18/11/2024

DYERT MEMECE TË FERRIT

0

Nga Agron Tufa

Sot mbushen 51 vjet (21-23 maj 1973) nga Revolta Antikomuniste e të burgosurve politikë të kamp-burgut të Spaçit. Të burgosurit u përleshën me policinë e kampit derisa i dëbuan ata, duke marrë në dorë teritorin për 3 ditë.

Revolta e Spaçit përbën një pikë kulmore në historinë e qëndresës antikomuniste, por edhe të lëvizjes për liri e demokraci. Shkaqet e kësaj revolte ishin kushtet çnjerëzore në të cilat vuanin të burgosurit e burgut, puna e tyre skllavëruese, përdorimi i torturave psikologjike dhe fizike, si edhe gjendja e mjeruar e popullit nën diktaturën komuniste, kundër së cilës ata u ngritën dhe qëndruan heroikisht.

Të dënuarit hodhën edhe parrulla politike si: “Poshtë komunizmi dhe Rroftë Shqipëria e Lirë”. Për herë të parë u artikulua shprehja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” U ngrit për herë të parë flamuri kombëtar pa yllin komunist. Revolta e të burgosurve të Spaçit ishte një lëvizje politike. Ajo vërtet shpërtheu në mënyrë spontane në mbrojtje të jetës së shokut të tyre Pal Zefit, por menjëherë mori formë të përgjithshme e të organizuar me një shtab drejtues e me kërkesa kryesisht politike të përcaktuara. Revolta e Spaçit u shtyp dhunshëm nga regjimi, duke dënuar kryengritësit, me dënime që varionin nga 25 vite shtesë në dënimin fillestar me burgim, deri në pushkatim.

Dënimet:

80 të burgosur morën ridënime, ndërsa 4 prej tyre u ekzekutuan. Katër të pushkatuarit ishin Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai.

11 vjet më vonë Revolta kundër regjimit u përsërit me 22 maj 1984 në një kamp-burg tjetër politik, në Qafë-Bari, me të njëjtat parrulla: Poshtë komunizmi! Poshtë diktatura! Poshtë diktatori! I gjithë kampi u rrethua me forca ushtarake të ardhura nga Tirana. Edhe kjo Revoltë u shtyp me masakra, rrahje, gjymtime e të pushkatuar.

Revolta antikomuniste e Spaçit dhe ajo e Qafë-Barit ishin ndër aktet e vetmuara e martirizuese kundër diktaturës, të vetmet akte që i shpëtojnë nderin dhe dinjitetin një shoqërie të tërë të gjunjëzuar nga pushteti terrorist e gjakatar i komunistëve shqiptarë.

Lavdi veprës së tyre të pavdekshme ndër breza!

P.S: Këtë film dokumentar “Dyert memece të Ferrit”, që e kam realizuar përgjatë 5 ditësh në vitin 2013 me regjizorin Kelmend Karuni, e hedh sot në përkujtim të Revoltave Antikomuniste të kamp-burgjeve të Spaçit dhe Qafë-Barit, që ndodhën përkatësisht me 21-23 maj 1973 dhe 22 maj 1984. Filmi qe shfaqur e vlerësuar në Gjermani. Asnjë kanal televiziv shqiptar nuk guxoi ta transmetonte.

Filmi është i gjatë 50 minuta, me skenar të Agron Tufës, dhe është realizuar me mbështetjen financiare të Fondacionit “Konrad Adenauer”.

Filmi prek tri nga momentet më domethënëse në historinë e persekutimit komunist: Burgun e Porto Palermo-s, Burgun e Spaçit dhe atë të Qafë Barit, ku edhe u zhvilluan revoltat. Rrëfimi bëhet në vendngjarje, por, disa dekada më vonë. Për pamjet e këtij filmi, janë përdorur arkivat, skica personale dhe historia vjen përmes protagonistëve. Filmi u prezantua në Gjermani, gjatë një konference në Fondacionin Ettersberg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok