Festivali i parë i shkollave Shqipe “Alba Life” New York dhe mbyllja me plot sukses e vitit akademik 2021-2022
E ftuar speciale Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Washington DC znj.Floreta Faber.
Nderuan me pjesëmarrjen Ministrja e Shtetit për rininë dhe fëmijët në Republikën e Shqipërisë, zonja Bora Muzhaqi dhe z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit”.
Gjuha jonë, gjuhë hyjnore,
Flet me zemrat si me Zotin,
Oh ç’bekime dhurojnë gjyshërit,
Nga gëzimi derdhin lotin…
Nga Keze Kozeta Zylo
Amfiteatri i Qendrës “Illyria” siguruar nga z.Mark Gjonaj gumëzhinte plot e përplot nga zërat gazmorë të nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit që operon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe në Online. Ishte një e shtunë e bukur plot diell që të lëbyrte sytë, një e shtunë ku ushtuan në skenë këngët dhe vallet e mrekullueshme shqiptare. Çfarë magjie sollën në skenë do të më thoshte nje gjyshe rreth të 80-ve! Ne nipërit dhe mbesat tona i sjellim me dëshirën më të madhe për të mësuar shqip vazhdoi gjyshja.
Dhe dita e shtunë ishte magji, ishte bota e pasur dhe e çiltër e fëmijëve që u ngjitën në skenë plot confidencë për të shfaqur festivalin e bukur. Ata vallëzonin plot harmoni dhe në ritëm të muzikës popullore që ia shtonin dhe më shumë elegancën dhe hijeshinë amfiteatrit.
Nxënësit me kostumet shumëngjyrëshe dhe ngjyrat e Flamurit kuq e zi sillnin dhe më shumë emocion tek të pranishmit që i duartrokisnin plot ëndje dhe emocion artistët e ardhshëm të Diasporës.
Gjatë vitit akademik Shkolla Shqipe “Alba Life” me përvojë 15 vjeçare ka krijuar traditën kulturore të festojë me koncerte si: Ditën e Shenjtë të Flamurit Kombëtar, Festat e Fundvitit, Pavarësinë e Kosovës, Ditën e Shenjtë të Mësuesit, Koncert për mbylljen e vitit akademik shkollor, pjesëmarres në Festivalin e Shkollave Shqipe dhe për herë të parë organizoi Festivalin e të gjitha shkollave shqipe “Alba Life”. Festivali u moderua nga dy nxënës të talentuar bashkëpunëtore të TV “Alba Life” si Arelt Xhaferri dhe Kendra Duli. Ekspresiviteti i tyre në të shprehur e bënte dhe më të bukur komunikimin me publikun.
E ftuar speciale në këtë festival ishte Ambasadore e
Republikës së Shqipërisë në Washington DC zonja Floreta Faber
Zonja Faber përshëndeti të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit për punën e shkëlqyer që po bëjnë për të mësuar Gjuhën Shqipe pranë Shkollave “Alba Life”. Ambasadore Faber me një karrierë të gjatë në diplomaci inkurajoi fort që të mos i harrojnë rrënjët e të parëve ndaj duhet ta shfrytëzojnë mundësinë që iu është dhënë për të mësuar dhe folur shqip.
- Zylo bashkëthemeluese e shkollave shqipe “Alba Life” në emër të bordit dhe gjithë mësuesëve vlerësoi Ambasadoren Faber me Çmimin e Mirënjohjes si një personalitet i lartë i diplomacisë shqiptare dhe për kontributinn e saj të vyer për Shkollat Shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun dhe në Online.
Ambasasore Faber ka qenë e pranishme para tri vjetësh në hapjen e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx dhe iu ka shpërndarë nxënësve librat e Abetares.
Dhenia e çmimit u mirëprit me duartrokitje nga të pranishmit.
Festivali i parë dhe dhënia e çertifikatave
Fjala e hapjes u bë nga Dr.Valbona Zylo Watkins e cila përshëndeti në emër të Bordit si drejtuese e procesit mësimor. Ajo është profesore në Staten Island College dhe në Montclair Academy në New Jersey e cila ka dhënë një kontribut të vyer për mbarëvajtjen e mësimit të Gjuhës Shqipe në New York. Programi filloi me këngën: Ty Flamur të duam shumë, kënduar nga kori i shkollave nën drejtimin e artistes së shquar Dëshira Ahmeti Kërliu.
Valltarët e shkollës Shqipe Alba Life në Bronx shfaqën vallen kuq e zi dhe “Vallja e Tropojës” intepretuar nga nxënësit e Bronxit, përgatitur nga mësuese Majlinda Tafaj. Shtoj se kjo shkollë është hapur para tri vjetësh dhe është plot sukses. Në këtë shkollë japin mësim gjithashtu plot përkushtim mësueset Fatbardha Shiqerukaj, Mirvete Krasniqi Veselaj dhe Alda Hoxhaj,
Në këtë festival nderoi me pjesëmarrjen e saj ministrja e Shtetit për rininë dhe fëmijët, zonja Bora Muzhaqi. Në përshëndetjen e saj zonja Buzhaqi tha se sot kam marrë shumë emocione si asnjëherë tjetër dhe u ndjeva tejet krenare, kur dëgjova këta nxënës që intepretonin mrekullisht këngët dhe vallet shqiptare.
Në këtë aktivitet madhështor ishte Z.Mark Gjonaj i cili si përherë të befason me pjesëmarrjen e tij në aktivitete dhe prania e tij veçse frymëzon brezat për të punuar më shumë për Diasporën dhe Kombin. Ai ka mirënjohjen e pakufishme të nxënësve, bordit dhe prindërve
Përshëndetën festivalin kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, z. Mhill Velaj, si dhe z. Shaban Lajci artisti i mirënjohur i Diasporës dhe Atdheut.
Në skenë performuan nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island e cila është shkolla e parë që u krijua në këtë ishull të bukur. Ata interpretuan vallen: “Mor Bubrrec” përgatitur nga mësuese Elona Shkreta, Anxhela Alushaj dhe Ariana Topallaj.
Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Brooklyn interpretuan: “Valle Kosovare” dhe “Vallja e Bariut- Rrënjët tona” përgatitur nga mësueset Gela Bulku dhe Ariana Topallaj. Një falënderim dhe mirënjohje e veçantë i shkon prindit Lindita Ndregjoni për përgatitjen e kostumeve plot hijeshi dhe profesionalizëm.
Shkolla e Quensit performoi: “Tring zilja, tring zilja”, “Sa do doja një qenush” këngë për fëmijë, përgatitur nga mësuese Eriola Shahaj nën drejtimin e artistit të njohur Dionis Delia.
Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island përgatitur nga mësuese Entela Muda interpretuan “Vallja e Tiranës”.
Kori i Shkollave Shqipe intepretoi himnin e Shkollës Shqipe Gjuha Shqipe, Gjuha Jonë kompozuar mjeshtërisht nga profesori i pianos Petrika Melo drejtuar nga artistja e shquar Dëshira Ahmeti Kerliu.
Programi u mbyll me këngën popullore aq të njohur: “Xhamadani Vija Vija” kënduar nga kori nën drejtimin e artistes së mirënjohur dhe vitale Valbona Peraj.
Me çmimin e mirënjohjes u vlerësua zonja Vera Mjeku si një personalitet i shquar i Diasporës Shqiptaro Amerikane dhe mike e madhe e shkollave shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun dhe në Online.
Pas këtij programi madhështor Dr.Valbona Zylo Watkins bashkë me Ambasadoren Faber dhe ministren Muzhaqi nën kujdesin e të gjitha mësueseve të klasave të cilat kanë bërë një punë të mrekullueshme për mësimin e Gjuhës Shqipe iu ndanë çertifikatat të gjithë nxënësve për vitin akademik shkollor 2021-2022.
Gjithë festivali u filmua dhe fotografua nga bashkëpunetorët e TV “Alba Life” si: gazetari Valon Gerbeshi, Bujar Sadikaj dhe Elton Xhaferri.
Dreka festive dhe çmimet nga Alba Life
Natyrisht pas një dite shumë të ngarkuar shumica e pjesëmarrësve drekuan së bashku në restorantin “La Botte” në Westchester të organizuar nga bordi i shkollës me kontributin e secilit si drekë festive.
Në këtë drekë festive u krye ceremonia e dhënies së çmimeve të mirënjohjes si Arta Xhaferri koordinatore pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx me motivacionin:
si Koordinatore për kontributin e saj të vyer dhe me profesionalizëm pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx.
Mësuese Entela Muda Çmimin e Mirënjohjes për kontributin e saj si një mësuese e përkushtuar me profesionalizëm pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island.
U vlerëuan me plot dashuri dhe respekt nxënësit e dalluar të Shkollës Shqipe “Alba Life” si:
Blenda Ekuran Shehu, Kelvin Adil Rustani, Lediana Agim Hasanaj, Dion Odise Salillari, Ariana Daci. Ata janë krenari e Shkollës Shqipe “Alba Life” dhe do të jenë frymëzues për gjeneratat e ardhshme.
Dreka e organizuar kaloi në një atmosferë shumë festive dhe të pranishmit u argëtuan nën tingujt e DJ drejtuar mjeshtërisht nga z.Bujar Sadikaj.
4 Qershor, 2022
Qendra “Illyria” Bronx, NY