Dy trëndafilë të bukur…
Për fejesën e djalit të vogël
Kushtuar zogjve tanë Ariel Habazaj dhe Elona Alidemiraj ditën e bekimit të dashurisë së tyre
Nga Albert Habazaj
Si shpirt i çelur bukur ajo ditë
M’u duk, kur hovshëm e purpurta e ndezur
U spërkat aq ëmbël në kaltrinë,
Dhe natyra me dashuri ka qeshur.
Kur djali i vogël ma mbushi zemrën
Kur me nusen shkëmbyen unazat si diej,
Kur ullinjtë dhe shegët ma mbajtën këngën,
Kur zogjtë gëzimtarë e ngjitën në qiej.
Shkëmbimi i nishaneve të fejesës
Siç quhet me gjuhën etnografike,
Është vula me dritë e besës për jetën,
Burimi i thellë që hardhia harliset.
Kush është prind e ka fëmijë të rritur
Më kupton pse unë sot ndihem mbret,
Këtë çast të bekuar sa e kam pritur,
Me Flotën detare në det të qetë.
Kur në sytë e Arielit dhe Elonës
Shikoja portat e hapura të zemrave
Dhe gjithë ngjyrat e ngrohta të botës,
Bekimin e Perëndisë dhe të nënave.
Mbushur trëndafila të njomë e lule mjalti
Pashë në sytë e çiftit të lumtur
Tek ajo puthje – ura e lidhjes së fatit
Si princi me princeshën më të bukur.