FIGURA E JANI KONDOS NË HISTORIOGRAFINË, EPIKËN DHE LETËRSINË SERBE
Nga Adil FETAHU
Shqiptari i Çamërisë, Jani Kondo, njeriu i cili pati rolin vendimtar në pushtimin e Kështjellës Kalemegdan të Beogradit, është shumë i njohur në historiografinë, epikën dhe letërsinë serbe, dhe aspak i njohur në atë shqiptare! Të shpresojmë se libri i çamit tjetër, shkrimtarit Arben Kondo, do të hedhë më shumë dritë dhe do të nxisë historianë, etnologë e shkrimtarë tjerë për hulumtime e trajtim më të plotë e të merituar për jetën dhe veprën e Jani Kondos.
Kush ishte Jani Kondo?
Nga burime të ndryshme serbe, merret vesh se Jani Kondo ishte një ushtarak i ushtrisë turke, komandant i një njësie prej 1000 ushtarësh të ashtuquajtur ‘’kërxhali’’, në garnizonin e Beogradit prej 2500 ushtarëve nën komandën e Ali-beg Gucisë. Kondo konsiderohet hero që pati ndikim vendimtar në çlirimin e Beogradit nga pushtimi osman, në vitin 1806. Në shpjegime të mëtejshme të këtij termini ‘’kërxhali’,’ thuhet se ata ishin ushtarë me pagesë, si lloj mercenarësh, të cilët e ndihmonin ushtrinë turke në pushtimet dhe në mbrojtjen e tokave të pushtuara.
Për prejardhjen e Jani Kondos, shumica e burimeve më të besueshme, thonë se ishte Arbanas (Shqiptar) nga Epiri në kufi me Toskërinë. Por, ka teza të tjera në të cilat thuhet se Kondo ishte arumun (Cincar) grek, e disa e thonë se ishte nga Bullgaria, kurse komediografi serb, Branisllav Nushiq në ‘’Biografia’’, për Kondon thotë se ishte nga Maqedonia.
Këto teza, të pabaza, janë tendencioze, të krijuara më vonë, për t’ia mohuar Kondos përkatësinë kombëtare shqiptare. Edhe për vitin e lindjes dhe të vdekjes së tij, ka të dhëna të ndryshme. Në disa burime thonë se është lindur në vitin 1780, të tjerë thonë në vitin 1783, e të tjerë në vitin 1785, kurse si vite të vdekjes përmenden 1807 dhe 1813. Është më e pranueshme se Kondo është lindur në vitin 1783 dhe ka vdekur në vitin 1807, në anën e kryengritjes serbe në Lloznicë. Në tabelën e një rruge të Beogradit, që mban emrin ‘’Kondo Bimbashi’’, viti i lindjes dhe ai i vdekjes ceken 1785 – 1813. Për të ardhur te e vërteta, të gjitha këto mospajtime të burimeve të ndryshme duhet të vërtetohen në dokumente të arkivave turke e serbe.
Burimet nga historiografia serbe
Këngët epike, nga cikli ‘’Uzece Beograda’’
Burimi i parë në historiografinë serbe për Jani Kondon do të jenë këngët epike të kënduara për Kryengritjen serbe, nga bashkëkohanikë të ngjarjeve. Këngët epike i kanë krijuar dhe kënduar këngëtarë e lahutarë (të verbër) serbë, si Filip Vishnjiq, Millosh Starçeviq, etj. Këngët i kanë regjistruar xhakonët (nxënësit) e manastirit të Irigut (Vojvodinë), nën përkujdesjen e priftërinjëve, të cilat i ka marrë e botuar Vuk Karaxhiqi në botimet e tij. Secilës këngë iu printe një tregim mbi ngjarjen dhe personalitetet të cilave iu kushtohej kënga. Kështu edhe në këngët për Jani Kondon thuhet se si Kondo, me njerëzit e tij kaloi në anën e kryengritësve serbë, se kjo ka ndodhur në periudhën prej gushtit deri në tetor 1806. Derisa udhëheqësi i kryengritjes, Karagjorgje, me taborin e tij ishte në Tashmajdan, Kondo kishte shkuar vet të takohej me udhëheqësin e kryengritjes. Kur roja serbe e lajmëruan Karagjorgjen se kush po kërkonte të takohej, ai u tha rojeve:
Pa, silleni pra! Kondo u prezantua:
Jam bimbash dhe si kërxhali i kam shërbyer Ali Gucisë, por nuk dua t’i shërbej më, tha Kondo.
Tash në këtë situatë të ashpër ti po kalon në anën tonë. A e di ti se si veprojmë me të tillët siç je ti? Në çelenkë, tha Gjorgji.
Do të kisha ardhur më herët sikur ta dija ku të takoj, u përgjigj Kondo.
Mirë pra, çka të shtyri, çka po do, e pyeti vozhdi?
Të ju ndihmojë që ta merrni qytetin, u përgjigj Kondo, prerë.
Do ta marrim ne edhe pa ndihmën tënde, tha Karagjorgji dhe ktheu kokën në tjetrën anë.
E di se do ta merrni, por kështu do ishte më lehtë, i tha bindshëm Kondo udhëheqësit, e ai tha:
Fol pra!
Unë jam Bimbash. Kam udhëhequr 1000 kërxhali, dhe mundem edhe njerëzit tuaj, e filloi Kondo, dhe në atë moment e ndërpreu Karagjorgji:
Për këtë vendosi unë, por më thuaj ti përse ke ardhur?
Për ta udhëhequr një grup të njerëzve tuaj. Përmes kanaleve midis qytetit dhe Sava-kapisë, stazave të fshehta mund të depërtohet pa u vërejtur në qytet. E kam menduar mirë dhe të gjitha i kam parë. E di edhe sa ka forca turke, edhe kur ndërrohen rojet dhe kur ka më së paku rrezik. Unë, me një a dy njësi të parët do të hynim në qytet, para se të fillojë sulmi i përgjithshëm,- deklamoi
Bimbasha.
Sa njerëz të duhen, e pyeti Karagjorgji?
Një ose dy njësi të vogla, tha Kondo.
Një, i tha Karagjorgji dyshues dhe shtoi: në mënyrë që nëse trathton, të jenë sa më pak që vriten.
***
Ja, një prej atyre këngëve, pas tregimit, kushtuar triumfit të kryengritjes në çlirimin e Beogradit, në vitin 1806, në të cilën përmendet Jani Kondo (Kondo Bimbashi).
‘’…Kur këtë e dëgjoi Bimbashi Kondiq,
Ai shkoi te Gjergj Petroviqi:
‘’ O zotëri Gjergj Petroviq!
Më jep treqint shokë,
Që të kaloj nëpër hendeqet turke,
Që të zbres te Porta e Savës;
Unë e di mirë turqishten dhe arbanishten,
Do t’i mashtroj turqit te porta,
Dhe do ta hap Porten e Savës,
E ti sulmo me pjesën tjetër të ushtrisë!’’
Kondo mori me vete Uzun-Mirkon,
Dhe morën pesë-gjashtë shokë të mirë,
Pastaj u nisën nëpër hendeqet turke.
Kur arritën te Porta e Savës,
Roja e portës po flinte.
Konda thirri në gjuhën turke:
‘’Hapeni portën, o rojë e tmerrshme turke!
Ja, po vjen Uzun-beu nga qyteti’’.
Roja turke u mashtrua e zënë në befasi
Dhe e hapi porten.
Kur Uzun-Mirko pa dredhinë,
Nxorri shpatën e mprehtë
Dhe e preu rojën turke.
Para se roja turke të zgjohej,
Djemtë e kishin hapur portën krejt,
Dhe hynë me vrull në qytetin e Serbisë…’’
***
Të gjitha burimet thonë se Kondo, me Uzun-Mirkon dhe pesë shokë, të veshur me uniformë të ushtrisë turke, para mëngjesit të 30 tetorit 1806, (sipas kalendarit të vjetër: 12 dhjetor me kalendarin e ri), në saje të njohjes së gjuhës turke dhe të parullës së rojës të cilat i dinte Kondo, roja u mashtrua, ua hapi derën, këta hynë brenda e eliminuan rojën, thyen me sopatë dryrin dhe zinxhirët e portës dhe hapën atë që të hynin kryengritësit. Në luftimet brenda kështjellës, Kondo mori pesë plagë të rënda, Uzun-Mirko një plagë dhe prej pesë të tjerëve, vetëm njeni shpëtoi gjallë.
Kjo është historia që dihet, që këndohej dhe flitej për heroizmin dhe rolin vendimtar të Jani Kondos në pushtimin e Kështjellës së Beogradit në vitin 1806.
Jani Kondo vitin tjetër (1807) ndihmoi kryengritësit serbë edhe në çlirimin e Lloznicës. Në disa burime thuhet se Kondo u vra në betejën e Lloznicës, në vitin 1807, në të tjerat thuhet se është vrarë poashtu në betejë në Lloznicë, në vitin 1813, kur ushtria turke përsëri e pushtoi Beogradin dhe Lloznicën.
Në tekste historike dhe letërsi
Në tekstin shkollor ‘’Istorija Srbije’’ (shq.Historia e Serbisë), për klasën e katërt (të shkollës fillore), të autorit Mihajllo Joviq, botim i vitit 1882, që ka pasur më se njëzet ribotime e revidime, dhe ka qenë në përdorim në sistemin arsimor të Serbisë deri në vitin 1944, flitet për bashkëpunimin dhe ndihmën e shqiptarëve në luftën kundër pushtuesit otoman. Kështu, në botimin e parë (1882) dhe në botimin e dytë (1886), në kapitullin për Kryengritjen e Parë serbe, përmendet shqiptari Jani Kondo, si figura vendimtare në pushtimin e Kështjellës dhe çlirimin e Beogradit (1806), dhe në fitoren e betejës së Lloznicës (1807): ‘’Disa herë serbët sulmuan atë, por nuk mund ta merrnin. Atëherë serbëve u erdhi në ndihmë një arnaut nga ushtria turke, me emrin Kondo. Kondo ishte shumë trim dhe i njihte mirë të gjitha rrugët brenda mureve të qytetit. Ai e mori me vete një trim të mirë serb, Uzun-Mirkon dhe me pesë shokë tjerë kaloi gjatë natës, në prag të 30 nëntorit, përtej mureve dhe hyri e ua hapi portën serbëve’’.
Kjo pjesë e cituar nga libri i historisë, nuk gjendet më në ribotimin e vitit 1894 as në ribotimet e tjera të mëvonshme të atij libri!
Për përkatësinë shqiptare të Jani Kondos, Petrit Imami, në librin e tij ‘’Serbët dhe Shqipëtarët ndër shekuj’’, thotë se ka qenë shqiptar ortodoks nga Epiri, dhe se ishte komandant i Çetes së Epirotëve në ushtrinë turke.
Në librin ‘’Biografia’’, të komediografit më të njohur serb, Branisllav Nushiq, ja si (në çfarë konteksti) përmendet Kondo: profesori i historisë i pyet nxënësit për figurat më të shquara nga Kryengritja serbe. Nushiqin e pyet pikërisht për Kondon, ndërsa ky i përgjigjet me vargje e metaforë:
‘’Netko bese Kondo bimbasa,
Bese Konda iz malene Macedonije,
Iz male Macedonije kraj Polomlja,
Pa on gde dodje vodi,
Tu su njemu brodi’’
(Përkthimi ad-literam, në shqip)
‘’Dikushi ishte Kondo Bimbashi,
Kondo ishte nga Maqedonia e vogël,
Nga Maqedonia, ana e Polomles,
Kudo që i vinte ujit,
Aty i vinin anijet’’
Një ese më të gjërë për figurën e Jani Kondos e ka botuar autori serb, Alleksandar Pavlloviq, në librin ‘’Figura Albanca u srpskoj kulturi’’ (shq. Figura e Shqiptarit në kulturën serbe), botim i Institutit për Filozofi dhe Teori Shoqërore, Beograd, 2019. I njëjti ese është botuar në broshurën (dygjuhësh, shqip-serbisht): ‘’Kur janë dashur Shqiptarët dhe Serbët’’ (‘’Kada su se voleli Srbi i Albanci’’), botoi Instituti Columbus, Prishtinë, 2020. Edhe një historian serb, i njohur për orientimin e tij nacionalist, Vlladimir Stojançeviq, në librin e tij të botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë (1994), shkruan për Jani Kondon: ‘’Prej beqarëve mes kryengritësve serbë ishte Kondo-bajraktari, arbanas ortodoks nga kufiri i Toskërisë dhe Epirit (dhe shton) se me Kondon tek serbët kanë kaluar edhe shumë bashkëvendas të tij’’.
Në pllakat përkujtimore – pa identitet kombëtar
Një ese tjetër, në kontekst të zhdukjes së identitetit shqiptar të Jani Kondos e ka botuar redaktori i gazetës ‘’Danas’’, të Beogradit, Bozhidar Andrejiq, më 16.10.2020, në të cilin vërenë hilen e fshehjes së përkatësisë shqiptare të Jani Kondos, dhe për ta ilustruar këtë hile, citon tekstin e pllakës, nën emrin e Kondo Bimbashit, të vënë një rruge të Beogradit. Autori thotë se teksti sqarues i emrit të rrugës nuk sqaron asgjë, veçsa e mjegullon për kalimtarët që të mos i dihet përkatësia. Është shkruar në çirilicë ky tekst: ‘’KONDO BIMBASA (oko 1775 – 1813,Tronosa), hriscanin u turskoj vojsci u vreme ustanicke opsade Beograda 1806.godine. U odsudnom trenutku presao na srpsku stranu i sa druzinom ustanicima otvorio Sava-kapiju’’. (shq.‘’Konda Bimbashi (rreth 1775 -1813), Tronosha), i krishterë në ushtrinë serbe në kohën e rrethimit të Beogradit nga kryengritësit më 1806. Në momentin vendimtar ka kalua në anën serbe dhe në shoqëri me kryengritësit e ka hapur Porten Sava’’.
Edhe pllaka përkujtimore e Manastirit ‘’Trenosha’’ në Lloznicë përmban këtë tekst: (‘’Ovde, pored crkve, sahranjen je i Konda bimbasa. Junak u mnogim bojevima tokom Prvog srpskog ustanka, posebno zasluzan za oslobodjenje Beograda1806, i za veliku pobedu ustanicke vojske u Boju na Loznici’’ (shq. ‘’Këtu pranë kishës është varrosur edhe Kondo bimbashi, trim në shumë beteja gjatë Kryengritjes së Parë Serbe, me merita të posaçme për çlirimin e Beogradit më 1806, dhe për fitoren e madhe të ushtrisë kryengritëse në Betejën e Lloznicës’’. Në asnjërën pllakë, nuk përmendet përkatësia etnike e Kondos!
Duke i analizuar të gjitha shkrimet në të cilat relativizohet, fshehet, mohohet, tjetërsohet ose përvetësohet Jani Kondo, në kontekst të diskursit dhe të marrëdhënieve aktuale serbo-shqiptare, autori i librit ‘’Firuga e Shqiptarit në kulturën serbe’’, Aleksandar Pavlloviq, ironizon mendësinë serbe, me një citat që thotë: ‘’Më mirë të mos kishte lindur fare ai Kondo, apo të mos i hapte portat e qytetit, sepse më lehtë do ta kishim pa Beogradin, sesa me një armik’’!
Një shkrim për Jani Kondon, me mjaft të dhëna nga burime të ndryshme, e kam botuar edhe unë, në shkurt të vitit 2022, në portalet ‘’Zemra Shqiptare’’, ‘’Shqipëria Jonë’’, ‘’Radio Kosova e Lirë’’ dhe në Fejsbuk, me titull: ‘’Si ia humbën (serbët) identitetin shqiptar Jani Kondos – çliruesit të Beogradit?’’.
Edhe Karagjorgjeviqi ishte me prejardhje shqiptare
Jo vetëm Jani Kondo, i cili iku prej ushtrisë turke dhe iu bashkua kryengritësve serbë e që pati rolin vendimtar në pushtimin e Kështjellës së Beogradit, por edhe vet prijësi i kryengritjes serbe, Karagjorgje Petroviqi ishte me prejardhje shqiptare. Nëse për Kondon ka më pak të dhëna, për Karagjorgjeviqin ka të dhëna historike dhe materiale arkivore me të cilat vërtetohet me siguri prejardhja shqiptare e dinastisë së Karagjorgjeviqëve. Burime të shumta historike, arkivore në Arkivin e Serbisë dhe në arkiva tjera, vërtetojnë se dinastia e Karagjorgjeviqëve ka prejardhje të fisit Kelmendi, katolik nga Malësia e rrethit të Shkodrës, të cilët janë shpërngulë në shekullin 18, së pari në Sanxhak, e më pastaj në Shumadi (Radanj dhe rrëzë Avallës). Me historinë e prejadhjes së dinastisë së Karagjorgjeviqë është marrë historiani i oborrit mbretëror, Andrija Luburiq, i cili i ka mbledhur dokumentet arkivore dhe në disa audicione që ka pasur te mbreti (Karagjorgje) ia ka prezentuar. Luburiqi për këtë çështje ka komunikuar më tepër me princin Pavle. Të gjitha burimet për prejardhjen shqiptare të Karagjorgjeviqve, mund të gjendën në librin e koautorëve Millorad Boshnjak – Sllobodan Jakovleviq: ‘’KARADJORDJEVICI – Sakrivena istorija’’ (shq.KARAGJORGJEVIQËT – Një histori e fshehur), botim: LIO, 2006. Natyrisht, ka edhe asi historianë serbë që e kontestojnë këtë, por po të lexohet libri i përmendur, të gjitha kontestimet bëhen të paqëndrueshme kundrejt dokumenteve dhe burimeve të shumta arkivore dhe historike.
A është statuja e Kondos në Kalemegdan?
Në biseda të njerëzve apo në ndonjë shkrim nepër portale në gjuhën shqipe, thuhet se statuja e lartë në Kalemegdan, të cilën e ka punuar skulptori kroat Ivan Meshtroviq, është statuja e Jani Kondos. Ithtarët e kësaj teze bazohen në dy simbole tipike shqiptare që përmban statuja: njëra që duket se është plisi shqiptar në kokën e statujës, dhe tjetra se në dorën e majtë e mbanë shqiponjën. Në pllakën e statujës është e shkruar vetëm fjala: ‘’Pobednik’’ (shq.Fitimtari). Nuk shkruan kurrëfar emri as identitet tjetër. Nuk ka asnjë referencë që të besohet se është statuja e Kondos, apo e cilitdo personalitet tjetër. Në shkrime të ndryshme për atë statujë, në gjuhën serbe, thuhet se ajo statujë është bartur nga sheshi ‘’Terazija’’ dhe është vendosur në vendin më të lartë në Kalemegdan, në vitin 1928, i këthyer me fytyrë kah Sava. Thonë se statuja është hequr nga qendra e qytetit, për shkak se paraqitet lakuriq dhe i ofendon zonjat dhe zonjushat e Beogradit, prandaj është ngritur lart, në shenj të 10-vjetorit të Frontit të Selanikut, dhe që simbolizon fitoret e Serbisë në luftërat ballkanike dhe në Luftën e Parë Botërore.
Edhe me statujën i vjen era e hiles serbe, për të mos e identifikuar si shqiptar?!
Përfundime
Nga të gjitha burimet më serioze, del se Jani Kondo ishte shqiptar ortodoks i Epirit (lirisht mund të thuhet se ishte çam, v.j.), se ishte komandant i një ushtrie prej 1000 vetash, në kuadër të ushtrisë turke. Se në kohën e rrethimit të Kështjellës së Beogradit nga kryengritësit serbë, Kondo me sa shokë kishte kaluar në anën e kryengritësve, i ka ofruar shërbimet e tij udhëheqësit të kryengritësve, Karagjorgje Petroviqit, duke i treguar në hollësi të dhëna për forcat turke, radhitjen dhe funksionimin e tyre brenda kalasë dhe të rojeve të portave të kalasë. Ai e ka ditur edhe parullën e komunikimit me rojat dhe kjo i ka bërë të mundur hapjen e portës dhe pushtimin e kalasë. Kështu, Kondo ishte personi më meritor për fitoren vendimtare të kryengritësve në pushtimin e kalasë dhe të Beogradit.
Për prejardhjen e Kondos ka teori e teza të ndryshme, varësisht se kush i ka shfaqur, duke ia pranuar kombësinë shqiptare dhe prejardhjen gjeografike (nga Epiri), e deri te relativizimi, fshehja, mohimi, tjetërsimi apo përvetësimi i plotë dhe i qëllimshëm i identitetit të Kondos. Në shumë vende, madje edhe në vikipedi të hueja i quajnë Cincar (arumun grek, bullgar e çka jo tjetër)
Por, në bazë të burimeve më të vjetra dhe më të besueshme, si këngët epike të kënduara nga bashkëkonikët dhe të publikuara nga Vuk Karaxhiqi, dhe të dhënave nga libri i Petrit Imamit, i Stojçeviqit (AShAS) dhe i Pavlloviqit, mund të përfundojmë pa mëdyshje, se Jan Kondo (Kondo Bmbashi) ishte shqiptar i krishter nga Epiri. Ishte ushtar profesional (epror, Bimbash, që është në nivel të majorit,v.j.) i ushtrisë turke, që kaloi në anën e kryengritësve dhe ishte personi vendimtar që mundësoi pushtimn e Kështjellës e të Beogradit, luftoi trimërisht dhe e dha jetën për çlirimin e Beogradit dhe Serbisë. Nuk mund të thuhet se e çliroi Beogradin, sepse atë e çliroi ushtria kryengritëse që përbëhej prej 25000 veta, në mesin e të cilëve kishte edhe shqiptarë tjerë ortodoksë a katolikë, nën udhëheqjen e Karagjorgje Petroviqit, i cili edhe vet ishte prejardhjen shqiptare.
Mund të besohet në të dhënat se Kondo ishte i lindur në vitin 1775 dhe se ka vdekur në luftë në Lloznicë, në vitin 1813 (sigurisht në luftimet për mbrojtjen e Lloznicës nga ripushtimi turk). Se është varrosur afër kishës së Manastirit ‘’Tronoshe’’ të Lloznicës. Se në pllakën përkujtimore përmendet emri i tij, por nuk përmendet përkatësia kombëtare. Edhe në tekstin e tabelës nën emrin Kondo Bimbasha, që mbanë një rrugë e Beogradit, nuk përmendet përkatësia kombëtare e tij.
Këto mospërputhje midis burimeve të ndryshme, qofshin ato të qëllimshme apo për shkaqe tjera, duhet të hulumtohen, të vërtetohen e të sqarohen, për të ndriçuar biografinë dhe vlerësuar veprimtarinë e Jani Kondos, në kontekstin historik të kohës, të kushteve dhe të rrethanave kur veproi; jo në kontekstin e patriotizmit folklorik dhe në dritën e politikës së sotme të marrëdhënieve shqiptaro-serbe.
