21/11/2024

Figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeu tek autorët kroatë

0

Nga Dr. Sc. Pajazit Hajzeri

Padyshim që figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeu është ajo më markantja në gjithë historinë e mesjetës së vonë dhe asaj moderne, jo vetëm për shqiptarët por edhe për gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor dhe Europës Perëndimore.

Ti bësh një përshkrim figures së Gjergj Kastrioti Skënderbeu është sa e vështirë aq edhe e lavdishme, sa madhështore aq edhe interesante.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu lindi në vitin e largët 6 maj 1405 në një familje krishtere, ku në moshë të njomë rrëmbehet nga osmanët, dhe rinin e tij e kalon në pallatet e Sulltanit në Stamboll si mysliman. Si prijës ushtarak ai për ҫdo ditë i’a shton lavdin por njëkohësisht edhe territoret Perandorisë, në luftë kundër të krishterëve.

Kthehet në Arbëri dhe i lufton myslimanët (osmanët), bashkon të gjithë princat arbëror pa dallim religjioni për ta luftuar të keqen që i shkaktonte Perandoria osmane trevave arbërore, kështu që figura e tij është shumë emblematike dhe madhështore.

Nuk ka dyshim që autorët dhe studiuesit e mirëfillt shqiptar, figuren e Gjergj Kastrioti Skënderbeut e ngritin në stadin më të lartë të lavdisë, por edhe studiues të tjerë nëpër botë e bënë të njëjtën gjë.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu njihet si: ushtar trim, strateg – prijës ushtarak, diplomat, burrë shtatas, humanist, aleat besnik, i cili bënte luftë për paqe. Historia na njofton se 90% të luftrave nëpër botë bëhen si rezultat i lakmisë për të pushtuar territore të të tjerëve, ndërkaҫ ne shqiptarët gjithmonë kemi bërë luftë për të mbjellur trevat tona stërgjyshore dhe paqen në Ballkan.

Me këtë rast kemi zgjedhur disa autor kroat të cilët me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skenderbeut, figurën dhe bëmat e tij i ngrisin po në atë nivel sa edhe vetë shqiptarët.

Figura e Heroit Kombetar qe burim i frymëzimit për autor të ndryshëm nëpër botë, por njëkohësisht edhe autorët kroat nuk e lënë anash këtë figure. Skënderbeu si njëri prej prijësave më të njohur të shekullit të XV-të, që i bëri ballë zgjerimit të Perandorisë Osmane në Ballkan, është radhitur në mesin e heronjve më të nderuar të rilindasve kroatë. Ai do të konsiderohet si heroi më popullor i popujve të Ballkanit, i cili luftoi jo vetëm për të drejtat dhe lirinë e popullit shqiptar, por edhe të popujve të tjerë të Ballkanit dhe Evropës. Pjesa më e madhe e rilindasve kroatë, do e ngritnin lart figurën e Skënderbeut dhe luftën e tij, në veprat e tyre letrare, por edhe në tekste historike, studime të veçanta, artikuj të shumtë gazetash, etj. Në të, ata shohin rebelimin, qëndresën, luftën e drejtë dhe të pakompromis kundër zgjerimit Osman në Ballkan dhe mënyrën e vetme të kundërvënies, sepse në atë kohë, ende ishte aktuale Perandoria Osmane dhe bashkimi kombëtar e ndërkombëtar, për një qëllim të përbashkët, lirinë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar! Mund të pohojmë, se figura e Skënderbeut, ka luajtur një rol shumë pozitiv, në rrjedhat historike romantike, të zgjimit të vetëdijes dhe ndërgjegjësimit kombëtar të popullit kroat.

Figurën e Skënderbeut tek autorët kroat e gjejmë nëpër artikuj të historisë, në drama, poezi, proza, këngë, etj.

Nga poetët e Dubrovnikut, të cilët flasin për Skenderbeun, do t’i përmendi vetëm dy. Shkrimetarët e Dubrovnikut ndonjëherë Shqipërinë e quajnë edhe Skenderija, që domethënë toka e Skenderbeut.

Ivan Gunduliq në veprën e tij “Osmani” ceku heroizmin e Skenderbeut dhe luftërat kundër turqve në strofat e tij.

“Me ta Gjergji Skenderbeu dëbuesi i fuqive turke nëpër botë fluturojnë të gjitha, Kalorësia e tij në beteja vrapojn…”

Kështu poeti i mirënjohur Ivan Gunduliq (1589-1638) duke madhështuar heroizmin e ushtarëve të krishterë, nuk e harron edhe Gjergj Kastriotin tonë.[1]

Dubrovnikasi i dyte të cilin do ta përmendi është Brno Gjamanjić – Zamanja (1735-1820). Ai më parë ka qenë jezuit, dhe me pezullimin e Shoqerisë Jezuite, u bë prift dioҫezan në Dubrovnik. Përktheu në gjuhën latine Odisejen e Homerit. Dëshironte edhe në gjuhën kroate ta përshtaste Ilijaden dhe Odisen, mirëpo nuk e njihte mirë gjuhën amëtare. Ai dëshmon për përhapjen e poezive popullore kroate mbi Skenderbeun, Sibinjan Jankin dhe princin Markun, kurse si klasik është ankuar që Kroatët nuk i madhështojnë heronjët grekë dhe trojanë.[2]

Një kontribut të ҫmuar në ngritjen e figures së Skenderbeut në popullin kroat e bëri poeti dalmatin fra Andrija Kaҫiq Mioshiq (1704-1760) françeskan, me pesëmbëdhjetë poezi për Gjergj Kastriotin dhe mejdanet e tija. Si prift, botoi në Venedik një manual të propedeutikës filozofike në gjuhën latine, e më vonë, më 1756 dhe 1759 librin më të rëndësishëm dhe më të popullarizuar të tij në prozë e poezi “Bisedat e këndeshme e popullit sllav”.[3] Kjo përmbledhje deri me sot arriti rreth 60 botime, kurse te kroatët është libri i dytë me botime, pas Biblës. Andreja Kaҫiq Mioshiq edhe në poezinë Mejdanet e Gjergj Kastriotit,[4] figurën e Skënderbeut e ngrit në piedestalin më të lartë të një trimi dhe luftëtari. Kështu që barinjët e thjeshtë kroatë dhe bujqët dëgjuan për Gjergj Kastriotin dhe nëpermjet poezive të Kaҫiqit dhe e pranuan si hero të vetin.

Përpos “Bisedës se këndeshme…” Kaҫiqi shkruajti edhe “Korablicën”(1760), kjo është një kronikë popullore në prozë nga zanafilla e botës deri në kohën e autorit. Në këtë kronikë, Kaҫiqi “në tregimin e shkurt për luftën e kalorësve të Gjeregj Kastriotit, princit dhe prijësit nga Arbanija” e përshkroi jetën e Skenderbeut. Lexuesi i cili dëshiron më tepër të dijë për Juri Kastriotiqin i preferon që t’ju përvishet autorëve të jashtëm dhe “disa pjesëve të Sagredes, Barlecijes, Giamarijes dhe Breshaninit e të tjerëve”.

E në listën e “prijësve dhe fisnikëve të popullit sllaven” Kaҫiqi shënon edhe familjen “Kastriotiq, prijësin ose princin nga Shqipëria nga ky fis ishte Jure Kastriotiq i ashtuquajturi Skendebeg, i cili tërë kohën e jetës tij më turq bëri luftë dhe gjdo herë fitoi (ngadhënjeu)”. [5]

Në “Bisedat” e tija, pos gjërave tjera, Kaҫiqi, ka shkruar, në dhjet rrokshin popullor, edhe 17 vjersha me 2954 vargje për trimin legjendar shqiptar – Skënderbeun.[6] Në poezitë e Kaçiqit ,në mbi 700 strofa është arritur që të krijohet, të profilizohet relativisht mirë portreti fizik, moral, psikologjik dhe social i heroit.

Përveç portretimit të jashtëm dhe të botës së brendshme të heroit, Kaçiqi e ka paraqitur Skenderbeun edhe si strateg të shkëlqyeshëm të luftës, organizator të jetës ushtarake, orator dhe së fundit ndonëse mjaft zbehtë edhe si diplomat dhe si njeri të epikës historike dhe legjendare.[7]

Ngjashëm duke shkruar për luftëtarët, heronjët dhe mbretërit, bashkëkohësi tragjik i Kaҫiqit, fra Filish Grabovac (1697-1749) në veprën e tij “Lulëzimi i bisedës së popullit dhe gjuhes ilirike ose kroate…” në prozë dhe në strofa foli edhe për “shtëpinë e Kashtriotit” (familja Kastrioti).”

Për t’i njohur me përmbajtjen e vjerrshave të Kaciqit edhe ata që nuk dinin kroatishten, fra Emerik Paviq (1764 dhe 1768 viti i botimit) duke botuar në Budime interpretimet e lira poetike në gjuhën latine. Paviq në gjuhen latine sjell përmbajtjen e poezive të Kaҫiqit, e nuk e përcjell në mënyrë të këndimit. Kështu që tek ne arriti edhe poezia e tij latine “Rymtus de Georgio Kastriotiq dicto Scandebego”. Paviq në këtë poezi këndoi në vargje të metrikës sikur himnin “Stabat mater Dolorosa” (“Rrinte Zoja tuj lotue»), edhe kjo mund të këndohet me të njejetën melodi.

Një autor tjetër kroat e kemi edhe Ivan Kukuljeviq-Sakcinskit, i cili la një dorëshkrimi që ruhet, në Arkivin e HAZU-t, është një dramë, e cila konsiderohet e papërfunduar, ngase i mungojnë disa skena të aktit të parë, të tretë dhe të katërt. Përkundër dëshirës së madhe që kishte, Ivan Kukuljeviq-Sakcinski, nuk ia doli që t’i përmbahej të dhënave dhe fakteve historike, ngase një gjë të tillë, nuk e duronte teksti letrar i dramës. Ideja për të shkruar një vepër letrare, në formë drame, e vuri përballë vështirësive të shumta. Ishte koha kur letërsia e Rilndjes korate luftonte me të gjitha forcat, për realizimin e qëllimeve të caktuara politike, arsimore dhe letrare. Kërkoheshin heronj dinjitozë antikë e mesjetarë, përmes shëmbëlltyrës së të cilëve, dëshirohej të grishej vetëdija kombëtare, në luftë për liri dhe çlirim të përgjithshëm kombëtar. Ky ishte njëri ndër shkaqet, që Skenderbeu gëzonte një vend të veçantë: te krijuesit, intelektualët dhe nacionalistët kroatë. Për të do të shkruhen vepra historike, studime historiko-letrare, do të botohen fejtone, do të thuren poezi, tregime, drama dhe vepra muzikore, në të cilat do të tregohet si model i pathyeshmërisë, luftës së pamposhtur dhe sakrificës së madhe, pa marrë parasysh numrin dhe fuqinë e armikut.[8]

Dorëshkrimi ofron një vlerë të madhe kulturore-historike, pikërisht për faktin se pasuron bibliografinë e veprave letrare-historike, që janë shkruar në kroatisht për Skënderbeun. Njëkohësisht është tregues real i interesimit të studiuesve dhe krijuesve kroatë për figurën e Skenderbeut dhe historinë e popullit shqiptar gjatë mesjetës.[9]

Mendoj se me këtë paraqitje nuk përfundon e gjithë ato që publikuan poetët dhe shkrimtarët kroatë për Gjergj Kastriotin Skenderbeun, mirpo është një tabllo e mirë për të ndjekur informacionet dhe të dhënat që na paraqiten nëpër libra si në poezi, prozë, këngë, dram, libra të historisë etj, etj, figuren e Skënderbeut.

Skënderbeu ishte figura më frymëzuese te rilindasit kroat, të cilët për ngritjen e vetëdijes kombëtare për çlirimin e atdheut të tyre përdorën Skendërbeun si prijësin, luftëtarin, diplomatin dhe strategun e pamposhtur në luftë me Osmanët.

Një tjetër arsye përse autorët kroat e zgjodhën Skenderbeun për shkrimet e tyre frymëzuese ishe edhe fakti se kishin të dhëna të shumta ngase Skendërbeu kishte marredënie diplomatike me Republikën e Raguzës, po ashtu në gojën e popullit shqiptar ishte figura më e lartë dhe më e ndritur, kiste këngë dhe legjenda të thurura që këndoheshin gjithandej për te, poashtu, një numër shumë i madh arbërish kishin emigruar pas vdekjes së Skënderbeut në viset bregdetare të Kroacisë si në Dubrovnik, Split dhe Zarë, e të cilët me vete e kishin Skenderbeun si në këng, poezi, prozë dhe më së tepërmi në tregimet gojore gjatë gjithë kohës në kontakt me popullatën kroate në ato vise. Prandaj, frymzimi për autorët kroat vinte nga populli i Skënderbeut i cili kishte emigruar në viset kroate për të mos rënë pre e pushtuesve osman vërsulur për dekada me radhë.

Përveç autorëve kroat, figuren e Gjergj Kastriotit Skënderbeun e gjejmë edhe tek librat e autorëve; turq, serb, malazez, italian, anglez, francez, e shumë autor e popuj të tjerë. Padyshim që figura e Skendërbeut ishte më madhështorja për kohën e mesjesës së vonë.

Skënderbeun, përveç në libra historie, poezi, prozë, dramë, letërsi, e gjejmë edhe në piktura, gravura dhe skulptura të punuara nga artist të mëdhenj gjithandej nëpër botë.

Figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe bëmat e tij janë pasqyruar prej kohësh në vepra të pikturës, të skulpturës dhe të gravurës në vende të ndryshme të botës.

Pjesa më e madhe e veprave me vlera artistike dhe historike, si tipare karakteristike, japin një profil të veçantë me sy të gjallë dhe hundë shqiponjë.

Portreti më i hershëm që njihet me Skendërbeun ndodhet në galerinë Ufici (Uffizi) të Firencës. Mendohet se është mbështetur në vizatimin të bërë drejtpërdrejtë nga natyra, të piktorit venecian Xhentile Benini. Në këtë portret, Heroi Kombëtar i shqiptarëve është paraqitur në moshë të shtyrë, si duket kur e ndërmori udhëtimin e tij të fundit në Itali në vitin 1466.[10]

 

Burimet dhe literatura

 

 

Jeta e re, Revistë letrare, XIX, [1967]. Rilindja, Prishtinë;

 

Jeta e re, Revistë letrare, I, [1968]. Rilindja, Prishtinë;

 

Don Frok Zefi, Skenderbeu në literature Kroate, në udhëkryq të botave, www.famulliabinqes.com

 

http://illyriapress.com/nder-veprat-me-te-vlefshme-te-letersise-kroate, 04/09/2013 – 2:37 AM

 

Skënderbeu: Një dramë e panjohur dorshkrim i 1840 në arkivin e Zagrebit,

http://floripress.blogspot.com/2013/01/skenderbeu-nje-drame-e-panjohur.html

 

https://www.sa-kra.ch/skenderbeuxhz.htm, shkruan: Xhelal ZEJNELI

 

 

[1] Don Frok Zefi, Skenderbeu në literature Kroate, në udhëkryq të botave, www.famulliabinqes.com

[2] Ibid.

[3] Jeta e re, Revistë letrare, XIX, 1967, Rilindja, Prishtinë, p.1183.

[4] Jeta e re, Revistë letrare, I, 1968, Rilindja, Prishtinë, pp. 21, 24.

[5] Don Frok Zefi, op cit.

[6] Jeta e re, Revistë letrare, XIX, 1967, Rilindja, Prishtinë, p.1184.

[7] http://illyriapress.com/nder-veprat-me-te-vlefshme-te-letersise-kroate, 04/09/2013 – 2:37 AM

[8] Skënderbeu: Një dramë e panjohur dorshkrim i 1840 në arkivin e Zagrebit,

http://floripress.blogspot.com/2013/01/skenderbeu-nje-drame-e-panjohur.html

[9] Ibid.

[10] https://www.sa-kra.ch/skenderbeuxhz.htm, shkruan: Xhelal ZEJNELI

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok