19/03/2025

FAIK BEJ KONICA, KY PRINC I KULTURËS DHE I GJUHËS SHQIPE

0
Faik-Konica

Nga Sylejman Salihu

Është marsi dhe madje është 15 marsi. Diku në orët e vona, derisa gjumi im po bënte ekskursionin e tij galaktikave planetare, m’ u kujtua “miku” im i letrave FAIK BEJ KONICA. Ishte një bej dhe ishte një bej nga Konica, ajo tokë, tashmë e mbetur dhe e humbur nën Greqinë. Kur e kujtova këtë, vetë kjo më ngjalli një trishtim. Sa njerëz të mëdhenj kanë lindur në tokat tona dikur, e sot ato toka nuk janë më tonat! Mund të themi se ishin, por s’ mund të themi se janë më. Pothuajse nuk ka vend ku të mos ketë një gjurmë shqiptare që dikur ishte e jona, të paktën në Gadishullin Ilirik.

*

Por le të ndalemi te Faik Beu. Kush ishte ai?Ç’ bëri ai? Ka shumë që e lavdërojnë, ka të tjerë, madje edhe që e shajnë. Ç’ guxim i tepruar për ta sharë? Secili ka ndonjë arsye, por arsye për ta lëvduar ka më shumë se sa për ta sharë. Faiku mund të kishte shumë “kusure” siç thotë Noli, por kishte bërë edhe ca punë të mira e të mbara për Shqipërinë. Që i vogël u largua nga Konica dhe nuk u kthye më kurrë. Por përkundër që nuk u kthye dhe vdiq larg përtej Atlantikut, ai edhe frymën e fundit e kishte dhënë duke menduar dhe duke punuar për Shqipërinë, për atë tokë të shenjtë dhe të shtrenjtë. Për atë Shqipëri ashtu siç ishte, qoftë edhe e vogël, siç e coptuan europianët. E ai jetoi dhe punoi për të. Per të dhe vetëm për të. Jetoi dhe punoi pafundësisht, siç ishte i bëri dhe i tëri mendërisht e shpirterisht. Mori dije gjithandej nga mundi dhe gjithandej nga shkoi dhe atë dije e vuri në përdorim për atdheun e tij, për vendin e tij, për lirinë e tij. Ai ishte një princ i madh i kulturës. Ai ishte kalorës i madh.Ishte i rrallë në sojin e tij në atë kohë. Ishte i veçantë në mesin e të veçantëve.

*

Që i ri u vu në shërbim të atdheut. E donte shumë atdheun, prandaj edhe punonte shumë për të.Nuk i donte turqit se ishin armiqtë e popullit të tij, prandaj punoi nē dëm të tyre dhe në dobi tē shqiptarëve.Për këtë Perandoria e dënoi njēherë me shtatë vjet e pastaj e dënoi edhe me vdekje. “Albania”e tij, kjo kryevepër publicistike,a nuk ishte edhe një enciklopedi historike, kulturore, gjuhësore, letrare, politike, që u botua edhe për ta lexuar jo vetëm shqiptarët por edhe të huajt? Kaq i ri dhe kaq entuziast të jetë njeriu për vendin e tij në dhera të huaja , është e habitshme? Por edhe nuk thuhet kot, se duhet të jesh larg atdheut, që ta duash më fort atë, gjë që edhe vetë ai e ka paraqitur në skicën eseistike “Mall’ i Atdheut”. Intelektualisht këtë mund ta bënte vetëm një mendje brilante siç ishte ajo e Faik Beut, që e donte atdheun e tij pafundësisht dhe dijen që kishte e përdorte për këtë atdhe. Por si e donte Shqipërinë ai? Ai e donte më të mirë, më të lirë, më të mbajtur, më zonjë. Nga kush? Nga turqit por edhe nga njerëzit e saj. Nga ata njerëz, të cilët kapardiseshin me një pushkë në krah, por jo aq për të mbrojtur vendin e tyre, sa për të vrarë njëri-tjetrin edhe për hiçgjë, apo edhe për një kec siç do të thoshte vetë ai. E Faik Beu i kritikoi dhe i qortoi shqiptarët pa kursim, fuqishëm me kamxhikun e tij të pamëshirshëm, sepse ai i donte ata më ndryshe, më të përparuar, më të qëruar, më të zgjuar, më trima, tamam me vepra dhe me të bëra e jo me fjalë si rrahagjoksa e hipokritē dhe injorantē të mëdhenj. Ai i qortonte dhe i fshikullonte ata për fodullëkun dhe paditurinë, për përtesën dhe dembelinë, për budallallëkun dhe djallëzinë. Ai i qortoi ata, sepse ai i donte ata dhe sepse mbi të gjitha e donte Shqipërinë. E donte atë Shqipëri , fundja ashtu siç ishte apo siç u bë dhe politikisht e atdhetarisht punoi për të. Në kohën kur në Londër po mbahej Konferenca e Ambasadorëve për fatin e Shqipërisë, kush mund të ishin më të denjë se Noli dhe Konica që të shkonin atje dhe ta mbronin ekzistencën dhe pavarësinë e Shqipërisë? “Si mund të jetë një vend i robëruar kur ka kaq njerëz të ditur?”- kishte thënë dikush atje. Sepse Faik Beu dinte të bënte mrekullira: me gjuhët dhe poliglotizmin e tij, që ishin aq të shumta, me stilin e tij, që ishte aq pikant, me dijen e tij, që ishte aq universale, me sjelljen e tij, që ishte aq aristokratike, me artin e tij, që ishte i një realizmi kritik, me kulturën e tij, që ishte aq shumë për t’ u admiruar.Ai ishte një njeri erudit dhe enciklopedist në shumë fusha. E kënaqësia e tij shpirtërore ishte muzika që aq çmendurisht e dashuroi dhe e njohu, sa ai e provoi edhe në Londër përpara Greyt, kur u ul në pianon e shtëpisë së tij dhe ekzekutoi ca partitura muzikore të një kompozitori nga fisi i tij i hershëm. A nuk ishte ai që e mrekulloi Apolinerin, kur ky i fundit thoshte se ai e flet frëngjishten më mirë se francezët, dhe a nuk ua korrigjonte edhe gabimet drejtshkrimore në frëngjishte vetē francezëve, madje francezëve që merreshin me letrat në gazetari!?Edhe poeti francez Zhyl le Metre do të shkruajë :”Ky i huaj që e flet kaq bukur gjuhën tonë”.Ç’ lëvdata tjera do t’ i shkonin këtij intelektuali të madh të kohës?

*

Faik Beu, ky princ dhe kalorës i gjuhës shqipe ishte i dashuruar në Shqipërinë dhe gjuhën shqipe. Madje edhe kundërshtarët do të flasin me lëvdata për të. Po. Vetē Qerim Panariti, një shqiptar që jetonte në Amerikë dhe që do të përkujdesej për botimin e librave të tij pas vdekjes, do të shkruajë për dashurinë e përjetshme të tij, madje duke përdorë edhe metafora brilante , që do t’ i shkonin figurës së tij, teksa flisnin për mosmartesën e tij, se Faik Konica “Nuse e kishte Shqipërinë”! Ky dashnor i gjuhës shqipe,ishte tepër rigoroz me ata që kishin përkujdesje të pakët për gjuhën shqipe.Në një rast madje i kishte shkruar të vëllait Mehmet Konicës, që kishte pasur edhe poste ministrore, që të mos i shkruante me gabime, sepse pastaj ai, Faiku, nuk do t’ ia lexonte letrat fare. Gjuha shqipe dhe atdheu ishin për të mbi të gjitha!Ishin dashuri,ishin shenjtëri,ishin admirim deri në ekzaltim. Kaq i ashpër ishte ai, sepse e çmonte dhe e donte shenjtërinë e gjuhës shqipe, në të cilën shkroi mjerisht pak, por shkroi fatlumërisht bukur.

I dashuruar në libra, sepse ishte bibliofil, ai kishte një bibliotekë të madhe personale tepër të rrallë për atë kohë. Gazetari amerikan Mabille Gennings një nga gazetarët e njohur amerikan të “New York Journal” kishte shkruar më 28 maj 1934 se: “Kënaqësinë me të madhe, përveç kur ka pranë miqt’ e tij, ministri e ndjen kur këndon libra me biografira dhe shënime kronologjike, që zgjeth nga libraria e tij e cila ka më shumë se 1200 libra dhe është nga më të plotat”. Ai e njihte dhe donte shumë Shekspirin dhe siç e thotë edhe vetē për ato pesë vite sa kishte jetuar në Londër i kishte parë të gjitha tragjeditë e tij të shfaqura në teatrot e Londrës.Ai kishte një dashuri të veçantë për artin e muzikës dhe kishte vesh të dëgjonte dhe t’ i binte edhe instrumenteve muzikore.Madje duke e dashur aq shumë muzikën, ai e zbaviste mikun e tij francez Apolinerin me “koncerte” , duke i rënë instrumenteve muzikore kur ai shkoi dhe e vizitoi atë dy herë në Londër.Duke e dashur shumë muzikën dhe kompozitorët e mëdhenj, ai kudo që kishte shetitur nëpër botë, së pari kishte vizituar koncertet nëpër sallat koncertale të botës apo kishat katolike për të dëgjuar të preferuarit e tij si: Betoven, Bach, Moxart, kurse çmendurisht ishte i dashuruar në muzikën e Vagnerit dhe linte kokën pas tij, me të cilin edhe Noli, kur kishte vdekur Konica, i kishte kërkuar organistit që të varrosej me muzikën e tingujve të Vagnerit, pikërisht në çastin kur do ta lëshonin në varr trupin e pajetë të adhuruesit të tij, Faik Bej Konicës. Ai kishte vërtetë një shije të hollë, jo një shije të hollë ballkanasi, por një shije të hollë prej europiani.Madje mund të thuhet se ishte edhe sqimatar, një njeri, që edhe imtësirat më të vogla i vërente dhe i korrigjonte dhe nuk i duronte apo nuk i toleronte, sepse dija dhe shija e tij ishte aq e hollë dhe aq e saktë. Kishte shijen e një princi të salloneve të rralla dhe aristokrate të Europës dhe Amerikës. I shkolluar në Shkodër, Stamboll, Bruksel, Londër, Dizhon dhe Uashington, ai kishte marrë aq njohuri, sa të mund të quhej njeriu më i ditur i kohës dhe thuhej se ishte i tillë madje edhe nga gjithë trupi diplomatik i ministrave në Uashington, kjo nuk kishte asnjë dyshim. A nuk e kishte thënë edhe Apolinieri në një rast se Faik Konica ishte “enciklopedi që ecën”?!

Duke jetuar bashkë me Nolin në Amerikë, duke bashkëpunuar edhe për punët e mëdha të Shqipërisë poashtu bashkë me Nolin, Faik Konica ishte njeriu që e kishte frymëzuar këtë të fundit, madje ishte shndërruar në një mësues shpirtëror. Vetë peshkop Noli e thotë njëherë se i detyrohet shumë atij, madje duke e quajtur veten edhe nxënës të tij në fushë të letrave shqipe. Për të qenë më i besueshëm, le ta citojmë Nolin! “Të gjithë autorët shqiptarë, që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë edhe shkruesin e këtyre radhëve.” Apo a nuk e mbrojti nga akuzat smirëzeza dhe dashakëqija të deputetit të Elbasanit, Mehdi Frashëri, në Parlamentin e Shqipërisë vetë Noli atë, me guximin prej atdhetari vatran dhe oratori të shkëlqyer, kur shprehet duke ia numëruar faktet?Ja njëri nga tre faktet (i treti), që e citon studiuesi Aurel Plasari thënë përmes gojës së Nolit, atëherë deputet i Parlamentit të Shqipërisë!

“Cili është Faiku, që gatiteni të dënoni? Deputeti i Elbasanit ju tha që kombi i detyron Ismail Qemalit një monument. Jemi fare me një mëndje, por unë shtonj që kombi i detyron Faikut një monument edhe ca më tepër. Ismail Qemalit për një vepër, për një gjest, për ngritjen e Flamurit në Vlorë; Faikut për disa vepra, për disa gjeste që i kanë kushtuar tërë jetën. Faiku është kryelëronjësi i gjuhës sonë, është zbulonjësi i Flamurit tonë të harruar, të atij Flamuri që e ngriti Ismail Qemali në Vlorë, është kryekalorësi i lirisë dhe independencës kombëtare, edhe ne të gjithë s’jemi veçse dishepujt e tij. Historia e paanshme s’mund ta mohonjë se ai i ka falur çështjes tërë rininë dhe tërë mëndjen këtu e njëzet e shtatë vjet me radhë pa rreshtur. Dhe ku e gjeti Faiku inspiratën për këtë luftë të gjatë e të rëndë me shpresë kundër shpresës, kur Shqipërinë s’e deshnin shqiptarët vetë dhe ca më pak të huajtë? Ku gjetkë veç në shpirtin e tij ku mbretëronte si një perëndi ideali stoik i detyrës, ku gjetkë veç në temperamentin e tij prej idealisti t’ashpër e të fortë që refuzon të bënjë kompormise me njerëzit e ditës dhe me faktet e pamëshirta? Faiku ka patur dhe ka atë fuqi prej shpirti që e përshkruan aq bukur Shakespeare-i në tragjedinë e Jul Qesarit:

“Me atë, o Perëndi, e bën të dobtin luan!

Me atë, o Perëndi, po i dërrmon tiranët!

Se as kull’ e gurtë, as mure prej bakëri,

As burgu i errët, as vargonj prej hekuri

Nuk e përmbajnë dot fuqinë e shpirtit!”

Dhe është e tepërt t’ju them që, po të mos kishim patur burra idealistë si Faiku, Shqipëria nuk do të ishte e lirë sot.”

A nuk e tregojnë këto fjalë se sa i madh ishte Noli dhe se sa i madh ishte edhe miku i tij, Faik Bej Konica, me të cilin edhe kishin polemizuar ndonjëherë, madje kishin pasur akuza të ndërsjellta, por edhe ishin takuar pastaj miqësisht, duke u ulur pranë e pranë kur e donte interesi kombëtar i Shqipërisë apo në takimet e veteranëve vatranë, siç kishte ndodhur në festimet e 28 nëntorit të vitit 1937. Madje gjatë një interviste dhënë Nelo Dizdarit, Faiku ishte shprehur kështu: “Heronjtë e Homerit çkëmbejin fjalë të ashpra, pastaj bashkoheshin si më parë. Sado që s’ jemi si ata heronj, m’ u kujtuan,kur u poqa me një fytyrë, me të cilën kam luftuar aq shumë si shok edhe pak kohë si kundërshtar.” Kështu dinē të flasin dhe të bëjnë vetëm burrat e mëdhenj që punojnë kulturalisht dhe kombëtarisht e mendērisht për atdheun e tyre me të gjitha fuqitë fizike dhe mendore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok