EKSKLUZIVE / Historiani Gjon Keka zbulon dokumente të rralla të shekujve XVII–XVIII: Skënderbeu cilësohej „Mbret i Shqipërisë” dhe kishte lidhje gjaku me Pal Engjëllin
Studiuesi dhe historiani i njohur Gjon Keka, gjatë hulumtimeve të tij të fundit në arkivat dhe bibliotekat shtetërore europiane, ka rënë në gjurmët e tri veprave të rralla akademike e teologjike të botuara në Brescia (1677), Linz (1712) dhe Dillingen (1719). Këto dokumente sjellin dëshmi të jashtëzakonshme të cilat do të përfshihen në veprat e ardhshme të studiuesit Gjon Keka mbi gjenealogjinë kastriotiane (skënderbegiane), duke vulosur përfundimisht dy të vërteta të mëdha historike.
Së pari, statuti i Urdhrit Kalorësiak të Shën Gjergjit (Brescia, 1677) vërteton dokumentarisht se Gjergj Kastrioti dhe Kryeipeshkvi Pal Engjëlli ishin kushërinj të parë të një gjaku („consanguineo”), duke treguar se shpata dhe diplomacia arbërore e shekullit XV drejtoheshin nga e njëjta bërthamë familjare me gjak perandorak. Po ashtu, ky dokument zyrtarizon faktin se Europa e njihte Gjergj Kastrioti (Skënderbeun) me titullin suprem monarkik si „Rè dell’Albania” (Mbret i Arbërisë – sot Shqipërisë), titull i sanksionuar nga Roma dhe Papa Piu II.
Së dyti, dokumentet akademike jezuite të Universiteteve të Linzit dhe Dillingenit zbulojnë dimensionin e panjohur të Skënderbeut si shtetformues dhe ligjvënës modern. Në këto traktate juridike, profesorët europianë e marrin Gjergj Kastriotin si shembullin suprem të një monarku që fshiu me guxim zakonet e prapambetura anarkike për të vendosur rendin e shkruar ligjor dhe arsyen (Ratio), duke e krahasuar atë me Orlandon e famshëm epik. Këto zbulime rrëzojnë çdo tentative për të zbehur madhështinë e shtetit të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), duke provuar se Arbëria e asaj kohe ishte një Mbretëri Legjitime plotësisht e integruar në mendimin juridik dhe politik europian.
