22/12/2024

EDHE UNË JAM PJESË E POPULLIT TË IBRAHIM RUGOVËS

0
Rexhep-Shahu-Rugova

NGA REXHEP SHAHU

“Jam i lumtur që flas para popullit të Ibrahim Rugoves, që i mungon Kosovës, Europës e botës”, u shpreh një natë në Fribourg, Bernard Wicht profesori zvicerian për cështje të sigurisë, ligjërues në Universitetin e Lausannes, autor i një libri mbi ndërhyrjen e Natos kundër Jugosllavisë për lirinë e Kosovës.

Në 25 vjetorin e lirisë së Kosovës dhe 34 vjetorin e LDK së Ibrahim Rugovës, partisë së parë antikomuniste, ose akademisë së parë politike antikomuniste në Europën juglindore, në Fribourg të Zvicrës në një tubim mirënjohës me rreth 500 të pranishëm kryesisht të rinj që kanë lindë atje por që e duan Kosovën atdhe, mu dha rasti të përshëndes pas profesorit zvicerian.

Insititucioni i mirënjohjes që e ka ngritë Ibrahim Rugova mbi urtësinë pullore se nuk mbahet shtëpia pa miq është i magjishëm dhe unë përmenda disa misionarë, miq të Kosovës me të cilët lartësohet Kosova po t’i nderojë, të cilët janë në librin tim Lufta ime për Kosovën si: Rupert Neudeck që nga Qafa e Prushit në Has alarmonte Klaus Kinkelin e Gjermaninë në 1998 kur “po digjeshin prej serbëve shtëpiat e shqiptarëve e dojcmarkat gjermane”; zviceriani Daniel Endres i UNHCR që drejtoi operacionin humanitar për pritjen e sistemimin e 460 mijë shqiptarëve të dëbuar të Kosovës që mbërritën në Kukës në 1998-1999; australianin Andrew Harper të UNHCR, që me Xhemil Shahun në qershor 1998 mbushnin pagure plastike me ujë dhe i conin e vendosnin me duart e tyre nëpër shkurre në Padesh në kufirin mes Kosovës e Shqipërisë që t’i gjenin shqiptarët e dëbuar që iknin prej rajonit të Decanit e vinin në Tropojë; kolonelin anglez Bill Foxton, shef i OSCE në Tropojë në 1998, një përkrahës i madh i Kosovës dhe të drejtës së saj; engjëlli i Mostarit, zonja Sally Becker që kishte shpëtuar 250 fëmijë nga dhuna serbe në Mostar të Bosnjës dhe erdhi në Tropojë të ndihmonte fëmijët e Kosovës në verë 1998 por një kriminel i doli para në rrugë në mes të qytetit Bajram Curr dhe duke e pyetë, ”në cilën këmbë të ta bëj një vrimë me plumb”, e qëlloi me plumb në këmbë por ajo misionare e madhe, të cilës ia shpëtoi këmbën e jetën Bill Foxton, deklaroi para mediave se “mua nuk më kanë qëlluar shqiptarët”; autoritetet gjermane të cilët këmbëngulën që shqiptarët e Kosovës të mos largoheshin prej Shqipërie, të rrinë afër në fshatrat e Durrësit, për t’u kthyer në Kosovë, pasi sipas tyre “nuk na duhet Kosova pa shqiptarë”…

Zyrtarët e Kosovës kanë dhënë mirënjohje me lopata, u janë dhënë mirënjohje në stilin komunist shumë enveristëve, por disa misionarë meritorë të paqes shqiptare nuk janë nderue.

U ndjeva krenar që jam pjesë e popullit të Ibrahim Rugovës. Nuk e kisha dëgjuar për askënd të thuhej populli i këtij apo atij, për asnjë udhëheqës tjetër një nder të tillë.

Mes emocioneve që përjetova thashë në tubim se i kanë bërë atentate për ta vra Rugovën por e ka ruajtë makina dhe liliputi gjigant që e shpalli tradhëtar Rugovën në hotel Rogner në Tiranë në konferencë shtypi, po mbahet në burg nga frika se mos vret veten nga pendesa për cfarë i ka bërë Rugovës.

Mu kujtun deklarimet e Rugovës para e në kohën e luftës, krijimi prej tij i institucioneve e ministrive, i shtetit paralel, refuzimi prej tij i shtetit serb, marrëveshja e tij me Ramiz Alinë për me përgatitë trupa të Kosovës në Shqipëri, deklarimet e Sali Cekajt që drejtoi këto trupa, ushtarakut e politikanit më të artikuluar që kam njohur në kohën e luftës, që thoshte se askush nuk ka thënë se çeshtja e Kosovës do të rrezikohet për hir të politikës paqësore dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës janë ushtri e Republikës së Kosovës, mu kujtuan dhjetra e dhjetra ushtarë të UCK që i pyesja për Rugovën e ata qartë më thonin “të LDK jemi, të Rugovës jemi” dhe kërkonin të hynin në luftë të komanduar nga oficera profesionistë. Dhe nuk kam pyetë pak ushtarë si gazetar që nga fillimet e 1998, në Tropojë, Has, Kukës. Shumica Rugovën përmendnin, nuk njihnin emër tjetër.

Para atij tubimi madhështor shkurt shpreha frikën që kam patur e kam se po fallsifikohet e shëmtohet historia e luftës dhe pasluftës për Kosoven me veteranë, deshmorë, me familje deshmorësh, me baza lufte me pllaka që vendosin për biznes e vota nëpër shtëpia të ndryshme fshatarësh në Kosovë e në fshatrat kufitarë të saj, me beteja të lavdishme imagjinare ku janë fituar humbje të mëdha si në tragjedinë e Pushtrikut mes Lubizhdes e Kushninit, të 14 dhjetorit 1998, ku nga 150 ushtarë të UCK që po hynin në Kosovë, 41 u vranë në pritë prej serbëve bashkë me komandantin Mujë Krasniqi, 9 u kapën rob prej serbëve, 50 hynë në Kosovë e 50 u kthyen mbrapsht në Vlahën, e sipas stilit serb, kjo tragjedi këndohet si fitore. Kam patur e kam frikë se po përsëritet e kopjohet Shqipëria e luftës vëllavrasëse partizane, Shqipëria enveriste e pas Luftës së dytë botërore me fallfifikime që shumohen e pjellin të pavërteta. Tani që nuk është më Ibrahim Rugova, rreziku i fallsifikimit vetëvrasës të së vërtetës është më i madh. Ne asnjëherë nuk e lexuam drejt e saktë atë që na tha predidenti Klinton në Ferizaj, ne luftën, ju paqen, do të thotë që Amerika e Nato e fituan luftën për Kosovën e ne shqiptarët duhet të fitojmë paqen. Kosova vazhdonte të kërcënohej dhe për herë të dytë në histori (vështirë të ketë herë të tretë) vjen për shqiptarët në rajon presidenti tjeter amerikan në detyre Bush i ri dhe nga kryeqendra e shqiptarëve, Tiranë tha, mjaft është mjaft, Kosova e pavarur dhe Shqipëria në NATO. Dikujt iu shuan orekset, dikujt i ranë dhëmbët në tokë. Pastaj shumë shqiptarë që nuk i ishin gjendë Kosovës, filluan të bëjnë trimin para grave në shtëpia e në telefonat celularë ku me fjalë tentojnë ta bëjnë luftën që nuk e kanë bërë… e të thonë se Amerika na ka clirue për interesat e veta… Ndërkohë ne paqen e kemi të vështirë ta fitojmë se bëjmë luftë pas lufte me fjalë, pas lufte…

Pse është i mahnitshëm adhurimi për Rugovën edhe nga njerëz e breza që nuk kanë jetuar në gjallje të tij ose kanë qenë fëmijë në gjallje të tij. Sepse ai është luftëtari e fituesi më i madh i betejave më të vështira për Kosovën.

Rugova krijoi shtetin e Kosovës ne mendjen e njerzve, shtetin ne mend. Dhe e fitoi këtë betejë madhështore. Si herbrejte që gjithmone menduan për shtetin e tyre edhe pse ishin te debuar e te derdhur botes. Hebrejtë dhe shqiptarët e Kosovës janë deri sot dy popuj që ndërtuan, ruajtën e mbajtën shtetin në mendjen e tyre. Duke e patur të krijuar në mend shtetin shqiptarët e Kosovës kudo që ishin, financuan vullnetarisht për shtetin e Kosovës 3 përqindëshin e pagave të tyre per të mbajtë shtetin dhe jetën e njerzve, për të mbajtë arsimin, shëndetësinë, dhe gjithë funksionimin e shtetit të Kosovës. Por ndërkohë i rritën fëmijët e tyre me dashuri për Kosovën, fëmijët e tyre panë vetë angazhimin e prindërve për Kosovën që pagesat i bënin vetë vullnetarisht, duke u bërë kështu aksionerë në shtetin e tyre.

Për ta bindë botën se Kosova duhet ndihmuar nga perendimi dhe se Kosova nuk është vend islamik sic e bëjnë dhe paraqesin serbët fuqishëm, Ibrahim Rugova mysliman, me emrin Ibrahim, cdo ditë të premte, dita e faljes për myslimanët, për shumë e shumë vite pa pushim, pa u lodhë, si pika në gur, deklaronte si profet thënien e famshme të njohur në gjithë gjuhët e planetit, “Kosova e lirë, e pavarur, e hapur njëlloj si për Serbinë si per Shqipërinë, e integruar në BE e NATO dhe në miqësi të përjetshme me SHBA”.

Teksa deklaronte këto fjalë, gjithmonë pa asnjë ndryshim, pa u lodhë kurrë, në sfond kishte gjithmonë fotografinë e Papë Vojtilës, të Nënë Terezës shenjtore e paqes e të Naim Frashërit poet kombëtar shqiptar, bektashi.

Simbolika ishte e jashtëzakonshme dhe mencuria e tij që kishte zgjedhe këtë sfond ishte e pacak. Me këtë ai shpartalloi akuzat shekullore serbe se Kosova është vend islamik dhe nuk duhet ta përkrahë perëndimi. Sa ishte Rugova nuk ekzistonte islami turk a arab që sot përleshën mes tyre në Kosovë, por Kosova ishte para fesë, pas vdekjes së tij edhe në ISIS shkuan shqiptarë. Dhe u bë garë kush po i bën më të larta minaret e xhamiave tuke a arabe kur edhe Stambollin e zbukurojnë xhamiat e arkitektëve shqiptarë. Që nga 1920 myslimanët shqiptarë njohin Zotin, profetin Muhamet, por nuk njohin varësi të fesë së tyre islame në Turqi e askund, faljen e lutjen e bëjnë shqip se edhe shqipja është gjuhë e zotit. Rikthimet e varësisë tek Turqia apo gjetkë janë biznese të flliqta argatësh shqiptarë në dëm të shqiptarëve dhe pavarësisë së tyre kombëtare.

Me filozofinë e tij, qendrimet, deklarimet e trimerine e tij Rugova krijoi e bindi shume miq ne politiken e diplomacine boterore, bindi edhe me skeptiket se shqiptarët i takojnë oksidentit dhe islamizimi i tyre ka qenë me zor me kërbac e kulaq.. Ishin shinat që i vendosi shtetit të Kosovës arkitekti i saj, Rugova. Ai kishte dijen, fuqinë dhe magjinë që t’i bindte miqtë dhe bashkëbiseduesit, atij i kishte hije këmbëngulja sepse argumentet i tij ishin bindëse dhe nuk bënte biznes pushteti me bindjen e tij, pasi mund t’ia hiqnin kryet por nuk ia ndryshonin dot bindjet e qëndrimin per Kosovën.

Ai nuk polemizoi me askënd në udhën e tij se nuk kishte kohë as gurë të hidhte mbi cdo lehës pasi po merrej me krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Tash që nuk është fizikisht por na qëndron mbi kokat tona, njerëz të ndryshëm që kanë punuar me të në funksion të misionit të tij ndonjëherë na shfaqen si mentarë të tij. Ai nga qielIi buzëqesh e na thotë ndashtë. Njerëz që kanë frikë nga e kaluara e tyre enveriste që kanë spiunuar e përgjuar gjithë jetën e u kanë dalë kokërdhokët e syve duke vëzhguar, vuajnë që nuk ua përmendi askund asnjëherë emrin Ibrahim Rugova por i refuzoi me shpërfillje.

Ishte i udhëheqësi i shqiptarëve që ia kishte vrare baben Serbia dhe këtë edhe pse mund ta harronin të tjerët ai nuk e harroi kurrë.

Më shumë se e cdo individ tjetër Ibrahim Rugova e sensibilizoi botën me realitetin e dhunës serbe në Kosove dhe e bindi botën përkundër propagandës serbe. I krijoi miq Kosovës që nuk i ka patur kurrë dhe e bëri Kosovën axhendë të miqve të saj.

Ibrahim Rugova nuk ka patur armiq personalë, nuk ia ka dhënë askujt kënaqësinë ta quajë armik, armiqtë e tij kanë qenë vetëm armiqtë e Kosovës.

Enveristët edhe 25 vjet pas lirisë së Kosovës vazhdojnë ta luftojnë Rugovën vetëm pse ai nuk i ka përfillë kurrë, vetëm pse ai si udhëheqës i Kosovës nuk e nderoi as për së vdekuri Enver Hoxhën te varri i tij në Tiranë. Me sjelljen, qendrimet e politikën e tij konstante, me trimërinë e pashembullt në gjithë betejat politike ai e goditi enverizmin në Kosovë.

Ibrahim Rugova, njeriu, lideri vizionar i papërsëritshëm i Kosovës nuk ishte në shërbim të askujt, të asnjë individi në planet, të asnjë shteti, organizate a grupi, të asnjë miku a lideri botëror, ishte vec në shërbim të Kosovës si askush në mënyrë konstante, të qëndrueshme, të pakthyeshme. Nuk hoqi dorë kurrë nga pavarësia e Kosovës për asnjë cmim. Edhe kur zotat e botës i thonin a ofronion cfarë të donte, ai me përulësi të pashembullt e stoicizëm të pashoq pohonte sikur nuk dinte fjalë tjetër, sikur i kishte harruar gjithë fjalët e tjera të gjuhëve dhe artikulonte vec fjalën pavarësi për Kosovën. Natyrisht që ishte trimëri që të mos ndryshonte kurrë asnjë germë as presje nga deklarimi i tij, kërkesë e pa ndryshueshme dhe e panegocueshme “Kosova e lirë, e pavarur, e hapur njëlloj si për Serbinë si per Shqipërinë, e integruar në BE e NATO dhe në miqësi të përjetshme me SHBA”.

Ibrahim Rugova është nismëtari i Deklaratës të Pavarësisë të 2 korrikut 1990, i Kushtetutës të Kaçanikut, më 7 shtator 1990, i zgjedhjeve të para pluraliste e demokratike si dhe i zgjedhjes së tij President i Republikës parlamentare të Kosovës; Shumë thonë unë, unë. Po Rugova ishte në krye dhe ai nuk tha kurrë unë, po ne, dhe ai nuk tha, ai bëri.

Refuzoi te hynte ne lojen e cicmiceve me deklarata e kunderthenie me kritikë e qortues, i pa të gjithë gjithmonë me sytë e Zotit, nuk pati kurre kohe e deshire te polemizonte me askënd por te luftonte vec per Kosoven.

Rugova nuk ndaloi kurre askend me u ba trim, nuk ndali askend me luftue per Kosoven, nuk ia hoqi askujt pushken nga dora, nuk ndali askënd me shkue në luftë. Por duke dite se Kosova ishte e pushtuar nga Serbia, duke e dite se Serbia ishte shtet militar dhe Kosova pa arme e me shume më pak popullsi se Serbia e cila nuk bën luftë por bën masakra sic ndodhen, masakra ndaj civileve shqiptare ai mendonte se me mbete gjalle eshte më shume trimeri e me shume dobi per atdheun se sa me vdeke.

Avokatoi si askush për UCK duke thënë se shqiptarët po mbrojnë pragjet e shtëpive të veta.

Qotuesit e Rugoves jo balle per balle tij, gjejne guxim e shfaqen se i kane dhene mend Rugoves. Patjeter qe ai ka patur perulesine te mesoje nga te gjithe por nuk i ka ike e as i eshte fshehe askujt dhe nuk ka fole pas shpine per askend.

Dy theniet me te famshme, ajo e ambasadorit Kristofer Hill qe tha se: Rugoven e prisnin dhe e takonin njerzit si te ishte Pape dhe e lordit Robertson ish shefi i NATO qe tha se Kosova eshte kjo qe eshte fale Rugoves dhe Amerikes, e lartësojnë Rugovën e na bëjnë nder gjithë ne shqiptarëvë që shijme fjale ndersa presidenti Rugova vazhdon te na prijë.

Bash se ishte i semure me guxim i tha në publik Bekim Femiu, kryeartisti shqiptar, se i ke koqet deri n’fund t’kamve… per deklaratat e Rugovës ne Serbi në kongresin e shkrimtarëve jugosllavë e ne shtypin e huaj si në “Der Spiegel” në qershor 1989 ku tha se “Nëse Serbia edhe më tutje përpiqet të shtypë identitetin tonë kombëtar, do të ketë kryengritje. Vetëm mund t’i paralajmëroj serbët: edhe ata janë një popull i vogël”. Komandantat kanë qenë fëmijë atëhere dhe asnjë enverist nuk ia ka thënë një deklaratë të tillë Serbisë në mediat botërore. Në këtë kohë enveristët heroj e patriotë shkonin deri te ambasada e Tiranës në Beograd nën vëzhgimin e serbëve e luftonin për Kosovën me broshurat e Enver Hoxhës që i fshihnin në gji…

Rugova ishe guximtar, që e bëri guximtarin nuk e tha. Ai nuk iku, s’u fsheh si mi arash e shkurresh, si komandant dimiash, prrojnash e malesh.

Kanë shkrue se e tradhetoi ënderrën e bashkimit kombëtar dhe krijoi Kosovën shtet të pavarur. Qëllimi i tij final ka qenë bashkimi. Po për tu bashkue duhet me qenë se pa qenë nuk mund të bashkohesh. Duhej bërë Kosova shtet, duheshin bërë dy shtete shqiptare dhe pastaj është në dorën e tyre bashkimi me përkrahje fuqish të mëdha, nëse do të duan enveristët e Shqipërisë. Ai ishte kundër atyre që gjysmën e Kosovës ia jepnin Shqipërisë për bashkimin kombëtar e gjysmën Serbisë…

Çdo lëvizje që maten dhe që bëjnë njerëzit në Kosovë vetë pyesin vetën në heshtje, çfarëdo të thoshte presidenti Rugova i cili është i pranishëm në gjithë frymëmarrjen e Kosovës. Edhe kundërshtarët iu përkulën.

Presidenti Rugova tashmë është në rolin e shenjtit, ai është shndërruar gradualisht në shenjt, ashtu e shohin dhe e konsiderojnë njerëzit normalë të botës shqiptare por dhe më gjerë.

Unë vetëm njëherë e kam takue presidentin Rugova me ndërhyrjen e mikut tim Skënder Zogaj. Dhe mbetet e pashlyeshme e pazhbëshme mbresa dhe impresioni që me dhuroi. I dhashë në presidencë librin tim “Misioni për paqen”, libër me intervista me personalitete të huaja e shqiptare që kanë qëndruar në rajonin e Kukësit në vitet 1998-1999. U ngrit në këmbë dhe u shpreh me solemnitet: Në emrin tim e të popullit të Kosovës të falënderoj për kontributin mediatik për çështjen tonë kombëtare. Përjetova emocione të forta. Rrija duke e parë, isha në krahun e tij të majtë. Fotografët e njerëzit që ishin përballë, bënin shenje e thirrje me zë të ultë të shikoja nga ata, të shihja përpara. Isha si në ëndërr. Unë shihja nga presidenti, e shihja në fytyre, isha i mahnitur prej tij dhe prej nderimit që më bëri. Derisa u detyrua vetë ai e me tha, duke më shtrënguar dorën si ndonjë udhëheqësi të madh, Rexhë, shih përpara nga kamerat. Atëherë unë pashë përpara nga fotografët dhe ato caste më janë bërë fotot më të bukura, që për fat të keq nuk i kam të gjitha as ato më të bukurate as nuk po i gjej dot. Me futi në dhomën e kristaleve. Ishte një mahnitje ajo dhome, ajo pasuri që ka Kosova por unë atëhere e sot mendoj se xhevahiret më të mëdhej e të cmueshëm të Kosovës janë rinia e saj, populli i saj, populli i Ibrahim Rugovës dhe për cudi nuk më mahnitën ato gurët e ndritshëm që vizllonin por e shihja gjithë kohën në sy e fytyrë i mahnitur presidentin Rugova.

Një nga betejat më të ashpra e intelektuale të Rugovës kundër serbëve është se ai doli në shesh të mejdanit krah për krah me e kolosin Pjetër Bogdani që si askush e trazon shpirtin e ndërgjegjën serbe. Shqiptari Pjetër Bogdani dijetar, teolog, komandant ushtarak, lider, udhëheqës, që e kanë cilësuar Skënderbe të mendimit, intelektual e prijës luftarak që serbët i trondit në gjumë dhe zgjuar nga urrejtja ndaj tij ua hodhën qenve eshtrat e tij që ia nxorën nga varri në Prishtinë.

Rugova duke i kushtuar shumë energji intelektuale e dije këtij kolosi shqiptar sfidoi edhe ata që e kundërshtonin e që mbronin romantizmin e Naim Frashërit të cilin nuk e kërcënoi as e ndaloi kurrë Serbia në Kosovë.

Përballja e tij me Milosheviqin në gjyqin e Hagës dhe mbrojtja që i bëri UCK ishte një triumf për Rugovën, ishte një betejë që do ta lakmonte cilido i gjallë që mendon se ka luftuar për Kosovën.

Ibrahim Rugova edhe në kohën e luftës edhe në kohën e sëmundjes ishte dhe mbeti trimi më i madh i politikanëve shqiptarë sepse nuk e lëshoi Kosovën e popullin e tij, nuk iku të strehohej në vilat e Enver Hoxhës në Tiranë, nuk kërkoi azil politik askund (as ai as ministrat e qeverise së tij) se nuk ishte mi shkurresh e hajn fondesh të Kosovës në Zvicër e Gjermani si enveristët që janë gati të shkrijnë pasurinë e vjedhur vetëm t’ua ketë përmendë emrin diku Rugova.

Nuk u shtri në shtrat spitali të priste vdekjen. Dha një shembull të madh guximi e trimërie. E priti vdekjen në punë, në detyrë,

Betejat e lufta e Rugovës për Kosovën nuk krahasohet me askënd e asgjë. Ushtarët janë ushtarë, ka Kosova ushtarë lirie trima që kanë bërë beteja të jashtëzakonshme me armë, janë sakrifikuar vetë e kanë sakrifikuar familjen.

Adem Jashari me vëllain Hamzin e 20 pjestarë të familjes së ngushtë u vra ne nisje te luftes si hero që frymezoi qëndresë si askush tjetër si ata, u vranë duke mbrojtë pragun e shtëpisë së tyre, bënë betejën e tyre, bënë epopenë e familjes shqiptare jo epopenë e UCK. Nuk shkoi me i dale zot askush Ademit e Hamzit kur ata patën nevojë, nuk shkoi me vdeke me ta askush përvec dajës Osman Geci që e lartësoi dhe njëherë institucionin e dajës, më tregonte Bekim Hamz Jashari kryetari i komunës Skënderaj. Ata që nuk iu gjenden Ademit, e shpallën pastaj komandant të UCK pas vdekjes kur nuk ka qene Ademi asnjehere komandant i UCK se atë kohë nuk ka patur ende UCK legale e funksionale. E shpallën legjendar, kur ai nuk është legjendar por është një person real, konkret, historik që ka jetuar në kohë historike, në kohën tonë, me njerez që janë gjallë, por historia, qendresa e tij si e askujt e vrasja e tij, shumekujt i dukej si ngjarje e huaj, në Tirane,si lajm nga bota. Deshmitë e para për masakrën serbe ndaj familjes Jashari i ka dhënë gazetari amerikan Filip Smaker një muaj pas masakrës, se shtypi i Tiranës deri në atë kohë përkthente lajmet nga rusishtja e serbishtja.

Betejat e Rugovës janë beteja udhëheqësi jo ushtari e gjenerali, janë beteja me ide shtypëse, me teza, ideologji, me aleanca, me politika, strategji. Kushdo që e bën Rugovën ushtar a komandant, kushdo që e kërkon me automatik në dorë e me cizmet e Enver Hoxhës veshur, tregon mos dije e mjerim të thellë. Rugova u mësoi njerzve durimin, qëndresen, guximin, trimërinë, lirinë, dashurinë për Kosovën, e mbolli Kosovën në mendjen e cdo shqiptari dhe prandaj ajo nuk vdes kurrë. Flota ajrore e Amerikës dhe NATOs që luftoi 78 ditë në qiell me dëbue Serbinë prej Kosove, iu bë ushtri lirie vendit të tij, Kosovës dhe ende Amerika e ushtria e NATOs vazhdon ta mbrojë e sigurojë Kosovën pavarësisht kërcënimeve e mburrjeve patriotike të micsokolave shqiptarë nëpër telefona celularë nga jetojnë nëpër vende të ndryshme të botës.

Rugova nuk po zevendesohet dot, nuk po iken dot, nuk po e lejojnë shqiptarët e Kosoves Rugovën me ikë edhe sot e kësaj dite.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok