21/12/2024

Elvi Sidheri: Pikëtakime të vyera shqiptaro-bullgare të fillimit të shekullit XX

0
Ferdinandi-Perikli-Cilev

Pikëtakime të vyera shqiptaro-bullgare të fillimit të shekullit XX

Nga Elvi Sidheri

Duke qenë, për shkak të kërshërisë, por edhe dëshirës për të mësuar sa më shumë rreth historisë tonë, që shpesh është kufizuar me bullgarët, në kontakt me të dhënat që vijnë nga arkivat e studimet bullgare, në lidhje me pikëtakimet historike mes dy kombeve, tona, një ditë prej ditësh, hasa një thellim mjaft grishës, që fliste për një orvatje jo edhe aq të cekët, të Carit bullgar Ferdinand I, në vitet menjëherë pas mëvetësisë së Shqipërisë, për t’i bërë bijtë e tij mbretërues në fronin shqiptar, ende vakant në lëmshin e Luftërave Ballkanike në agun e Luftës së Parë Botërore.

Siç tregojnë burimet  bullgare të kohës, Car Ferdinandi I faktikisht e pati menduar seriozisht fronin shqiptar, duke synuar për disa vite me radhë ta ndërlidhte dinastinë e tij me titullin e “Mbretit të Shqiptarëve”.

Gjë kjo aspak e habitshme, nëse kemi parasysh pretendentët e shumtë, perëndimorë e lindorë, gjersa do të përzgjidhej Princ Vidi, për fronin shqiptar pas 1912-ës.

Zgjedhja e një princi gjerman si Wilhelm Von Wied për Shqipërinë e porsaformuar, shkon rrjedhimisht në linjën edhe të pretendimit të carit bullgar, që gjithaq për nga origjina ishte gjerman, duke mbajtur sipas lindjes emrin Ferdinand Maximilian Karl Leopold Maria Saxe-Coburg Gotha.

Në kohën që ushtonin bisedimet e ethshme që synonin përfshirjen e Bullgarisë në Luftën e Parë Botërore, Cari Ferdinand I do ta shfaqte haptas qëllimin e tij për krijimin e një mbretërie të dyfishtë shqiptaro-bullgare, që do të ngërthente viset nga Deti i Zi gjer në detin Adriatik dhe nga deti Egje në jug, deri në Malin e Zi në veri, gjer në Nish e pranë Beogradit.

Përmbledhtas, sundimtari bullgar përgjatë disa vite radhazi do të thurte plane të fshehta duke mëtuar që njëri nga bijtë e tij, ose Kiril Presllavski, ose Boris Tarnovski, të vihej në krye të shtetit të pavarur shqiptar.

Fakt dëshmues për këtë qëllim të mirëfilltë të carit bullgar, shërben mësimi i gjuhës shqipe nga djemtë e tij, me profesor etnografin e njohur nga Krusheva, Perikli Çilev (për të cilin do të thellohemi më poshtë); si dhe përkushtimi personal i Car Ferdinandit që në shkollën ushtarake në Sofie të ftoheshin për studime dy pinjollë familjesh të njohura shqiptare, ndërkohë që në Sofie ishte shkolluar edhe i biri i Jashar Erebarës, veprimtarit politik të Rilindjes Kombëtare e deputetit të ardhshëm të parlamentit shqiptar.

Siç pohon një nga njohësit më të mirë bullgarë të historisë shqiptare, Georgi Georgiev, kjo përzgjedhje e Carit bullgar nuk është aspak rastësore:

“Me ftesën për studiuar në Sofie të Lekë Margjinit nga Mirdita dhe Stefan Kadillarit nga Korça, sundimtari bullgar synonte nga njëra anë që të siguronte simpatinë e një pjese të elitës shqiptare, ndërsa nga ana tjetër gjithashtu të kishte të dhëna të besueshme për qëndrimet e sjelljet e Gegëve të Veriut dhe Toskëve të Jugut”.

Qartësisht përpjekjet e Car Ferdinandit nuk qenë thjesht të përcipta. Në fillim të vitit 1913, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në Trieste, ku zhvillohej një mbledhje e rëndësishme e diasporës shqiptare, do të merrte pjesë edhe një delegacion nga Bullgaria, i kryesuar nga disa delegatë të kolonisë shqiptare të Sofies.

Në të njëjtën kohë do të shpeshtoheshin edhe kontaktet mes organizatës revolucionare bullgare VMORO dhe disa qarqeve politike shqiptare.

Po atë vit, vojvoda nga Ohri Petar Çaulev dhe ish deputeti nga Shkupi në parlamentin Osman, Todor K. Pavllov, do të përgatisin në Vienë një takim me veprimtarin e shquar politik shqiptar, Dervish Hima. Kjo iniciativë do të marrë përnjëherë mbështetjen edhe të ambasadorit fuqiplotë bullgar në Romë, Dimitar Rizov (me origjinë nga Manastiri, vëllai i Nikolla Rizov, njohës e mik i shquar i shqiptarëve, autor i një libri për Rilindjen shqiptare, dhe gjithaq i dërguar në vitin 1912 në Shqipëri, për të zhvilluar bisedime për qëndresën e përbashkët kundër armiqve ballkanikë e turqve).

Dimitar Rizov më vonë do të bëjë të ditur se udhëheqësit politikë shqiptarë e patën pranuar njëzëri nevojën për të patur një kufi sa më të gjatë të përbashkët të mundshëm shqiptaro-bullgar.

Pas një ngurrimi të shkurtër, Sofia zyrtare, në emër të monarkut bullgar, përmes kryeministrit Ivan Evstratiev Geshov dhe kryetarit të Kuvendit Popullor të Bullgarisë, Stojan Danev, do të rreken t’i thellojnë kontaktet e vendosura qysh më parë me Ismail Qemal Beun, drejtuesin qeverisë së përkohshme shqiptare në Vlorë.

Më 5 maj 1913, mes Danevit dhe Ismail Qemalit zhvillohet një takim i fshehtë në Londër, në të cilin udhëheqësi shqiptar i kërkon Bullgarisë “Mbështetje politike dhe ndihmë në nivel ekspertësh në ngritjen e shtetit të ardhshëm shqiptar”. Nga ana e tij, kryetari i parlamentit të Bullgarisë, lë të kuptohet se kjo ndihmë do të jepet duke përfunduar me fjalët “… interesat shqiptare janë të njëjtë me interesat e Bullgarisë”.

Siç bëjnë të ditur burimet zyrtare bullgare të kohës, pikërisht gjatë Konferencës së Londrës, në dy kate të Hotel Ritz, Kiril Presllavski  do të përmendet si variant për të qenë mbreti i Shqipërisë, edhe nga vetë Ismail Qemali.

Siç pohon historiani bullgar, Dr. Georgi Georgiev, ky propozim i Ismail Qemalit nuk venitet shpejt, ndonëse nuk do të pranohet paskëtaj nga përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha.

Aspak e habitshme që dy vite pas Konferencës së Londrës (dhe copëtimit të trojeve shqiptare), Car Ferdinandi I i Bullgarisë, citohet t’u ketë thënë përfaqësuesve të Gjermanisë e Austro-Hungarisë se Shqipëria dhe Bullgaria, së bashku do të kishin patur hegjemoni të plotë në Europën Juglindore, sikur Fuqitë e Mëdha të mos kishin mbështetur Serbinë.

Për t’iu kthyer Perikli Çilevit të përmendur më sipër, mësuesit në gjuhën shqipe (dhe gjuhët klasike të lashtësisë), të dy djemve të Car Ferdinandit, ky personazh karizmatik me origjinë nga Krusheva, qytet i banuar kryesisht nga vllehët e ardhur nga Voskopoja dhe shqiptarët ortodoksë, mënjanë edhe njëfarë pranie bullgare, në fillimin e shekullit XX (siç dëshmohet edhe nga tërë studiuesit seriozë të kohës), do të ishte autor i disa botimeve për shqiptarët.

Në një shkrim të mëparshëm, kam përmendur tashmë librin e tij “Shqipëria dhe shqiptarët”, i botuar me autorizim të Shoqërisë Shqiptare “Dëshira” të Sofies në vitin 1922.

Ndërsa sot do të përqendrohemi në botimin tjetër të tij, të titulluar “Rrugëtim nëpër ngulimet shqiptare në zonat e Prishtinës, Prizrenit, Dibrës dhe Ohrit” (Обиколка изъ албански селища въ Прищинско, Призренско, Дебърско и Охридско, në origjinal në bullgarisht), botuar në Sofie në vitin 1926.

Flitet për rrugëtime të kryera mes 12 korrikut gjer më 11 gusht të vitit 1916 në këto ngulime shqiptare.

Prishtinën e asaj periudhe, Çilev e përshkruan si të banuar në shumicë absolute nga shqiptarët, kryesisht myslimanë, si dhe nga pak turq, duke qenë turqit përgjithësisht me rrënjë nga Azia e Vogël (pra jo vendas), ndërsa shkollat në qytet janë turke.

Ndërsa në Janjevë, ka katolikë shqiptarë, rreth 40 shtëpi muhamedanësh shqiptarë, por sakaq katolikët shqiptarë janë së paku 400 shtëpi në qytet. Ndonëse katolikët në këtë qytet sipas Çilev janë shqiptarë, në kishë meshat bëhen në gjuhën kroate, e njëlloj fëmijët e tyre mësojnë kroatisht edhe në shkollë.

Kjo gjë në vëzhgimet e Çilev dhe bisedat e tij me banorët vendas të Janjevës, bën që edhe në shtëpitë e shqiptarëve, tanimë të ketë filluar të flitet në serbisht (nuk është e habitshme, që sot në Janjevë, ka vërtet një minoritet kroat).

Prifti vendas Luka Filiç që takon Çilev gjatë qëndrimit në Janjevë, i tregon atij për praninë e kriptokatolikëve shqiptarë në rajonin e Laramanëve (pranë Gjilanit), ndërsa të tilla familje gjenden edhe në fshatin e afërm Androvec. Prifti katolik tregon sesi shkon në fshehtësi, i veshur me rroba civile të vizitojë kriptokatolikët shqiptarë, ndërsa është hoxha që i kryen në publik faljet gjatë varrimeve.

Gjithashtu është pikërisht prifti që i marton njerëzit në fshehtësi, si dhe bën pagëzimet, ndërsa hoxha kryen funksionet myslimane publikisht.

Kriptokatolikë sipas të dhënave që na ofron Çilev ka edhe në fshtrat Dunava dhe Letnicë.

Në Prishtinë sakaq, Çilev vëren përdorimin e shpeshtë të frazës “E kemi nga Lekë Dukagjini” dhe “Kanuni i Lekës”, si shprehje të vijimësisë së dokeve të lashta shqiptare.

Në Ferizaj sipas Çilev ka 135 shqiptarë katolikë, ndërsa shumica e banorëve janë shqiptarë myslimanë. Në fshatin Lashkobar (5 km nga Ferizaj), thuhet të ketë patur gjer 10 vite para rrugëtimit të Çilevit (pra deri në vitin 1906), akoma 50 familje kriptokatolikësh shqiptarë.

Një bashkëbisedues nga Ferizaj në fakt i tregon Çilevit se ka punuar në një shtëpi kriptokatolikësh në Lashkobar, të cilët kremtonin festën e Shën Dhimitrit. Bashkëbiseduesi i Çilev pohon se për këtë kremte të krishterë u pati blerë kriptokatolikëve verë, qirinj, etj, por gjithçka e pati bërë në fshehtësi, pa rënë në sy të turkut. Edhe në tjerë fshatra të zonës, sipas Çilev, thuhet të ketë patur shumë kriptokatolikë gjer 20 vite para rrugëtimit të tij, veçanërisht në fshatrat Slivovo dhe Papas, tashmë të kthyer në myslimanë.

Ndërkaq në Prizren, përveç shumicës së banorëve që janë shqiptarë myslimanë dhe rreth 150 shtëpive me shqiptarë katolikë, Çilev has edhe plot 120 familje arumune, të ardhur para 100 vitesh nga Voskopoja, pra vlleho-shqiptarë.

Veshjet e tyre sipas Çilev janë tërësisht shqiptare dhe para pushtimit serb ata thuhet të kenë patur shkollën dhe dy kisha të tyret në qytet. Edhe në fshatrat e afërta me Prizrenin, në Mamushë (sot 100% turke), Ortugrushë dhe Zeçishë, sipas vëzhgimeve të Çilev, thuhet të ketë patur shumë familje arumunësh shqiptarofonë, të cilët në këtë periudhë gjenden në asimilim e sipër nga serbët; ndërsa vetëm në fshatin Zeçishë mbijetojnë gjatë rrugëtimit të Çilev, akoma 4 familje të paserbizuara arumune.

Fshatrat shqiptare të malit të Sharrit, Çilev vëren se kanë të gjithë emra shqiptarë.

Në rrethinat e Gostivarit, ndodhet fshati Duh, që sipas Çilevit banohet nga shqiptarët ortodoksë (gegë), i ndarë në katër lagje, 1-2 kilometra larg njëra me tjetrën. Veçanërisht gratë e fshatit nuk flasin fare bullgarisht, ndërsa meshkujt, veç shqipes amtare, dinë edhe gjuhën bullgare.

Ky është fshati i parë ortodoks shqiptar në këto vise, ndërsa pas tij vijnë 20 fshatra me popullatë të pastër shqiptare ortodokse të Rekës së Epërme.

Pikërisht nga fshati Duh nis edhe vija e drejtë gjer në Elbasan që ndan shqiptarët ortodoksë nga katolikët shqiptarë, e poshtë kësaj vije ndodheshin edhe fshatrat zonës së Shpatit, të banuar me kriptoortodoksë, para se të dilnin hapur në fenë e tyre.

Në fshatin Trebisht, përveç të folurës që afrohet me toskërishten, Çilev vëren petkat e zeza të meshkujve të fshatit, të cilët i tregojnë se sipas legjendës deri në kohën e Skënderbeut, banorët vishnin veç të bardha, por pas vdekjes së kryetrimit e tutje, kishin veshur vetëm petka të zeza.

Kurse në Ohër, Çilev vë në dukje se qoftë shqiptarët myslimanë janë në turqizim e sipër, njëlloj si shqiptarët ortodoksë që po bullgarizohen gradualisht.

Në shkrimin e ardhshëm, do të fokusohemi pikërisht te disa personazhe tejet interesantë me origjinë nga Ohri e jo vetëm, me gjurmë të thella në historinë bullgare e shqiptare, për të sqaruar veçanërisht origjinën e tyre, për të hedhur dritë të mëtejshme mbi këto pikëtakime historike shqiptaro-bullgare.

Botimi i Perikli Çilev për rrugëtimet e tij nëpër viset shqiptare

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok