24/12/2024

EPOKAT E ANTON ÇETTËS

0
Anton-Cetta

Në 25-vjetorin e shkuarjes në përjetësi të Anton Çettës

Nga Prend BUZHALA

Kur e nisi misionin e madh të pajtimit të Gjaqeve, Anton Çetta (1920-3 nëntor 1995), kishte moton e tij: “Jo me i lanë hasëm, por me i lanë vllazën”. Herën tjetër thoshte “Nuk ka fitore mbi vëllaun.” Kur krijoi degën e folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës, më 1968, punë që e kreu deri në pension më 1986, ai realizoi projektin prej 25 blejsh me materiale të letërsisë gojore. Qemal Haxhihasani spikat prirjen oratorike të Anton Çettës. Filloristët e dhjetëra gjeneratave janë rritur me përmbledhjen e vjershave për fëmijë “Në prehën të gjyshes” (1955).

Mbledhës e studiues folklori, studiues i vlerave etnografike të traditës sonë. Poet për fëmijë, orator. Pajtimtar i gjaqeve. Veprimtar i çështjes sonë nacionale. Intelektual në betejat për emancipim arsimor e shkencor të gjeneratave shqiptare. Pedagog e ligjërues. Drejtues revistash shkencore, si i “Gjurmimeve albanologjike” (folklor e etnologji). Njohës i gjuhëve të huaja, meqë kishte kryer shkollimet e tij në Itali e gjetiu. Përkthyes veprash letrare nga italishtja, frëngjishtja dhe serbokroatishtja. Këto janë punktet e veprimtarisë së tij të shumanshme, e që dëshmojnë për një personalitet poliedrik të letrave shqipe e të historisë sonë.

Do theksuar se Anton Çetta ka marrë pjesë në shumë tubime shkencore të folklorit me karakter ndërkombëtar e kombëtar.

1.

A mund të shkruhet sot një histori e letërsisë gojore dhe e studimeve folklorike shqiptare, pa u përqendruar te puna e Anton Çettës?

Prandaj, i quajtur shpesh me emërtimin emblematik Plaku i Kosovës, ai punën me mbledhjen e lëndës folklorike e kishte filluar që në vitin 1953, fillimisht nëpër trevat e Drenicës e gjithandej nëpër shumë vise të trojeve etnike shqiptare nën ish-Jugosllavinë, kurse dy vite më vonë, paralelisht, deri në vdekje, ai shkroi trajtesa, studime e punime të ndryshme kushtuar letërsisë gojore, rreth dyzet këso punimesh, e ndër to, hyjnë edhe punimet kushtuar fushës së etnografisë, siç na kumton në studimet e saj Drita Statovci. Rreth 18 këso punimesh i përmblodhi te vepra e tij “Kërkime folklorike” (“Rilindja”, Prishtinë” 1981). E pra, ai ishte edhe shkencëtar, studiues folklori, siç vlerësojnë Qemal Haxhihasani, Fazli Syla, Agron Xhagoli, Zymer Neziri, Rrustem Berisha, Zeqirja Neziri, Myzafere Mustafa, Denmish Shala, Anton Nikë Berisha etj, kurse studiuesja Nevrije Bislimi Ismajli ia ka kushtuar një studim të tërë monografik këtij personaliteti me titullin “Anton Çetta, mbledhës dhe studiues i folklorit”. Janë studiuesit e mësipërm të letërsisë gojore që e radhisin Anton Çettën në rreshtat e parë të folkloristëve më të mëdhenj të traditës sonë, si arbëreshët De Rada apo Dhimitër Kamarda, apo siç janë Zef Jubani (Përmbledhje këngësh popullore e rapsodish shqiptare, Trieste 1871), Thimi Mitko (“Bleta shqiptare”, Aleksandri 1878), Spiro Dine (“Valët e detit”, Sofje 1908), apo Shtjefën Gjeçovi, që konsiderohet i pari folklorist që mblodhi në mënyrë sistematike e shkencore letërsinë gojore, siç bëri me “Kanunin e Lekë Dujkagjinit” (1933, vepër postume), që nisi ta botojë fillimisht nëpër revista prej vitit 1898 e deri sa vdiq. Aty te kjo lagje hyn edhe Vinçenc Prennushi, i cili më 1911 boton me ndihmën e arkeologut dhe historianit Carl Patsch në Sarajevë “Visaret e Kombit, Kangë gegnishte”. Të shumët janë edhe folkloristët e revistave shkodrane si “Hylli i dritës e “Leka”, “Albania” e Konicës etj. Këta autorë dhe folkloristët tjerë të huaj, si Johan Georg fon Han (1811-1869), Karl Hajnrih Teodor Rajnholt (1810-1880, Xhuzepe Pitre (1841-1916), Ogyst Dozon (1822-1891), Jan Urban Jarnik (1848-1923, Gustav Majer (1850-1900), Holger Pedersen (1867-1954), Lui Jasint Hekard (1814-1866) etj, i ligjëronte me respekt e përkushtim në shkrimet e tij e në ato të katedrave shkencore e albanologjike. Kure studiues të tjerë, si studiuesit Sabahudin Cena E Myrvete Dreshaj Baliu, ligjërojnë në punime të posaçme për figurën e Anton Çettës në fushën e oratorisë shqiptare.

Është ogur i mirë lajmi për botimin e kompletit të veprave të Anton Çettës, në 25-vjetorin e tij të vdekjes së tij.

2.

Në të dy epokat e tij, në atë të mbledhjes e studimit të folklorit dhe në atë të Pajtimit të Gjaqeve, Anton Çetta ka ditur t’i zgjojë prirjet më të mira të popullit tonë. T’i zgjojë në çastet kyçe e kritike, për hir të një perspektive ndriçuese më të gjerë e më të qartë: që kjo ndërgjegje të ngrihet në shkallë më të lartë të vetëçlirimit nga plagët e së kaluarës. Është rruga e gjetjes së vërtetë të vetvetes. Në doke e zakone, në krijimtari shpirtërore e në traditat tona. Nëse te Epoka e tij e Mbledhjes së Folklorit ai dëshmonte pasurinë, urtinë, bukurinë e papërsëritshme të letërsisë gojore, thellësinë e mendimit kombltar aq sa edhe universal, aspiratat e thella të shpirtit nacional; Te Epoka e tij e Pajtimit kryepërvojat e tij për një gjysmë sekulli rreshti i shndërroi në Kryeveprën tjetër, në atë të Pajtimit të brendshëm, në mënjanimin e heqjes së plagës së gjakderdhjes përmes hakmarrjes e gjakmarrjes. Është shembulli aq fisnik e aq thelbësor i vetëdijes sonë kombëtare. Te Epka e Parë ai ndërtoi komunikimin e drejtpërdrejtë me njerëzit, te e dyta këtë komunikim e ngriti në çlirim të brendshëm, në një proces të dhimbshëm e aspak të lehtë. Në të parën ai ngriti në nivele më të larta njerëzit e urtë të popullit me urtitë e krijimet e tij nëpërmes meseleve, fjalëve të urta apo pleqnive dhe frazeologjizmave (shih: “Bisedat dhe kallëzimet alegorike në Drenicë”, në revistën “Përparimi” nr 7-8, 1959, Prishtinë dhe “Disa frazeologji të Drenicës si rezultante të anekdotave popullore”); në të dytën bëri zgjedhjen e vështirë, të transformimit të brendshëm të një shkalle më të lartë të kësaj vetëdijeje me veprat e pajtimit që çoi në pajtim e bashkim nacional shpirtëror. Gjithë ajo masë njerëzish e tkurrur dhe e strukur nëpër kulla e shtëpi të errëta gjatë dekadave të së kaluarës, përbuzej si mendjetrashë, “katundareske”, maloke… kurse Anton Çetta mendoi ndryshe: te ata ai gjeti një botë të pasur synime e dëshira për shkollim e emancipim, të pajisur me qëndresë e krenari të pazakontë kombëtare. Aty, nëpër kallëzimtarëve të shkathtë, ndodh ballafaqimi i botës reale me botën përrallore, ballafaqimi i urtisë me ligësitë e sunduesve e shtypësve. Aty, te ato kulla, ai dëgjoi këngën folklorike epike e lirike, përjetoi dasmën tonë dhe rrëfimet për tragjeditë historike, pa dramat e gjallimit dhe dëshmitarë e tregimtarë të zhdërvjelltë me aftësi krijuese. Dhe kur hartonte vëllimet me lëndë folklorike, ai zgjedh majat: ato që kondensojnë përvojat, prirjet krijuese të gjeniut popullor, vlerat e ngritura artistike. Mandej vinte dija: tipologjizmi i rrënimtarëve popullorë e i zhanreve të papërsëritshme popullore shqiptare.

Nëse te Epoka e Parë ai u bë njohësi më i mirë i Kanunit, ai në vitet ’90 solli Kanunin e Pajtimit që i dha fund gjakmarrjes. I rryer edhe vetë si rrëfyes anekdotash e pelqnish nëpër odat tona gjatë Epokës së parë; ai në të dytën do të shndërrohet në prijësin e oratorin e mirëfilltë që i flet masës milionëshe shqiptare.

Po fliste dhe po vepronte Njeriu i Popullarizuar. “Popullarizimi është një nga virtytet më të larta të Anton Çettës”, shprehet studiuesi Mehmet Rukiqi. Ishte Njeriu që e njihte populli, njeriu që e njeh popullin e tij. Njeriu që admirohej. Dhe ky zgjim shpirtëror po bëhej me ato mjete që i kishte farkëtuar vetë ky popull; ai po e shëronte shpirtërisht e në trup vetveten ne dorën e njerëzve të tij.

Ai i kishte përvetësuar së thelli mendimet e Aristotelit për gojëtarinë: “Është thjeshtësia që e bën të paarsimuarin më veprues e më efektiv se sa të arsimuarin, kur i drejtohesh audiencës popullore – i detyron ata, siç na thonë poetët, ‘më joshës dhe ua magjeps më shumë veshët turmës’. Njerëzit e arsimuar vendosin parime të gjera e të përgjithshme; njerëzit e paarsimuar argumentojnë e debatojnë mbi njohuritë e përbashkëta dhe nxjerrin konkluzione të qarta…. Oratori duhet të mendojë për përmbajtjet, për të cilat dëgjuesit e tij me të vërtetë krijojnë tashmë pikëpamje dhe ato që janë pikëpamje, dhe pastaj ato duhet të shprehen, si të vërteta të përgjithshme, të njëjtat pikëpamje mbi këto tema të njëjta. Ky është një avantazh i përdorimit të maksimave.”Prandaj energjia e tij pajtuese gjeneronte një Tjetër Kohë, një Tjetër Epokë që po formohej me ndërgjegje të re historike, për të krijuar një të ardhme të re. Asnjë kornizë ligjore a gjyqësore nuk do të mund ta kryente atë kryevepër kohe, se ç’e kishin kryer zemrat dhe mendjet e njerëzve. “Pajtimi i vërtetë ekspozon tmerrin, abuzimin, lëndimin, të vërtetën. Ndonjëherë mund edhe t’i përkeqësojë gjërat. Është një ndërmarrje e rrezikshme por në fund të fundit ia vlen, sepse në fund vetëm një përballje e sinqertë me realitetin mund të sjellë shërim të vërtetë. Pajtimi sipërfaqësor mund të sjellë vetëm shërim sipërfaqësor” do të thoshte Desmond Tutu. Dhe sa e sa plagë e konflikte, të fjetura me dekada e dekada, dolën në sipërfaqe, sa drama të gjata, sfilitëse, dolën në aktin e tyre të fundit. Ishte ai kuvendimi popullor a dialogu popullor, i zgjuar nga traditat më të mira, që doli në sipërfaqe, doli si dialog i mirëfilltë pajtimi, me atë frymën e sinqertë, krejtësisht të hapur, mu ashtu si aspiron bota moderne: për hapje. Ishte ajo shenja jonë drejtuar botës: ne nuk jemi vrasës, por paqësorë! Ne nuk jemi terroristë, por paqedashës: vrasës e me prirje gjenocidale është dikush tjetër, me emrin Serbi.

Dhe bota përparimtare i pa këto realitete, i ndjeu, i mirëkuptoi thellë.

Dhe bota ndihmoi!

Është përvoja shqiptare që iu dha botës: si arrihet një vepër historike pajtimi, së pari me vetveten e mandej me të tjerët… Le të mësojnë të tjerët, se si duhet pranuar diçka që është bërë gabim, se si zbulohet e vërteta, se si ndërtohen marrëdhënie të vërteta mes njerëzve që deri dje ishin armiq e gjakësorë; se si njerëzit flitnin me guxim, se si dinë të dëgjojnë. se si duhet dëgjuar dy palë në vuajtje. E këtë vepër nuk mund ta kryenin politikat as politikanët. As sot nuk munden!

Munden me atë që krijuar urtia popullore, njerëzit që kanë jetuar gjithmonë në gjirin e këtij populli.

Ai kishte shumë miq, shumë bashkëveprimtarë. Mu si ai trimi i urtisë popullore: Trimi i mirë me shokë shumë, që kishin një synim, një rrugë, një qëllim: dijen dhe çlirimin!

Ky ishte Antoni i Epokave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok