22/11/2024

DUKURI NË PROCESIN E TË LEXUARIT E TË SHKRUARIT

0

Nga Bashkim Saliasi

Të mësuarit është një proces i gjatë e i ndërlikuar. Ai fillon në formë kuptimi, shumë herët, atëherë kur fëmija “regjistron” në, vetëdijen e vet fjalët e para të gjuhës së nënës së bashku me përmbajtjen kuptimore të tyre.

Në një farë kuptimi, mësimi i gjuhës është ndër mësimet e para që nis të përvetësojë njeriu. Me uljen e fëmijës në bangën e shkollës, tashmë ky mësim futet në një sistem procesesh, metodash, problemesh e dukurish.

Për të realizuar të mësuarit në tërësi, duhet të përvetësohet çelësi i të mësuarit, gjuha.Mësimi i gjuhës amtare është bazë që përcakton zhvillimin intelektual, emocional e shoqëror të një nxënësi, në veçanti, por edhe të njeriut në përgjithësi. Për nxënësin ky mësim luan rolin e bashkërenduesit në tërë përmbajtjen që ka shkolla e, për njeriun passhkollor bashkërendon tërë përmbajtjen e “shkollës” së madhe të jetës.

Duke parë shkollën si qendrën më të rëndësishme të mësimit të gjuhës shqipe nga nxënësit, përmes lëndës së gjuhës shqipe, por edhe nga lëndët e tjera, të paktën në anën vizuale, mendoj se mësuesit e gjuhës shqipe, më mirë se kushdo tjetër, duhet të jenë mjeshtrat e vërtetë të zotërimit të arteve të të mësuarit të gjuhës, nxënësve të tyre.

Në të vërtet zotërimi i këtyre arteve kërkon, në veçanti, që të kuptohet mirë nga çdo mësues çdo të thotë ta mësosh nxënësin që të të dëgjojë, ta mësosh nxënësin që të flas bukur, qartë e rrjedhshëm.

Mirë po, unë në këto pak radhë dua të ndalem tek artet e të lexuarit dhe të shkruarit nga nxënësit.Leximi si proces mësohet nga klasa e parë deri në klasën e pestën. Mësimi i gjuhës shqipe nga klasa e pestë deri në klasën e nëntë nuk ka më synimin për ta mësuar nxënësin që të lexojë, por synon që ky proces të realizohet me art, duke shprehur veten me tërë botën emocionale ndaj asaj që lexon, duke përcjellë ndjesi, emocione e qëndrime tek ata që e përcjellin atë lexim e, duke ngulmuar që të vëmë në spikamë porosit, mesazhet, vlerat artistike përmes theksimeve logjiko-emocionale, në dukje se (jo nuk njihen) disa probleme e dukuri për të lexuarit nga nxënësit e klasave të VI-ta dhe të IX-ta të arsimit 9-vjeçar.

Së pari: Është problem, se ka ende një masë të konsiderueshme nxënësish që nuk dinë të lexojnë. Kjo dukuri nuk shfaqet vetëm në klasat e gjashta, por vihet re dhe në klasat e larta. Për fat të keq na rezultojnë jo pak nxënës që mbarojnë arsimin e detyruar 9 vjeçar pa arritur të përvetësojnë në masën “mirë” të lexuarit, si proces i të nxënësit të dijeve.

Të lexuarit si proces s’ka të bëjë vetëm me të nxënit, por duhet parë edhe si proces që e formon nxënësin si në anën kulturore ashtu dhe në atë estetike, duke e ndihmuar atë të shprehet bukur, në mënyrë elokuente edhe mbas mbarimit të shkollës. Së dyti: Kultura e të lexuarit nuk fitohet pa një lexim të vazhdueshëm edhe të librave jashtë shkollorë.

Vrejmë se këto vite në shumë shkolla nuk ekzistojnë bibliotekat e shkollave. (!) Tashmë, kur në vendin tonë ka ndodhur e vazhdon ende lëvizja demografike e popullsisë nga zonat fshatare drejt atyre qytetare, këto lëvizje kanë sjellë me vehte edhe probleme të mëdha për shumë shkolla, si në ngarkesën tej mase me nxënës të klasave, zhvillimin me turne të mësimit, reduktimin e minutazhit të orës klasike të mësimit, e tje.

Ndodhur në një realitet të atillë as nxënësi e, as mësuesi nuk arrijnë të marrin e, as të japin në masën “mirë” artin e të lexuarit.

Së treti: Vihet re te shumë mësues të gjuhës shqipe dukuria e të ushtruarit të nxënësve në të lexuar në orën e mësimit, pa një proces leximi nga nxënësit sipas këtyre synimeve, te ne si mësues të gjuhës shqipe, por edhe te ata mësues të disiplinave të tjera, nuk mund të pretendojmë se e kemi realizuar procesin e të mësuarit nga nxënësit. Tashmë dihet se para se tu mësojmë nxënësve dije nga shkenca të ndryshme shoqërore apo natyrore, atyre u duhet mësuar se si duhet të zotërojnë mirë dhe shumë mirë të lexuarit.

Vetëm duke lexuar sipas këtyre parametrave të lartpërmendur, ne mund të pretendojmë se po e përgatitim atë, nxënësin, drejtë artit të të studiuarit, me tërë bukuritë dhe të fshehtat e tij.

Rrjedhimisht, një nxënës që din të lexojë, dinë dhe të hap portën e artit të të studiuarit e të marrë prej aty ato që i nevojiten për të ngulitur dije e për të fituar shprehi të reja. Mësuesi i gjuhës shqipe , pavarsishtë, por dhe çdo mësues tjetër, duhet të reflektojë modelin më të mirë për nxënësit, si në të folur, në të lexuar e, në të shkruar.

Të lexuarit si art, jo vetëm e lehtëson, por dhe shkurton rrugën e përvetësimit apo edhe të transmetimit drejt e saktë të dijeve. Është, tashmë, e njohur mënyra e të lexuarit nga nxënësit tanë në këtë hark shkollimi. Mendoj të ndalem për të vënë paraqitje e bukur që nga shkronja deri te teksti i plotë, paraqet vlera shpirtërore të të nxënit, shprehje të karakterit në një farë mase.

E bukura, si kategori estetike, ka vend edhe te shkrimi, veç duhet punë për ta arritur e përvetësuar atë.

Është mësuesi ai faktor që orienton, mëson e frymëzon nxënësit e tij drejt këtij objektivi.Të shkruarit nuk është vetëm anë formale, por edhe përmbajtje. Të shkruash do të thotë edhe të formulosh mendime, të organizosh fjali, të shprehsh ide e të transmetosh kulturë e mesazhe.

Roli i mësuesit të gjuhës shqipe edhe këtu, me sugjerimet e vazhdueshme, me “vërejtjet” pozitive, me refleksionet e veta për punën me shkrim të nxënësve, të lëna në formë këshillash, në fletoret e tyre, është i pazëvendësueshëm. Kështu mësuesi i “flet” nxënësit edhe në klasë, edhe në rrugë, kur nxënësi kthehet nga shkolla për në shtëpi, por edhe në shtëpi jo vetëm me nxënësin, por edhe me prindin që i shikon fletoren fëmijës së vet. Dukurit e problemet që vihen re sot tek shkrimi i nxënësve janë për fat të keq të shumta.

Së pari: Ka një masë të konsiderueshme nxënësish që nuk i formulojnë drejtë fjalitë. Në këtë hark shkollimi lënda e gjuhës shqipe , pjesa e leximit letrar, në shkollë kërkon më tepër të zhvillojë tek nxënësit të shprehurit, të ritreguarit, interpretime, zbërthime, vëzhgime dhe arritje në përfundimet e duhura.

Të gjitha këto arrihen pasi nxënësi ka parë modelin e të lexuarit, prej mësuesit, dhe pasi ka punuar shumë në mënyrë të pavarur me të lexuarit.

Së katërti: Ka një masë të konsiderueshme nxënësish që u mungon fantazia e aftësia për të formuar një mendim të qartë e të përfunduar. Kjo vjen si pasojë e dobësive që vihen re në procesin e të lexuarit nga nxënësit.

I gjithë ky proces është një hallk në zinxhirin e proceseve të formimit të nxënësit. Po çaloi, ose po u shkëput kjo hallkë, nuk funksionojnë as hallkat e tjera e, formimi ngelet i mangët.

Të lexuarit dhe të shkruarit janë dy procese fortë të lidhura me njëri-tjetrin. Edhe arti i të shkruarit nga nxënësit nuk është më pak i rëndësishëm nga arti i “të folurit”, i “të dëgjuarit” e i “të lexuarit”. Të shkruajnë nxënësit nuk do të thotë të dinë t’i shkruajnë shkronjat e gjuhës shqipe.

Shkrimi është edhe dije edhe kulturë.Është dije sepse e pais nxënësin me teknika të reja të të shkruarit. Është kulturë sepse i njeh nxënësit të organizojnë gjymtyrët brenda fjalisë.

Së dyti: Nuk vlerësohet sa duhet nga nxënësi, por edhe nga mësuesit në përgjithësi, paraqitja estetike e një pune me shkrim, qoftë ajo edhe një detyrë shtëpie e përfunduar me shkrim, por i vihet theks më shumë rezultatit të zgjidhjes së kërkesës.

Së treti mësuesi duhet të ngulmojnë të edukojnë te nxënësit idenë se shkrimi i bukur është respekt për vetveten së pari, për një punë që del nga duart e tij. Së katërti: Shkrimi nga ana e nxënësve në jo pak raste të shumë fjalëve në “normën” dialektore, si edhe përdorimi i disa shkronjave në vend të atyre që duhen përdorur në normë, standarde të gjuhës. Kur kujtojmë se ç’rrugë të gjatë e të vështirë kanë bërë atdhetarët tanë të shumtë në kohëra të ndryshme, për ta jetësuar e lartësuar gjuhën tonë amtare, s’mund të qëndrojmë indiferentë kur shikojmë se në kohën tonë moderne gjuhës shqipe po i bëhen “sulme”, shartesa e shformësime nga njerëz që mbahen për intelektual shqiptar, nga media shqipe, nga shtëpi botuese, nga hartues tekstesh shkollorë e, në ndonjë rast edhe nga ndonjë “mësues” modern. Le të jetë edhe ky shkrim në ndërgjegjen e çdo shqiptari që të kuptojë se, ta flasësh, ta lexosh e ta shkruash bukur gjuhën amtare nuk është thjeshtë një dëshirë, por edhe një detyrë e shenjtë atdhedashurie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok