ndryshme ilegale, paskan bërë vepra penale. Se sa të burgosur kishte dhe sa ka ende nëpër burgje, shënime të sakta nuk kanë as organet më kompetentë. Shqiptarët kanë mundur të burgosen në çdo moment, në çdo rast dhe në çdo kohë, madje pa u bërë as farë evidencimi.

Masa më e parapëlqyer e pushtetarëve që aplikuan ndaj intelektualëve shqiptarë ishte izolimi. Statusin e të burgosurve politikë këta të burgosur nuk e kishin me dënimet sipas aktgjykimeve të plotfuqishme gjyqësore, por pa to. Intelektualët shqiptarë që u përfshin në masën policore “izolim “. Kjo u zbatua nëpër burgjet e Maqedonisë dhe të Serbisë së bashku me ritualin e keqtrajtimit sikur edhe ndaj të burgosurve të tjerë. Masa e izolimit në të vërtetë ishte një masë ndëshkuese ndaj intelektualeve për të cilët dyshohej se ishin ose mund të bëheshin armiq të pushtetit. sipas dëshmive të Murteza Bajraktarit nga Gostivari (i njohur si: “Kreshnik Pollogu”). Pra, ishin privuar nga liria “intelektualët e rrezikshëm “, duke i mbajtur me muaj të tërë në arrest, pa prova të fajësisë së tyre politike. izolantët u keqtrajtuan brutalisht u torturuan nga shërbimi i sigurimit shtetëror dhe nga personeli i burgjeve. Kështu inteligjenca  shqiptare e Maqedonisë u ndodh mes kudhrës së çekanit: Ajo ose duhej të deklarohej për platformën politike të LKJ-së, të imponuar nga kreu partiak dhe presidenca jugosllave, ose do të ndodhej prapa grilave, në izolim e në arrest, në burg e deportim. Ishte ajo koha kur në zhargonin politik të burgut të Idrizovës, u fut termi aq i frikshëm “heshtakët”, që menjëherë të kualifikonin si të rrezikshmin, armik të bashkëjetesës, të vëllazërim –bashkimit etj. Në krye të kësaj lëvizje gjithmonë qëndronte Mehmet Gega, deklaron Murteza Bajraktari. “Unë zbatoja urdhrat e tij me përpikëri duke mbajtur të gjithë të burgosurit sa më afër që mos të dështoj dikush nga masat që ndërmerrnin gardianët e burgut për të bindur dikë që të bashkëpunoj me ta”. Rrugë të tretë nuk kishte, Ndërkaq, oportunizmi i shumicës barazohej me nacionalizmin dhe me irredentizmin shqiptar. Të gjitha këto bëheshin me paramendim.

Sipas statistikës krahasuese, në popullsinë e gjithëmbarshme të ish –Jugosllavisë merrnin pjesë me afro 12 %, kurse me numrin e përgjithshëm të të dënuarve politikë me mbi 90% Sipas një të dhënë, mesatarja e dënimeve me burg, që u ishin shqiptuar të rinjve shqiptarë për “vepra penale politike “ishte 7 vjet e një muaj. Nëse kjo mesatare e dënimeve shumëzohej për 3,348 veta që ishin të dënuar, del se vetëm në këtë periudhë ndaj shqiptarëve ishin shqiptuar rreth 23,760 vjet burgim. Nëse këtij numri i shtojmë edhe rreth 1,232 vjet burgim që u ishin shqiptuar rreth 10.000 shqiptarëve në procedurën kundërvajtësve, del se gjatë kësaj periudhe për vepra penale politike dhe kundërvajtje politike ishin shqiptuar gjithsej 24,992 vjet burgim. Në këtë periudhë gjithashtu u dënuan 1,346 ushtarë shqiptarë dhe 63 u vranë në kazerma: vetëm gjatë vitit 1981 (sipas të dhënave të shtypit ditor.) (V.Xh).

Zhvillimi i ngjarjeve pas Plenumit të Katërt të Brioneve, krijoi një atmosferë të re, përgjithësisht në rrjedhat politike në Jugosllavinë e atëhershme, ndërkaq për popullin shqiptarë u shënua përkohësisht si një çast i zbutjes së ndjekjeve barbare të organizuara nga pushteti. Prandaj viti 1968 merret si zhvillim i mëtejmë i aktiviteteve atdhetare të grupeve dhe organizatave politike që vepronin ilegalisht në Kosovë dhe Maqedoni, kjo ishte një shtytje e re drejt forcimit konkret për çlirimin e Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare nën sundimin jugosllav. Viti 1968 do të mbetet në histori  për ngjarje të shumta dhe  jashtëzakonisht dramatike. Nuk do domen se ngjarjet e vitit 1968 janë me plotë domethënie. Me plot të drejtë mundë të konstatojmë se Kosova dhe trojet tjera shqiptare gjatë vitit 1968 përjetuan një tërmet të fuqishëm ku i shkëputi njëherë e përgjithmonë nga ai komunizmi i fabrikuar fallto pas luftës së Dytë Botërore. Kosova së bashku me trojet tjera shqiptare nën jugosllavi po përjetonte një zgjim të ri kombëtar. Gjatë vitit 1968 kemi demonstratat e Beogradit, Prishtinës dhe Tetovës. Studentët e Beogradit kërkonin demokratizimin e vendit. Këto kërkesa demokratike mundësuan për herë të parë mbajtjen e simpoziumit mbarë kombëtar për Skënderbeun, ku me rastin e këtij 100 vjetori për herë të parë morën pjesë studiues nga Shqipëria, Maqedonia dhe shumë vende të botës.

Përfaqësuesit e inteligjencës shqiptare të kohës kryesisht me vendosmëri kishin mbështetur kërkesën e Partisë Gjithëpopullore të Adem Demaçit, që Kosova të ketë status të barabartë me njësitë e tjera të ish federatës jugosllave. Kjo kërkesë e inteligjencës kosovare u përkrah fuqishëm edhe në demonstratat e Tetovës ku u kërkua edhe bashkimi i trojeve tjera me Kosovën.[27] Këto kërkesa shqiptare u përkrahën në përgjithësi, ku kërkohej autonomi për shqiptarët në Jugosllavi dhe Kosova Republikë në Kuadër të Jugosllavisë.[28]

Situatën në Maqedoni dhe Tetovë pas demonstratave më së miri e përshkruan shtypi gjerman, dhe gazeta e saj“Frankfurter algemajne cajtung”, në shkrimin e saj “Trazirat e pakicës shqiptare në Maqedoni-federalizmi jugosllav në rrezik”, të datës 27 dhjetor 1968. Kjo gazetë arrin ti përshkruan ngjarjet pas shtatë ditëve në Tetovë në mënyrë të argumentuar ajo dëshmon: Pushteti jugosllav në Tetovë ndërmori masa të ashpra dhe tejet drastike për diferencim ideopolitik. Respektivisht largimin nga puna  të punonjësve arsimor, shumë mjekëve të qendrës medicinale të Tetovës që kishin marr pjesë në këto demonstrata. Gazeta e Bonit,  këto informata i ka pasur Refet M Ferati. Në demonstratat e Tetovës u kërkua bashkimi i pjesës së Maqedonisë me KosovënMe këtë parullë u forcua kërkesa e brohoritur në Kosovë se kjo krahinë duhet të bëhet Republikë e pavarur në kuadër të Jugosllavisë.Pasi realizimi i kësaj kërkese duhet ti tuboj të gjithë shqiptarët që jetonin në Jugosllavi. Këto kërkesa për kohën ishin të papranuara për politikën jugosllave e në veçanti për shovinistët serb se do të humbnin Kosovën, ndërsa për këta sllavo maqedonas do të shërbej shteti tyre sllav mbi territoret e shqiptareve të Maqedonisë Perëndimore. (V.Xh).

Shtypi botërorë i dha një peshë të madhe ngjarjeve të vitit 1968 në Kosovë dhe Maqedoni, duke aluduar  me këtë fakt se çështja shqiptare  në Jugosllavi do zgjidhje reale  ajo është realitet, pasi populli shqiptar   tani për tani jeton i ndarë. Poashtu pas luftës së Dytë botërore shqiptarët që mbetën nën sundimin jugosllav u ndanë përsëri në tre shtete jugosllave, Serbi, Mal të Zi, dhe Maqedoni. Ndërsa edhe pas rënies së Rankoviqit pozita ekonomike dhe politike  e shqiptarëve nuk u ndryshua në favor të kërkesave shqiptare, pasi shovinizmi serbo-sllav kishte marrë hov. Ndërsa Ilia Vakiqi një funksionar serb i cili mbante pozitë të lartë në Komitetin Krahinor të Kosovës pas plenumit të katërt deklaroi: “Ne shqiptarëve nuk kemi çka tu japim, Këta të drejtat e veta i kanë fituar gjatë luftës, së bashku me serbët dhe malazezët.” Pra këto ishin momente të reja për pozitën e rëndë politike të popullit shqiptar në Jugosllavi edhe pas rënies së Rakoviqit.[29]

Siç dihet në Plenumin e Katërt në vitin 1966, u përjashtua nga Partia albanofobi Rankoviq i cili kishte rënë në konflikt me politikën titiste. Ndërsa shqiptarët deri në këtë kohë  kishin përjetuar një katrahurë të pa parë si në kohën e Mbretërisë jugosllave, duke filluar nga viti 1945, kundër shqiptarëve u përdor forca ushtarake deri në vitin 1947, pastaj komunistët paramenduan mbledhjen e armëve. Në vitin 1951 fillon lufta kundër shkollave shqipe, kjo periudhë e anatemuar ishte me plot tortura, burgosje, procese të montuara politike deri në vitin 1966. Nga presionet që ushtronte pushteti komunist dhe presionet e ndryshme vetëm nga Maqedonia u detyruan që mbi 200 mijë shqiptarë të shpërngulen nga trojet e tyre etnike. Në vend të tyre pushteti komunist në pjesën e Maqedonisë shqiptare solli sllav nga Maqedonia e Egjeut,  Polonia dhe rus nga Moldavia. (V. Xh).

Demonstratat e vitit 1968 patën jehonë të madhe në opinionin ndërkombëtar u formësua çështja shqiptare dhe kërkesat e saj për vetëvendosje, me parullën Kosova Republikë. Kjo ishte kërkesa jetike  e të gjithë shqiptarëve që jetonin në Jugosllavi për momentin. V.Xh). Ndërsa politika komuniste Jugosllave shkon edhe më larg: “Ajo shton për shqiptarët në Jugosllavi dhe programi i saj Kosova Republikë ishte ajo minimalja, ndërsa ajo maksimalja ishte bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare me nënën Shqipëri.”[30] Konstatimi i komunistëve jugosllav ka qenë shumë i saktë dhe i qëlluar politikisht. Pasi çdo shqiptar vepron në atë frymë, që trojet etnike shqiptare sa më parë të bashkohenJam i bindur thellë se  kjo kërkesë mbarë kombëtare do të realizohet më 22 mars të vitit 1913, kur mbushen 100 vite të copëtimit të Shqipërisë Etnike V. Xh).

Historikun e kësaj gjeneze duhet ta shikojmë edhe ta analizojmë në mënyrë më   komplekse. Pasi ajo ngërthen në vete ngjarje me rëndësi të madhe analitike në  rrugën e popullit tonë Në Tetovë dhe trevat shqiptare të Maqedonisë, populli shqiptar ishte dhe mbeti  ngarkuar me një  kujtesë të rëndë dhe të hidhur historike që nga viti 1944-1945, madje edhe më herët. Vrasja masive e disa qindra shqiptarëve, duke filluar nga fundi i muajit nëntor 1944 dhe fillimi i vitit 1945 në “Monopolin ” e duhanit në Tetovë, i cili përkohësisht shërbeu edhe si kamp përqendrimi për shqiptarët. Këto ngjarje rishtuese kishin lënë gjurmë të pashlyeshme në popullatën shqiptare të kësaj ane. Kujtime të rënda kishin lënë edhe vrasjet e shqiptarëve anekënd Jugosllavisë gjatë vitit 1945 menjëherë pas përfundimit të luftës. Kjo përvojë e hidhur jo vetëm që nuk është harruar, por është bërë një punë e madhe që me këto dukuri shoviniste dhe terroriste të palës sllave është njohur edhe brezi i ri.

Burgosjet e shqiptarëve dhe proceset e montuara politike të cilat filluan menjëherë pas përfundimit të luftës dhe zgjaten gjatë gjithë kësaj periudhe deri në vitet gjashtëdhjeta, bënë ndikim të posaçëm në formimin e vetëdijes kombëtare. Burgosjet e para u bënë në vitin 1945, kur shumica e të burgosurve dhe u ekzekutuan. Kështu filloi shtypjen nacionale shteti i ri komunist në trojet kompakte shqiptare kur shqiptarët në mënyrë arbitrare u lanë nën sundimin e maqedonasve. Në vitin 1946 u organizua gjykimi i parë i montuar në Shkup i të ashtuquajturve anëtarë të Partisë Nacionaliste Demokratike Shqiptare (NDSH), ku me vdekje u dënuan Adem Morana, Mehmet  Bushi dhe Qemal Skënderi. Dy të parët u ekzekutuan, ndërsa i treti u dënua  me 20 vjet burg.  Në këtë proces u dënuan edhe shumë të tjerë prej 1 deri në 15 vjet burg, prej të cilëve një numër i madh ishin nga Tetova. Në vitin 1948, menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve me Shqipërinë Nexhat Agulli ministër i arsimit, dënohet me vdekje, ndërsa vëllai i tij Emal Agulli dënohet me burgim të përjetshëm. Në vitin 1952 pason njëri nga proceset më të mëdha-grupi i informbyroistëve shqiptarë në krye me arsimtarin e Shipkovicës Sadudin Gjura, i cili u dënua me 20 vjet burg .Bashkë me të u dënuan edhe shumë të tjerë si Gani Luma, Sheref  Kazazi, Ismail Siti, Vehbi Lushi ,e shumë të tjerë ,që të gjithë nga Tetova .Në vitin 1952 në Tetovë dënohet edhe profesori Shani Mina dhe arsimtari Qerim Arifi  si dhe mësuesit Sejdi Misini dhe Hisni Abdullahu, që të dy nga fshati Sllatinë . Në vitin 1955 me 10 vjet burg dënohet mësuesi Mehmet Gega si dhe Muharem Jusufi dhe Abdulla Kalishta. Në vitin 1956 me burgime të rënda dënohen disa intelektualë të atëhershëm si Raif Maleziu dhe qytetari Hysen Spahiu, që të gjithë nga Tetova, ndërsa nga Gostivari u dënuan Adnan Agai, Sheraf Agai, Abdylazis Taravari, vëllezërit Naxhi dhe Mevaip Purde.

Të gjithë këto procese politike kundër shqiptarëve, që në thelb shprehin politikën antishqiptare të Maqedonisë, sa patën ndikim negativ në popull aq patën edhe ndikim pozitiv. Në këtë mënyrë u ruajt vetëdija kombëtare, por njëkohësisht u pasqyrua në mënyrë më reale kontinuiteti i politikës armiqësore ndaj shqiptarëve. Ka pasur edhe shumë dënime të tjera si në Tetovë ashtu edhe në qytete të tjera si në Gostivar, Dibër, Shkup, Strugë etj, por këtu i përmenda vetëm disa procese që kanë pasur lidhje edhe me burgimet në Tetovë.

Në fund kërkesat legjitime  të popullit shqiptarë të udhëhequr nga Forcat e përziera Neonacionaliste dhanë rezultatet e veta. Pasi kërkesat e tyre duke filluar nga viti 1946, 1953, 1960, 1968 dhe në kërkesat e demonstratave të rinisë në pranverën e vitit 1981, dominuan parullat për “Kosovën Republikë“. Këtë e argumentojnë parullat e tjera si “Kosova e kosovarëve “,”Duam Republikë “, ”Republikë Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë “, “E duam flamurin kombëtar “, ”Duam Bashkimin e trojeve shqiptare” e të tjera. Këtyre kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar Jugosllavia iu përgjigj me zjarr e me hekur. Ngjarjet e sipërtheksuara qenë një paralajmërim që shënuan kthesë në kampin komunist jugosllav dhe në fund përmbysjen e saj. Komunistët kudo që sunduan  mbollën vetëm frik dhe terror duke vrarë me miliona njerëz të pafajshëm. Udhëheqësit e kësaj doktrine duke filluar nga Lenini, Stalini, Tito, Çaushesku dhe Enveri,  mbollën vetëm terr të rrezikshëm për njerëzimin në Ballkan dhe më gjerë. Por më së shumti nga kjo diktaturë, ka pësuar nacionalizma shqiptare, e cila flijoi bijtë më të mirë të kombit, për tu bashkuar Shqipërinë Etnike.

22 dhjetor 2018.

Tetovë 


[1] Tome Batkovski, Velika Albanska igra vo Makedonija, …pun. i cit. f.201.

[2] Po aty, f. 201.

[3] Po aty.

[4] Tome Batkovki, Veliko Allbanska igra, QEP. e cit. f. 201; ky në librin  e tij anti shqiptar potencon se në këto demonstrata kishte vetëm 300 vetë. 

[5]Vebi Xhemaili, Isha nxënës në vitin e parë në gjimnazin e Tetovës “Kirill Pejçinoviç”, në vitin 1968. Kujdestar klase e kishim Profesor Xhevair Shaqirin, nga fshati Nerasht.

[6] Ahmet Mahmut Zeqiri, Ameti deklaron ne ishim ata që i shkruanim dhe i shpërndanim parrullat nëpër vende të ndryshme.

[7]  Tome  Batkovski. po aty, Ky në librin e tij “Velko Albanska Igra vo Makedonija , në librin e vetë propagandues mashtron kur deklaron: “se demonstruesit gjuanin me gurë edhe policët”

[8] Xhevair Shaqiri, Profesor në Gjimnazin e Tetovë në 1968-1699, i lindur në fshatin Nerasht. I ndjekur tërë jetën nga organet e sigurimit jugosllav.

[9] Xhevair Shaqiri, Mësuesi dhe profesori, që tërë jetën kontribuoi  për çështjen kombëtare dhe arsimin shqip në përgjithësi.

[10] Vebi Xhemaili, na rinin  vetëm pse ishim grup dhe dëgjonim parullat duam  barazi.

[11] Tome Batkovski, Veliko Albanska igra, pun. i cit. f. 2001.

[12] Gazeta “Frankfuter Allemajnge Cajtung”, Vjenë ,dhjetor 1968.

[13] Beqir Berisha, Çështja kombëtare shqiptare dhe “Ultrakomunistët” shqiptarë. Tetovë 1996, f, 199.

[14] Selatin Novosella, Demaçi metaforë lirie, Prishtinë 2006, f.81.

[15] Irfan Vllashi, Deklaratë e tij në Strugë v. 2008; Beqir Berisha, Çështja kombëtare shqiptare dhe “Ultrakomunistët, publicistikë e cituar, f, 200.

[16] Beqir Berisha, Çështja kombëtare shqiptare dhe “Ultrakomunistët”, shqiptarë, vep. e cit. f.20.

[17] Po aty.

[18] Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Pollogut në luftë për çlirim e bashkim kombëtar 1912-1918, Tetovë 2003, f. 110-111.

[19] Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Maqedonisë në mbrojtje të Shqipërisë Etnike 1041-1945, Tetovë 2008. f.287.

[20] Anton Prvanov, Albanskiot faktor vo Makedonija (1944-1991),  “Makedonija vo dvaesettiot vek” INI, Shkup 2003, f, 256.

[21] Udhëheqës i organizatës “Besa”, ishte Shaban Xheladini nga fshati Lisesc.

[22] Sabile Keçmezi-Basha, Zhvillimi historik i PKJ-LKJ, në Kosovë 1945-1966, Prishtinë 1987, f. 232.

[23] Tome Batkovski, Veliko Allbanska igra vo Makedonija, Shkup 1994, f. 2003.

[24] Sinana Hasani, të vërtetat e mashtrimet, Prishtinë 1986, f, 182.

[25] Vebi Xhemaili, Pasi situata në Tetovë ishte e tensionuar, profesori Xhevahir Shaqiri  na këshilloi dhe na porositi që ne nxënësit e gjimnazit “Kirill Pejçinoviq”, ta lëshojmë mësimin dhe të kthehemi në shtëpi, gjatë rrugës te shtëpia e zjarrfikësve në Tetovë na ndali policia dhe fillo me të na bjerë me ato gomat speciale ndërsa në anën tjetër përdoret edhe topat e ujit për të na shpërndarë sa më parë.

[26]. Murteza Bajraktari, deklarata e tij, Tiranë. Korrik 1990.

[27] Vebi Xhemaili, pjesëmarrës  në këto demonstrata si nxënës i gjimnazit. viti 1968.

[28] “Rilindja” Prishtinë 11 mars 1991.

[29] Millosh Mishoviq, Ko je trazhio Republiku, Beograd 1985. f. 74.

[30] Millosh Mishoviq, Ko je trazhio republiku, vep. e cit. f. 425.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok