23/12/2024
Edison-Ypi-Bishnice3

Nga Edison Ypi

Më raftë pika që s’të kam njohur më parë.

Në fakt, këtë herë, nuk u nisa për te Ty. U nisa për të dalë nga Mokra në Gramsh duke kaluar në Kukur. Ishin kallauzët që më ndihmuan rrugës ata që më thanë se për të arritur në Kukur duhej të kaloja nëpër Bishnicë. Ç’ësht’ e vërteta, kallauzët s’lanë fjalë të mirë pa thënë për Ty. Në Qiell të ngritën. Aq sa ma ndërruan mendjen. Harrova Kukurin dhe Gramshin. U nisa drejt Teje, drejt Bishnicës.

Zoti nuk flet kurrë drejtpërdrejt. Zoti flet vetëm me nënkuptime.

Nga Kakaveci në Velçan, pra nga ku nis kjo aventurë deri pranë Teje, Zoti më derdhi në tru tre Kumte nga ata që duhet tua zbërthesh vetë kuptimin.

Kumti i parë:

Zonjë mokrare te të 50-at me shkarpa në duar dhe kalin që e tërheq për kapistalli.

Zonja tha:

-Si e ke hallin o njeri ? Dëshiron të më nxjerrësh në fotografi, që pastaj fotografinë time ta hedhësh në rrjetat sociale, në Fejsbuk dhe në Instagram ? Nxirrmë. S’më bëhet vonë. Kam tre djem në Gjermani, dy çupa në Greqi.

Ngriva.

Ç’ne kjo Zonjë në majë të Mokrës më flet për rrjeta sociale, Fejsbuk, Instagram, Gjermani ?

Pasi e mora pak veten, nisa ta analizoj domethënien e Kumtit: Zonja është vetë Mokra. Gjermania, Fejsbuku, Instagrami, janë gjëra të cilave Mokra s’u jep asnjë rëndësi, madje për Mokrën ato as që ekzistojnë. Ndërsa kali është revani i Mokrës drejt së ardhmes, dhe shkarpat janë një zjarr që do ndizet pas pak, kapistalli është vetkontrolli drejt progresit. Pra, Fejsbuku dhe soji i tij, për Mokrën dhe për Tiranën janë gjëra krejt të ndryshme. Si rrjedhim, diçka e jashtëzakonëshme më pret pas pak këtu rrotull.

Kumti i dytë:

Mokrar me kosore në sup.

-A je i lumtur o mokrar ?

-Të lutem mos e vër në dyshim se më vete ters. Sigurisht i lumtur jam. Kam tokë, kam dhi’, kam baxhë ku bëj djathë e gjalpë, kam fëmijët në kurbet, kam gjithçka.

Pra, për mokrarin optimist me kosore, rrjedhimisht edhe për mua, në Mokër mund të gjesh gjithçka. Edhe Parajsën. Edhe çudinë e tetë të botës.

Kumti i tretë:

Motër nja 8 vjeç dhe vëlla nja 20 vjeç mbi kalë.

Thotë djali:

-Jam mokrar. Jam student në Tiranë për inxhinieri kompjuterike. Vij në Mokër behareve për pushime.

Pra Doruntinë, Konstandin, kalë, pesë male kaptuar. Vetëm nata dhe balta e varrit mungon. Gjithçka është e qartë. Më tutje diçka dramatike do ndodhi.

Kumtet e Zotit i mora. Këshillat e kallauzëve i zbatova. Megjithatë jam në merak. Çfarë s’ndodh mes bukurive të Mokrës. A sa i bukur ky pyll, o sa i këndshëm ky fllad, u sa e mrekullueshme kjo korie, dhe gjen belanë, humb rrugën, përfundon në Stravanj, te Guri Kamjes, në Valamarë, a kushedi ku tjetër ku të çan ujku ose të përqafon ariu. Po i ngacmove, natyrisht.

Ka ca bythpambukër ku rafsha mos u vrafsha që para se të nisen diku, pyesin së pari për restorant, mish, fish, asfalt. Ky nuk është rasti.

Nëse gjatë kësaj aventure nëpër Mokrën e Epërme, dikush pret restoranta, korana, asfalta, bye bye, e lus ta braktisi këtë lexim. Të iki ta zhysi kokën brenda ndonjë pilafi të hajë sa të pëlcasi.

Velçan e lart, nuk bëhet shaka. Këtu nuk jemi te kodrat e Saukut. Këtu jemi te Mesi i Kurrkundit. Ku ka ujqër, arinj, dhelpra, ketra, pyje, pisha, liqene, shkëmbinj.

I armatosur me infot e kallauzëve dhe kumtet, bëj tutje.

Pak kilometra pas Velçanit nëpër një dushknajë shekspiriane ku nga çasti në çast mund të dalin magjistrica, Bishnica nuk duket, nuk çfaqet, nuk shpaloset – Bishnica fanepset.

Kot u lodhën kallauzët me ma ngrit Bishnicën në qiell. Bishnica në qiell është.

Ta shohësh Bishnicën nga lart, të bëhet ta përqafosh e ta shtrëngosh, ta përkëdhelësh e ta puthësh si Femër. Aq e bukur është Bishnica.

Bishnica është një luginë magjepsëse.

Bishnica është një mahnitje që ta pushton imagjinatën si arenë e zhvillimeve të ndonjë kryvepre letrare, por me Bishnicën para syve s’të kujtohet as titulli as autori.

Bishnica është si film tmerrësisht i bukur që e ke parë para shumë kohësh, por meqënse edhe për filmin edhe për Bishnicën truri është i vogël, regjizori dhe aktorët kanë mbetur nëpër mjegullat e kohës, vendin e tyre e ka zënë magjepsja.

Bishnica është një përfytyrim bredharak i pakushtëzuar në kohë dhe hapësirë.

Bishnica është një mirazh nga ata që shihen me sy mbyllur kur po dëgjon një muzikë që të shkakton lot.

Bishnica duket si fragment nga një ëndërr ?

Bishnica është një det me gjelbërim, rrethuar nga një oqean me klorofilë.

Bishnica është një bukuroshe e mënjanuar, një perri’ e përgjumur, një kryevepër e strukur, një mjegull e arratisur.

Rrethuar nga pyje të dendur, përrenj mozartianë, fllad që të shkakton mornica, ujvara si flokë femrash, pëshpërima gjethesh, aroma marramendëse, Bishnica është një Parajsë mbi tokë, që po e pe një herë, harron gjithçka, mbetesh përgjithmonë aty.

-Pse rri mënjanë Bishnicë ? Pse s’del, pse s’shpërthen, pse s’buçet. ?

Përgjigjet Bishnica:

-Fshihem sepse më vjen turp nga selfiet dhe çveshjet. Është njësoj sikur të presësh pyjet dhe të shterrësh burimet e mia.

Mënjanohem sepse më vjen keq për djemtë në kurbet.

Strukem se tmerrohem nga nënat e vetmuara.

Për këto dhe të tjera dal natën. Ngjitem te liqenet e Lukovës, i mbush me lotët e mia.

-Mos qaj Bishnicë. I Ndreq unë këto padrejtësira. Do hy shkes. Ta kam gjet një djalë. E quajnë Roskovec. Kafet do ti pimë në Myzeqe te Kisha e Kurjanit. Ceremoninë e martesës do ta bëjmë në Mokër te Manastiri i Shën Marenës. Ti Bishnicë do çosh në Roskovec flladin, freskinë, ujrat. Roskoveci i fuqishëm do sjelli në Mokër iniciativën, përvojën, energjinë. Ti Bishnicë do kesh një krushkë madhështore, Myzeqenë, dhe një vjehrrë fantastike, Majlindën. Roskoveci do ketë një vjehërr jo më pak madhështor, Prefektin e  Qarkut. Pasi të bashkoheni ju të dy, djem e vajza nga Mokra e Roskoveci do kthehen urgjent nga kurbeti. Nënave dhe baballarëve të vetmuar do u arratiset dëshpërimi.

Ti dhe Roskoveci do bëni një zabel me fëmijë.

Ju të dy do keni një pyll me nipa e mbesa.

Do rroni e trashëgoni:

Derisa bota të bëhet hi’.

Dhe hiri Bishnicë e Roskovec përsëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok