08/11/2024

ELABORATI I VASA ÇUBRILLOVIQIT: DËBIMI I SHQIPTARËVE

0

Nga Adil FETAHU

Profesori i Fakultetit të Arteve në Beograd dhe njëni nga udhëheqësit e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Vasa Çubrilloviq, ka bërë dy projekte (elaborate) për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike. Elaboratin e parë e ka paraqitur në Klubin Kulturor Serb në Beograd, më 7 mars 1937, dhe të dytin në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, paraqitur qeverisë së re Serbisë-Jugosllavisë (3 nëntor 1944). Ai shqiptarët i quan element i huaj, ‘pykë e rrezikshme’ të cilën duhet hequr nga shteti i Serbisë.

Elaborati i vitit 1937, përmban dhjetë kapituj:

1.Dëbrimi i shqiptarëve

  1. Problemi i kolonizimit të trevave jugore
  2. Përmbledhje
  3. Problemet ndërkombëtare të kolonizimit
  4. Mënyra e zhvendosjes
  5. Organizimi i shpërnguljes
  6. Popullimi i rajoneve të shpopulluara
  7. Aparati i kolonizimit
  8. Financimi

10.Përfundimet.

Për ata që nuk i kanë lexuar elaboratet  të atij racisti e nacisti famëkeq, përfaqësues  eminent i elitës së inteligjencës serbe, për këtë shkrim shkëputëm dy kapitujt më të shkurtër nga Elaborati i parë i Çubrilloviqit: ‘Mënyra e shpërnguljes’, dhe ‘Përfundimet’, prej të cilëve merret vesh tërë qëllimi i zhdukjes së shqiptarëve me  metodat më brutale të shtetit të Sërbisë (e Jugosllavisë).

Mënyra e shpërnguljes

‘’Sikurse e kemi cekur tashmë, shpërngulja në masë e shqiptarëve nga trekëndëshi i tyre është e vetmja rrugë. Për ta shpërngulur krejt një popull, kushti i parë është që të krijohet një gjendje psikoze e përshtatshme. E kjo mund të bëhet në disa mënyra.

Tashmë është e ditur se masat myslimane përgjithësisht ndikohen lehtë sidomos nga feja dhe i nënshtrohen bestytnisë dhe fanatizmit. Prandaj, fillimisht do t’i bëjmë  për vete klerikët dhe njerëzit me ndikim, me para ose me kërcënime, ashtu që ata të përkrahin shpërnguljen e shqiptarëve. Duhen gjetur, sa më shpejt që të jetë e mundur, agjitatorë nga Turqia, nëse ajo do të na i japë, për ta promovuar shpërnguljen. Ata duhet t’i lavdërojnë bukuritë e tokave të reja në Turqi, si dhe jetën e lehtë dhe të rehatshme që bëhet atje, dhe duhet ta ndezin fanatizmin fetar te masat dhe ta ngjallin krenarinë në shtetin turk. Shtypi ynë mund të ndihmojë jashtëzakonisht, duke përshkruar se me sa lehtësi u zhvillua evakuimi u turqve nga Dobruxha dhe me sa lehtësi u vendosën  ata në tokat e reja. Informata të këtilla do të krijonin gatishmërinë e kërkuar të masave shqiptare për t’u shpërngulur.

Mënyra tjetër do të ishte detyrimi nga aparati shtetëror. Ligji duhet zbatuar me përpikmëri sa për ta bërë qëndrimin e shqiptarëve të padurueshëm: gjobat, burgosjet, zbatimi i egër i urdhëresave të policisë, ndalimi i kontrabandës, prerja e pyjeve, dëmtimi i bujqësisë, lënja e qenëve zgjidhur, puna e detyrueshme dhe mjete të tjera që mund të shpikë një forcë policore me përvojë.

Nga pikëpamja ekonomike, kjo do të duhej të  përfshinte refuzimin e njohjes së tapive të vjetra të tokës. Puna e regjistrimit të tokës duhet të përcillet që nga fillimi me vjeljen e pamëshirshme të taksave dhe detyrimin që të shlyhen të gjitha borxhet private dhe publike, marrjen e të gjitha kullosave shtetërore apo komunale, shfuqizimin e koncesioneve, tërheqjen e lejeve për ushtrimin e profesionev, pushimi nga puna në zyrat shtetërore, private apo komunale, etj. – që të gjitha  këto do ta shpejtojnë procesin e shpërnguljes. Masat në fushën e shëndetësisë duhet të përfshijnë zbatimin e rreptë të të gjitha dispozitve, madje edhe brenda shtëpive; rrëzimin e mureve dhe gardhiqeve të larta të shtëpive, si dhe zbatimin e rreptë të masave veterinare, që do të rezultojnë me ndalimin e shitjes së bagëtive në treg, etj,  etj.

Krejt këto mund të zbatohen në formë praktike dhe të efektshme. Shqiptarët janë të ndjeshëm sa i përket fesë, prandaj edhe në këtë pikëpamje duhet të keqtrajtohen shumë. Kjo mund të arrihet me keqtrajtimin e klerikëve të tyre, shkatërrimin e varrezve, ndalimin e poligamisë dhe zbatimin e rreptë të ligjit që i detyron vajzat të ndjekin shkollën fillore kudo që janë.

Edhe inisiativa private mund të ndihmojë shumë në këtë drejtim. Duhet t’u shpërndajmë armë kolonëve tanë sipas nevojës. Format e vjetra të veprimit çetnik duhet të organizohen dhe do të mbështeten nga shteti në mënyrë të fshehtë. Në veçanti, do të organizohet një vërshim i malazezëve në kullotat malore për të shkaktuar një luftë të gjerë me shqiptarët në Metohi. Kjo luftë duhet të përgatitet dhe të inkurajohet nga njerëzit tanë të besueshëm. Kjo mund të arrihet lehtë, ngase shqiptarët vërtetë janë ngritur në këmbë. E gjithë kjo mund të paraqitet si një konflikt mes klanesh dhe po të jetë nevoja, mund t’u përshkruhet arsyeve ekonomike.

Në fund, mund të nxiten trazira lokale. Ato pastaj do të shtypen me gjak, me mjetet më të efektshme; kolonët nga klanet malazeze dhe çetnikët, më parë sesa me ushtri.

Mbetet edhe një metodë, të cilën Serbia e ka zbatuar me efekt të madh praktik pas vitit 1878, dhe kjo është shkrumbimi i fshatrave dhe i lagjeve të shqiptarëve nëpër qytete, në fshehtësi (…).

P ë r f u n d i m e t

Duke marrë parasysh krejt çfarë u tha, nuk është rastësi që gjatë shqyrtimit të kolonizimit në jug, besojmë se mënyra e vetme efikase e zgjidhjes së këtij problemi është dëbimi në masë i shqiptarëve. Kolonizimi gradual nuk ka arritur sukses në shtetin tonë, e as në ndonjë shtet tjetër. Nëse shteti do që të ndërhyjë në favor të popullit të vet në luftën për tokën, mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse vepron brutalisht. Përndryshe, autoktonët, që i kanë rrënjët në vendlindje dhe që ndihen si në shtëpi të vet, gjithmonë do të jenë më të fuqishëm sesa kolonët. Në rastin tonë, duhet ta kemi parasysh këtë fakt, ngase kemi të bëjmë me një racë të guximshme, rezistuese dhe pjellore, të cilën i ndjeri Cvijiq e kishte përshkruar si më depërtuesin në Ballkan. Nga 1870 deri më 1914,  Gjermani shpenzoi miliarda marka për kolonizimin gradual të territoreve të veta lindore, duke blerë tokë nga polakët, porse lindshmëria e grave polake i mundi organizimin dhe paratë gjermane. Kështu, Polonia e ktheu prapa Poznanin e vet më 1918. Shënimet tona nga periudha 1921 – 1931 tregojnë se lindshmëria e grave shqiptare na e mundi edhe politikën tonë kolonizuese. Duhet të nxjerrin përfundime nga kjo dhe duhet ta bëjmë shpejtë, përderisa ka ende kohë për t’i korrigjuar gjërat.

E gjithë Evropa është në kaos. Nuk e dimë se çfarë do të sjellin ditët dhe netët në vijim. Edhe nacionalizmi shqiptar në territoret tona po rritet. Poqese ndodh një luftë botërore, apo një revolucion shoqëror, e që të dyja janë të mundshme në të ardhmen e afërt, atëherë nëse situata mbetet kështu çfarë është, do t’i rrezikonte territoret tona në jug. Qëllimi i këtij dokumenti është që të parandalojmë këtë gjë’’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok