E KAM TAKUAR SKËNDER DAJËN
Nga Kolec P. Traboini
Duhet të ketë qenë jo më shumë se 14 vjeç kur e kam takuar Skënder Dajën në qytetin e Nxënësve në Tiranë, martirin dhe heroin që do ta ekzekutonin në revoltën e Spaçit në moshën 23 vjeçare. Asokohe isha në shkollën Pedagogjike 2-vjeçare për mësues dhe kjo shkollë ishte në të njëjtën godinë me Shkollën e Kulturës, një ndërtesë e vjetër kjo që kishte shërbyer si kazermë ushtarake me emrin e Ali Rizait. Se kush kish qenë ushtaraku Ali Rizai kurrë nuk e mësuam, por emrin e tij gjithnjë e përmendnim. E ka dikush ndonjë fat të tillë, t’i mbetet emri duke mos bërë hiçmosgjë, vetëm rreshtore me rekrutët e rinj të ushtrisë, ndërkohë që paradoksalisht martirët e heronjtë edhe mund të harrohen.
Meqenëse kisha kaluar disa vjet në Shtëpinë e Fëmijëve në Shkodër e nuk kisha asnjë ndihmë financiare si mbështetje, konvikti na siguronte veshmbathje e disa shpenzime të vogla. Ne të shtëpisë së fëmijëve kishim një farë miqësie e solidariteti mes vedit për shkak të një fati të përbashkët. Shumica ishim jetimë, pa prindër e pa përkrahje. Mbaj mend se nga të shtëpisë së fëmijëve në shkollën tonë ishte edhe Eduard Aliu nga Durrësi, Kiço Babi e Katerina Papa nga Saranda, Elefteria Kapsali minoritare dhe Gëzimi Isufi.
Një herë Katerina që ishte si motra jonë e më quante vëlla, më afrohet e më thotë se do të njoh me një shoqen time që është edhe ajo e shtëpisë së fëmijëve e ne duhet të kemi përkrahje për njëri tjetrin. Atë kohë në shkollën e kulturës mbaj mend të ketë qenë edhe Tonin Tërshana. Ndoshta koleges sime gazetare, me të cilën kam qenë në një klasë, Zenepe Çekrezi-Luka do ti kujtonte më mirë këto njerëz e këto ngjarje.
Në një nga pushimet e pasdites më afrohet Katerina me një vajzë me fytyrë të vogël, të qeshur, një natyrë gazmore dhe e shkathët me të cilën u miqësuam menjëherë.
– Kjo është Engjëllushja- më tha Katerina. Dhe shtoi – Është si ne.
Katerina me këtë donte të thoshte se na bashkon fëminia e vështirë. Engjëllushja, kjo vajzë e shkathët, e sinqertë e gazmore kishte një zë shumë të bukur dhe sa herë që të dy shkollat bënim mbrëmje të përbashkëta vallëzimi apo veprimtari, këndonte. Kush si ajo. Ne ishim aq të gëzuar kur këndonte Engjëllushja. Brohorisnim. Edhe Engjëllushja ngazëllente. Ishte vajzë lozonjare dhe falë talentit e lumtur.
Kisha parë të vinte në oborrin e shkollës, aty ku ndodhej një rrap shekullor dhe ishin çezmat e ujit, një djalë adoleshent që kërkonte të takonte këngëtaren e shkollës sonë. Ishte i vëllai, Skënderi. Ai ishte një djalë i urtë me sy inteligjent, plot gjallëri, por që rrinte i tërhequr në botën e vet. Priste aty në stol nën hijen e rrapit sa dilte Engjëllushja nga ora e mësimit, e takonte dhe ikte shpejt.
Ndoshta kurrë nuk do të më sillej në kujtesë ky takim, se të tilla ndodhin shpesh e harrohen, sikur ky i ri të mos kishte një fat tragjik. Do të ekzekutohej nga diktatura ashtu siç i kishin ekzekutuar babain Qemal Daja në vitin 1953 kur Skënderi ishte vetëm 2-vjeç.
Mbas mbarimit të shkollës ne u shpërndamë për të mos u bashkuar më kurrë me njëri tjetrin. E për të mos u parë gjithashtu.
Rasti me çoi të shkoj në verën e vitit 1965 në Korçë ku u mblodhën tërë fëmijët e shkollave të mesme të Shqipërisë që ishin të Shtëpisë së Fëmijëve. Por Engjëllushe Daja nuk erdhi atë vit me ne. Aty pata rast të njoh shumë prej tyre, nga Saranda, Durrësi, Shkodra. Mbaj mend edhe Jolanda Prekën- Shala që ishte e shtëpisë së fëmijës dhe ajo e më pas do të bëhej një aktore e shquar në Estradën e Shkodrës.
Do të kalonin pak vjet kur rasti e solli të dëgjoj në radio sërish zërin e Engjëllushe Dajës. Ajo tanimë ishte aktivizuar në një trupë artistike dhe merrte pjesë në veprimtari artistike kombëtare. U bë një këngëtare e njohur dhe mua më vinte mirë. Por një ditë dikush më solli një lajm që më trishtoi. Engjëllushja nuk mund të këndonte më. Pyeta dhe ma thanë shkakun. I kishin dënuar vëllain për arratisje. Por më pas akoma, kur isha me studime Unversitare do të merrja një lajm tragjik. Vëllai i saj i burgosur, Skënder Daja, kishte qenë një nga organizatorët e revoltës së Spaçit. E kishin pushkatuar pas një gjyqi të improvizuar dhe pa kaluar as 24 orë nga dhënia e vendimit. Dhe ishte vende pa mbushur 23 vjeç.
Ndjeva një pikëllim të madh në atë kohë si për atë djalin e mbetur në kujtesën time tek vinte të takonte motrën në shkollë, por edhe kur mendoja për gjendjen e shoqes sonë të shkollës Engjëllushe. Çfarë fati i tmerrshëm. Nuk mjaftoi fëmijëria plot travajë, por edhe pushkatimi i vëllait e më pas humbja përgjithmonë e të drejtës për të kënduar. Por edhe sikur të lihej, si mund të këndonte ajo për ata që kishin ekzekutuar vëllain e saj të cilit nuk ia dinte as varrin.
Në kujtimet e tij për Skënder Dajën, Filip Gazulli nga New Yorku më shkruan:
“Kam qenë në Durrës me Skënderin, kurse me Petritin, vëllain e tij të madh kam qenë në Shkodër, dhe në Durrës. Engjëllushen e kam njohur prej tyre. Petriti ka qenë një djalë shumë bukurosh dhe i qeshur (shumë vjet më vonë e kam takuar në Tiranë me rroba bojaxhiu). Skënderi, ka qenë i talentuar këngëtar dhe kitarist, këndonte mirë sidomos këngët italiane. Ishim bashkë ushtarë në Linzë të Tiranës në 1969! Mbaj mend që i vinin shokë nga Tirana me kitarë dhe këndonin nën ullinjtë e Linzës. Kjo u ra në sy komandës, por unë ndërhyra (isha piktor dhe shkrues i repartit, repart pune se të gjithë ishim me biografi jo të mirë) i përzura shokët e tij dhe e mbajta afër. Mbas 7-8 muajsh e shkrinë repartin dhe i ndanë në disa reparte si në Ksamil, në një repart kuajsh, Tiranë dhe 2-3 reparte të tjera. Skënderin e caktuan për të shkuar në Ksamil. Sapo kishte nisur ndërtimi i plantacionit të Ksamilit dhe duheshin ushtarë për punë. Duke qenë se listat më ranë në dorë për t’i shkruajtur bukur, mu dha mundësia të bëja ndërrime emrash (këtë e bëra për ca shokë të mi), ndaj e pyeta Skënderin, bile iu luta, por më tha se ka shokët, dhe donte të ikte! Më ka mbetur peng pse nuk këmbëngula dhe nuk ia hoqa emrin nga ky repart dhe nuk e lashë në Tiranë.”
Në Ksamil të Sarandës thonë se mendoi të arratisej megjithëse ai nuk e pranoi të ketë bërë përpjekje. Ishte vetëm një mendim. Megjithatë e dënuan. Në gjyq Skënder Daja trimërisht kishte deklaruar se “Doja të këndoja me Adriano Çelentaon, sikur edhe rrugët e Romës të fshija!”. Më vonë morëm vesh se e pushkatuan në revoltën e Spaçit!
Koha solli ndryshime në jetën e atyre njerëzve që arritën të mbesin gjallë nga diktatura, por ata që u ekzekutuan nuk mund të ktheheshin më.
Engjëllushja ca vite punoi në Radio Televizion. Me gjithë dëshirën, për shkak se ndodhesha dy dekada jashtë atdheut, nuk arrita ta takoj asnjëherë. Përndryshe, ani pse në largësi, arrita të njoh atë pjesë të ngjarjeve të vitit 1973 që zhvilloheshin larg syve tanë, brenda telave me gjemba të burgjeve të tmerrshme komuniste.
Tashmë është bërë e ditur se Revolta e Spaçit erdhi krejt spontanisht. Njëri nga të burgosurit Pal Zefi ishte i sëmurë dhe gardianët kërkonin ta dërgonin të punonte në galeri ani pse ishte i pamundur. Kaq shumë ishte mbushur kupa e durimit të burgosurve sa ata shkas deshën për të shpërthyer. Gardianët urdhëruan, por asnjë i burgosur nuk pranoi të dilte në punë nëse e detyronin të sëmurin të futej në galeri. Ngjarjet u përshpejtuan, revolta u rrit, nisën të këndonin vargjet e këngës “Ja vdekje ja liri”, të thërrisnin “Poshtë diktatura!” dhe ngritën në dritare flamurin kombëtar pa yllin e kuq komunist që ishte simbol i dhunës së kuqe. Erdhën forcat speciale nga Tirana dhe revolta u shua. Deri në fund Skënder Daja kishte kënduar me kitare këngën “Ja vdekje ja liri”. Një bishë sigurimi me emrin Feçor Shehu u sul si egërsirë mbi të burgosurit e lidhur. Improvizoi një gjyq sa për sy e faqe, i cili dha vendimin fatal për të dënuar tre të burgosur me vdekje. Gjatë gjyqit Hajri Pasha foli plot trimëri, ani pse e dinte se Feçor Shehu që ishte edhe ai nga Mallakastra, do ta dënonte egërsisht siç kishte dënuar dhe njerëzit e tjerë të familjes së tij. E kështu listës iu shtua dhe Hajri Pasha.
Të dënuarve me vdekje Skënder Daja, Hajri Pasha, Dervish Bejko e Pal Zefi ju thanë se mund të bënin një kërkesë për falje. Ju ndezën një shpresë krejt të kot, sepse gjithçka ishte paravendosur. Të katër të dënuarit me vdekje u ulën e shkruan nga një letër lutje për falje jete drejtuar Kryesisë së Kuvendit Popullor.
Po atë mbrëmje u mblodh kryesia e Kuvendit dhe dha verdiktin mizor që të katër të ekzekutoheshin. Dhe po të njëjtën ditë në Spaç i morën katër të dënuarit, i ekzekutuan te ura e Fanit dhe i hodhën në një kamion ushtarak e i nisen drejt Tiranës për ti përdorur kufomat e tyre si kavie. Por spitali nuk i pranoi se kishin plot kufoma dhe i morën sërish e i groposen diku ku të mos gjendeshin më kurrë. Mizoria duhej të shkonte deri në fund. Kjo ndodhi në Burgun e Spaçit më 24 maj 1973.
Mbas vitit 1990 e shembjes së diktaturës, kriminelët kurrë nuk u dënuan, veç faktit se në vitet 1981-‘82, Feçor Shehu, ashtu si krimineli që e frymëzonte Mehmet Shehu përfunduan me nga një plumb në kokë, të dy si tradhtarë, sepse viktima nuk mund t’i quash këta xhelatë të pamëshirshëm e hiena gjaku. Kishin bërë krime të përbindshme dhe gjetën fundin më mizor, por të meritueshëm. U vranë si qentë prej shokëve të tyre po aq kriminelë. Kish ardhur koha që në luftën për pushtet i hanin kokat edhe njëri-tjetrit.
Një ditë më ra në dorë edhe përmbajtja e letrës që Skënder Daja i kishte shkruar Kryesisë së Kuvendit Popullor për faljen e jetës, letër që meriton të lexohet e të meditohet gjatë për të, sepse është letra e një 22 vjeçari që lutet për jetën e vet të re përballë plumbave të kriminelëve komunistë që nuk kishin zemër, kishin vetëm ideologji vrastare.
“Unë, Skënder Qemal Daja, i datëlindjes 1950, me arsim 8-vjeçar, lindur në Tiranë, me origjinë fshatar i varfër, i dënuar në Kampin e Spaçit me 10 vite për tentativë arratisjeje, sot i dënuar me vdekje, i akuzuar me nenin 72-76 dhe 73. Në fakt, kam pranuar se i revoltuar kam bërë propagandë atë ditë, ashtu siç bërtitën të gjithë në kamp dhe nuk kam marrë pjesë në asnjë lloj grupazhi e nuk jam bërë pengesë për sabotim ekonomik dhe të frymëzoj ndonjë person. Kur mbaroi revolta ne kishim frikë se do të na rrihnin, prandaj u grindëm me ta. Me kaq e mbyll këtë letër lutjeje, me shpresë që të më falni jetën si i ri që jam.”
Po si mendoni se u përgjigj Kryesia e Kuvendit Popullor? A patën ndofarë ndjeshmërie kur e lexuan letrën e 23 vjeçarit? A menduan për fëmijët e tyre? A i menduan lotët e dy motrave për vëllanë? Lotët e Engjëllushes shoqes tonë të shkollës? A menduan se për këtë krim si mijëra krime mbi popullin shqiptar do të përgjigjeshin një ditë? Jo asnjë nga këto nuk i menduan. Menduan veç një gjë, se ishin të pamposhtur dhe kishin të drejtë të përgjaknin populli dhe se do të mbijetonin në çdo rrethanë.
E kush mund të thotë se kjo nuk ndodhi. Pra kriminelët mbijetuan edhe pasi u përmbys kupola dhe sistemi i përgjakur komunist. Sepse nuk u vu në plumb asnjë prej atyre që e firmosën dënimin me vdekje të Skënder Dajës, Hajri Pashës, Dervish Bejkos, e Pal Zefit. Asnjë nuk u dënua. Të mos përmendim edhe emra viktimash të tjera, martirësh të tjerë. Ne shpesh përmendim disa, por janë me mijëra. Dheun e kish mbuluar gjaku.
E pse mund të pyetet? Pse nuk u dënuan? Ca demagogë foltoresh do të thonë se demokracia nuk vret. Por ky është vetëm justifikim, sepse shteti i quajtur demokratik (e dyshimtë kjo shprehje) dënoi e vari në Fier dy vëllezër, djem të rinj, që kishin vrarë një familje. Por as që mendoi që të varte në litar qoftë dhe një monstër diktature, apo t’u bënte një privilegj duke u dhënë plumbin në lule të ballit këtyre sadistëve që po shënoj më poshtë. I quaj kështu sepse pa qenë kriminelë në shpirt nuk mund të jepnin një vendim të tillë.
Pse vallë nuk u shkrep një plumb në kujtim të 22-vjeçarit Skënder Daja, pse asnjëri prej këtyre kriminelëve nuk u vu përballë togës së ekzekutimit?
Tani më thoni si na qenka kjo demokraci dhe për kë është?! Ose edhe nëse e pranojmë, kjo është një demokraci ku kriminelët dhe viktimat trajtohen barabar, ku të parët, xhelatët pra, apo bijtë e tyre, vazhdojnë të udhëheqin, ndërsa viktimat e fëmijët e tyre vazhdojnë të viktimizohen. Më këtë ndjesi e dhimbje realizova një film dokumentar për Skënder Dajën “Djaloshi me kitare”. Një ngushëllim i vogël është edhe shpallja “Martir i Demokracisë” sepse ende eshtrat e 22-vjeçarit të ekzekutuar Skënder Daja vazhdojnë të tundohen e thërrasin për jetë, atje në varrin e humbur në ferrin e mallkuar të Spaçit.
Të tillë demokraci mos paçin as armiqtë!
Kryesia e Kuvendit Popullor që miratoi dënimet me vdekje ishin këta maskarenj që nuk u dënuan kurrë për krimet e veta në diktaturë: Haxhi Lleshi, Rita Marko, Myslym Peza, Shefqet Peçi, Bilbil Klosi, Pilo Peristeri, Karaman Ylli, Sadik Bekteshi, Agim Mero, Dhimitër Shuteriqi, Vito Kapo dhe Spiro Moisiu.