24/12/2024

Festa e Plisit të Bardhë mblodhi në Malin Dajt shqiptarët e viseve etnike

0
u6_Hyseni-Plisi1

Nga Sevdail Hyseni

E diela e 25 gushtit, të këtij viti, në Malin e Dajtit mbi Tiranë, Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, të cilën e drejton Agron Isa Gjedia, mblodhi shqiptarët e viseve etnike për ta shënuar për të 16 herë me radhë Festën e Plisit të Bardhë, ikonën e veshjes sonë kombëtare, si dhe për ta zhvilluar garën poetike të rreth 60 krijuesve kushtuar Homerit shqiptar At’ Gjergj Fishta.

Festa e Plisit të Bardhë e zhvilluar në një ambient pitoresk mbi Malin e Dajtit, prej nga Tirana shihej si mbi pëllëmbë të dorës, gumëzhinte me këngë, recitime e vallet me motive të ndryshme tropojane, hasjane, gjakovare e preshevare.

Vargjet e “Lahutës së Malcis” të Fishtës, të recituara nga legjenda e aktrimit shqiptar Çun Lajqi, mbushën me shpirt zemrat e zhuritura të qindra shqiptarëve nga hapësirat mbarëkombëtare, që kishin ardhur me kënaqësinë më të madhe në Festën e Plisit të Bardhë.

Këtë festë madhështore të kombit shqiptarë e përshëndetën përfaqësues të ndryshëm të shoqatave atdhetare, që po i japin mbështetje Shoqatës “Bytyçi” dhe kryetarit të saj, Agron Isa Gjedia, e në mesin e tyre ishin edhe ato si Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore nga Presheva, të drejtuar nga prof. Xhemaledin Salihu dhe Shoqata për Kulturë ” Pellazgët” nga Tetova, me kryetarin  Dr.sc. Shefki Selami, një njohës i mirë i fiseve dhe toponomistikës shqiptare.

Pjesa e dytë e programit të Festës së Plisit të Bardhë u zhvillua në Restorantin e Parkut të Dajtit, me poezitë garuese kushtuar Homerit shqiptar At’ Gjergj Fishta. Në një ambient solemn të mbushur plot me adhurues të fjalës së bukur artistike, ndoqën me vëmendje vargjet e dhjetëra poetëve nga mbarë trevat kombëtare kushtuar At’ Gjergj Fishtës.

Juria profesionale e konkursit letrar mbarëkombëtar “Ndue Bytyçi” në përbërje nga Agim Doçi (kryetar jurie), Albi Lushi e Zyra Ahmeti nga Shqipëria, Fatmir Halimi nga Kosova, Ali Daci nga Mali i Zi dhe Sevdail Hyseni nga Lugina e Preshevës, zgjodhën nga kjo garë poetike fituesit e pesë çmimeve letrare dhe një për inkurajim.

Nga 58 konkurruesit e garës poetike nga juria u zgjodhën: Preng Cub Lleshi, Lekë Gjoni, Namik Selmani, Leonora Bruçaj nga Shqipëria dhe Musa Jupolli nga Kosova.

Manifestimi mbarëkombëtar për nder të Festës së Plisit të Bardhë, u mbyll me një drekë solemne me pjesëmarrësit e këtij evenimenti të lartë kulturor, me shpërndarjen e Mirënjohjeve dhe të shoqëruar me këngët mirëditase: Mrikë Trumshi e Arinda Gjonaj e këngëtarë të tjerë të mirënjohur të estradës shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok