22/12/2024

EMIGRANTJA, një peripeci në shkrim

0
u6_Elvi-Sidheri-Emigrantja2

Mbas një itinerari të gjatë e të thepisur ngjarjesh e të papriturash që do të paraprinin botimin e tij, romani Emigrantja i shkrimtarit dhe përkthyesit shumëgjuhësh Elvi Sidheri, më në fund tashmë gjen dritën e botimit.

E veçanta e këtij romani, mënjanë padyshim përmbajtjes së tij, qëndron pikërisht edhe në vetë fazën tejet të stërzgjatur të ndërmjetme, mes dorëshkrimit të parë të tij, të hedhur në letër plot 14 vite më parë, dhe botimit të tij përfundimtar, në tetorin e vitit 2019, shumë vite pas përvojës fillestare me këtë krijim letrar në vitin e largët 2005.

Për këtë arsye aspak të nënvlerësueshme, ky roman arrin të ngërthejë krahas historive, përvojave, ndjenjave e ndjesive njësore të personazheve që banojnë, frymojnë e gjallojnë nëpër larminë e faqeve të tij, krahas historive të shumta të ndërthurura fort rrjedhshëm e logjikisht, krahas vendeve, dokeve, gjuhëve, traditave, trashëgimive shumëngjyrëshe ballkanike, mendësive e veçorive të papërsëritshme të njerëzve, kohëve dhe popujve që përshkruhen në këtë roman, të spërkatur e sendërtuar gjithmonë me një prekje e tis të pamungueshëm, sa edhe të domosdoshëm shqiptar, si tharmi i vyer për ndërthurjen e gjithçkaje të pranishme në këtë libër, gjithaq Emigrantja, shndërrohet vetvetiu në një shtjellim letrar ku pleksen vetë romani si veprimtari krijuese, me peripecitë në trajtë Odiseje të përveçme, sa i përket shkrimit dhe botimit të tij.

Një roman i parë, që nënkupton thuajse përherë grykëderdhjen e një frymëzimi të fjetur shumëvjeçar të shkrimtarit, ku pluskojnë ngaherë tërë pasiguritë, mëdyshjet, bindjet e patundshme, ëndrrat, vena krijuese, pasionet, vegimet letrare, tregimet e moçme dhe bota e pashtershme e brendshme e njeriut të letrave, rrallëherë nuk mishëron peripeci të shumta qysh nga ngjizja parësore, gjer në ditën e botimit, atëherë kur gjithçka që përmbajnë faqet e tij, është krejtësisht gati për t’iu përçuar lexuesit, në trajtat dhe formën e një vepre letrare që shpresohet të depërtojë në nënvetëdijen e gjithkujt që do të aventurohet në universin unik që çdo roman paraqet për ithtarët e letërsisë, një ritual ky, që e shtyn qenien njerëzore, veçanërisht “Homo Scriptor”, të shkruajë prej mijëra e mijëra vitesh, pa u lodhur, pa u ligështuar, pa u prekur nga mosdija, ligësia apo moskuptimi i ndokujt, duke përqafuar ëndjen lëçitëse të “Homo Sapiensit” modern, që përmes librave lartësohet, frymëzohet, zdritet në vijimësi, qyshkur “E para ishte Fjala” e tutje.

Romani Emigrantja është sidoqoftë një krijim letrar, që megjithatë ofron për lexuesin mbi të gjitha historinë dhe shumë nënhistoritë e tij, personazhet e panumërt, prirë denjësisht nga Mariana, pikërisht një emigrante shqiptare që me rënien e regjimit monist vendos të lerë familjarisht Shqipërinë në zgrip të tranzicionit dhe të ndërmarrë hapat e parë të emigrimit në Greqi, ashtu si qindra-mijëra shqiptarë të tjerë, për t’u përballur me një vazhdë peripecish të pandalshme, ku aspektet tragjike, frymëzuese, kalitëse, vdekjeprurëse, kryeneçe, qëndrestare, do të shndërrohen në sinonim të jetës dhe tipareve të saj identifikuese.

Mariana do të bashkëjetojë dhe do të shoqërohet në këtë rrugëtim të gjatë mbi dy dhjetëvjeçarë, nga një sërë personazhesh të tjerë, të trajtuar secili me kujdesin dhe përpikmërinë letrare të rastit, varësisht nga roli dhe pesha e tyre në roman, dhe udha e saj shpesh e kanosur nga të tatëpjeta e thepa të befta, do ta shpjerë në skutat më të mugëta të emigrimit në përgjithësi, por njëkohësisht edhe në shterimin sociologjik të emigrimit si kontekst historik, në Greqi pas vitit 1990, e jo vetëm, deri në Stambollin dykontinentësh, ku do të hasë të tjerë emigrantë historikë shqiptarë, duke përqafuar sakaq breza emigrantësh mesjetarë  e shqiptarë autoktonë, dëshmi e të kaluarës dhe të tashmes.

Emigrantja është një roman ku kremtohet kuraja për të jetuar, karakteri i paepur i një gruaje dhe shumë shqiptareve të tjera, që emigruan për të gjetur veten larg atdheut, përkundër gjasave të pamundura, mendësive të mykura e kushteve rraskapitëse.

Është një roman i hijeshuar nga gjurmë të pashlyeshme shqiptarësie burimore, në një gadishull, si Ballkani, ku kombe, gjuhë, doke, kanë ditur të bashkëjetojnë, të përplasen e përsëri të jetojnë në fqinjësi, për shekuj e mijëvjeçarë, duke i dhënë kësaj siujdhese karakteristikat që e dallojnë në shkallë globale, ku ne shqiptarët padyshim kemi peshën dhe rolin tonë të pazëvendësueshëm.

Për të gjitha këto arsye, Emigrantja mund të cilësohet me plot gojë si një “Pericpeci në shkrim”, që ia vlen të lexohet nga kushdo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok