22/12/2024

FILLIMET E SHKRIMIT SHQIP

0
Xhelal-Zejneli

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Shqiptarët kanë hyrë në analet e historisë së dokumentuar në gjysmën e dytë shekullit XI. Historiani bizantin Mihaelis Ataliates (Michaelis Attaleiates) është i pari që përmendi  në “Historinë” e tij të shkruar në vitet 1079-1080 se Albanoi kishin marrë pjesë në një kryengritje kundër Kostandinopojës më 1043 dhe se Arbanitai ishin nënshtetas të dukës së Dyrraciumit. (Michaelis Attaliatae historia ose Historia by Michael Attaleiates – Historia e Mihaelis Ataliates).

Historiani Gjon Skilices (Ioannis Scylitzes, 1040-1101) përmend rreth vitit 1081 Arbanites si pjesë të trupave të mbledhur në Durrës nga Niqifor Basilaku (Nicephorus Basilacius).

Për ekzistencën e gjuhës shqipe për herë të parë bëhet fjalë aty nga fillimi i shekullit XIV. Janë katër përmendje të shqipes midis viteve 1285-1332.

Për herë të parë gjuha shqipe përmendet në vitin 1285 në Raguzë (Dubrovnik), ku për njëfarë kohe ka pasur një bashkësi shqiptare të konsiderueshme. Në një proces gjyqësor thuhet: “Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanese” (Dëgjova një zë që thërriste në male në gjuhën shqipe.”.

Njëzet vjet më vonë kemi një përshkrim të Shqipërisë në Anonymi Descriptio Europae orientalis (Përshkrim anonim i Evropës Lindore) – një tekst mesjetar i vitit 1308 që përmban një vështrim mbi tokat e Evropës Lindore, në veçanti mbi vendet e Ballkanit. Autori është anonim, d.m.th. nuk dihet. Në tekstin e sipërthënë flitet për Greqinë Bizantine, Rashkën, Bullgarinë, Rutheninë, Hungarinë, Poloninë dhe Boheminë. Teksti përmban edhe një pjesë për Shqipërinë. Kjo pjesë mbyllet me një përmendje të gjuhës shqipe: “Habent enim Albani prefati linguam distinctam a Latinis, Grecis et Sclavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus” (Shqiptarët e sipërpërmendur kanë një gjuhë që dallohet nga ajo e latinëve, grekëve dhe sllavëve, kështu që kurrsesi nuk mund të merren vesh me popuj të tjerë.)

Për herë të tretë shqipja përmendet në njoftimin e një pelegrini gjatë udhëtimit për në Tokën e Shenjtë më 1322. Dy pelegrinë anglo-irlandez, Symon Simeonis dhe Hugo Illuminator (Hugo Ndriçuesi), gjatë udhëtimit u ndalën në Shqipëri. S. Simeonis i Urdhrit Françeskan bëri një përshkrim të gjallë të asaj që pa në bregdetin shqiptar, në Ulqin, në Durrës. Përshkrimet e S. Simeonisit njihen me emrin Itinerarium Symonis Semeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam (Udhëtimi i Simon Simonit nga Irlanda në Tokën e Shenjtë). Dorëshkrimi ruhet në bibliotekën Corpus Christi College në Kembrixh (Cambridge). S. Simeoni, midis tjerash shkruan: Albanya est provincia inter Sclavoniam et Romanyam, per se linguam habens” [Shqipëria është një provincë midis Sllavonisë (sllavëve) dhe Romanisë (Bizantit), me një të vetën.]

Gjuha shqipe përmendet edhe në vitin 1332 nga murgu dominikan frëng Brokard ose Frère Brochard (Brocardus monachus). Në veprën “Directorium ad passagian faciendum” Broakardi shkruan: “Licet Albanenses aliam amnio linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris” (Shqiptarët në të vërtetë kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, ndonëse përdorin shkronjat latine në të gjithë librat e tyre).

A ka pasur vërtet Brokardi në dorë ndonjë libër në gjuhën shqipe, kjo deri më sot nuk është dëshmuar.

*   *   *

Shqipja është gjuha kombëtare e fundit në Evropë që është dokumentuar. Janë disa dokumente të shkruara në latinisht për shqiptarët. Me fjalë të tjera, nuk ka gjurmë të rëndësishme të gjuhës shqipe që të datojnë para shekullit XV.

Teksti Bellifortis – Në dorëshkrimin Bellifortis të vitit 1405, pjesa më e madhe e të cilit është shkruar në latinisht, që ruhet Musée Condé në Château de Chantilly (ms. 348/663, fol. 153v) në veri të Parisit, është një shtojcë prej 29 rreshtash në latinisht. Supozohet se tetë rreshta të ndërfutura në tekstin latin, janë shkruar në shqipen e hershme.

Formula e pagëzimit – Teksti më i lashtë në gjuhën shqipe është një formulë pagëzimi e vitit 1462, e që ka këtë përmbajtje: “Unte paghesont premnit Atit et birit et spertit senit” (Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë). Autor i kësaj formule është Pal Engjëlli (rreth 1417-1470), argjipeshkëv i Durrësit dhe mik i ngushtë e këshilltar i Gjergj Kastriotit (1405-1468). Këtë përkthim në shqipe të formulës së pagëzimit, Pal Engjëlli e përfshiu në një letër pastorale me rastin e një sinodi të mbajtur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Mat më 8 nëntor 1462. Teksti u zbulua në Bibliotekën Laurentiane në Firence nga dijetari rumun Nikolla Jorga (Nicolae Iorga, 1871-1940) dhe u botua prej tij në vitin 1915. (Ka që thonë se Nikolla Jorga është me prejardhje shqiptare).

Fjalia shqipe në një pjesë teatrale – Në vitin 1483 ndeshemi me një fjali në gjuhën shqipe në një pjesë teatrale me titull “Epirota”. Në këtë komedi një këngëtar epirot (d.m.th. shqiptar) i quajtur Damasken mallkon një hanxhi që nuk ia pëlqen këngët, me fjalët Dramburi te clofto goglie (T’u dridhte goja). Mallkime të tilla përdoren edhe sot: “T’u mbylltë goja”, “T’u thaftë gjuha”. Pjesa teatrale u botua në Venedik më 1483, ndërsa kjo frazë u botua më 1972.

Ungjilli i Pashkëve ose Perikopeja – Dokument tjetër i shqipes së hershme është Ungjilli i Pashkëve ose Perikopeja. Janë pesëmbëdhjetë rreshta në shkronja greke, të përkthyera nga Ungjilli i Shën Mateut. U zbulua në vitin 1906 në një dorëshkrim greqisht, nga historiani grek Spiridon Lampros (1851-1919). Dorëshkrimi ruhej në Bibliotekën Ambroziane në Milano. Teksti, autori i të cilit nuk dihet është në dialektin toskë. Për vjetërsinë e tekstit vlerësimet shkojnë nga shekulli XIV në shekullin XVIII. Një analizë paleografike e tekstit e përcakton si shkrim të kohës nga shekulli XV në shekullin XVI.

Fjalori i Arnold fon Harfit  – Dokumenti tjetër i shqipes së shkruar është fjalori shqip i Arnold fon Harfit (Arnold von Harff, rreth 1471-1505). Është i vitit 1497. Fon Harfi ishte një kalorës gjerman, udhëtar dhe shkrimtar. Në vitin 1496 u nis për një udhëtim, me sa duket në një pelegrinazh në Tokën e Shenjtë. Kaloi nëpër Itali, nëpër bregdetin shqiptar, në Greqi, në Egjipt, në Arabi, në Palestinë, Azi të Vogël. Në të kthyer, erdhi Spanjë, në Francë, në Evropën Qendrore. U kthye në Këln në vitin 1498 ose 1499 dhe vdiq më 1505. Gjatë udhëtimeve mblodhi materiale mbi gjuhët që ndeshi në vende të ndryshme. Në portin e Durrësit u ndal në pranverë të vitit 1497. Këtu shënoi 26 fjalë, 8 fraza dhe 12 numra në shqip. I shënoi bashkë me përkthimin në gjermanisht në ditarin e tij të udhëtimit. Përshkrimet e këtij udhëtimi u botuan në vitin 1860 dhe konsiderohen si shembuj më të mirë të kësaj gjinie, aq të përhapur në fund të periudhës së mesjetës. Fon Harfi krijoi edhe fjalorë të shkurtër me fjalë e shprehje në gjuhët kroate, greke, arabe, hebraike, turke, hungareze, baske dhe bretone. Në këta fjalorë xhepi ai shënoi terma ushqimorë, shtëpiakë dhe të udhëtimit, si dhe fraza të nevojshme si: “Mirëmëngjesi”, “Sa kushton kjo”, “Grua, a mund të flemë bashkë sonte?” Këtë pyetje në fjalorin shqip nuk e kishte shënuar, në fjalorët e gjuhëve të tjera – po.

Me të mbërritur në Durrës, fon Harfi shkruan: “Nga Ulqini në Durrës lundruam me një erë shumë të fortë. Ky është një qytet i madh i rrënuar nga turqit, e që tani është nën sundimin e Venedikut. Ky qytet shtrihet në Shqipëri, ku banorët e kanë edhe gjuhën e tyre, e cila nuk mund të shkruhet mirë, meqë në këtë vend ata nuk e kanë alfabetin e vet. Kam hedhur në letër disa fjalë të kësaj gjuhe shqipe, të cilat po i jap më poshtë me alfabetin tonë (gjerman):

bukë, verë, ujë, mish, djathë, vezë, uthull, një pulë, peshk, kripë, mirë, keq, ha, pi, tavernë, burrë, grua, parà, po, jo, zot, dreq, qiri, një kalë, elb, fle, mirëmëngjesi, mirëmbrëma, mirëdita, çfarë ke që më pëlqen, sa bën, do ta ble, laj këmishën time, si quhet, një, dy, tre, katër, pesë, gjashtë, shtatë, tetë, nëntë, dhjetë, njëqind, njëmijë;

Fjalë të caktuara Arnold fon Harfi nuk i ka kuptuar drejt, ndaj disa prej tyre duhet ta kenë kuptimin: me ngrënë, një njeri, ashtu, mirë se vjen, a ke gjëkafshë të re, qysh vlen kjo kafshë (sa kushton kjo gjë, ky send), laj një këmishë.

Shënim: Fon Harfi fjalët në regjistrin e vet i ka shkruar vertikalisht, d.m.th. njërën pas tjetrës.

Fon Harfi përdori mbi shqipen drejtshkrimin e tij gjerman, i cili nuk mund të respektonte fonemat e shqipes që ndryshojnë nga ato të gjermanishtes. Transkriptimi i shqipes prej tij nuk është më i keq se ai i teksteve të tjera të asaj kohe. Fjalori i tij i xhepit do të mund të përdorej nga të huajt deri diku edhe sot.

*   *   *

KU FLITET SHQIPJA SOT – Përpos në Shqipëri, shqipja flitet në trojet shqiptare në Ballkan:

– Në Republikën e Kosovës;

– Në Kosovën lindore – Preshevë, Bujanoc, Medvegjë;

– Në Maqedoninë e Veriut – Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë, Ohër, Kumanovë dhe rrethinë, Manastir, Resnjë, Prespë, Krushevë, në do fshatra të Velesit dhe të Prilepit;

– Në Mal të Zi, kryesisht përgjatë kufirit me Shqipërinë, d.m.th. në rajonet e malësisë së Gucisë, Plavës, në Hot, në Grudë, në Tuz në jug të Podgoricës, në Ulqin etj.;

– Në Çamëri.

Shënim:

  1. Ndaj shqiptarëve të Çamërisë, Greqia ka ushtruar gjenocid, ka ndjekur ndaj tyre politikën e tokës së djegur, i ka dëbuar nga trojet e tyre etnike historike.
  2. Gjenocid ndaj shqiptarëve ka ndjekur Serbia, si në kohën e Mbretërisë Jugosllave, ashtu edhe në kohën e Rankoviqit. Kosova fitoi një sasi pavarësie në vitet 1974-1985. Në vitet 1985-1989 u ringjall tendenca e Serbisë për ta rinënshtruar Kosovën dhe për ta rikthyer rrotën e historisë. Në këtë fazë (1985-1989) ndaj shqiptarëve në Jugosllavi veproi boshti antishqiptar i krimit Shkup-Beograd-Titograd (sot Podgoricë).
  3. Serbia ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë edhe sot gjenocid të heshtur ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë).
  4. Gjenocid ndaj shqiptarëve ka ndjekur edhe Mali i Zi. Si rrjedhojë, shumë shqiptarë u detyruan të shpërngulen për në ShBA dhe gjetkë.
  5. Politikë diskriminuese, restriktive dhe opresive ndaj shqiptarëve ka ushtruar edhe Maqedonia, që nga viti 1944 e këndej.

Si pasojë e gjenocidit të boshtit të krimit Shkup-Beograd- Titograd (Podgoricë) ndaj shqiptarëve në Jugosllavi, prej vitit 1912 e këndej, qindra mijë shqiptarë u detyruan të shpërngulen nga trojet e veta etnike historike, u depërtuan për në Turqi dhe gjetkë.

Për të mbijetuar, një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në ish-Jugosllavi u vendosën në Kroaci, në Slloveni, në Bosnjë dhe Hercegovinë.

*   *   *

Shqipja e arbëreshëve të Italisë – Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit më 1468, për t’i shpëtuar dhunës së Perandorisë Osmane, shumë shqiptarë u shpërngulën për në Kalabri dhe Sicili. Si pakicë gjuhësore, arbëreshët tani përbëjnë rreth 90.000 folës. Shumë prej tyre jetojnë në fshatrat malore të Kozencës në Kalabri dhe në afërsi të Palermos në Sicili.

Shqipja në Greqi – Një numër i madh i shqiptarëve që popullonin në mesjetën e vonë  një pjesë të mirë të zonës qendrore dhe jugore në Greqi, është asimiluar gjerësisht. Megjithëkëtë, gjuha shqipe e atjeshme, e njohur si arbërishte (në greqisht – Arvanitika), mund të dëgjohet ende në 320 fshatra, kryesisht përreth Levadhias, në Eubenë e jugut (Evinë), në Atikë, në Korint dhe në Androsin verior. Shqipja e tyre nuk gëzon ndonjë status zyrtar. Arbërishtja që flitet në Greqi konsiderohet si forma më arkaike e shqipes që flitet sot.

Shqipja në Rumani dhe në Bullgari – Në shekullin XIX lulëzuan bashkësi të mëdha emigrantësh shqiptarë në Rumani dhe në Bullgari, me institucionet e tyre kulturore (shoqata, klube, gazeta, shtypshkronja, shkolla). Shqiptarët ishin të përqendruar kryesisht në Bukuresht dhe në Sofje. Shqipja mund të dëgjohet sot në rajonin kufitar bullgaro-greko-turk, sidomos në fshatin bullgar të Mandricës.

Shqipfolësit në Ukrainë – Një numër i paktë shqipfolësish gjenden në Ukrainë, sidomos në katër fshatra (Zhovtnevoje, Gamovkë, Georgievkë dhe Denveskoje) në krahinat e Melitopolit dhe të Odesës (tani të pushtuar nga Rusia). Shqiptarët e sotëm të Ukrainës janë pasardhës të kolonëve të shekullit XIX të ardhur nga krahina e Varnës në Bullgari. Në vitin 1959, numri i tyre vlerësohej në rreth 5000.

Shqipja në Turqi – Thuhet se në Turqi jeton një numër tejet i madh i shqiptarëve. Ka që thonë se janë me miliona. Numrin e saktë të tyre askush s’e di. Turqia kurrë s’i ka njohur shqiptarët si etnitet. Gjuha shqipe nuk ka pasur një status zyrtar. Gjuha e një etniteti mund të kultivohet, të ruhet, të mbrohet dhe të zhvillohet vetëm nëpërmjet shkollimit në gjuhën amtare. Ndryshe, gjuha e atij etniteti vdes.

Shqipja në kolonitë shqiptare në Egjipt dhe në Siri – Pak kanë mbetur nga ato koloni shqiptare që lulëzonin dikur nëpër kolonitë shqiptare në Egjipt dhe në Siri. Pakica shqiptare në Egjipt tani është shkrirë. Pakica shqiptare mund të gjendet deri diku në Siri, sidomos në Damask.

Shqipja në diasporë – Shumë shqiptarë punojnë dhe jetojnë në vende të ndryshme të Evropës – në Gjermani, në Zvicër, në vendet skandinave, në Austri, në Itali, në Francë, në Britani të Madhe etj. Pas vitit 1991 qindra mijë shqiptarë të Shqipërisë emigruan në Greqi dhe në Itali. Ata dhe fëmijët e tyre, në mjedisin familjar flasin shqip. Fëmijët, nipat dhe mbesat e tyre shkollohen në gjuhët e vendeve ku janë vendosur. Në raste të caktuara, për ta ruajtur  gjuhën amtare, angazhojnë mësues nga Shqipëria, nga Kosova etj. Synimi i vendeve perëndimore është t’i integrojnë në shoqëri, gjë që mund të shkaktojë asimilimin e përshpejtuar të tyre.

Shqipja në Kanada, në Australi dhe në Argjentinë – Deri në njëfarë mase shqiptarë hasim edhe në Kanada, në Australi dhe në Argjentinë.

Shqipfolësit në ShBA – Shqiptarët në Amerikë kanë qenë të përqendruar sidomos në Boston, në Nju-Jork, në Kënetikët, në Nju-Xhersi, në Detroit. Shqiptarët emigruan në ShBA edhe pas viti 1991.

*   *   *

Duke qenë se jetojmë në kohën e kompjuterit, të internetit, të komunikimit satelitor dhe të telefonisë celulare shqiptarë mund të hasim në shumë vende të botës. Shkojnë për punë, për ekzistencë, “për një jetë më të mirë”, për shkollim, për veprimtari ekonomike. Një pjesë e tyre kthehen në mëmëdhe, të tjerë kurrë nuk kthehen në atdhe.

Numri i saktë i shqiptarëve në trojet e tyre etnike dhe në botë nuk dihet. Thuhet se janë shtatë milionë, por ka që thonë se ky numër është shumë më i madh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok