21/12/2024

Fenomeni partiak i shqiptarëve, unikal në botë!

0
Florim-Zeqa1

Historikisht shqiptarët nuk i kanë tejkaluar dy gjëra, me i shajtë n’babë e n’nanë dhe me i prekë n’moral! Mirëpo në kohën e pakohë që po e jetojmë kanë ndryshuar gjërat, shqiptari ti ban hallall të gjitha veq mos ja shajë liderin dhe partinë!

Shkruan: Florim Zeqa

Gjurmët e pushtimeve të gjata

Shqiptarët aq shumë janë të dhënë pas partive politike dhe liderëve partiakë, saqë nuk ta merr mendja. Përpos shqiptarëve, nuk ka popull tjetër në botën e civilizuar që është i mishëruar aq shumë me bindjet politike dhe fetare.

Janë disa faktor që kanë ndikuar në mentalitetin partiak dhe ideologjik të shqiptarëve, siq janë pushtimet e gjata, filluar nga ai romak, bizantin, turk dhe sllav, të cilat kanë lënë vrragë të pashlyera në trashëgimin kulturore dhe gjenetike.

Kur jemi në këtë segment, pushtimi i gjatë komunist e ka tjetërsuar në masë të madhe qenjen kombëtare, duke i dhënë përparësi intenacionalizmit proletar në vend të integrimeve kombëtare.

Për të mos thënë fare, të rralla janë rastet kur shqiptarët betohen në komb dhe atdhe, por gjithmonë në fe e parti, në profet dhe lider partiak.

Mjafton që shqiptarin te mos e prekësh në dy gjëra; fe dhe parti, për të tjerat thuej e gënjeje për gjithçka, nuk i mbetet hatri. Madje, nëse je mjeshtër i gënjeshtrës dhe mashtrimit të besojnë edhe nëse ua shanë dhe fyen figurat më eminente kombëtare, siq është rasti i disa pseudo-historianëve të shitur tek Serbia, të cilët i kthyen Ismajl Qemajlin dhe Isa Boletinin nga heronjë në “tradhëtarë”!

Vetëdija shoqërore e ndikuar nga shkalla e zhvillimit ekonomik

Prapambeturia apo mungesa e zhvillimit ekonomik ka ndikuar në vetëdijen shoqërore, përkatësisht në mentalitetin e njerëzve, të cilët janë kënaqur me sigurimin e kafshatës së gojës, pa ju shkuar mendja të kërkojnë diçka tjetër nga pushtetarët.

Varësia dhe nënstrimi i plotë ndaj pushtetarëve, shqiptarët i ka bërë të dëgjueshëm ndaj pushtimeve të gjata qindra vjeçare!

Në disa raste ende po reflektohen pushtimet e gjata dhe pushtimi sllavokomunist në trojet shqiptare, ku këta të fundit me devotshmëri i shërbyen komunizmit për më tepër se gjysëm shekulli dhe po vazhdojnë ende t’iu thurin hymne mbeturinave komuniste në rrethanat e pluralizmit politik në stilin e vjetër; “Jemi të gatshëm të hamë edhe barë për hatër të partisë”!

Fenomeni partiak i shqiptarëve në ditët e sotme

Për fatin e keq, fenomeni partiak dhe ideologjik po vazhdon edhe në ditët e sotme para interesit kombëtar dhe shtetërorë. Shqiptarët janë të ndarë dhe përçarë si asnjëherë më pas pas partive politike. Partitë e bastarduara politike e kanë shkatërruar në embrion (familje) të ardhmen e shqiptarëve. Nuk ka si të jetë ndyshe, kur, “në një familje 4 anëtarëshe janë futur 5 parti politike”. E përdora këtë shprehje në mënyrë figurative për të dëshmuar katandisjen e familjes shqiptare në përgjithësi, ku nuk çmohet dhe as respektohet kryefamiljari (i zoti shpisë), por secili bëhet mbret nën të njëjtën çati!

Edhe në të kaluarën kemi pasur lider dhe parti politike, por asnjëherë në historinë e re të pluralizmit politik nuk ka ekzistuar gjuhë më e ulët dhe denigruese mes shqiptarëve.

Parti të caktuara politike e kanë instaluar gjuhën fyese të urrejtjes, kërcënimit dhe linçimit ndaj atyre që mendojnë ndryshe apo që e marrin guximin të kritikojnë lider të caktuar partiak dhe shtetërorë.

Këtë punë të pistë e bëjnë injorantët dhe lakmitarët që vrapojnë pas ndonjë “ashti të fëlliqur” të pushtetarëve apo të paguarit enkas për këtë punë, duke u vërsulur si bishat e ç’mendura ndaj atij që e merr guximin të kritikojë veprimet e shëmtuara të liderëve shtetërorë dhe partiak.

Gazetaria nuk guxon të jetë partiake dhe as në shërbim të grupeve të interesit

Gazetaria është sfidë në vete, nuk është në krizë vetëm në Kosovë, por në mbarë botën, madje edhe në shtetet me traditë të gjatë demokratike dhe civilizuese. Pothuajse në të gjitha ndryshimet politike të vendeve europerëndimore, gazetarët janë edhe protagonistët të ngjarjeve. Gazetaria nuk e nënkupton vetëm kërkimin e lajmit, përkundrazi nënkupton kërkimin e së vërtetës mbi të gjitha ato ngjarje që janë me interes për shoqërinë, për qytetarët, për njerëzit e thjeshtë.

Rrethanat politike shpeshherë prodhojnë presione, shantazhe, madje edhe kërcënime ndaj gazetarëve, gjëra të cilat për fat të keq kohëve të fundit janë në rritje e sipër në Kosovë!

Pavarësisht kërcënimeve, shantazheve dhe sulmeve virtuale pas publikimit të shkrimit, nuk guxon të ndodhë tërheqja e shkrimit nga gazetari, përkundrazi duhet mbrojtur me fakte dhe argumente të fuqishme interpretimin (prezantimin) e së vërtetës, sado sfiduese të jetë ajo. Komunikimi me opinionin publik për gjëra të tilla përveçse reflekton mbështetje, krijon besueshmëri dhe ndershmëri reciproke, gjë e cila ndikon drejtpërdrejt edhe në parandalimin e së keqes!

Prandaj, të gjithë gazetarët, pa dallime pikëpamjesh ideologjike, duhet të kërkojnë krijimin e një imazhi më pozitiv të gazetarisë. Mbi të gjitha duhet të bëhen forcë kreativiteti dhe zë i fuqishëm i ndryshimeve të përgjithshme shoqërore, e jo të mbetem zë i pakicës, por të shndërrohen në zë plural, i respektuar nga opinioni i gjerë.

Gazetaria është kontinuitet i shoqërisë civile, besnike ndaj së vërtetës, për të zbuluar lajmin, edhe atëherë kur nuk shihet apo tentohet të fshihet nga të tjerët, për t’i bërë gjithmonë të qartë lexuesit; kjo është e vërteta dhe ky është interpretimi im!

24.07.2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok