06/10/2024

Nga libri i kujtimeve të një kohe të zymtë

0

Nga Blerim Latifi

Ishte janari i vitit 1994. Një janar i thatë, por i acartë, deri në kulm. Unë isha 15 vjeçar dhe shkoja në gjimnaz. Serbët na kishin dëbuar nga objekti i gjimanazit në Skënderaj dhe ne ishim detyruar që mësimet t’i mbanim në objektet e shkollave fillore në fshatra. Mua më kishte rënë të shkoja në atë të Klinës së Epërme. Çdo ditë, përjashto vikendin, bëja rreth 20 kilometra rrugë. Kur toka ishte e baltosur, këto kilometra rriteshin edhe më shumë, ngase më duhej fillimisht të shkoja në Skënderaj, e prej andej të kthehesha në Prekaz. Zakonisht krejt ato kilometra i bëja bashkë me disa shokë të katundit, por atë ditë nuk e di pse mbeta i vetëm. Kisha udhëtuar natën edhe herë të tjera, prandaj edhe nuk kisha ndonjë frikë të madhe. Sigurinë ma shtonte fakti se e njihja shumë mirë terrenin nëpër të cilin lëvizja.

Terri kishte rënë ende pa mbaruar mësimi dhe pasi kalova rrugën Klinë- Skënderaj, mora drejtimin e Prekazit. Një heshtje absolute mbizotëronte gjithkah, ndërsa katundi ishte i zhytur në errësirë të plotë nga shkaku se energjia elektrike ishte ndërpre. Në ato vite të shumtën e kohës i kalonim netët pa energji. Krejt skenografisë së asaj nate i shtohej acari i madh që të grinte. Kur po merrja kthesën e rrugës që shpinte në lagjën time, befas pranë meje ndaloi një makinë. Ishte me drita të fikura, prandaj nuk e vërejtja fare derisa ndaloi m’u tek këmbët e mia. Unë shtanga nga frika dhe mbeta në vend. Dera e makinës u hap dhe prej saj doli një burrë me trup mesatar, por të plotë. Kishte çizme në këmbë, një pallto të gjatë që pothuajse ia mbulonte krejt trupin deri tek çizmet dhe një kapuç, të cilin e kishe rrasur të tërin në kokë. Nga terri i dendur i asaj nate, mezi ia dalloja tiparet e fytyrës. -I kujna je o djalë? – më pyeti. Unë i tregova dhe ai ndërkohë më bëri pyetjen e radhës: – A kish milic n’Skënderaj?  I thash se nuk pashë të tjerë veç atyre që i shihnim përditë, patrullat e zakonshme që endeshin nga stacioni i autobusëve, në tregun e bagëtive, deri tek posta e qytetit. – Mirë, – tha, – me natë t’mirë e t’fala Nurës! Derisa po ulej në makinë arrita të dalloja poshtë këmbëve të tij një automatik, ndërsa njeriut që ishte në timonin e makinës nuk ia pashë fare fytyrën. Makina u largua në drejtimin e kundërt me rrugën time, ashtu edhe siç erdhi pa drita. Pas 15 minutash isha brenda në shtëpi dhe po ua tregoja ngjarjen prindërve që po më prisnin për darkë.

Burri quhej Adem Jashari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok