22/12/2024

ELITA INTELEKTUALE E ULEMAVE TË ÇAMËRISË (EPIRIT)

0
u1_Adil-Fetahu

Veç kuaj të hrbuar e race s’xnjerr Epiri,

Që dalin fitimtarë në vrapin olimpian;

Por nxjerrë dhe luftëtarë kreshnikë të tillë me namë,

Që mburrën se dejve u lëvrinë gjak Akili.

Pirron kam dëshmitar, atë fatos vigan,

Që kurr s’u mund gjersa n’Argos iu këput filli;

Dhe Skënderbeun që mundi popullin skithan,

Atë nga gjithë Azia që jashtë ka nxjerrë Ungjillin!”

(Pier dë Rosnar; përkth. Vedat Kokona)

Shkruan: Adil FETAHU

Historia e një kombi a një vendi është historia e personaliteteve të atij kombi a vendi. Sepse, përmes tyre e njeh bota dhe e ardhmja.Nuk ka tjetër vend në botë, që një copë aq e vogël toke të ketë nxjerrë  e t’i  ketë dhënë botës aq shumë personalitete të shquara luftarakë, intelektualë të profileve të ndryshme  e atdhetarë të spikatur,  sa ka nxjerrë e ka dhënë  Epiri – Çamëria. Ajo pjesë e Shqipërisë etnike, ka lindur e rritur personalitete të shquara historike, për të cilët është shkruar e folur, janë xhiruar filma artistikë e dokumentarë. Për figurat e shquara të Çamërisë janë shkruar e botuar qindra libra: romane, monografi, biografi, këngë, poezi, ese e shkrime tjera, por  akoma ka këndshikime të pandriçuara dhe ka se për çka të hulumtohet e shkruhet.

Në enciklopedinë “Kamus Ul Alam”, dijetari ynë i shquar Sami Frashëri, shkruan se “Raca shqiptare nuk ka nxjerrë vetëm burra të pushkës, por edhe njerëz të mendjes e të shpirtit, filozofë, ligjvënës , burra shteti, shkencëtarë, letrarë, dijetarë, poetë, artistë të mëdhenj. Numrit të njerëzve të dëgjuar, të cilët njihen si shqiptarë, duhet t’iu shtohet edhe një numër tjetër shumë i madh të panjohurish, të cilët janë mbajtur si pjellë e ndonjë popullit tjetër, e të cilëve ne nuk ua dime emrat”. Më tutje Samiu thotë se çamët janë më të zgjuarit e toskëve, të shquar për inteligjencën dhe mençurinë e tyre.

Prof.H.H. Robert d’Angel, në librin e tij  “L’Enigme” (Enigma, Paris 1990), në të cilin flet për enigmën e prejardhjes së racave dhe të gjuhëve…, Epirin e konsideron si djepi i burrave të mëdhenj në kohën e Bizantit dhe më gjatë në histori, dhe aty thotë se Epiri (Çamëria) ka nxjerrë njerëz të mëdhenj, dhe vendi i tyre është quajtur vendi i njerëzve të mëdhenj.

Ndërkaq, shkencëtari austriak, themeluesi i psikoanalizës, Zigmund Frojdi, për banorët e Çamërisë ka thënë: “Janë me intelekt të lartë natyror, sepse nëntoka e tyre është e pasur me fosforite, prandaj edhe mendjet e këtyre banorëve janë të ndritura, pasi ushqehen me prodhimet e asaj toke”!.

Të përmendim këtu disa prej emrave të të figurave të shquara çame-epirote në historinë botërore dhe atë shqiptare:  Mbretëresha Olymbia (nëna e Aleksandrit të Madh), Aleksandër Molosi, Pirro i Epirit, Papa Shën Eleuteri, Shën Donati, Pjetër Losha, Gjin Bue Shpata, Gjon Zenebishti, Merkur Bue Shpata, Mihal Artioti, Ibrahim Pasha, Dionis ”Filozofi”, Islam Prronjo, Hasan Çapari, Hoxhë Mehmet Dalani, Muhamet Kuçuku-Çami, Marko Boçari, Odise Andruci, Gjergj Karaiskaqi, Mihal Anagnosti, Hasan Tahsini, Elena Gjika, Abedin Pashë Dino, Osman Taka, Tahir Mete, Rexhep Demi, Muharrem Rushiti, Kolë Idromeno, Daje Sako Mediu, Shejh Sabri Preveza, Alush Taka, Rashid Dino, Faik Konica, Qamil Izet Çami, Mehmet Sejko, Musa Demi, Spiro Çalluka, Haxhi Murat Çami, Refo Çapari, Patriku Atenagora, Jasin Sadiku, Dr Hasaf Ajdonati, Merushe Melo Ismaili, Ali Dino, Arif Dino, Salih Çeka Filati, Lejla Dino, Aziz Çami, Daut Bejdeshati, Rexho Plaku, Haki Rushiti, Mitrush Kuteli, Abedin Dino (i Riu), Taho Sejko, Teme Sejko, Ali Demi, Abaz Dojaka, Bilall Xhaferri, Niko Stilo, etj.etj.

Për figurat e shquara çame-epirote janë shkruar e do të shkruhen studime, monografi, romane, prozë e poezi, nga autorë të huaj dhe autorë shqiptarë. Ne këtu po përmendim një kategori të intelektualëve, klerikë e myderrizë myslimanë, gjykatës (kadi) dhe administratorë në sistemin arsimor, gjyqësor dhe administrativ të Perandorisë Osmane, më pak të njohur nga opinioni, por që në qarqet përkatëse ishin të shquar e të nderuar. Janë këta një plejadë e hoxhallarëve nga Çamëria, të periudhës 1878 – 1912, të kohës së rilindjes kombëtare. Ç’është e drejta, ata nuk janë shquar për kontributin e tyre dhënë çështjes kombëtare shqiptare, apo arsimit shqip, por janë shquar për përhapjen e arsimimit fetar dhe shkencor, jo vetëm në trojet prej nga ishin, por edhe në treva tjera të Perndorisë Osmane.

Shumë prej tyre kanë kryer nivelet më të larta arsimore e shkencore në fusha të ndryshme të specializimeve dhe zënin poste të larta në hierarkinë e strukturave fetare e shtetërore, të mësuesve, myderrizve, ligjëruesve deri në xhaminë e Sulltanit, profesorë në gjimnaze e shkolla të larta pedagogjike, inspektorë, drejtues të zyrave të arsimit, administratorë, doganierë, sekretarë, gjykatës apo kryetar i gjykatës së sheriatit, dijetarë, myftinjë, zëvendës-kadi, kadi, etj. (Për gjykimet dhe vendimet e tyre kaditë kishin moto: ”Më i vlefshëm është një minut drejtësi, se 60 vjet ibadet (lutje)”, dhe në funt të vendimit shkruanin: “Nëse është i drejtë, ky është ligj i Allahut, nëse jo – është nga aftësia (dobësia) ime”!).

Atëherë nuk kishte grada akademike e shkencore: magjistër apo doktor shkence, por kishte specializime të veçanta për fusha të caktuara, e kishte asi që kishin ndjekur nivele shkollimi e disa degë specializimesh, deri në 30 vjet shkollimi,  kishin marrë nga disa diploma (ixhazname). Si personalitete të një shtrese të rëndësishme shoqërore, ishin njerëz të vlerësuar e të dashur  nga populli në mesin ku jetonin e punonin.

Perandoria Osmane kishte të zhvilluar një rreth të gjërë të arsimit, shkollave fillore e të mesme dhe medreseve të ndryshme në viset shqiptare, prandaj këta ulema përhapën arsimim e dije nëpër to, anipse ato nuk ishin në gjuhën shqipe. Edhepse ishin elitë intelektuale e karakterit fetar, ata ishin shqiptarë dhe i kanë shërbyer popullit dhe shtetit.

Sipas një raporti të publikuar nga Komisioni për Arsim të ShBA-ve, në vitin 1910, në tërë Perandorinë Osmane kishte 36230 shkolla, në të cilat mësonin 1.331.200 nxënës, apo 5,3% e popullsisë totale ishin studentë. Natyrisht, në mesin e tyre kishte shumë shqiptarë nga të gjitha vilajetet tona.

Në sistemin arsimor të Perandorisë Osmane, në nivele të ndryshme të arsimimit, përpos lëndëve  të karakterit fetar, mësoheshin e studjoheshin edhe lëndë të fushave të ndryshme shkencore. Lëndët mësimore kryesore në shkollat fillore e të mesme ishin: Apologjetika; Bazat e traditës profetike islame; Burimet e të drejtës së Sheriatit; E drejta trashëgimore; Egzogjeza kuranore (tefsiri); Mënyra e leximit të Kur’anit (në 10 dialkte arabe); Etika; Etimologjia e fjalëve arabe; Filozofi; Gjuhë persiane; Jurisprudenca islame; Letërsi; Logjikë; Metaforë; Metrikë; Morfologji; Retorikë; Sintaksë; Stilistikë. Por, për ata që donin të vazhdonin e thellonin studimet dhe të kryenin nivele më të larta e specializime të veçanta në shkollim, varësisht nga orientimi i tyre për studime, mësonin edhe lëndë tjera, si: Trashëgimia dhe baraja e pasurisë; Jetëshkrimi i Pejgamberit dhe historia islame; Hytbe dhe ligjërim; Histori e përgjithshme; Historia osmane; Historia e qytetërimeve; Historia e feve; Gjeografia osmane dhe islame; Letërsi osmane; Letërsi arabe; Matematikë; Gjeometri; Algjebër; Fizikë; Kimi; Njohuri natyre; Njohuri juridike; Ekonomi dhe financa; Ruajtja e shëndetit dhe edukata fizike; Njohuri shoqërore dhe edukative,etj.

Deri në vitin 1908, në sistemin arsimor të Perandorisë kanë ekzistuar 12 nivele (rangje) myderrizësh. Disa nga personalitet e shënuara në vazhdim të këtij shkrimi, kishin arritur deri në gradën më të lartë të rangimit në hierarkinë e strukturave të caktuara arsimore, administrative e gjyqësore të Perandorisë, duke shërbyer atje ku i caktonin organet kompetente.

Njerëzit e ditur, qoftë me dije fetare apo jofetare (sekulare),janë të dobishëm për veten, për rrethin ku jetojnë e punojnë, për vendin dhe për kombin. Ata nuk e dinin çirilicën e latinicën, por e dinin turqishten,arabishten dhe persishten, të cilat ishin gjuhë dhe shkrime dominuese në tri kontinente. Prandaj statusi i tyre i elitës intelektuale, të fushës së caktuar dhe kontributi i tyre nuk mund të mohohet.

Nga biografitë e dhëna më poshtë, mund të njiheni me disa nga personalietet e elitës së ulemave të Çamërisë dhe Epirit, të periudhës së gjysmës së dytë të shekullit të 19 deri dy dekadat e para të shekullit 20.

Isa ef.Sejfullah Aga (Delvina), 1854 – 1919

U lind në fshatin Fitorja të komunës Mesopotam, në rrethin e Delvinës. Ishte i biri i Nesibe hanëmit dhe i Ahmet Sejfullah agës. Emri i dytë i tij ishte Shevki, ndërsa njihej edhe si “Ismozade”. Në moshën 6-vjeçare u regjistrua në shkollën fillore (mejteb i ulët) në vendlindje, ku mësoi alfabetin dhe leximin e Kur’anit, mori njohuritë themelore të fesë. Në vitin 1870 u regjistrua në Medresën e Filatit, në grupin e studentëve të myderrizit Hasan Riza ef.Dibra. Në atë medrese studjoi njëmbëdhjetë vjet morfologjinë e gjuhës arabe dhe lëndët tjera. Në vitin 1881 shkoi në Stamboll, për t’i plotësuar studimet, u regjistrua në medresen “Tetimme-i Salise”, afër komleksit të Fatihut, te myderrisi Aliriza efendi Ahiskaviut, ku u diplomua më 20 shkurt 1885. Më 10 gusht 1885, pasi dha provimin e detyrueshëm, u çertifikua për mësimdhënës dhe filloi punën si profesor (“dersiam”) në Xhaminë e Fatihut. Po atë vit, pasi dha me  shumë sukses provimin testues para Komisionit të Kryesisë së Lartë të Shkencave, u emërua ligjërues (vaiz) i “qyrsive”,  gjatë ditëve të xhumasë dhe gjatë Ramazanit. E nisi ligjërimin në xhaminë “Valide-i Sulltan”, në lagjën Aksaraj, dhe vazhdoi pasaj deri në vitin 1919,  që dha vaiz në 27 xhamitë më të njohura të Stambollit.

Krahas detyrës së vaizit nëpër xhami, Isa ef.Sejfullahu, prej vitit 1891 deri më 1919,  ka punuar në detyra të ndryshme në Odën e Orientimit të Fetvahanës së Lartë: prej ndihmës-sekretarit deri te rangu më i lartë – shef dhe këshilldhënës për kuadrin e Fetvahanës. Kur ka ndërrua jetë (26 dhjetor 1919), ka qenë në pozitën e vaizit në xhaminë e “Sulltan Bajazidit”, në Stamboll.

Përveç gjuhës amtare shqipe, Isa ef.Sejfullah-aga, e njihte edhe turqishten, arabishten dhe greqishten.

Abdullah ef.Jusuf Aga (Janina)

U lind (1827) në kasabanë e Voshtinës, të kazasë së Pogonit, vilajeti i Janinës. I ati i tij ishte Jusuf-aga, tagramlbedhës.

Pas mbarimit të shkollës fillore sibjane, në vendlindjën e tij (Voshtinë), mësimet i vazhdoi në Medresen e Janinës, të Jenishehir Fenerit, dhe në medresetë e vilajetit të Selanikut. Për t’i plotësuar studimet, shkoi në Stamboll, në medresen “Dygjmexhi Sani”, në kompleksin e medreseve “Sulejmanije”, ku studjoi deri sa  diplomoi.

Përveç gjuhës amtare, shqipe, të cilën e fliste bukur, Abdullah ef.Jusuf-aga, fliste edhe katër gjuhë tjera: turke, greke, bullgare, kurse në gjuhën arabe edhe shkruante.

Pas dhënies së provimit pëfundimtar në Shkollën e Lartë për Gjykatës të Sheriatit (1856), fitoi të drejtën (u licencua) për kadi. Për t’i plotësuar kushtet e parapara për këtë detyrë, një kohë punoi si sekretar në Zyrën e Gjykatës së Stambollit. Pasi në vitin 1858 dha me sukses provimin testues në Meshihatin e Lartë, u emërua zëv.kadi në Vilajetin e tij, në Janinë, konkretisht në Gjykatën e Sheriatit të Kazasë së Ajdonatit, e më pastaj në atë të kazasë së Pogonit. Detyrën e kadiut e kreu edhe në kazanë e Korçës (vilajteti i Manastirit; 1861-1863); përsëri (1863-1869) në kazanë e Ajdonatit; 1869-1871 (përsëri) në kazanë e Pogonit; 1871-1873 në kazanë e Lezhës; 1873 deri më 1878 (përsëri) në kazanë e Pogonit; 1878 -1884 në kazanë e Filatit; 1883 – 1889 (përsëri) në kazanë e Pogonit;  1889-1892 në kazanë e Menemenit, vilajeti i Ajdinit; 1892 zëv.kadi në Gjykatën e Sheriatit në kazanë e Leskovikut (vilajeti i  Janinës), prej vitit 1894 e deri sa u pensionua, shërbeu si zëvendës-kadi në kazanë e Çines (vilajeti i Ajdinit).

Abdurrahmanef.Ahmeti (Janina)

(Njihet edhe me emrat: Abdurrahman”Vehbi” efendi Ahmed Agazade Gega).

U lind më 22 qershor 1849, në Janinë. Ishte i biri i Alije hanëmit dhe i Ahmet Agazades (me origjinë nga fshati Lubanishtë i Ohrit, por i shpërngulur dhe vendosur në Janinë).

Shkollën fillore sibjane e kreu në Janinë, ku mësoi leximin dhe rregullat e leximit të Kur’anit (texhvidin), gramatikën arabe dhe jurisprudencën islame.

Për t’i plotësuar studimet shkoi në Stamboll dhe hyri në rrethet mësimore të myderrizit Myfrizade Qamil efendiut, te i cili vazhdoi deri në fund të studimeve të parapara për ixhazet (diplomim) dhe e mori ixhazetnamen e përgjithshme. Gjatë asaj kohe, mori mësime shtesë nga lënda e apologjetikës islame, për të cilën mori ixhazetnamen nga myderrizi Ymer efendi Vargotliu. Në vitin 1874 mori mësime shtesë nga apologjetika islame dhe nga ekzegjeza kuranore (“tefsiret”) edhe te dijetari i shquar Jusuf Zijaudin efendi Tikveshi, tek i cili mori ixhazetname të veçantë për këto dy lëndë (vepra).

Pas diplomimit në Medrese (1876), apliko në Shkollën e Lartë për Gjyaktës të Sheriatit, në Stamboll, ku e dha me sukses provimin pranues. Me qenë se i kishte tri diploma të medresesë, komisioni e përzgjodhi për t’i vijuar mësimet në vitin e tretë të asaj shkolle, ku edhe diplomoi.

Si kuadër i suksesshëm i dalë nga medreseja dhe nga Shkolla e Lartë për Gjykatës, Abdrrahman efendiu, tridhjetepesë vjet shërbeu zëv.kadi dhe kadi në shumë gjykata të sheriatit në kazatë e Perandorisë Osmane:

1879 – 1883, zëv.kadi në kazanë e Nigdes;

1883 – 1886, në kazanë e Shkupit,

1886 – 1889, në kazanë e Luzistanit,,

1889 – 1894, në kazanë e Hamses,

1894 – 1897, në kazanë e Prishtinës,

1897 – 1908, në kazanë e Janinës,

1908 – 1912, kadi në kazanë qendrore të Jemenit,

1912 – 1913, kadi në Bagdad (Irak),

1913 – 1914, kadi në Mosul (Irak),

Abdurrahman efendiu, përveç gjuhës amtare (shqipe), e fliste edhe gjuhën perse dhe greke, ndërsa arabishten dhe turqishten i fliste dhe i shkruante.

Abdylatif ef.Kadizade (Janina)

(Abdylatif ef.Sadik efendi Kurejshizade – Kadizade)

U lind në vitin 1830, në qytetin e Janinës. I ati, Sadik efendiu, ishte gjykatës i sheriatit (kadizade).

Abdylatifi mësimet e para i filloi në moshën 5-vjeçare, në mektebin e mëhallës së tij, në Janinë. Shkolla kishte nivelin e fillores (iptidaijet e mëvonshme). Aty mësoi leximin dhe rregullat e leximit të Kur’anit (texheviti), ku edhe e bëri ‘hatmen’; mësoi edhe rregullat e fesë islame (‘Ilmihallin’).

Në moshën 8-vjeçare, hyri në rrethet mësimore te myderrizi  Ali efendiu, ku mësoi morfologjinë dhe sintaksën e gjuhës arabe, logjikën, metaforen, retorikën, stilistikën dhe letërsinë. Në vazhdim të studimeve te myderrizi i shquar shqiptar, Ymer ef.Narta, i cili kishte ardhur nga Stambolli në Janinë, mësoi: logjikën, apologjietikën islame, bazat e të drejtës së sheriatit, jurisprudencën dhe lëndë tjera. Me të mbaruar ato mësime, ishte emëruar myderriz në Medresën e Libohovës.

Më 1854, ende sa ishte student në medrese, me urdhërin e Komisionit të Lartë të Vilajetit të Janinës, u emërua shef i kontrollit-sinjalizues (‘mymejiz’), detyrë të cilën e kreu pesë vjet.

Pas provimit profsional të dhënë me sukses, Abdylatif ef. u çertifikua për gjykatës i sheriatit dhe u emërua zëvendësmyftiu i Myftinisë së Janinës. Pas një viti shkoi në Stamboll, ku u emërua zëvendësgjykatësi i sheriatit (naib). Abdylatif efendiu ka shërbyer si zëv.kadi në gjzkatat e sheriatit në kazatë: Delvinë, Çatallaxhe, Shehirkoj, Rodos, Jeni Shehir Fender, Serfixhe, Sakëz, Kretë, Kosovë, Janinë.

Kur ka ndërrua jetë (më 25 qershor 1902), ka qenë në krye të detyrës zëv.kadi në Gjykatën e Sheriatit të kazasë së Janinës.

Abdylatif efendiu  fliste dhe shkruante në gjuhën turke dhe arabe, ndërsa gjuhën shqipe dhe greke vetëm i fliste.

Mehmet efendi Çami (Janina)

(Mehmet ‘Tevfik’ efendi Isa Agë Çami)

U lind më 15 qershor 1857, në fshatin Spatar të Filatit. Ishte i biri i Shemsije hanëmit dhe i Isa Agë Çamit, të fisit Kushat.

Mësimet e para i mori në mektebin e fshatit, për të vazhduar pastaj  shtatë vjet me radhë, në Medresen “Vejsi Aga”  të Filatit. Studimet i vazhdoi në medresetë e kompleksit të Fatihut në Stamboll, ku studjoi 16 vjet pandërprerë dhe mori ixhaznamen, te myderrizi i shquar Ali Fikri ef. Bajram Gjakova.

Pas mbarimit të studimeve dhe këthimit në vendlindje, filloi punën si myderriz në Medresën e Ajdonatit (Paramithisë), për lëndët gjuhë arabe dhe jiurisprudencë islame. Prej 1878 deri më 1895, shërbeu si myderriz në Xhaminë e Vejsi Agës, në Filat. Në funt të vitit 1895, me dekret të Meshihatit të Lartë: “Mehmet Tevfik efendiu emërohet myfti i kazasë së Filatit…Duke marrë parasysh aftësitë e tij profesionale nga Komisioni i Administratës së kësaj kazaje dhe verifikimin nga instancat e larta të Vilajetit të Janinës, po edhe duke pasur parasysh edhe përzgjedhjen dhe pëlqimin e gjithë popullatës së kësaj ane, me nënshkrimin dhe vullnetin e shejhulislammit…, Mehmet Tevfik efendiu njëzëshëm emërohet myfti i kazasë së Filatit”..

Për kontributin e çmueshëm në fushën e arsimit (fetar,v.j.), në vitin 1894 u shpërblye nga administrata e kazasë së Filatit dhe e Janinës, ndërsa në vitin 1895 u shpërblye me “Berat të lartë  sulltanor”. Gjatë punës, u ngrit në grada shkencore të rendit të caktuar hierarkik.

Mehmed efendi Çami, ka shërbyer si myderriz në Medresen “Veji Aga”të Filatit deri në vitin 1910. Gjuhën turke dhe atë arabe i fliste dhe shkruante, ndërsa gjuhën (amtare) shqipe dhe atë greke vetëm i fliste.

Mehmet efendi Mustafa efendiu (Janina)

(Mehmet “Fuad” efendi Mustafa “Nuri” efendiu)

U lind më 5 prill 1865, në Janinë. Ishte i biri i Fatma Nurije hanëmit dhe i Mustafa efendi Janinës. Babai i Mehmet efendiut, Mustafa efendiu, deri sa ka ndërrua jetë ka qenë myfti i Janinës dhe bartës i gradave të larta në profesion. E ëma, Nurije hanëmi i takonte fisit që kishte rrënjët na fisi i Pejgamberit. Familja e Mehmet efendiut quhej familje “Efendinjësh”.

Pas  mbarimit të shkollës fillore “sibjane”në Janinë, vazhdoi dhe u diplomua në Gjimnazin (“rushdije”) poashtu në Janinë. Pas diplomimit në gjimnaz, vazhdoi studimet në medrese (në Janinë),  ku pati për mësimdhënës një plejadë ulemashë të njohur të asaj kohe. Tek ajo elitë mësoi morfologjinë dhe sintaksën e gjuhës arabe, logjikën, metaforen, etimologjinë e fjalës, apologjetikën, jurisprudencën islame, bazat e të drejtës së Sheriatit, të drejtën trashëgimore, hadithin, tefsirin, menaxhimin zyrtar dhe bazën e përmbledhjes së dokumenteve gjyqësore.

Pas mbarimit të studimeve, në vitin 1888 Mehmet efendiu u emërua zëvendës i sekretarit kryesor të Gjykatës Qendrore të Janinës. Pas dy vjetëve, u ngrit në detyrën e sekretarit kryesor të asaj Gjykate. Më 1905 u emërua myfti i Janinës, në vend të Abdurrahman efendiut, i cili u emërua zëv.kadi në Gjirokastër. Detyrën e myftiut e kryente me normë jo të plotë, duke e mbajtur edhe detyrën e sekretarit të Gjykatës. Pas do kohe, e lëshoi detyrën e myftiut dhe vazhdoi punën vetëm sekretar i Gjykatës, të cilën e mbajti deri më 1910. Në periudha të shkurta kohore e zëvendësoi valiun Sejfullah pashën, në detyrën e kadiut të Gjykatës së Sheriatit të Janinës.  Nga dy medrese të ndryshme të Bursës, Mehmet efendiu ishte ngritur në dy rangje shkencore prestiçioze, ndërsa nga Izmiri ishte dekorua me dekoratë të lartë.

Hafiz Mehmet ef.Shaqir efendiu (Janina)

(Hafiz Mehmet Ali efendi binbash Shaqir efendiu)

U lind më 17 mars 1877, në qytetin e Janinës. Ishte i biri i Hasije hanëmit dhe i Shaqir ef.Rrystem Janinës, i cili ishte binbash.

Shkollën fillore ibridaije e kreu në mektebin “Sulltanije” të Minisas, vilajeti i Ajdinit. Më pastaj e mësoi  përmendësh Kur’anin dhe u laurua me titullin “hafiz i Kur’anit”.

Varësisht nga vendi ku shërbente iati në detyrën e binbashit, hafiz Mehmeti një kohë e ndoqi shkollën e mesme rushdije në kazanë e Milasit, e pastaj në Medresen “Sulltanije” të Manisas, ku studjoi morfologjinë dhe sintaksën e gjuhës arabe, logjikën, retorikën, letërsinë, antroponominë, jurisprudencën islame dhe bazat e të drejtës së sheriatit.

Për t’i thelluar studimet, shkoi në Stamboll, te myderrizi i shquar Mustafa ef.Abdullah Odemishliu, ku studjoi: logjikën, metaforen, retoriken, sintaksën, jurirprudencën islame, të drejtën trashëgimore, antroponominë, filozofinë, mjekësinë, gjeometrinë, hadithet.

Pas gjithë atyre studimeve e mori ixhaznamen e përgjithshme. Ndërkaq, në periudhën 1897 – 1900, mori edhe ixhazname (diploma) të veçanta, për specializime, nga myderrizi Ferhat ef.Hilmi Dibra. Në vitin 1900 u regjistrua në Shkollën e Drejtësisë (mektebi hakik) të Sambollit. Pas kryerjes së asaj shkolle dhe provimit të dhënë, më 1910 u emërua skeretar i Gjykatës së Sheriatit në Manisa, por aty nuk qëndroi shumë, pasi kaloi në detyrën e myderrizit e mësimdhënësit në Medresen e Manisas. Për rezultatet e arritura, nga Medresja e Bursës kishte marrë gradën shkencore “iptida-i harixh”.

Mehmet Shaqir ef.Ismailhakiu (Janina)

U lind më 1837 në kasabanë e Voshtinës, të kazasë së Pogonit, vilajeti i Janinës. I ati i tij quhej Ismailhaki.

Shkollën fillore sibjane e kreu në vendlindje, ku mësoi leximin e Kur’anit dhe rregullat themelore të fesë islame. Pas shkollës fillore, për një kohë mësimet i vazhdoi në Janinë (në Jenishehir Fener), mandej shkoi në Stamboll ku u regjistrua në rrethet mësimore të myderrizit Arnaut Ahmet Tefik efendiu. Te ky myderriz shqiptar i përfundoi studimet dhe mori ixhaznamen.

Mehmet efendiu i zotërone gjashtë gjuhë. Gjuhën shqipe e fliste bukur. Gjuhën turke,  arabe dhe greke i fliste dhe shkruante, ndërsa kënaqëshëm i fliste edhe gjuhën vllahe dhe bullgare.

Në moshën 24 vjeçare u emërua sekretar (çatip) në Gjykatën e Mahmud Pashës, ku punoi vetëm një vit, sepse më pas u emërua dhe punoi në disa gjykata të sheriatit të kazave të ndryshme, si:

1871 – 1873 në kazanë e Shtipit,

1873-1876 në kazanë e Viranës

1876 – 1880 në kazanë e Vlorës

1880 – 1883 në  kazanë e Karaxhekit

1883 – 1884 (për së dyti) në kazanë e Vlorës,

1884 – 1888 në kazanë e Çorlusë,

1888 – 1892 në kazanë e Karaferjes,

1892- 1896 në kazanë e Shafirit,

1896 – 1900 në kazanë e Kërkilisës,

1900 – 1901 në kazanë e Gjirokastrës, prej ku edhe u pensionua, në muajin e Ramazanit.

Mehmet ef.Fejzulahu (Janina)

(Mehmet “Tevfik” ef.Fejzullahu)

U lind më 17 maj 1870, në fshatin Koskë të Filatit. Ishte i biri i Sefinaze hanëmit dhe i Fajzullah efendiut, ish imam në xhaminë e fshatit Koskë. Familja e tyre ishte e fisit Muhatë.

Mësimet e para Mehmeti i mori në shkollën fillore sibjane të fshatit. Pas kryerjes së shkollës fillore, nëntë vjet tjera (1882-1891), i ndoqi mësimet në Medresen e Filatit, në grupin e studentëve te myderrizi Mehmet Tevfik effendi Isa Aga-Çaushi. Aty mësoi: morfologjinë dhe sintaksën e gjuhës arabe, logjikën, jurisprudencën islame dhe hadithet.

Për t’i plotësuar studimet, në janar 1892 shkoi në Stamboll dhe u regjistrua në Medresen ‘Çifte Bash Kurshunlu’, krahu i Detit Marmara. Aty hyri në grupin e studentëve të myderrizit Haxhi Ali efend Alasonjaliut, tek i cili mori diplomen më 29 dhjetor 1900.

Menjëherë pas diplomimit në Stamboll, u kthye në vendlindje dhe afro dhjetë vjet sherbeu në detyrën e imamit të fshatit të tij (Koskë). Në qershor të vittit 1911, Mehmet efendiu u zgjodh dhe emërua myfti i Koskës.

Krahas gjuhës turke dhe arabe, të cilat i fliste dhe i shkruante, e fliste edhe shqipen dhe greqishten.

Safet ef.Shejh Mehmet Ali efendiu (Janina)

(Mehmet ‘Safvet’ efendi Shejh Mehmed Ali efendiu)

U lind më 2 shkurt 1880, në qytetin e Janinës. Ishte i biri i Tevfike hanëmit dhe i Mehmedali efendiut. I ati, Mehmedali efendiu, ishte myderriz, shejh në xhaminë ‘Arsllan Pasha’ të Janinës; ishte një nga shejhët e mëdhenj të tarikatit nakshibendi.

Shkollën fillore ibridaije Safeti e kreu në mektebin ‘Fejzije’ të qytetit të Janinës. Pas fillores, kreu gjimnazin idadie të Janinës, te babai i tij, shejh Memedali efendiu, që ishte myderriz i asaj atij gjimnazi. Aty mësoi morfologjinë dhe sintaksën e gjuhës arabe, logjikën, jurisprudencën islame dhe stilistikën.

Për t’i plotësuar studimet shkoi në Stamboll, në medreset e kompleksit “Fatih“,  ku jepnin mësim myderrizët më të shquar të kohës. Aty e mori ixhaznamen e përgjithshme nga myderrizi Ali efendiu.

Pas Stambollit, studimet i vazhdoi në Universitetin e famshëm “Al-Az-har” të Kajros. Në atë Universitet Safet efendiu mori katër ixhazname: një të përgjithshme, dhe tri të veçanta, të specializimit në fushën e tefsirit, në fushën haditheve, dhe në fushën e jurisprudencës, te profesorët e njohur të atij Universiteti prestiçioz.

Pas mbarimit të studimeve,  në janar të vitit 1906, u caktua myderriz në Medresen “Gazi Isa Begu” në Mitrovicë, vilajeti i Kosovës, ku punoi katër vjet. Gjatë asaj kohe, zhvilloi  edhe aktivitete politike  të përhapjes së ideve  të Partisë “Bashkim e Përparim”,  që ishte lëvizje xhonturke. Atë aktivitet e zhvillonte në pjesën veriore të “Arnautllukut”, si në Mitrovicë, Gjakovë, Prizren, Jeni Pazar, Sjenicë, Akovë (Bjelo Pole) etj. Këso aktivitetesh Isa efendiu ka zhvillua edhe në kazanë e Himarës.

Pasi i ati, myderrizi shejh Mehmedali efendiu kishte ndërrua jetë, Safet efendiu u detyrua të kthehet në vendlinjen e tij, në Janinë, ku vazhdoi punën si myderriz i medreses “Arsllan Pasha” të Janinës. Një kohë, paralelisht me detyrën që kryente në Medrese, jepte mësim edhe në Gjimnazin idadie të Janinës, ku mbante lëndët: njohuri fetare, gjuhë arabe dhe gjuhë perse.

Në vitin 1913 ishte me shërbim në kazanë e Nigdes, rrethi i Izmirit.

Safet efendiu dinte gjashtë gjuhë: shqipen, boshnjakishten dhe gjuhën bullgare vetëm i fliste, ndërsa gjuhën arabe, turke dhe perse i fliste dhe i shkruante.

Për sukseset e arritura në drejtim dhe shërbimet e kryera, dhe kontributin edhe në kuadër të Partisë “Bashkim e Pëparim”, ka marrë mirënjohje e falënderime.

Shuajb ef.Abdullah Hoxhazade (Janina

(Shuajb “Rahmi” ef.Abdullah Hoxhazade)

U lind në vitin 1855, në fshatin Borsh, sanxhaku i Himarës. Ishte i biri i Hava hënëmit dhe imamit Abdullah efendiut.

Shkollën fillore sibjane e kreu në vendlindje, në Borsh. Pas mbarimit të fillores, u regjistrua në medresen “Vejsi Aga” të Filatit, te myderrizi Mehmet Tefik efendi Çami, ku studjoi pesë vjet, e pastaj vazhdoi në medresen “Velijudin Pasha” në Janinë, ku studjoi edhe shtatë vjetë tjera te myderrizë të shquar të Janinës. Mësoi gjuhën arabe, retorikën, logjiken, traditën islame (hadithet),  etimologjinë e fjalës, semantikën, tefsirin. Ixhaznamenë (diplomën) e mori në gusht 1892. Pas diplomimit, u emërua mësues i shkollës së mesme, rushdije, të Delvinës, ku qëndroi deri më 7 shkurt 1896. Pastaj u emërua mësues i shkollës fillore të fshatit Lëkurës të Margëlliçit. Për shkaqe shëndetësore, dha dorëheqje dhe një kohë qëndroi i paangazhuar.Por, me lutjen e autoriteteve të kazasë së Delvinës, dhe me vendim të Drejtorisë së Arsimit të vilajetit të Janinës, përsëri nisi punën në atë shkollë, ku punoi më se dhjetë vjet (27 gusht 1899 deri më 3 nëntor 1909). Pastaj kaloi në detyrën e drejtorit të Drejtorisë për Jetimët e kazasë së Delvinës, dhe njëkohësisht mbante mësime në shkollën e mesme rushdije të Delvinës.

Me kërkesën e popullates së Tepelenës dhe me vendimin e organeve të vilajetit të Janinës, në korrik 1910 u emërua dhe filloi punën si myfti i Tepelenës. Krahas kësaj, me vendim (“mazbatë”) të organeve të vilajetit dhe me “beratë të sulltanit”, u emërua myderriz në medresen “Ali Pashë Tepelena”, të cilën e kishte themeluar vetë Ali Pashë Tepelena i mirënjohur, ku për një kohë dha mësim në shkollën e mesme rushdije të Tepelenës.

Përveç gjuhës amtare (shqipe) të cilën e fliste mirë, Shuajb efendiu e fliste edhe persishten dhe greqishten, ndërsa gjuhët turke dhe arabe edhe i shkruante.

Hafiz Mustafa ef.Jusuf efendiu (Ajdonati)

U lind më 1856, në Ajdonat, vilajeti i Janinës. Ishte i biri i Asime hënëmit dhe i Jusuf efendiut.  Edhe vëllai më i madh i hafiz Mustafë ef, haxhi Ahmet efendiu ishte hoxhë.

Mustafa mësimet e para i mori në vendlindje, në Ajdonat. Studimet i vazhdoi te myderrizi dhe dijetari i njohur në vilajetin e Janinës  në përgjithësi dhe në viset çame në veçanti, Mehmet Qamil efendiu, tek i cili mori ixhaznamen. Me akt të lartë përkatës (“meshura e lartë”), u emërua myfti i kazasë së Ajdonatit, me qendër në Ajdonat, që e pasoi myftiun Mehmet Emin efendiun, i cili kishte ndërruar jetë. Detyrën e myftiut të Ajdonatit e ushtroi deri në pensionim, më 1909.

Pasi ishte shpërngulur me familje nga Ajdonati dhe vendosur në qyetin e Janinës, ka shërbyer edhe si myderriz në medresen “Asllan Pasha” të Janinës.

Haxhi Qamil ef. Ahmet Aga (Drama, Selanik)

U lind në vitin 1848 në kazanë e Dramës, vilajeti i Selanikut. Ishte i biri i Ahmet agës.

Mësimet e para i mori në kazanë e Dramës, ndërsa i vazhdoi në Stamboll, në medresenë “Zekerija efendiu”, ku i përfundoi studimet dhe mori ixhaznamen e përgjithshme dhe një ixhazname të veçantë, në vitin 1883, nga myderrizi Ahmet Shaqir ef.Stambolli, ndërsa ixhaznamen e tretë, për specializim të veçantë nga fusha e të drejtës trashëgimore islame, e mori te myderrizi Mehmet Rashit ef.Ibahim Hazergradi.

Katër vjet i ndoqi studimet në Shkollën e Lartë për Gjykatës të Sheriatit, të cilën e përfundoi në vitin 1889.

Gjatë luftës serboruso-turke (1876-1877), ishte emërua këshilltarë shkenor për të motivuar ushtarët osmanë, dhe për sekrificën, durimin, urtësinë dhe sinqeritetin e treguar në luftë, është nderuar me dekoratë të cakuar.

Haxhi Qamil efendiu ka shërbyer në disa kaza e vende si zëvendësgjykatës i sheriatit:

– në kazanë e Tiranës, 1892-1895,

– në kazanë e Tetovës, 1895- 1898,

– në kazanë e Keraferjes, 1898 – 1905,

– në kazanë e Sulltan-jerit, 1905 deri më 7 shtator 1907.

Ka ndërrua jetë më 8 tetor 1907.

* * *

(Të dhënat biografike për personalitetet e përmendura, të shkurtuara dhe përshtatura për këtë shkrim,  janë marrë nga libri: “DIJETARËT SHQIPTARË NË PERANDORINë OSMANE (1880-1912)”, nga autorët: Sadik Mehmeti-Hatixhe Ahmedi-Ramadan Shkodra, Prishtinë, 2021). Gjithashtu edhe emërtimet e lëndëve mësimore, janë marrë nga i njëjti burim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok