21/12/2024

Eagle Ranch, fole e shqiponjave në Koshutan!

0
Zeqa-Rugove2

Fotoreportazh nga Rugova 2!

Shkruan: Florim Zeqa

Më tepër se përgjigje ndaj një ftese për pjesëmarrje në inaugurimin e Restoranit, ishte motivi i  një respekti dhe mirënjohje të veçantë që kemi ndaj kësaj familje atdhetare me tradita të pastra kombëtare, të familjes Muriqi, tek e cila, familja ime gjatë periudhës së luftës çlirimtare ka qëndruar për disa muaj rresht. Në familjen e Malë Muriqit (vëllait të Ramizit), familja ime përveq pritjes së ngrohtë vëllazërore e ka shijuar qetësinë shpirtërore ngjashëm sikurse në shtëpinë dhe truallin e saj në Bokshiqin e bërë shkrumb e hi nga barbarët serb.

Kështu pra, si rezultat i familjarizimit me familjen Muriqi, diku rreth orës 10 të, të së shtunës së 31 Korrikut 2021, së bashku me vëllaun Ismetin vendosem të nisemi për Koshutan, në vendin ku do të bëhej inaugurimi i Restoranit Eagle Ranch.

Me t’u nisur grykës së Rugovës hasëm në kolona të gjata të veturave që ishin nisur për të njëjtin destinacion. Meqë ishte vapë e madhe dhe “Crysleri” amerikan nuk ishte mësuar t’i përballoj një rruge me tapjeta të gjata, e bëmë një pushim të shkurtër tek burim i një uji që rrjedhte nga thellësia e bjeshkës për t’u freskuar. Në atë moment aty arriti edhe makina e vëllëzërve Fetah dhe Shaip Rudi, ku më pastaj vazhduam rrugën deri në majen e Koshutanit pitoresk.

Me të arritur aty, në hyrje të hapësirave të Restoranit Eagle Ranch u mirëpritëm nga nikoqiri Ramiz Muriqi, familjarët dhe stafi organizativ i këtij evenimenti inaugurativ, të cilët na akomoduan në një vend të përshtatshëm, ku kishim mundësi të shijonim bukuritë e natyrore të kësaj treve të pasur të Rugovës.

Edhe përkundër të ngrohtit ekstrem që mbretëronte atyre ditëve, ne në Koshutan shijonim freskinë e pishave të larta dhe erën e freskët që vinte si aromë pranverore, plotë shpresë dhe gjallëri, e shoqëruar nga cicërrima e zogjëve dhe blegërima e bagëtive luginave dhe shpatijeve të gjelbëruara të bjeshkëve të Koshutanit.

Ardhja e mysafirëve nuk kishte të ndalur, dalëngadalë u mbushën të gjitha tavolinat me miq dhe dashamirë të Ramizit dhe familjes Muriqi, të cilët kishin ardhur nga të gjitha trevat e Kosovës.

Në mesin e mysafirëve kishte miq dhe bashkëluftëtarë të Ramizit, politikan, artist, gazetarë,  analist, muzicient, këngëtarë dhe vallëtarë të Grupit Autokton Rugova të cilët e madhështuan në plotninë e saj ceremoninë festive të inaugurimit të Restoranit Eagle Ranch.

Pas prerjes së shiritit inaugurues nga personalitete të shquara të jetës publike dhe private, fjalën e mori nikoqiri dhe pronari i restoranit, z. Ramiz Muriqi, i cili i përshendeti të gjithë të pranishmit me këto fjalë; “Të dashur miq, mysafir të nderuar mirë se kini ardhë, ju falenderoj nga zemra për pjesëmarrje në këtë inaugurim, argëtim të mirë dhe me të mira ua kthefshim të gjithëve, Zoti ju bekoftë!”.

Njëherit pas kësaj fjale përshendetëse filloj dreka e pasur me ushqime tradicionale rugovase e përgatitur nga kuzhina e Eagle Ranch dhe pije nga më të ndryshmet, të përcjellura me këngë patriotike nga këngëtari i mirënjohur Shaban Demaj dhe grupi i valleve autoktone nga treva e Rugovës.

Në fund ia vlenë për të theksuar se, afaristi Ramiz Muriqi, me të filluar lufta në Kosovë, bashkë me vajzën e tij 16 vjeçare, Elinda Muriqi (ish trupëroje e presidentit Rugova) nga Amerika erdhen në Kosovë dhe ju bashkangjitën radhëve të ushtrisë çlirimtare të vijës institucionale. Ramizi ishte komandant i Shtabit Rajonal të Rugovës (i formuar nga vet ai), nën udhëheqjen e Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), Presidentit Ibrahim Rugova. Asokohe ka punuar në Resorsin e Mbrojtjes në Pejë, e cila për detyrë e kishte mbrojtjen e shkollave shqipe nga paramilitarët dhe huliganët serbë. Komandant Ramiz Muriqi në Rugovë kishte dalë me rekomandim të Kolonel Ahmet Krasniqit dhe Rrustem Berishës, duke qenë komandant operative në Rugovë deri në rënjën e Dukagjinit, për të kaluar më pas në Shqipëri në përcjellje të Tahir Zemajt dhe Nazif Ramabajës. Me të arritur në Shqipëri, me Tahir Zemajn e formojnë Brigadën e famshme Mërgimi (pseudonimi i Ilir Konushevcit), e cila ka qenë e përgatitur në mënyrë profesionale me ushtarak të shkolluar me akademi ushtarake. Kjo brigadë ka qenë e gatshme për luftë dhe ishte në pritje të urdhërit, por në ndërkohë hynë forcat e NATO-s dhe bashkë me ta edhe Brigada Mërgimi e cila e ka bërë pastrimin e Pejës dhe rrethinës nga hordhitë serbe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok