21/12/2024

DY DIT, RRETH E QARK LIQENIT TË OHRIT

0
Tarelli-Liqeni-Ohri1

Të falem ty, o gjuhë e fisit tim,

siç nuk i falem asnjë perëndie –

se tempull i përjetshëm më je ti,….

Mitrush Kuteli.

Përjetime nga një udhëtim i magjishëm

Nga Kadri Tarelli

Prej kohësh, mes shokësh piqej muhabeti për një rrugëtim rreth liqenit të Ohrit, që ne e quajmë liqeni i Pogradecit, ose liqeri i Lasgushit, por siç thonë të vjetrit, “Me të thënë e me të bërë,/ e ndan një det i tërë”.

E çuditshme…. koha! Që ne të lëviznim. mjaftoi një thirrje nga Struga, se do të organizohet “Një mbrëmje me Prof. Dr. Nuhi Vinca”, ku do  përkujtohet miku ynë i nderuar, i cili nuk ka shumë kohë që ka ndërruar jetë dhe tashmë na vështron nga froni i yjeve. Një dëshirë, më shumë një urdhër i brendshëm, na shtyu që brenda pak orësh të sigurojmë makinë, të caktojmë orarin dhe të ndajmë “detyrat”, për një udhëtim dy ditor rreth liqenit të Ohrit, për të vizituar Pogradecin, Manastirin e “Shën Naumit”, Ohrin, Strugën, e më pas edhe Manastirin e kishën në Kalishtë. “Një rrugë e dy punë”, – thonë të moçmit, ndërsa unë shtoj një shprehje huazuar nga matematika: “Nuk ka problem që nuk zgjidhet, nëse shtrohet për zgjidhje”.

Grupi ynë përbëhej nga katër persona: Shpendi Topollaj, Kadri Tarelli, Gëzim Agasi dhe piktori Arben Kristani, që do të kryente edhe detyrën e shoferit.

U nisëm herët, që kohën ta kishim përpara dhe të mos nguteshim. Së pari ndaluam në restorantin “Gjuetari”, në anë të rrugës, para se të hyjmë në Librazhd. Siç i thonë shoferët, duhet furnizuar stomaku me karburant, që ta kemi mendje e fjetur deri edhe për mbas dite, se nuk i dihet ku na ze dreka.

Më tej ndaluam në Pogradec, ku na priste akademiku dhe miku ynë Kopi Kyçyku, për një kafe dhe për t’u çmallur. Unë kisha disa vjet pa u takuar. Përshëndetemi në facebook apo portalet elektronike, por takimi dhe këmbimi i mendimeve apo bisedave ka tjetër vlerë, duke pasur parasysh krijimtarinë letrare apo studimore.

Akademiku ynë i nderuar, megjithëse në moshë të thyer, ende vazhdon të shkruajë dhe të botojë libra studimor, me vlera historike kombëtare. Një shembull që e vlen të përshëndetet dhe të përgjithësohet, se krijimtaria të mban gjallë deri sa të lenë fuqitë. U kënaqëm me kafe, por më shumë për muhabetet tona që nuk pushonin. Prof. Kopi na ftoi të qëndrojmë për drekë, por ne nuk pranuam, pasi kohën e kishim ndarë me minuta. Do qëndronim më gjatë në Shën Naum.

Në doganën e shtetit fqinj, na vonuan pak si shumë. Koha e pritjes na u duk tepër e gjatë, mbase nga përshtypja, se vendet fqinje, sidomos në valë lëvizje turistike të shtuar, s’ka pse të vonojnë duke kërkuar e zbatuar rregulla burokratike. Zyrtarët burokratë janë në rregull me punën e tyre, por janë qytetarët që harxhojnë kohë dhe djersë duke pritur…..? Çuditërisht kështu na ndodhi edhe kur u kthyem në doganën tonë në Qafëthanë, të nesërmen pas dite. Mbase mendojmë gabim, sepse na u krijua një lloj pështjellimi, sikur doganat dhe doganierët kopjojnë njëri-tjetrin, pavarësisht se janë goxha larg.

Unë kisha më shumë se njëzet vjet që nuk kisha qenë në Manastirin e Shënd Naumit, siç do të thoshte Lazgushi ynë i madh. Kishin bërë ndryshime të ndjeshme, të bukura në pamje dhe praktike për turistët dhe vizitorët e shumtë, që nuk pushonin të vinin me makina apo me tragete të vegjël nga liqeni.

Nuk di ç’të them…..! Këto fjalë mbase do t’i përsëris shpesh, pasi fqinjët tanë i kushtojnë shumë kujdes mjedisit turistik, jo vetëm të jetë i bukur, i pastër dhe i mirëmbajtur, por të jetë i përdorshëm, i lehtë në lëvizje edhe kur ka dyndje vizitorësh. Përjetuam një lloj modeli turistik, për t’u marrë si përvojë pozitive edhe nga ne. Pyetja që mbetet pa përgjigje është: Pse ata, fqinjët tanë, bëjnë kaq kujdes, ndërsa ne jo kudo dhe jo kurdoherë…….? I them këto fjalë, jo vetëm për Shën Naumin, ku nuk pushonte vargu i vizitorëve, që hynin e dilnin si mizat e dheut, por edhe në pika të tjera, si bie fjala në qytetin e Ohrit, apo në Manastirin e Kalishtës, në anën perëndimore të liqenit.

Unë po vija vërdallë në oborrin e manastirit, diçka kërkoja në heshtje, kur Gëzimi më pyeti:

– Ç’po kërkon, mos të ka humbur gjë……!?

– Jo…..! – i them i qetë. – Më mirë të më pyesje, ç’ kemi humbur ne shqiptarët? Unë po mendoj vallë në cilën kënd të oborrit, një nga murgjit e manastirit ndezi zjarrin dhe dogji të gjithë dokumentacionin e mbajtur ma aq kujdes e fanatizëm për afro 700 vjet, që atëherë kur u ngrit ky vend i shenjtë? Ishte viti 1850-51, – Shkruan studiuesi Nuri Dragoi, në librin “Shqiptarët dhe Grekët. Realitete historike”. Faqe 49. – “Ka patur dokumente të çmuara edhe në manastirin e “Shën Naumit”, i ndërtuar në shekullin XII-të, të cilat u shkatërruan me urdhër të patrikut grek në vitin 1850 ose 1851. Murgu Serafim, rrëfen: – Por patriku më ka urdhëruar tri herë radhas: “Është hera  e fundit që ne të urdhërojmë. Në qoftë se nuk e djeg ti, do ta bëjnë të tjerët, por pa ty. Sa keq më vinte!”.

– Po ç’ lidhje ka me ne shqiptarët, ky dokumentacion manastiri, si institucion fetar, kur ende ne nuk kishim krijuar shtet? – e vazhdoi bisedën Gëzimi.

– Pikërisht këtu qëndron edhe enigma, natyrisht “në dukje”: – Kohës i duhesh mbyllur goja, të mos fliste mbi historinë e shqiptarëve dhe trojet e tyre, në një kohë që Perandorisë Osmane po i binin dhëmbët dhe po e linin fuqitë. Kështu që, tokat e banuara nga shqiptarët, të copëtoheshin mes fqinjëve, ashtu siç edhe ndodhi në fund të shekullit 19 dhe në fillim të shekullit 20, kur ne u shpallëm të pavarur me një truall kaq të vogël, duke lënë jashtë shumë hapësira toke, dete, liqene e lumenj. Jemi i vetmi vend në botë, që, si në jugë, në veri e lindje, rrethohet me popullsi tërësisht shqiptare. Madje edhe ti e di mirë si u veprua edhe me këtë Manastir të shenjt, apo pikë turistike kaq e njohur në Ballkan dhe në botë, pranë këtij burimi të mrekullueshëm, nga ku buron edhe lumi Drin i Zi. Padrejtësia mbetet plagë e hapur në trungun e kombit tonë, dhemb shumë, ndaj dhe nuk mbyllet lehtë. Historia bërtet e këlthet me gjuhën e letrave dhe……, letrat në të tilla raste kushtojnë shtrenjt.

Zbritëm nga Manastiri dhe qëndruam rrëzë shkëmbit, të gjelbëruar, ku aq bukur është ndërtuar një mol i vegël, ku venin e vinin tragete të mbushur me turistë e vizitorë të shumtë. Na u duk vetja sikur jemi në Durrës, në port, ku ankorohen tragete të mëdhenj, që vijnë nga larg, plot me turistë e udhëtarë. Beni hapi kavaletën dhe vendosi telajon, pikërisht  në qoshe të atij moli të vogël, ku dukej bukur ndërtesa e manastirit, mbështetur mbi shkëmb, që laget e rrihet nga era dhe dallgët e liqenit të magjishëm.

Ai u fut në botën e ngjyrave, ndërsa ne filluam të mbledhim e të shijojmë manaferra, të mbira natyrshëm mbi atë copë vend. Në fund, kur i gjithë peisazhi me ngjyra u fut në telajo, s’na mbeti tjetër veç të shijojmë e të krahasojmë aty në natyrë, bukurinë e objektit model dhe pikturës. Nuk kishte pamje më të bukur. Frymëzimi krijoi një mrekulli. E uruam autor Kristanin dhe u bëmë gati të lëvizim drejt qytetit të Ohrit, në të njëjtën kohë, që Mali Thatë po vishej me re të zeza, që paralajmëronte se shiu ishte fare pranë.

Ndërkohë që ne bënim shaka dhe vlerësonim këtë vend magjik, Beni na thotë se duhet bërë karburant, pasi shenja e kuqe njoftonte se rezervat ishin në pikën e fundit. Ne “Si të ditur”, pa e vrarë mendjen, duke menduar se jemi në Shqipëri, ku në çdo pëllëmbë rrugë ka një pikë furnizimi, i thamë: – Besoj se rrugës do të ketë pa tjetër ndonjë vend furnizimi….., pasi Shën Naumi dhe Ohri janë goxha larg. Udhëtonim, por shqetësimi i Benit sa vinte dhe shtohej, pasi pikë karburanti s’po dukej gjëkundi, kur edhe shiu si mysafir i shumëpritur po godiste qetësisht xhamat e makinës. Të gjithë u çliruam nga ankthi vetëm kur hymë në ndërtesat e para të qytetit.

Nëse edhe pak rrugë të kishte zgjatur, udhëtimi ynë do të përfundonte në një aventurë jo të këndshme. Sidoqoftë shpëtuam dhe shakatë u rikthyen, duke pyetur veten: Si është e mundur që në këtë rrugë kaq të gjatë, Shën Naum-Ohër, mos ketë një pikë karburanti. Në këtë rast përgjigja mbetet pa zë……! Ata e dinë ç’bëjnë…!

Ne nxitonim….! As guxuam të ndalojmë as për kafe, as për ujë. Nuk na shkonte mendja të hidhnim sytë në qytet. Mbetëm duke “vrapuar” drejt Strugës, ku na prisnin për të marrë pjesë në veprimtarinë përkujtimore, “Mbrëmje me Prof. Dr. Nuhi Vinca”, organizuar mrekullisht në teatrin “Poshka”. Të parët që takuam ishin çifti nga Prishtina, Ilir Kafexholli (kirurg) dhe Teuta Vinca Kafexholli, e bija e Prof. Nuhiut, të cilëve fisnikëria u lexohej në fytyrë.

Kësaj ngjarjeje të paharruar përkujtimore, me t’u kthyer në Durrës, i kushtova një shkrim me titull: “Në përkujtim të Prof. Dr. Nuhi Vinca”, publikuar: Facebook. 23. 08. 2024, Gazeta “Dielli”. SHBA, 24. 08. 2024, “Fjala e lire”, Londër, 25. 08. 2024, dhe “Zemra Shqiptare”, Zvicër, 27. 08. 2024.

Këtu në Strugë, një lloj tjetër aventure përjetuam, siç ndodh kudo kur nuk e njeh qytetin, rrugët, sheshet, objektet e artit dhe kultit. Nuk u mërzitëm dhe as u çuditëm, pasi jemi mësuar edhe këtu në Shqipëri, siç na ndodhi pak dit më parë në qytetin e Shkodrës, që vetëm për të parkuar makinën u endëm nëpër rrugicat e saj, jo më pak se një orë. Sidoqoftë kur udhëtimi mbaron mirë, vogëlsirat harrohen shpejt, vetëm kujtohen në bisedat e atyre çasteve, si për të zgjatur me humor e për ta bërë më interesant muhabetin, rreth tavolinës së kafesë.

Në darkë, siç ndodh kur jemi mes miqsh, si Agim Vinca e Hysen Ibrahimi, bisedat dhe diskutimet vazhduan gjatë. Temat gjuhësore dhe letërsia mbetën në krye, pa harruar edhe problemet e ditës që përjetojnë shqiptarët në të dy anët e gardhit, që na ndan prej më shumë se një shekulli.

Mëngjesi i ditës së hënë, pas shiut të djeshëm, ishte më i freskët. Vendosëm që kafenë ta pimë në Ohër, ku mbërritëm shpejt. Qyteti i vjetër, me rrugica të ngushta dhe shtëpi karakteristike në shpatin e kodrës, na kujton Beratin tonë. Nuk po flas për kishat, manastirin dhe kalanë në majë të kodrës që sundon qytetin, që gëlonin nga vizitorët e shumtë. Nuk po shtoj fjalët, se kur përsëriten, nuk shprehin fantazi, as bukuri e forcë mendimi.

Ajo që më shtyn të shpreh një lloj kënaqësie çasti, por edhe një zhgënjim në vetvete, ishte pamja e amfiteatrit të atij qyteti, i ndërtuar prej mijëra vitesh, tashmë i restauruar, i vënë në shërbim të publikut, të artit dhe artistëve, me skenën e mbuluar, por të pajisur me të gjitha mjetet dhe orenditë që kërkon një mjedis i tillë. Pas kënaqësisë së atij admirimi, për ne durrsakët zuri vend zhgënjimi: Ne në Durrës kemi amfiteatrin më të madh të Mesdheut, dhe e kemi lënë ashtu sikurse u zbulua rreth gjashtëdhjetë vjet  më parë, pa i bërë as më të voglin investim. Pse? Pse…? Dhe pyetja zgjatet pa mbarim. Nuk dimë, apo nuk duam….? Fjala e fundit “nuk duam”, zë më shumë vend në fjalorin e gjithsecilit, kur përpiqemi të përtypim e shtjellojmë ngjarjet që kanë përcjellë, mbështjellë, ngjyer e përlyer jetën e qytetit tonë, sidomos në këto vitet e fundit.

Nuk di ç’të them….! Por emri i çdo kryeministri, presidenti apo titullar shteti, do të mbetej në historinë e Durrësit mijëra-vjeçar dhe në historinë tonë kombëtare, i shkruar me germa të arta, që do përmendej jo vetëm nga ne shqiptarët, por në mbarë botën. Është arti dhe artistët që do ta përjetësonin në përjetësi, ringjalljen e këtij monumenti me vlera të dhuruar nga koha. Restaurimi dhe vënia në punë e një objekti të tillë, si pasuri kombëtare e jashtëzakonshme, do të nderonte e ngazëllente cilindo, jo vetëm durrsakët, pasi pasuria, vetvetiu sjell pasuri, mirëqenie, pse jo edhe jehonë lavdie.

Pas Ohrit, që na hëngri shumë kohë, Shpendi na nguci që të vizitojmë Manastirin dhe kishën në Kalishtë, pranë fshatit me të njëjtin emër. Nuk e bëmë fjalën dysh. Ishte fare pranë rrugës Strugë-Qafëthanë, dhe që lagej nga ujërat e kristalta të liqenit “hyjnor”, do ta quaja unë, pas këtij udhëtimi të çuditshëm. Një mrekulli e vërtetë. Objekte kishtare të ngulura apo të mbërthyera në faqe shkëmbi, ku guri i shpellave ishte bërë pjesë dhe strehë e këtij ndërtimi fantastik. Mjeshtëri e rrallë për të shfrytëzuar gjithçka, duke na mahnitur sot ne vizitorët e shumtë. Uji i ftohë i burimeve aty rrotull dhe një gotë birrë shijonte shumë, ndërkohë Ben artisti pikturonte pamjen e Strugës në breg liqeni dhe malet përkarshi.

Qetësia, pastërtia dhe freskia e këtij vendi magjik, na mbajti për një kohë goxha të gjatë, edhe pse Beni kishte kohë që kishte përfunduar pikturën e tij. Ky ishte një tjetër çast i bukur në ndjesitë tona, që na shtyu të diskutojmë gjallërisht për artin vizual, pikërisht tani që ndodheshim fare pranë krijimtarisë, që e preknim dhe e përpinim bukurinë e ngjyrave. Mos ishte magji, apo frymëzim perëndie…..!? Nuk e di……..!

Kam përshtypjen se kam lënë shumë gjëra dhe hollësi të pa thëna, të cilat janë e do të jenë për një kohë të gjatë, pjesë e bisedave tona në kafe, në Durrës apo Currila, aty pranë detit që na freskon e na nxit të harrojmë problemet e zakonshme të ditës, duke i lënë shteg përjetimit që i jep krahë përfytyrimit e frymëzimit magji-ndjellës.

Provoni dhe do të më besoni. Jam i bindur se kam të drejtë…..!!!!!!

Kadri Tarelli

Fund gushti, 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok