22/12/2024

ERNEST KOLIQI QË NUK IKËN DOT…

0
Zhiti-Koliqi

…me rastin e 49 vjetorit

t vdekjes sē shkrimtarit themeltar…

– Rikujtesë nga Visar Zhiti –

KARTELË

NË REALIZMIN E DËNUAR

“…mësues, poet, shkrimtar, përkthyes, ministër i arsimit… Ernest Koliqi u lind në Shkodër, kur Shqipëria po përgatitej të dilte nga robëria e gjatë otomane, në vitin e tretë të  shekullit të kaluar, në majin plot petale të ngrohta si puthjet, mes të cilave përzihet edhe ajo, puthja e Judës. ​​​​​​​​Do të merrte dije të gjera në Itali e Kroaci, mbartës i traditës dhe mbrujtës i risive letrare, themeltar i modernes në tregime, stilist dhe qëmtues i fjalës, aq sa duket sikur i mblidhte si bimët e rralla mjekësore maleve të Veriut, njohës i jetës, i mekanizmit të konflikteve, i brengave të moszgjidhjes, i muzgut dhe dritës në rrugët e njeriut, sidomos i rrugicave të Shkodrës, që e donte aq shumë, aq sa e bëri emblemë të këngës së vet…

Kur emërohet Ministër Arsimit (1939) është ai që çon institucionalisht në Kosovë arsimin shqiptar, dërgon 200 mësues nga më të përgatiturit, duke hapur të parën shkollë të mesme atje, më 1941, kur këtej, 200 të tjerë, jo mësues, por komunistë, me ndihmën jugosllave, sapo kishin krijuar një parti, e cila do të vendoste diktaturën më të rëndë, duke e braktisur Kosovën, që do të dënonte Koliqët dhe veprën e tyre…

Mbarimi i luftës do ta gjejë me punët e albanologjisë në Itali duke iu mbyllur përjetë rrugët e kthimit në atdhe, kur e dënuan në mungesë me vdekje.

Gjatë mërgimit të detyruar politik Ernest Koliqi nuk do të reshtë së punuari, themelon katedrën e albanologjisë në Romë, hap revista, bashkon diasporën, ringjall shpirtin arbëresh, harton antologji të poezisë mbarëkombëtare, ndjek me vëmendje jetën politike dhe kulturore në atdhe, shkruan poema, romane dhe do të ndikojë fshehtas edhe në vepra madhore të mëvonshme të letërsisë shqipe. ​​Vdes papritur në 15 janar të vitit 1975, në Romë. Ende atje prehen eshtrat e tij, në Varrezat e Monumentale.”

Kēshtu kam shkruar nē librin “Kartela të Realizmit të Dënuar”, studim imi, botuar ne Tiranë në 2020..

Ndodh të pyesin: vdiq apo e helmuan? Sepse ndodh në vendet diktatoriale, që t’i zhdukin kundërshtarët e tyre, madje dhe t’i ndjekin ata kudo ku mund të jenë arratisur…

Gjithsesi shkrimtari Ernest Koliqi tashmë i ka tejkaluar të gjitha vdekjet e veta.

Dhe unē vazhdoj pērsiatjet, Koliqi kẽrkon kohē dhe hapēsira mē shumē dhe tē reja…

E ARDHMJA QË KALOI,

​​DY VEPRA, TË CILAVE U DOLI PROFECIA…

Nëse njihet në letërsinë botërore romani distopik “1984” i George Orwell, që parashikonte shqetësueshëm ndërtimin e një shoqërie totalitariste, të kontrolluar rreptë, pikërisht të përfunduar në vitin 1984 ashtu siç ishin sistemet diktatoriale në perandorinë komuniste dhe vepra është përkthyer në shumë gjuhë dhe vazhdon të ribotohet duke kumbuar si një kambanë alarmi, pak e dinë se është dhe një dramë, që profetizoi rënien e komunizmit që në vitet ’70 të shekullit të kaluar, “Rrajët lëvizin” e Ernest Koliqit, por ajo është shkruar në shqip, në gjuhën e një populli të vogël, që e përjetoi atë dramë, mbase pa e kuptuar dhe aq mirë.

DY PROFETËT E KOMUNIZMIT,

QË S’E PËRJETUAN.

DY SHKRIMTARË MOSHATARË

– George Orwell dhe Ernest Koliqi

nën tmerrin e imagjinatës dhe mbi rrënjët e traditës –

“1984”- roman dhe “Rrajët lëvizin”- dramë. Dy vepra fantastike të së ardhmes… së shkuar tashmë. Romani, dihet, është i famshëm dhe i përket gjuhës botërore, anglishtes, ndërkaq, siç e thamë, është përkthyer në shumë gjuhë të tjera dhe vazhdon të kujtohet e të studiohet, kurse drama është e vogël, pak fletë, e shkruar në gjuhën e një vendi të vogël, të shqiptarëve, që dukej sikur e harronin me qëllim, ishte diktaturë, duke mos e futur atë dramë në letërsinë e vet, kur ajo doli dhe ende mungon zelli në posdiktaturë për ta b;ere të njohur dhe dh:en;e vendin e merituar.

Të dy autorët e tyre, shkrimtari anglez George Orwell dhe shkrimtari shqiptar Ernest Koliqi kanë lindur në shekullin XX, në vitin e tij të tretë, 1903, e vetmja gjë e përbashkët, rastësi natyrisht. Por dhe parashikimi i tyre, edhe pse me kahe të kundërt…

Ndërkaq Orwell-i lindi jashtë atdheut të tij, në Indi, perandoria angleze, mund të themi, kurse Koliqi lindi në Shqipëri, perandoria otomane, ndërsa Orwell-i do të bëhej i majtë ideologjikisht, deri dhe komunist, që shkoi dhe në Spanjë në luftën civile krah republikanëve, kurse Koliqi do të ishte  i djathtë, madje dhe ministër i arsimit nën pushtimin fashist në atdheun e tij.

Orwelli do të kthehej të vdiste në atdhe, në Londër, nga tuberkulozi në 1950, Koliqi kishte ikur për të vdekur jashtë atdheut, në 1975 në Romë. Për të vdekur për së dyti, se në atdhe fitimtarët e pas Luftës II botërore e kishin dënuar me pushkatim, atë dhe veprën e tij.

Orwell-i, shkrimtar dhe gazetar i njohur, mbas Luftës së Dytë Botërore, në 1949, boton romanin “1984”, një imagjinatë e frikshme, sipas së cilës në vitin e titullit të veprës, gati e gjithë bota dominohej nga një totalitarizëm i rreptë, mizor, udhëhequr nga një parti e vetme, sunduese me “Vëllanë e Madh” në krye (Big Brother). Policia shtetërore e pranishme kudo, e dukshme dhe e padukshme, kontrollonte dhe drejtonte gjithçka, jo vetëm veprimet, po deri edhe mendimet e ndjenjat, një nënshtrimin masiv kapitullues, një shoqëri “trushpëlarë”, aq sa hitleriane, po aq dhe staliniste, e të dyjave bashkë, si mos më keq.

Orwell e njihte romanin distopik “Ne”, të shkrimtarit sovjetik Evgenij Ivanoviç Zamjatin, të shkruar në vitet 1919-1921 dhe botuar për herë të parë në anglisht në 1924. Në Bashkimin Sovjetik s’ishte lejuar të dilte atëhere ajo satirë marramendëse e totalitarizmit të Bashkimit Sovjetik, e gjitha një utopi negative. Fundi i botës vërtet.

Kujtoj vitin 1984, më gjeti në burg. S’isha më i burgosur i ri, por as i vjetër, nga ata që kishin bërë mbi 15 vjet burg, 20, 25, 30, edhe 40 vjet, që kur kishte mbaruar Lufta, por s’kishte nisur ende paqja.

Në oborrin e burgut, në stendën, ku vendosej gazeta politike “Zëri i Popullit”, organ i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, (më i gjatë emërtimi se vendi), ishte dhe një shkrim kritik për “1984”. Aty gjeta se paskësh një roman të tillë dhe gazeta e Partisë e bënte copë-copë, që ja erdhi dhe ky vit dhe alarmi që kishte dhënë autori borgjezo-revizionist se ç’ishte komunizmi dhe që në 1984 duhej të binte, ishin të rreme. Komunizmi do të triumfonte në të gjithë botën së shpejti, sipas gazetës së Partisë, sidomos po të kishte një luftë të tretë botërore…

Bashkëmoshatari i Orwelli-t, shkrimtari Ernest Koliqi, që nuk e di në mund të jenë takuar ndonjëherë njëri me tjetrin, shkruajti në Romë, ku ishte vendosur si azilant politik, dramën me një dukë/akt, “Rrajët lëvizin”, titullin e së cilës e mori nga një varg i poetit Tomas Eliot.

Ngjarjet e dramës ndodhin në vendlindjen e autorit, në Shkodër, në perspektivë, kanë ardhur vitet ’70, (fjala është për shekullin e kaluar), pra jemi një dhjetëvjeçar para 1984 oruelliane dhe çudia është se aty parashikohet e  kundertën e Orwellit, jo fitorja botërore, por rënia e totalitarizmit.

Unikale dhe largpamëse deri në mrekulli, e brishte, madje dhe lirike, trama e saj e ka forcën jo te konflikti i brendshëm, me fare pak personazhë e dialogë të zakonshëm, po te konflikti historik i popujve, atij ndërkombëtar, te rënia e natyrshme e komunizmit.

Vepra, sa klasike është dhe risi në letrat shqipe, etj, mbetet profetike mbase si asnjë vepër tjetër në të gjithë letrat në perandorinë komuniste. ​​Koliqi ishte i pari dhe i vetmi shkrimtar që parashikoi rënien e asaj perandorie me një vepër letrare, kur totalitarizmi stalinist ishte në kulmin e vet, në mesnatën e rëndë në vendin e tij..

Autori si një orakull kishte parashikuar vdekjen e vet në ato vite dhe të diktaturës. Saktësia është tronditëse për parashikimin e parë, por ndodhi dhe parashikimi i dytë, pak më vonë se viti i tij dhe i Orwellit, në vitet ’90, por krizat e tatëpjetës kishin nisur që në kohërat e tyre.

Koliqi si një “AntiOrwell” ose “Orwell pozitiv” me dramën e vet vegoi fitoren e individit mbi massën, e parë kjo në familje, në qelizën e shoqërisë, në një shtëpi të thjeshtë dhe të vjetër, që është atdheu.

Shqipëria, nga një vend i tmerrshëm ateist, i pari dhe i vetmi në botë, që i kishte ndaluar me Kushtetutë të gjitha fetë dhe i kishte prishur të gjithë tempujt e tyre, i rrënuar shpirtërisht, në dramën e Koliqit është ringjallur, janë hapur sërisht kishat, bien kambanat dhe po nis jet:en drejt normalitetit…

Regjimi në Shqipëri, Sigurimi i Shtetit e mori informacionin për botimin e një drame të tillë reaksionare nga një i dënuar me vdekje, por arratisur në një vend kapitalist, në Itali. Rrugët e fshehta jo dhe aq diplomatike bënim me dije udhëheqjen e lartë në Tiranë se Ernest Koliqi, armik i betuar i popullit dhe i Partisë, që meritonte plumbin ballit, ka botuar në Romë në revistën e tij reaksionare që del në shqip, “Shejzat”, dramën më reaksionare “Rrajët lëvizin”…

Dhe hakmerreshin mbi të vëllanë e tij, priftin Dom Ernest Koliqi, duke mos e nxjerrë nga burgu, por duke i shtuar dënimet, burg dhe internime deri në fund.

Kritikës së politizuar dhe cinike, po aq dhe mediokre të Realizmit Socialist i vinte më për mbarë heshtja e qëllimtë, por mbytëse dhe ashtu bëri si zakonisht, por në leksionet e studentëve të letërsisë, i mbaj mend dhe i diskutonim me njëri-tjetrin, në njërën nga dispencat si e shaptilografuar, ishte dhe një fletë nga fundi që e godiste ashpër dramën e Koliqit, si frojdiste, që kërkon të thotë se regjimi socialist në Shqipëri bëri ndryshime të mëdha, shkatërroi dhe vrau shumëçka dhe sipas autorit tradhtar, dmth Ernest Koliqit, gjithçka ka ndodhur përsipër, se nëntokë, rrënjët e jetës, të futura thellë te të vdekurit, janë gjallë dhe lëvizin….

Me një ngazëllim djallëzor kritika socrealiste tha atëhere se Koliqi nga dy parashikimet që bëri, gjeti veç atë të vdekjes së vet.

Ne si studentë, rrethi më i ngushtë yni, i ngazëllehej kumtit koliqian, duke na pataksur që paskësh një drame të tillë, nga Koliqi, ja aty e ka shtëpinë, te rruga matanë, jo shumë larg Institutit tonë, që ja, përtej vendit tonë, u folka për rënie të komunizmit, nuk qenka i përjetshëm dhe diskutonim që këtë pasazh lektori e kishte futur për të rroposur Koliqin apo me dinakëri, për të bërë me dije se ç’është shkruar. Gjethsesi ne i ishim mirënjohës për kritikën dhe shikonim se kishte shkrimtarë të tjerë shqiptarë më përtej, jo si tek ne…

Në dramën “Rrajët lëvizin” bien dhe kambanat e së dielës në kishat e qytetit të Ernest Koliqit, ku ishim studentë, se ndërkaq, sipas parashikimeve të dramës ishin ripahur kishat, që diktatura ateiste i kishte shtetëzuar bashkë me xhamitë duke i kthyer në kinema, ku shikonim filmat e socrealizmit, në pallate sporti, ku zhvillonim dhe mësimin e fizkulturës apo në magazina ushtrie, ku na jepnin uniformat dhe armën, që të stërviteshim për të luftuar imperializmin dhe revizionizmin botëror dhe nëse na sulmonin të dy njëherësh, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik, ne, Shqipëria, të fitonim…

Ndërkaq erdhi dita që “1984” të botohej dhe në Shqipëri, dhe jo vetëm me një përkthim. Rilexova njërin, pashë që gjuha shqipe e mbarte mirë atë tmerr dhe absurd.

Rreziku i 1984-ës duket se është permanent duke iu avitur jo vetëm vendeve të ish Bllokut Komunist, por si një ëndërr e keqe globale.

Ndërsa drama “Rrajët lëvizin” vazhdon të jetë si një kambanë, bie dhe bie dhe nuk ndalim ta dëgjojmë…

Me të do të mund të mburrej çdo skenë, nder për kulturën, për inteligjencën në të gjithë Evropës Lindore. Ishte dhënë kështu kumti i madh që atëhere dhe vinte nga letërsia shqipe, nga pjesa e dënuar e saj. Profecia e shkrimtarit të arratisur Ernest Koliqi do të dilte. Do të shëmbej Muri i Berlinit në vitin 1989, në Rumani do të ngrihej populli dhe do ta ekzekutonte diktatorin e vet, sundimtarët në Tiranë do të tmerroheshin, do të binin diktaturat me radhë të perandorisë komuniste. Edhe kjo, jona. S’ishte e jona, por që na shtypte ne… Akujt e saj andej larg, përmbysnin dhe këtej…

​Kishat dhe xhamitë u hapën vërtet. Kambanat po binin. Ndërsa vëllanë e shkrimtarit, Dom Mikel Koliqi, Selia e Shenjtë, Vatikani, e shpalli kardinal, i pari kardinal shqiptar…

​Nga skenat e teatrove shqiptare presim të shohim dramën “Rrajët lëvizin”, por dhe përkthimin e veprës, për teatrot e tjerë në Europë dhe botë… që të mos ketë “1984”. Por familje dhe botë të lirë dhe letërsi dashurie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok