26/12/2024

Eksperimenti Rama me veriun e Shqipërisë e ka tejkaluar eksperimentin e diktatorit Hoxha!

0
Enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi

Pesë hidrocentralet më të fuqishëm në Shqipëri shtrihen në veri të Shqipërisë. Ata i japin energji gjithë vendit. Janë gjithashtu garancia e sigurisë energjitike për shqiptarët. Këta janë Hidrocentrali i Komanit, Fierzës, Vaut të Dejës, Shkopetit dhe Ulzës. Tani shtohet dhe një hidrocentral tjetër i madh, ai i Ashtës në Shkodër. Ndërkaq kjo qeveri ka projektuar dhe nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e një hidrocentrali tjetër në Veri, atë të Skavicës!

Por qeveria shqiptare nuk dëshiron ta pranojë faktin se kjo pasuri kombëtare është ngritur duke rrënuar pasuritë e banorëve të malësisë dhe Luginës së Matit. Se është dashur që të përmbytet pjesa më prodhuese e tokave në Shkodër, Kukës, Tropojë e Pukë, e së shpejti edhe në Dibër.  I gjithë ky investim gjigand, prej të cilit përfitojnë të gjithë shqiptarët, po justifikohet meparimin diktatorial “E përgjithshmja prevalon mbi personalen”! Ky parim po artikulohet dita ditës e vazhdimisht prej tetë vitesh. E përmendën dhe mbrëmë diktatorucët e shtetit në një emision televiziv. D.m.th se për të jetuar në mirëqenie shumica do të duhet të vuajnë deri në sakrifikim pakica!

Ndërkaq administrat e shtetit, paratë e buxhetit, ndërtimet infrastrukturore, projektet shtetërore nuk shkojnë në veri. Minierat me pasuritë marramendase të tyre në vend të shërbenin për mirëqenien e komunitetit, janë shndërruar në varrezat e qytetarëve të Bulqizës, Kalimashit e Surrojit në Kukës, Vlahnës në Has, Kamit të Tropojës, Thirrës së Fanit, Pukës etj. Askush nuk do t’ia dijë për njerëzit që jetojnë atje. Shteti që kemi ka vetëm një interes: Të shtojë mirëqenien e sipërmarrësve oligarkë, me të cilët ndan paratë e krimit dhe të gjakut të banorëve të këtyre zonave. Madje edhe natyra e mjedisi është shkatërruar si reuiltat i makuterisë shtetërore për fitim e përfitime.

Por ky shtet nuk ndalet me kaq. Me qëllim që ta realizojë pa asnjë pengesë projektin e shkatërrimit, rrënimit, varfërimit dhe shfrytëzimit të pasurive në veri të vendit ka projektuar që asnjë verior të mos ketë fuqi administrative e vendimmarrëse për ta ndalur çmendurinë e kryeministrit shqiptar. Administratorët që ai zgjedh janë të zonës së parë operative. Dikur dhëndurët veriorë të jugut ishin një lloj kontigjenti për karrierë në Shqipëri. Por në qeverisjen e Edi Ramës nuk preferohen më as ata.

Të gjithë autoritetet e vendit e drejtuesit e ministrive, përfshirë zv.ministrat dhe sekretarët e drejtorët e përgjithshëm, agjencitë e mëdha të administrimit ose zbatimit të ligjit, komisariatet, ambasadat, etj drejtohen nga persona me prejardhje jo-veriore. Por edhe ndër jugorët e Shqipërisë, administratën e shtetit e dominojnë jo shqiptarët. Dikur, në vitet 1980, – 70 përqind e byrosë politike ishte me prejardhje dhe origjinë jo shqiptare! Të njëjtin disekuilibër ka krijuar gjithashtu kryeministri i sotëm Edi Rama! E njëjta sjellje është dhe me raportet fetare. Asnjë katolik nuk gjendet në administratën e lartë, jo më në kupolën e shtetit. Veriorët dhe katolikët janë përjashtuar edhe nga Gjykata e lartë dhe gjykatat e tjera. Nga një studim del se veriorët dhe katolikët janë “viktimat’ më të mëdha të atij që quhet “veting në drejtësi”!

Ndërkaq administratorët e shtetit me besim ortodoks përbëjnë shumicën e kësaj administrate, edhe pse ortodoksët në vendin tonë janë më pak se 20 përqind. Të kuptohemi: Kjo panoramë dhe gjendje alarmante në përfaqësim nuk ka të bëjë me ortodoksët, as me ata që përfaqësojnë zonat jo veriore të vendit. Fjala është të vemë në dukje një padrejtësi diskriminuese për veriun e Shqipërisë, padrejtësi për të cilën reagojnë jo pak ortodoksë dhe shqiptarë të jugut të Shqipërisë!

Administrata e pabalancuar ka sjellë zhvillimin e pabarabartë të Shqipërisë, duke lënë në harresë Shqipërinë e Veriut dhe duke favorizuar territore të tjera të vendit. Kështu p.sh Bashkia e Korçës ka marrë fonde nga qeveria qendrore 14 herë më shumë sesa Bashkia e Shkodrës. Edhe Bashkia e Rroskovecit ka marrë fonde qeveritare të buxhetit qendror të shtetit më shumë sesa Bashkia e Shkodrës, Kukësit, Tropojës, Dibrës, Matit e bashki të tjera shumë më të mëdha.

Ndërkaq në çdo vend demokratik në botë e në Europën ku ne duam të integrohemi balanca e investimeve dhe e të ardhurave financiare është themeli i kohezionit dhe krijimit të harmonisë kombëtare. Qeveria e Edi Ramës e ka cënuar rëndë këtë harmoni si në pikëpamje financiare e investime, ashtu edhe në pikëpamje kulturore, sociale dhe të përfitimeve prej aseteve që prodhojnë mirëqenie për gjithë vendin. Qarqet e Veriut janë qarqet më të varfëra në Europë, megjithëse ato i japin atdheut mbi 60 përqind të GDP-së së vendit.

Ndërkaq popullsia e veriut është sa një e katërta e popullsisë së vendit, por në territoret e kësaj popullsie prodhohet energj e nxirren minerale, të ardhurat e të cilave shkojnë më së shumti në pjesën tjetër të Shqipërisë ku jeton 70 përqind e popullsisë. Kjo ndodh, sepse qeveria qendrore nuk u jep pjesën e merituar të të ardhurave atyre që sakrifikojnë pronën, tokën dhe pasuritë e tyre për “të mirën e përgjithshme”!

I vetmi investim i qeverisë Rama në malësi është trau i Kalimashit, një tra ky i kursyer për gjithë pjesën tjetër të Shqipërisë .Nëpërmjet këtij trari qeveria shqiptare ka penalizuar jo vetëm banorët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës, por edhe gjithë Kosovën. Madje me një tarifë, të cilën për aq km rrugë nuk e paguajnë as grekët, as italianët, as austriakët apo sllovenët e kroatët. Eksperimenti Rama me Shqipërinë e Veriut e ka tejkaluar eksperimentin e diktatorit komunist, Hoxha. Trau ishte dhë është dëshmia më e dukshme e diskriminimit të Veriut të vendit. Por ka mekanizma të tjerë diskriminues të pafund, të cilat përdoren për ta rrënuar ekonomikisht e financiarisht popullsinë e këtij rajoni.

A është kjo një dëshmi për urrejtjen që kryeministri ka për veriun e Shqipërisë? Gishti i mesit që ai ua tregoi të rinjve të Shkodrës ka në themel këtë urrejtje patologjike të tij ndaj një pjese të atdheut të vet! Nëse nuk do të ishin hidrocentralet e minierat, Edi Rama do të bënte gjithçka që Qarkun e Kukësit t’ia jepte Kosovës!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok