22/12/2024

ELOZHET E PAOLO GIOVIOS (1483-1552) PËR SKËNDERBEUN

0
Paolo-Giovio

Përgatiti Ilia Karanxha

Asnjë princ ose perandor i krishterë nuk i përdori dot armët kundër turqve më me rrëmbim dhe mbarësi se Gjergj Kastrioti. Asnjë nuk doli dot fitues në luftë më dëndur se ai.

Ai u quajt Skënderbej nga Barbarët.

Dhe me të vërtetë, Gjoni, i ati, mbret i Epirit dhe i asaj pjese të Maqedonisë që shikon nga deti Adriatik, pasi nuk u bëri dot ballë armëvet të Turqvet, bëri paqe me Muratin me kusht që t’i jepte të bijtë peng: ndër këta Gjergji dallohej shumë si nga gjallëria ashtu edhe nga paraqitja trupore.

Pra u edukua në pallatin mbretëror, dhe mësoi me kujdes jo vetëm gjuhën dhe zakonet e Turqve, sipas fesë muhamedane, por edhe përdorimin e çdo farë arme t’atij populli, aqë mirë sa, kur ishte akoma djalosh, u emërua sanxhak, shkallë kjo që do të thotë flamurtar i krahut kryesor të kalorsisë.

Murati e donte më shumë se të gjithë, sepse kishte pamje princi dhe shënja të dukshme që do të bëhej një ditë luftëtar shumë i madh.

Dhe me të vërtetë, dita me ditë e kishte zakon të bënte stërvitje ushtarake me vërsnikët e tij në kopshtet mbretërorë – një kënaqësi e madhe për Sulltanin -edhe n’ato stërvitje ua kalonte me fuqi dhe shkathtësi trupore të çuditshme edhe atyre që ishin më të mëdhenj nga mosha.

Meqënëse shfaqte, pra, para moshës ushtarake, një fuqi të pamposhtur me shtatin e tij të lartë si edhe një zgjuarsi të habitëshme, Murati e dërgoi n’ Azi kundër mbretit të Çiliçsë. N’atë luftë, nga timëria e madhe që tregoi, muar edhe më shumë famë, kur në një përfytje një me një vrau një burrë që kishte mundur shumë vetë dhe krenohesh me fuqinë e tij duke e ngacmuar, edhe kur, po me të tillë guxim, çpoi tej e përtej me shtizë dhe shtrijti përdhe xheneralin e famshëm Persian, i cili sulmonte me kalori duke bërtitur se donte të matej me një luftëtar si vehten e tij.

Në atë kohë që po fitonte kështu famë ushtarake dhe Murati e kish me sy të mirë, i vdiq i ati, dhe fuqitë otomane pushtonin pa vështirësi qytete dhe katunde të mbretërisë së tij, gjë kjo që e hidhëroi Skënderbeun, por Murati i dha shpresë se së shpejt do t’i a kthente mbretërinë e t’et.

Por ai nuk u besoi premtimeve dinake të mbretit barbar. Me shkathtësi dhe zotësi të jashtëzakonshme, shkoi në Shqipëri dhe me një ferman të marrë me pahir, pushtoi qytezën e shtetit atnor. Ngriti më këmbë popujt e Shqipërisë dhe të Maqedhonisë që e njihnin si trashëgimtar të ligjshëm, u brohorit mbret, fitoi zemrën e popullsive të çliruara dhe vite me radhë qe i zoti t’i çkatërrojë dhe t’i verë përpara shpeshherë ushtëritë e pamposhtura më parë të Muratit dhe të të birit, Muhametit.

Në këto luftra, Skëndërbeu, fitoi plot lavdi ushtarake të shkëlqyera: zmbrapsi Sulltan Muratin, i cili hodhi në rrethimin e Krujës ordhi të panumurta me paisje të jashtëzakonshme maqinash lufte dhe nuk e pushtoi dot qytetin, por u largua me turp dhe vdiq nga hidhërimi; mundi dhe zuri rob shtatë xheneralë të famshëm turq t’armatës së kalorsisë.

E shkrojti historinë e fitoreve të bujshme Marini i Shkodrës, i cili e lartësoi Skëndërbenë me oratorinë më të madhe, dhe, me botimin e një vepre të veçantë, u a la brezavet t’ardhshëm të paharruar kujtimin e tij.

Më anën tjetër, Gjergji, bëri një armëpushim me Mehmetin. Ishte atëhere kur Sulltani po përgatitej të bënte kërdinë në Greqi dhe kur Skënderbeu po mendohej t’i vinte në ndihmë Ferdinandit të Napolit që mezi po u bënte ballë fuqivet anxhoine. Thirjes së mbretit për ndihmë të shpejtë Skëndërbeu i u përgjigj menjëherë dhe me harritjen e tij në Pulie fuqitë frënge u thyen dhe u mundën aqë keq sa mbreti e pohoi me gojën e vet se vetëm nga trimëria e pashoqe e Gjergjit i erdhi shpëtimi.

Por në këtë kohë e sipër armëpushimi kishte mbaruar edhe Mehmeti që kish vrarë Perandorin e Greqisë dhe kish pushtuar Bizantin, kish përmbysur edhe principatën e Trapezuntës, edhe, pasi i kish pushtuar mbretërinë e tyre, kish vrarë mbretërit e çiliçisë, të Misisë dhe të Ilirisë: me gjithë këtë, edhe ky, si ati nuk i a duall dot t’a zerë Krujën, sepse Skënderbeu me qëndresën e tij të fortë i prapsonte rrethonjësit dhe gjithnjë u shkaktonte humbje të mëdha.

Për këtë arësye Papa Piu, kur thirri mbretërit e krishterë të rroknin armët dhe shpalli luftën kundër Muhametit, e çmoi Skëndërbenë si të vetmin gjeneral që mund t’i ngarkohej komanda e përgjithëshme për t’u prerë hovin dhe për t’i mundur Barbarët. I shtytur po nga ajo bindje e thellë vendosi t’a bënte edhe mbret, jo vetëm të Arbërisë por edhe të Maqedhonisë.

Por ai vendim nuk arriti të zbatohej, sepse Papës në të papandehur i erdhi vdekja n’Ankona. Papa i ri. Pali i II nuk i u kushtua aspak punës së luftës që ishte një çështje me rëndësi, sadoqë Skëndërbeu nëpër vështirësi të mëdha erdhi në Romë për t’i mbushur mëndjen me gojën e tij që të mos e humbiste kohën me çështje të vogla. Erdhi edhe për t’i kujtuar Senatit të Kardinalëvet rezikun që i kërcënohej qënies së të gjithëve nga ambicja e guximëshme dhe e pakufi e Barbarëvet, së cilës nuk i bëhej dot ballë pa përpjekjen e përbashkët të të gjithë Evropës: por ai u fliste njerzve të paregjur dhe të ngathët!

Ai nuk bëri më ndonjë veprim tjetër që të pajtohej me lavdinë e tij të mëparshme, natyrisht sepse nuk kishte më shpresë për një marveshje të përbashkët. Dhe kështu kur ndodhej në Lesh, pranë lumit Drin, duke biseduar çështje lufte me qeveritarin Venetikas, e goditi për vdekje një ethe e fortë. Ethet po bëheshin çdo ditë më të forta edhe porsa e kuptoi që ora e kobëshme po afërohej, i a la kujdes të Senatit të Venetikut të birin, Gjonin, që ishte akoma i vogël, ushtërinë dhe gjithë ç’kishte. Pas pak kohe kaloi në jetën tjetër, në moshën 63 vjeç, në vitin 1467.

Gjergjit kurrë nuk i a kaloi njeri as me fuqi trupore, as me gjallëri dhe as me fitore ushtarake. Kishte përherë më këmbë më se dy mijë burra të zgjedhur, por, edhe kur e shtonte numurin, fuqija e tij ushtarake nuk harrinte më tepër se 6000 kalorës dhe 3000 këmbësorë të lehtë.

Ai pohonte se fitoret nuk përgatiten me numur të madh por me ushtarë të provuar dhe të zgjedhur. U a mbante mend emrat ushtarëvet të tij, u a dinte trimëritë dhe ata e kishin për nder të madh të pinin verë nga kupa e tij. Ishte i dashur dhe zemërgjërë: me këto vetija u a fitonte zëmrën dhe u a ndizte shpirtin.

Kur hiqte udhën i armatosur, kaq të madhe e kishte fuqinë e syvet dhe kaq të ëmbël fjalën e gojës saqë u a fuste zjarrin ushtarvet për çdo ndërmarrje sado të rezikshme, duke i bërë kështu jo vetëm luftëtarë të aftë por edhe trima të tërbuar që t’a përbuznin armikun e mbrapshtë. Kishte pastaj një shtat aq të lartë dhe të ngjeshur, me gjymtyrë të forta, me hundë të dalluar të kthyer bukur si të shqiponjës për të përfaqësuar pa dyshim tipin e heroit

Dhe këtë paraqitje të bukur e konstatojmë se e kanë trashëguar akom shumë pas tij zotërinjtë e kësaj familje të cilët u vendosën në Pulje, siç mundëm ta shikonim nga krahasimi i portretit që ne kemi në Muze e në mënyrë të veçantë tek Ferrando stërnipi i tij, Markezi i qytezës të Sant Anxhelos, i cili vdiq në ditët e Pavisë i vrarë nga dora e mbretit. Stërnipërit e tij tregonin atë që mëtej u shkrojt edhe nga të gjithë historianët – se Gjergji kurrë nuk ju shmang betejave, kurrë nuk u thye, kurrë s’pat frikë, kurrë nuk u plagos, përveç se një herë fare lehtë nga një shigjetë në këmbë, vravi me dorën e tij më shumë se 2000 armiq, shumica barbarë, në beteja të ndryshme, nga një herë vetëm me një të qëlluar. Se në luftë e sipër e kishte zakon t’i vriste armiqtë një nga një, edhe, duke përdorur edhe me fuqi edhe me mjeshtëri një shpatë të madhe dhe të rëndë, i ndante më dysh gjer në kërthizë dhe pastaj i coptonte!

Këto kërdi të pamëshirshme të goditurash i kallzonin armiqtë që ktheheshin të gjallë në Bizanc, dhe të gjithë habiteshin. Vetë Muhameti çfaqi dëshirën t’a shihte atë shpatë të famshme, të përdorur nga një dorë e fortë me reptësi të pazakonëshme, dhe Gjergji i a dërgoi në Bizanc: ata që e panë thoshin se ishte e bërë me një lëndë aqë të fortë, sa çdo gjë, edhe po t’ish e hekurtë, bëhej copë e thërime nga goditjet e saj!

Zëri i trimërisë së jashtëzakonshme të heroit ishte përhapur kaqe shumë sa që, pas vdekjes së tij, Turqit, pasi e pushtuan pothuajse të gjithë Shqipërinë, kërkuan varrin e Skënderbeut, në Lesh, edhe plot admirim, e nderuan me ndjenjë të madhe fetare. Edhe si njerëz supersticiozë, i nxornë eshtrat e këtij njeriu të madh dhe i morën me vete me adhurim, pasi secili besonte se do t’ishte i sigurtë edhe i pathyer po të kishte me vehte, kur shkonte në luftë, një hajmali me një copë nga kockat e shënjta të udhëheqsit të pamposhtur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok